Deputetë e partive politike në Kuvendin e Kosovës, kërkojnë nga Qeveria e vendit që të shpejtojnë projektligjin për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në forcë e cila do të ketë mision ushtarak. Përfaqësuesit e partive politike nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës për Kosovën vlerësojnë se vendi është i gatshëm për themelimin e ushtrisë së vet. Ata konsiderojnë me të drejtë se transformimi i FSK-së, nga misioni civil në atë ushtarak duhet të bëhet sa më parë. Këto kërkesa deputetët nga partitë politike i bënë gjatë tryezës së organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë me temën:- “Si të procedojmë me formimin e ushtrisë?”
