Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje e lëshuan sallën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohej për krijimin e një komisioni për themelimin e tribunalit ndërkombëtar për krimet që Serbia i ka kryer gjatë luftës në Kosovë. Deputetët e dy partive politike opozitare janë shprehur të mendimit se kjo është “një tallje me qytetarët, pasi që një tribunal i tillë mund të krijohet vetëm nga Kombet e Bashkuara”. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se “për krijimin e tribunalit për gjenocidin” nuk e ka pritur se do të ketë hezitim. Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se lëshimi i seancës nga opozita është një gjë e turpshme. Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, tha se është e pakuptim se si deputetët e opozitës e kanë lëshuar seancën, ndërsa Bilall Sherifi, nga Nisma Socialdemokrate, tha se puna duhet të vazhdojë dhe se kriminelët që kanë kryer krime, duhet të dënohen.
