leoni

Dëshmori i kombit, Visar Thaçi (31. 10. 1967 – 18. 7. 1998)

Dëshmori i kombit, Visar Thaçi (31. 10. 1976 – 18. 7. 1998)

Kalojnë vite, kalojnë dhe dekada, ndërsa kujtimi për dëshmorët mbetet i freskët në mendjet tona, në historinë e kombit tonë. Dëshmorët janë nderi dhe krenaria e çdo populli. Vetëflijimi i tyre është lapidari kryesor i lirisë. Kujtimi për ta nuk shuhet kurre, janë gjithmonë në mendjet e zemrat tona, ashtu siç është dielli i pranishëm në tokë me rrezet e tij. Një nder mijëra kujtimet është edhe ai për Visar Thaçi-n i cili ra heroikisht në fushëbetejën për liri para 20 viteve.

Kush ishte Visar Thaçi?

Visar Thaçi u lind më 31.10.1976 në Podujevë. Ishte fëmija i katërt me radhë nga pesë fëmijët e prindërve Sabit e Hyrë Thaçit. Mësimet e shkollës fillore si dhe të mesme i vijoi në Podujevë. Tek Visari që nga rinia e hershme ishin vërejtur shenjat e trimërisë, guximit dhe patriotizmit per kombin dhe atdheun. Me plot guxim e shkathtësi i kryente detyrat që ia parashtronin shokët e idealit siç ishte shpërndarja e afisheve, shpërndarja e fletushkës “Çlirimi”, e cila atëherë ishte gazeta më e ndaluar nga regjimi serb, mirëpo Visari sakrifikonte dhe atë e shpërndante madje edhe në vendet më delikate. Në demonstratat e vitit 1989 ishte gjithmonë i pranishëm dhe aspak nuk e kishte frikë armikun. Pasi e kreu shkollën e mesme për shkak të kushteve ekonomike Visari nuk pati mundësi t’i vazhdojë tutje mësimet universitare për arsye se prindi ishte puntor arsimi dhe në atë kohë arsimtarët nuk paguheshin dhe ishin të padëshiruar për pushtuesin serb.

Për veprimtarinë e tij ilegale, ai ishte i ndjekur disa herë nga policia serbe dhe në këto situata duke mos pasur perspektivë që ta shijojë jetën rinore u detyrua sikur edhe shumë bashkatdhetarë të tjerë që të migronte drejt perëndimit. Në fillim ishte vendosur në Gjermani e më pastaj në Zvicër, ku merr pjesë në klubin shqiptar “ILIRIDA” dhe e vazhdon punën e tij për ta ndihmuar atdheun e tij të robëruar. Ai bashkë me shokët e tij më 23 qershor 1998 nisen për t’i dalë krah UÇK-së.

Në mbrëmje të 17 korrikut të vitit 1998 në kufirin shqiptaro-shqiptar ndeshen me forcat e armikut, ku zhvillohet një betejë e madhe në të cilën Visari merr një plagë. Edhe pse i plagosur ai nuk tërhiqet nga beteja qe vazhdoi deri në orët e hershme të mëngjesit. Më 18.07.1998 me harxhimin e municioneve dhe humbjen e disa shokëve edhe Visari bie heroikisht në altarin e lirisë. Trupi i tij fillimisht u varros në Jasiq të Junikut. Ndërsa 4 vite më vonë me gjetjen e trupit të tij pas shumë përpjekjeve nga familja dhe ndihmës së Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, ceremonia e rivarrimit të dëshmorit u bë në fshatin Gegaj i Ulët në Podujevë. Tani Visari me gjithë dëshmorët e ZOLL-it pushojnë ne Varrezat e dëshmorëve, në Penuhë.

 Ai jetoi për ne. E kemi prore gjithkund e gjithherë. Liria ndërtohet me jetëra të rënësh, ndërtohet me gjak, ndërtohet me dëshmorë. Dëshmorët si Visari dhe shumë të tjerë do të jenë në mendjet e zemrat e brezave tanë, si nderi dhe krenaria e Kosovës.

Lavdi dëshmorëve të kombit.

(Bekim Thaçi)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …