Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka reaguar ndaj qëndrimit të Drejtorit të së ashtuquajturës “Zyrës për Kosovën”, Marko Gjuriqit lidhur me deklarimin e tij për procesin e fundit gjyqësorë të liderit të partisë së tij, Fatmir Limajt. Me këtë rast ai ka theksuar se nga deklarata e Marko Gjuriqit shihet qartë se ai synon që përmes tmerrimit të vet t’i sensibilizojë institucionet ndërkombëtare para se të zhveshët në tërësi që prapa dosjeve kundër UÇK-së qëndron shteti serb.
“Mos e vet se të kallëzon vet! Mediat në Serbi dhe në Kosovë njoftuan se lirimi i Fatmir Limajt nga të gjitha akuzat në procesin e fundit gjyqësor të montuar kundër tij ka tmerruar Marko Gjuriqin, drejtorin e të së ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë”. Deklarata e Marko Gjuriqit është shprehje më e sintetizuar publike e tmerrit që i ka kapluar bartësit e institucioneve të Serbisë për shkak se strategjia e tyre për t’ua veshur bartësve të UÇK-së akuzat për krime lufte është duke dështuar çdo herë kur vepron drejtësia e pandikuar politikisht. Nga deklarata e Marko Gjuriqit shihet qartë se ai synon që përmes tmerrimit të vet t’i sensibilizojë institucionet ndërkombëtare para se të zhveshët në tërësi që prapa dosjeve kundër UÇK-së qëndron shteti serb. Populli shqiptar i Kosovës ka një shprehje për situatat e tilla: Mos e vet se të kallëzon vet”, ka shkruar Sherifi.