Evropë, këtu jemi te ti,
Ti e paharruar qëndron në shekuj të shekujve
shekulli është yti.
Ti je e verbër deri në marrëzi.
Dhe nuk ka tjetër vend nën këtë qiell me aq shumë varre
Je e mbuluar me varre e dithirambe!
E unë i gëzuar, mirë mëngjes të dëshiroj.
O botë e moçme!
Ti plakë, vajtojcë, e shenjtë, e lavdishme!
Plot elegancë aromash e erërash,
Një filtër i mrekullueshëm, flokë argjendi.
Edhe pse ti je njerkë,
Unë po të bezdis si fëmijë zevzek,
Edhe pse ti më rrah, unë të puth
Do të gëzohem po të më duash.
Kush mund të largohet nga Ti,
E çfarë mund të bëj larg nga gjiri yt?
A nuk kam qenë gjithmonë biri yt besnik dhe i pastër?
A nuk kam qëndruar ulur këtu tërë natën,
duke studiuar mësimin tënd me dritën e llambës?
duke të shikuar, duke të admiruar me njëqind fjalë,
Sepse të gjitha fjalët tua të mira ishin në zemrën time!
Atë e kanë kuptuar nga trupi im
Kudo ku ulem, qindra të afërm i kam
kudo që shkëputem, njëmijë vëllezër i kam.
A nuk e pashë nënën gjermane, në Këln?
Nëpër shi zanash në Paris kam fluturuar,
Në Londër, flokë argjendi të fisnikëve kam parë,
Por unë i uritur, piva nga djersa ime.
E dhomat familjare me italianë të shthurur.
Mos m’i lëndoni sllavët e zbehtë,
gjëmimi i sllavëve është hidhërim,
Është një si shkëlqim i lodhur.
Popujt në këtë tokë, të gjithë janë të dashurit e mi
Zemra ime i fton së bashku të qëndrojmë.
Më besoni
edhe ju i keni në zemrën tuaj
ata popuj që jetojnë larg
krijuesit, poetët,
Që rrinë në shtëpi
kujdesen për vajzat, për nënat tona.
Ne presim me padurim Nënën e Madhe
Brohorisni së bashku, poetë!
Shpirtra të guximshëm të Evropës.
Një bishë frikacake po fshihet si një ujk
Ata po stërviten në terrin e tunelit.
Ejani të dalim së bashku,
Nëpër dritë me princat e frymës,
se ne kemi një shpirt, ne presim,
ne kemi vënë në qiell një dashuri të vështirë
dhe fjalët e ajrit të qiellit
Filloni ecni përpara, ju poetët,
Ushtarë të zhdërvjellët të bashkimit!
Poeti i madh hungarez, Dezső Kosztolányi, ishte djali i Istvánit dhe u Izabelës. Ai u lind në Suboticë, më 29 mars 1885 – vdiq në Budapest, Krisztinaváros, më 3 nëntor të vitit 1936). Ka qenë shkrimtar, poet, përkthyes, kritik, eseist, gazetar, artist shembullor i gjeneratës së tij, njëri nga figurat më të mëdha të shekullit të 20-të.
(Përktheu: Ahmet Qeriqi)