Dëshmitari 19-të i Zyrës së Prokurorit të Gjykatës Speciale e ka përfunduar dëshminë e tij në gjykimin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Tërë paraqitja e tij është dëgjuar në seancë të mbyllur për publikun ndërsa prokurori, Matt Halling e ka bërë një përmbledhje të shkurtë të dëshmisë së tij. Prokurori ka shpjeguar se kjo dëshmi ka të bëjë me ndalimin dhe zhdukjen e pretenduar të një familjari. Derisa e ka lexuar përmbledhjen në gjykatore, ai ka thënë se ngjarja ka ndodhur në fshatin, Drenoc. Pas përfundimit të dëshmisë së tij, gjykata ka bërë te ditur se seancat në këtë proces gjyqësor do të vazhdojnë të hënën e 4 shtatorit. Nga 19 dëshmitarë të prokurorisë, vetëm tre prej tyre kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe në seanca të hapura për publikun. Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në qendrën e paraburgimit, në Hagë, prej nëntorit të vitit 2020.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …