Dibran Fylli

Dibran Fylli: Një himn për Sanxhakun e Nishit

 Krijimi poetik “M’dridhet zâni n’çifteli” i autorit Shaban Baksi është rrëfim lirik me elemente të rrëfimit epik e dramatik, vepër letrare që himnizon sakrificën e qëndresën e popullit shqiptarë për mbrojtjen e trojeve stërgjyshore të Sanxhakut të Nishit dhe luftën kundër armiqve të shumtë e të egër. Duke qenë autori edhe vetë krijues, këngëtar e rapsod, pikënisje e rrëfimit poetik bëhet pikërisht sakrifica dhe lavdia e kësaj ngjarje tragjike, duke përmendur heronjtë dhe dëshmorët e rënë gjatë viteve 1877/’78 e deri në ditët e sotme. Autori Shaban Baksi ka synim të përmend emër për emër të gjithë fshatrat e vendbanimet e trojeve shqiptare të aneksuara, sepse secili prej tyre është një qëndresë më shumë, një flijim më shumë në altarin e lirisë për t’i mbrojtur trojet e të parëve.

Për liri është kënduar dhe është luftuar edhe më herët, ai zjarr ka qenë i ndezur përherë, prandaj autori Shaban Baksi rrëfimin-këngë e pasuron edhe me emra të tjerë të krenarisë dhe të historisë sonë kombëtare, siç janë Çamëria, Presheva, Shkupi, Medvegja, Tivari, Tetova, Bujanoci, Ulqini, Plava e Gucia, Kumanova e tjera. Autori nuk mund ta fshehë, por këtë e thonë edhe shtresat tekstore, vepra është këngë dhe himn për Sanxhakun e Nishit, për këtë trevë arbërore që shumëherë nëpër histori, u sakrifikua, tregoi qëndresë, rrëmbeu pushkën dhe me trimat e saj arriti të mbruhet me lirinë, historinë dhe krenarinë e atdheut.

       Mirëpo, mendoj, titulli i veprës të zgjon edhe asociacione të tjera të të menduarit. Ku është sot Sanxhaku i Nishit? Si ndihet ajo pjesë e robëruar? A ka mjaft dritë në ato treva shqiptare? Këto janë vetëm pyetje retorike artistike, s’ka nevojë për përgjigje.

Vepra “M’dridhet zâni n’çifteli” është shkruar në formën dhe në frymën e një rapsodie popullore dhe në të vërehen edhe ndikime nga autorë të tjerë që kanë krijuar rrëfime letraro-popullore me elemente të epit kombëtar. Është përdorur strofa katërshe me tetëvargëshin popullor dhe rimën. Autori është i vetëdijshëm për vështirësitë që dalin gjatë kultivimit të kësaj forme të rrëfimit letrar dhe në përgjithësi i ka asimiluar pozitivisht ndikimet dhe përvojën që ka nga leximi i formave të tilla letrare jo vetëm të letërsisë sonë. Në disa strofa, duke pasur qëllim rimimin e vargjeve, vërehet një rënie e nivelit estetik e gjuhësor, por kjo tejkalohet shpejt në strofat e tjera ku vërshon fryma e rrëfimit të mirëfilltë letrar.

Mospërdorimi i gjuhës letrare në këtë krijim shpreh qëllimin e autorit që ky tekst të ketë formën dhe frymën e këngës popullore shqiptare të veriut, veçanërisht të Kosovës, këngë kjo që është kultivuar në dialektin gegë.

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …