Grusht shteti në Turqi

Destabilizimi i Turqisë, ndikon në stabilitetin e Kosovës, Shqipërisë dhe disa shteteve të Ballkanit

Destabilizimi i Turqisë, në krizën më të madhe të botës pas Luftës së Dytë botërore, është përpjekje për ta paralizuar shtetin më të fortë mysliman në botë. Se kush dhe sa përfiton nga kjo përpjekje, kjo ka anët e njohura dhe të panjohura, por për ne shqiptarët në Ballkan, në gojë të ujqve të stepave të Moskës, dhe çakejve të Beogradit e Athinës, Turqia ka pasur dhe ka një rol të pazëvendësueshëm, në konstelacionin e forcave aktuale, pavarësisht se situata në rajon duket stabile.

Përpjekja për destabilizimin apo gjunjëzimin e Turqisë, dihet se në radhë të parë i shkon për shtati Rusisë, armikut shekullor të këtij shteti, pastaj Greqisë e Serbisë, pse jo tërë “Aleancës së vëllezërve  të krishterë sllavë”, e cila në Luftërat Ballkanike 1912-1913 në rrugë për ta shkatërruar Turqinë e asaj kohe, shkatërroi në radhë të parë shqiptarët duke vrarë e masakruar 400.000 dhe duke dëbuar dhunshëm në Turqi më shumë se 500.000 shqiptarë, myslimanë të Bosnjës, sanxhaklinjë, turq, e hebrenj.

Ata që mendojnë se nuk ekziston një Aleancë e tillë, ose janë të verbër, ose përkrahin nën rrogoz Aleancën sllave, duke pretenduar se ajo është më pak e rrezikshme sesa “otomanizmi i tyre i shpifur” dhe rreziku që po paraqitka Turqia për shqiptarët në Ballkan. Është rasti ta sjellim në kujtesë një fragment të fjalimit të Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes në Paris, i cili duke ua çjerrë maskat diplomatëve evropianë kishte thënë:

Shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turqisë, sepse për ta do të kishte qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turqisë, se sa me u gri prej kristjanëve. Po e shoh, Zotni, se kjo fjalë në gojën time disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvete. Janë faktet që më japin arsye. Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithëkëtë, turku ia njohti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, – por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qindra mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë populli hoqi zi e si asht me zi prej tij.

 E tash dëgjoni si u soll kristiani me Shqipni e me shqiptarë.

 Në vjetin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. Nji herë mbysin, pak me thanë dyqindmijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë; grijnë myslimanë, sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash të poshtra, pushtojnë Shkodrën. Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sado  Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vitit 1915, italianët pushtojnë Vlorën, gjoja  për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmurë të Shqipnisë jugore. Në 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë. Me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin shqiptarë.”  Kjo ka qenë dhe ka mbetur Aleanca sllave e evropiane kundër shqiptarëve. Ajo është ripërsëritur në Bosnje gjatë viteve 1992-1995 dhe në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

 Turqia, ushtarakisht është në mesin e shteteve më të forta në botë

Turqia në radhë të parë është në mesin e shteteve më të forta ushtarake, në botë, dhe është shteti i dytë me prani numerike në forcën ushtarake të NATO-s, pas Amerikës. Pretendimet për ta destabilizuar një forcë të tillë botërore, nuk duken të jenë inskenim i një koloneli  turk apo i disa gjeneralëve, kryesisht pleq. Destabilizimi i Turqisë në mënyrë të pashmangshme destabilizon botën, sepse shtetet islame dhe ato arabe, pavarësisht divergjencave e kundërshtive, nuk mund të qëndrojnë indiferente në një rast të tillë. Po as Amerikës nuk i konvenon destabilizimi i Turqisë, sepse është aleati i saj më i fortë ushtarak përveç Britanisë së Madhe.   Nuk është kjo përpjekja e parë që segmente brenda Ushtrisë së Turqisë kanë bërë përpjekje për ta marrë pushtetin. Disa herë në të kaluarën ata edhe ia kanë arritur qëllimit, natyrisht duke u bazuar në Kushtetutën e këtij Shteti, e cila në raste të anarkisë dhe rrezikut të brendshëm lejon Ushtrinë për ta marrë kontrollin dhe për ta  suspenduar përkohësisht demokracinë parlamentare.

Ata shqiptarë trutharë që shohin te Erdogani një Sulltan të ri, janë pre e propagandës së kaluar titiste, sepse as është sot Turqia, Perandori Osmane, as është Erdogani Sulltan, në Turqi, pavarësisht si kukurisin disa gazetarë fodullë e të papërgjegjshëm me jugo-prejardhje.

Kanë kaluar më shumë se 100 vjet nga shembja e Perandorisë Osmane dhe atë e kanë shembur vetë turqit, ata që luftuan prej vitit 1912 e deri në vitin 1924 kundër tërë shteteve të botës, për ta mbrojtur vendin e tyre dhe më në fund me ndihmën e Amerikës dhe Anglisë, Qemel Ataturku i vuri bazat shtetit modern laik të Turqisë së sotme.

Turqia nuk është shtet që mund të shpërbëhet brenda natës, as brenda vitit apo shekullit. Këtë e dëshmoi vetë populli turk. Ishin qytetarët atdhetarë turq, ata që iu vërsulen tankeve në Stamboll  dhe i çarmatosën ushtarët e rinj të manipuluar, ishte gjaku i tyre që përskuqi rrugët e Stambollit e të qyteteve të tjera, për ta ruajtur demokracinë në vend.

Destabilizimi i Turqisë, deshëm apo nuk deshëm, shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë te shqiptarët, boshnjakët myslimanë e te sanxhaklinjtë në Ballkan.

Sepse pavarësisht si shprehemi ne si evropianë, askush në Evropë nuk i beson sinqeritetit tonë. Ata na kanë trajtuar, na trajtojnë dhe do të na trajtojnë si myslimanë, pavarësisht si jemi, pavarësisht si deklarohemi. Thjesht për mendësinë e sotme totalitare, globaliste evropiane, shqiptarët trajtohen si tradhtarë të krishterimit dhe si të tillë, Evropa kurrë nuk do t’ i honeps, na pëlqeu apo jo ky konstatim tejet realist, që dikush mund ta interpretojë  edhe si cinizëm nga ana ime.  Vetëm një javë më parë, një ushtarak i lartë gjerman, në Veri të Kosovës, me rastin e kufizimit të trupave paqeruajtëse, i ka raportuar Bundestagut se në veri gjendja përgjithësisht nuk është e keqe, meqë ka vetëm një pakicë myslimane dhe shumica dërrmuese janë serbë. Ai nuk përmend fare praninë e shqiptarëve në veri dhe dëbimin nga trojet e tyre të më shumë se 15.000 mijë shqiptarëve në vitet 1999-2000, në prani të forcave paqeruajtëse të KFOR-it e UNMIK-ut.

Shqiptarët në trojet e tyre etnike nuk kanë asnjë aleat më besnik dhe më të fortë sesa Turqinë

Shqiptarët në trojet e tyre etnike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, nuk kanë asnjë aleat më besnik dhe më të fortë sesa Turqinë. Kjo aleancë është historike, është lidhje e ngjizje, dashur pa dashur të një fati të përbashkët, mbase edhe të dhunshëm, qoftë edhe shumë të dhunshëm edhe pse shqiptarët në Perandorinë osmane kurrë nuk janë trajtuar sipas meritave. Tani edhe pse kanë kaluar 104 vjet nga dëbimi i Perandorisë Osmane, shqiptarët nuk kanë një shtet të përbashkët, e për këtë nuk mund ta fajësojmë Turqinë e sotme, as ka fare dobi ta luftojnë ditë për ditë  Turqinë e Sulltanëve, sepse është sikur lufta kundër mullinjve të erës, sepse thjesht ka kaluar një shekull nga ajo kohë dhe ne ende kemi mbetur në margjina të atyre katër vilajeteve tona të dikurshme të kohës së Turqisë. Kështu si jemi të ndarë në pesë shtete nuk bëjmë dot një faktor unik, ushtarak as ekonomik. Kështu si jemi, nuk na begenis askush për aleatë, sepse jemi pakicë e varfër ekonomike, për të qenë aleatë me Amerikën. Çka mund t’ i japim ne Amerikës, përveç përkrahjes me britma, brohoritje e dalldisje, madje jo pak herë edhe me një servilizëm të tepruar, kur Amerika e ka bërë të qartë sa e sa herë se i ka çliruar myslimanët në Ballkan nga regjimi i Milosheviqit, dhe nuk thotë se i ka çliruar shqiptarët. Kështu të paktën është shprehur kryetari  amerikan, Xhorxh Bush me rastin e vizitës në Shqipëri.

Turqia është aleati më besnik dhe më i fortë i Amerikës, po ashtu, ky shtet vazhdon të jetë aleat dhe përkrahës i pa rezervë i Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e Bosnjës, jo për otomanizim e tyre sikur pretendojnë jugo-anti islamistët, por thjeshtë për mbështetje dhe ndihmë, për të cilën kemi pasur dhe kemi nevojë, sepse që nga kufiri që ndan Kosovën e sotme me Serbinë e Maqedoninë e deri në Sibir e tutje në kufi me Mongolinë shtrihen sllavët, armiqtë shekullorë të shqiptarëve, të cilët në numër janë tridhjetë herë më shumë, e qind fish  më të fuqishëm ushtarakisht. ( Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …