Dhaskalina Stavri Pinoti, (Bubulina) (1771- 22 maj 1825) luftëtarja më e njohur arvanitase

Dhaskalina Stavri Pinoti, (Bubulina) (1771- 22 maj 1825) luftëtarja më e njohur arvanitase

Bubulina me emrin e vërtetë Dhaskalina lindi në një burg të Stambollit në vendin e quajtur  Kështjella e shtatë kullave”, në mëngjesin e  11 majit të vitit 1771. Nëna e saj Parashqevia, kishte shkuar të takonte burrin e saj Kapiten Stavri Pinotis, që mbahej I burgosur nga turqit. Ai ishte një luftëtar i rezistencës greke, që luftonte për çlirimin e Greqisë. Ajo kishte shitur gjithçka që kishte, vetëm që të shkonte e të takonte në burgun e tmerrshëm burrin e saj. Rruga për në Stamboll kishte qenë shumë e gjatë. Më kot kishte kërkuar ta ndihmonin në dyert e Fanarit, por më në fund kishte mundur të siguronte një leje që të shihte bashkëshortin e saj. Fatkeqësisht kur kishte arritur në qelinë e burgut ajo e gjeti të vdekur burrin e saj. Nga trishtimi i madh gruaja fatkeqe e lindi fëmijën para kohe. Burzino shoku i Pinotis-it  ishte i burgosur bashkë me të shoqin të saj, e ndihmoi Parashqevinë gjatë lindjes dhe i vuri emrin Dhaskalina, në kujtim të nënës së tij. Më pas bashkë me Dhaskalinën e dobët, Parashqevia u kthye në Hidra, në shtëpinë e saj. Pas disa kohësh  shkon në Specaj, ku edhe martohet për të dytën herë. Edhe Specaj ishte populluar me arvanitas, por më të butë e më të dashur se ata të Hidrës që ishin edhe rivalët e tyre.

“Në Specaj flisnin arvanitika, pra shqip”, shkruan Michele de Grece nëpërmjet gojës së Bubulinës. “ Në fakt nëna, ati im dhe unë, ishim grekë pa qenë të tillë, Ishim grekë me shpirt e me zemër, me fe dhe me ideale  dhe sigurisht grekë, të sakrificës, sepse ne jepnim edhe jetën tonë për Greqinë. Por jo grekë nga gjaku. Unë jam një arvanitase, me një fjalë shqiptare. Që prej kohësh tepër të largëta, raca e jonë ka patur emra tepër të ndryshëm. Vallë a janë pellazgët, ilirjanë. Di që Hidra është shqiptare dhe Specaj gjithashtu…”

Bubulina ka qenë një nga gratë më të shquara ndër pjesëmarrësit që luftuan në revolucionin grek të vitit 1821. Në moshën 17-vjeçare u martua me kapitenin arbëresh të marinës së  Specës-Dhimitër janozis. Në atë kohë Hidrotët dhe Spicotët ishin në luftë me piratët, që e vështirësonin shumë tregtinë e tyre në Detin Mesdhe. Më në fund trimat i thyen piratët por në këtë betejë të ashpër mbeti i vrarë bashkëshorti i Bubulinës.

Pas disa vjetësh ajo u martua përsëri me një kapiten shqiptar, speciotin Dhimitër Bubulina, nga i cili mori mbiemrin dhe u bë e njohur dhe hyri në histori.  Nga të dyja martesat pati gjashtë fëmijë, tre djem dhe tre vajza. Lufta që vazhdonte kundër piratëve i mori jetën edhe burrit të dytë, ishte viti 1811. Bubulina vuri në shërbim të luftës kundër turqve të gjithë pasurinë që kishte. Kjo zonjë mori pjesë në shumë beteja, si trime dhe burrëreshë e vërtetë si nëpër betejat në tokë ashtu edhe në det. Vetë ajo i udhëhoqi trimat edhe në Greqinë jugore. Shumë fitore të kryengritësve grek kundër pushtuesve turq kanë lidhje me zgjuarësinë si një stratege e vërtetë dhe trimërinë e saj. Tregojnë që në një betejë shumë të ashpër pasi i armatosi luftëtarët e saj arbëreshë dhe përgatiti anijet. Ajo mori drejtimin e anijes më të madhe, anijet më të vogla i la nën komandën e djemve të saj: Janit dhe Gjergjit. Si fillim bllokoi Nafion, zbarkoi në Milos dhe furnizoi me ushqime ushtrinë e këtij qyteti. Më pas Dhaskalia Bubulina mori pjesë në rrethimin dhe çlirimin e Tripolicës dhe Monemvasit që ndodhet në Peloponez. Por fatkeqësitë e ndoqën, në betejën e fundit ju vra i biri, Jani. Në të gjitha betejat ku ajo luftoi dolën në pah aftësitë dhe talenti i saj i rrallë si një stratege, trime – një ushtarake e vërtetë., ku spikaste heroizmi dhe guximi shqiptar.

Historianët tregonin, se në Tripolicë ajo hyri e para hipur mbi një kalë, në krye të ushtrisë dhe për çudi ajo çliroi haremet e pashait. Bubulina trime mori pjesë edhe në luftën për çlirimin e Naflios, i cili më vonë u caktua edhe kryeqyteti i përkohshëm i Greqisë. Kapedanen e tokës dhe të deteve e gjeje kudo mes luftëtarëve të saj. Bubulina shkoi kudo, e gjeje mes luftëtarëve si me Kollokotronin.

Shkrimtari i madh rus Gogol-i dhe shumë historianë e përshkruanin Bubulinën si një sokoleshë të vërtetë, truplidhur, të hijshme, të fortë si lisi, guximtare, e pajisur me një mençuri natyrale, stratege e vërtetë. Një historian grek, Filimoni jepte këtë përcaktim për Bubulinën:” frikacaku përpara saj turpërohej, ndërsa trimi tërhiqej…” Kjo figurë e spikatur historike u quajt “heroinë” nga poetët dhe shkrimtarët e asaj kohe. Këtë grua trimëreshë e gjen të përshkruar me gjithë madhështinë e saj tek poeti arbëresh Zef Serembe, Zhyl Verni, tek historiani grek Kosta Biri, Michael Kokkinaris etj. Ajo tashmë është një legjendë nga gojëdhanat, poezia popullore, ka hyrë në pikturë, skulpturë, mbetet e tillë si në Greqi dhe Shqipëri, tek arbëreshët e Greqisë.

Kështu i këndonte Naim Frashëri asaj dhe trimit arbëresh Kanarit:” … Bubulina dhe Kanari shqiptar dhe bij shqiptari…”

Sipas Elena Gjikës, kur shkoi në kryeqytetin e Perandorisë Osmane , u pranua në organizatën e shoqërisë së miqve(Heteris), e cila nën shembullin  e revolucionit francez, i pranonte me dëshirë gratë në lëvizjen shoqërore revolucionare.

Sa e ashpër dhe e rrëmbyer ishte në beteja kundër armiqve, aq e urtë dhe me shpirt humanist ndaj njerëzve të pafajshëm. Por në majin e vitit 1825 vdiq Bubulina, e vranë në Specia tradhtisht, jo në fushëbetejë. Një nga historianët e shumtë grek ,Diege Seria, shkruante për humbjen e Bubulinës:” Duart e një vrasësi e derdhën atë gjak, që gjatë betejave, hekuri i armikut e kishte “respektuar” për tu kushtuar lirisë…” Ndërsa Michael Kokinaris thotë kështu për Bubulinën:” Ajo e filloi revolucionin dhe ishte e vetmja grua në histori që ju dha titulli i madh Gruaja e Parë  Admirale  nga Perandori rus…” Kurse italiani, Periviane Xekini theksonte:” Bubulina ishte aq guximtare, sa në det ashtu edhe në tokë, i njihte rreziqet dhe vetëm i përbuzte, ajo luftonte vetëm për lirinë. Edhe pse kanë kaluar shekuj, që në kohën kur stërgjyshërit e saj kishin lënë Arbërinë, por edhe Bubulina nuk e harroi atdheun e saj të dashur, Shqipërinë. Historianët dhe biografët e saj thonë që Bubulina u jepte urdhra detarëve të saj trima nëpër beteja vetëm në gjuhën shqipe. Ishte kjo gjuhë që i ngriti në këmbë fshatarat arbëresh të Buas, të Spatës, të Lalës, të Laskës, Lopësit, Muzaqit. Ajo luftoi kundër armikut të përbashkët të Gadishullit Ballkanik. Historiani Hijasin Hekardi në veprën e tij: ” Historia dhe Përshkrimi i Shqipërisë së Sipërme”, pasi vë në dukje se, ”historia jep provat e shkëlqyera të energjisë, zgjuarësisë dhe veprimtarisë të shqiptarëve”theksonte se:” Shqipëria i ka dhënë historisë personalitete të ndritura, njëra prej tyre ka qenë edhe trimëresha Bubulina…” ( Rajna Kovaçi).

Kontrolloni gjithashtu

Luigj Bumçi (1872 -1945) klerik, ipeshkëv, atdhetar

Luigj Bumçi (1872 -1945) klerik, ipeshkëv, atdhetar

Kleriku atdhetar, Luigj Bumçi u lind në Shkodër, në vitin 1872 në një familje të …