Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca që të largojë produktet serbe, të cilat shërbehen në bufenë e Kuvendit. Në seancën e sotme ai ia vendosi kryekuvendarit një shishe me një pije, prodhim të Serbisë. Një prodhim të tillë ia vendosi edhe tek ulësja e kryeministrit, Albin Kurti. Deputeti, Bekë Berisha kërkoi nga krerët e Qeverisë që të mos lejojnë të shërbehen me prodhime serbe, nga ajo që kishte qenë kauzë e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë fushatave zgjedhore. “Në bufe të kuvendit shërbehen pije të prodhuara nga Serbia. I kërkova kryetarit Konjufca që të mos lejojë të shërbehet kjo pije meqë si parti kanë qenë shumë te zhurmshëm kundër prodhimeve serbe dhe këmbëngulës për bashkimin e trojeve shqiptare”, ka saktësuar deputeti, Bekë Berisha.
