Dervish Hekali - Hero i Popullit

Dervish Hekali 1912 – 1944

Dervish Hekali lindi në Hekal të Mallakastrës.Fëmijërinë e kaloi në gjirin e asaj natyre magjepëse që impononin muret e Bylysit të lashtë, brigjeve të Vjosës së furishme, ndër këngët dhe legjendat për Rrapo e Hamit Hekalin. Me kuriozitetin e fëmijës, me kurajon dhe vullnetin e një të rrituri, ndonëse i mbetur jetim, Dervishi mundi të vazhdonte e të përfundonte shkollën fillore të fshatit dhe të Ballshit, aq të vlefshme për kohën. Pas kësaj mbi supet e tij të brishtë, ra barra e rëndë e punës për të mbajtur familjen, për të siguruar me djersë bukën e gojës. Për disa vite me radhë ai punoi në minierën e Selenicës. Mori pjesë në kryengritjen antizogiste të Fierit në vitin 1935 dhe burgoset nga regjimi antipopullor.

Në 7 prill 1939, në ballë të patriotëve ai zbret në Ballsh, kërkon armë për ta pritur pushtuesin fashist me pushkë. Në vitin 1940 – 1941, Dervish punon në Durrës. Aty vihet në lidhje me luftëtarët antifashistë, me patriotë dhe gjendet në krye së demonstratës së madhe të 28 Nëntorit. Shquhet për guximin e trimërinë, pjekurinë e iniciativë në kryerjen e detyrave që i ngarkohen. Veprimtaria e tij bie në sy të agjenturës fashiste dhe arrestohet. Dervishi del nga burgu dhe kthehet në Mallakastër.

Më 4 shkurt 1943, u formua Çeta Plakë e Mallakastrës me komandant Mehmet Shehun. Dervishi emërohet z/komandant i çetës dhe nisin luftimet, përpjekjet, aksionet. Dervishi gjendet në ballë të tyre në Patos, Selenicë, Ruzhdie, për të ardhur në ditët e mëdha të operacionit fashist në Mallakastër, qershor-korrik 1943, përkrah Mehmet Shehut, Hysni Kapos e Bilbil Klosit. Dervish Hekali udhëheq jo vetëm forcat partizane, por organizon dhe formon edhe këshillat antifashiste në çdo fshat, ngre çetat territoriale, frymëzon qëndresën popullore, demaskon manovrat e tradhtarëve dhe bëhet një “legjendë” që del përtej kufijve të Mallakastrës.

Në 5 gusht 1943 u krijua Batalioni “Ismail Klosi”. Komandant i tij u zgjodh Dervish Hekali, i cili emërohet z/komandant i këtij formacioni të madh partizan.
Me krijimin e Brigadës V Sulmuese, më 20 janar 1944, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, duke njohur e vlerësuar meritat e Dervish Hekalit, e emëroi atë z/komandant brigade. Që nga kjo ditë në luftime të pandërprera kundër nazistëve e tradhtarëve në gjithë bregdetin tonë jugor, nga Himara në Kudhës e Kuç, në malet e Çikës dhe Vetëtimës, Dervishi meriton nderin të quhet Biri i Kurveleshit. Dhe atje në ato male në zemër të Labërisë, në Kuçin e Gjolekë Mandileziut, atje e fali gjakun. Dhe ja sesi. 12 prill 1944. Një forcë gjermano-balliste prej 500 vetësh kishte hyrë në Kuç dhe po i vinte zjarrin fshatit. Partizanët me Dervishin në krye i rrethuan forcat armike dhe u hodhën në sulm mbi pozicionet e tyre. Për orë të tëra lufta vazhdoi shtëpi më shtëpi, shkëmb pas shkëmbi derisa qëndresa e armikut u neutralizua plotësisht. Mëse 40 gjermanë kishin mbetur të vrarë, shumë të tjerë mbetën të plagosur e robër, të tjerët ua mbathën këmbëve. Dervishi që kishte luftuar si luan, informohet se partizani Asllan Gjika ishte plagosur rëndë. U ngrit nga pozicioni për t’i ndodhur pranë shokut, për ta hedhur në krahë e për ti thënë ato fjalë që vetëm Dervish Hekali dinte t’i thoshte. Pikërisht në këtë moment ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte. Një oficer gjerman qëlloi mbi të nga dritarja e një shtëpie ku ishte strukur. Kjo ishte dhe pushka e fundit që u zbraz në muzgun e asaj beteje dhe ajo kushtoi shumë shtrenjtë. Ai plumb i mallkuar e kishte marrë Dervishin atje ku goditen trimat, në gjoks, në zemër.
Atë ditë Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH kishte nxjerrë urdhërin: “Dervish Hekali emërohet Komandant i Brigadës VIII Sulmuese!”
Presidiumi i Kuvendit Popullor i dha Dervish Hekalit dekoraten me te larte Hero i Popullit.

(Marrë nga seria “Yje të Pashuar”)

Kontrolloni gjithashtu

Luigj Bumçi (1872 -1945) klerik, ipeshkëv, atdhetar

Luigj Bumçi (1872 -1945) klerik, ipeshkëv, atdhetar

Kleriku atdhetar, Luigj Bumçi u lind në Shkodër, në vitin 1872 në një familje të …