Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, gjatë vizitës së tij në Zagreb të Kroacisë, është pritur nga ambasadori i Kosovës në këtë vend, Martin Berishaj. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të partisë së deputetit Berisha për shkarkimin e ambasadorit Berishaj, pritja ka qenë ngrohtë dhe vëllazërore. Deputeti Berisha ka njoftuar se gjatë qëndrimit në Zagreb, ku ishte i ftuar në një simpozium shkencor ndërkombëtar të organizuar nga Fakulteti i Studimeve Kroate i Universitetit të Zagrebit, ai ka takuar ambasadorin Berishaj dhe stafin e Ambasadës së Kosovës. Berisha e përshkroi pritjen si përtej protokollit diplomatik dhe një bashkëbisedim për të mirën e kombit dhe shtetit. Ambasadori Berishaj është intervistuar nga Prokuroria Speciale në Prishtinë lidhur me dyshimet për një aferë financiare në Slloveni, që kishte tërhequr vëmendje të madhe mediatike.
