U tjetërsua njerëzimi,
Heronj në varreza mendimesh,
Hartë përmbytur me helmime…
Heshtja e pafundme shpirti
Qan zhdërvjellët…Lot mjerimesh!
Hapi i vrarë i zakonshëm
Në Tokë ecën pa pretendime
Në ndjekje të hijes së tymosur…
Stimuj vrarë nga hijet negative
As ndjenjë, as forcë, as ëndërrime !
Roje nate që trazon qetësinë,
Burime hipokrite në eshtrat Njeri,
Botë mashtruese, pa sinorë, pa kufi…
O dridhërimë e Olimpit të Shenjtorëve
Ruaje Zotin, Dashurinë përqafoje!
Gjeje veten e humbur, o Njeri…
Veç dy metra vend e jotja, pasuri!
MALL…
Më sill të lutem atë fllad malesh
Të notoj ëndrrat në qiellin e tij,
Aty të humbas , t’a përqafoj dua
T’i përulem besnikërisht Labërisë…
Mos harro atë flakë të zjarrtë malesh
Ma sill, ma sill..! Të digjem në të…
Një gotë ujë nga të miat burime
Me dëshirë e gjallë të mbytem pa zë.
Më sill një fotografi bardhë e zi
T’i buzëqesh ëmbël fëmijërisë,
Të strukem në gjirin prindëror
Të loz e qesh, si dikur, pafundësisht.
Më sill një degë nga e ashpra krenari,
Një trëndafil të artë prej këngës labe,
E di, e kam mërzitur që e lash braktisur
Përherë do të jem, bijë e saj krenare!
Më sill të lutem edhe një gotë raki,
Do ta pi me fund, me Ju, për ty Labëri!!
POETI DHE ARTI
Përmbushje dëshirash mes fantazish
Korektesë goditur nga realiteti i ndyrë,
Simbole të qarta mes jetës e vdekjes
Si plumb i fshehur në tekste dashurish.
Një kopsht ëndrrash në njohjen natyrore
Kthyer miti natyror në mite njerëzore,
Perëndeshë e Dashurisë, Perëndeshë e Vdekjes
Mit tokësor Ilir, i Afërditës hyjnore.
Përpjekje si Moiret pamëshirësi jete…
Interpretim sipërfaqesor në tokë e dete,
Shëmbëlltyra e nënës, dashuri e rrjedhës jetë
Perëndesha e Vdekjes hesht në krahët e vet.
Fantazia krijuese kështu lart ngre krye,
Krijuesi letrar i vetmi aktor motivesh,
Në skena Shekspiriane, gazmore, tragjike
Rregullator impulsesh i befasisë enigmatike.
INDIOMA MENDIMESH
Për ty…
Kurrrë nuk është vonë
Në udhëtimin tim të imagjinatës
Të ndriçoj botën time të errët.
E menduar mes hije jetësh
Madhështinë tënde të heshtur
Idealen e kërkuar prek…
Unë…
Përballem drejt së ardhmes
Në ritmin e natës së errët
Brënda botës tënde virtual.
Rend indioma e padukshme
Mes indioma mendimesh
Mistirio pikash, botës, zbulimesh…
Jam ajo
Që vallëzoi nën melodinë
Nën melodinë tënde njerëzore,
Prek apsoluten lumturi,
Jetoj vite e vite ëndrre.
Godas fatalitetin meskinizmin e kohës,
Jetoj qiej e lumenj hëne…
Unë
Kitara e akorduar
Shoqeroj ëmbëlsisht
Në rrugica pasqyrimesh,
Dritën tënde vezulluese
Krahë ëngjejsh dhe perëndish!!!