Gjatë qeverisjes dyvjeçare, në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kanë përfunduar pesë ligje të Qeverisë Kurti. I fundit është ligji për Pagat në Sektorin Publik. Për një prej këtyre ligjeve, Gjykata tashmë ka nxjerrë vendim, duke e shpallur të pavlefshëm. Bëhet fjalë për Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për të cilin Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thoshte se i hapë rrugë reformave të thella në sistemin e drejtësisë. Kryeministri Albin Kurti ka shprehur shqetësim se edhe ligjet tjera do t’i rrëzohen nga Kushtetuesja. Ligji që do të rregullonte pagat e mbi 80 mijë punonjësve të sektorit publik, i është dërguar Gjykatës Kushtetuese, për vlerësim të kushtetushmërisë, dy muaj pas hyrjes në fuqi. Avokati i Popullit iu drejtua Kushtetueses lidhur me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, pas 104 ankesave që pranoi për të, shumica e të cilave ishin për zvogëlimin e pagave, heqjen e shtesave apo trajtimin joadekuat dhe jo të barabartë ndërmjet pozitave të përcaktuara me ligj. Ligji I kontestuar u vlerësua se bie ndesh me Kushtetutën e vendit fillimisht në çështjen e kompetencës që i jep Avokatit të Popullit për ta zgjedhur një nga anëtarët jo-prokurorë të KPK-së.
