Lufta dhe fitorja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka hapur dimensione të shumta të frymëmarrjes së lirë për krijuesit, veprimtarët e intelektualët e njohur të Kosovës e më gjerët, të cilët iu bashkuan asaj për ta çliruar vendin nga një sundim gjakatar e shfaronjës sikur ishte, sidomos regjimi i fundit serb i Sllobodan Millosheviqit, në Kosovë.
Jemi mësuar që kur flitet, apo kur shkruhet për Drenicën, të flasim e të shkruajmë, në radhë të parë për luftëtarët në zë, të trevës më kryengritëse të Kosovës që nga Mesjeta e deri në ditët tona, për luftëtarët më në zë të kombit, thjesht për një trevë spartane të Shqipërisë, e cila këtë e ka dëshmuar në të gjithë shekujt e rezistencës, ndërsa kthesën më të madhe e bëri, në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me Legjendarin, kryekomandantin e saj, Adem Shaban Jashari. Nën hijen e kësaj lufte të pandërprerë, janë strukur shumë krijues e intelektualë të njohur të Drenicës të cilët kanë bërë emër me veprat e tyre, por madhështia historike e Drenicës luftarake i ka vënë në radhë të dytë. Nga ky kënd i vështrimit kjo sikur barazohet deri dikur me veprat letrare, artistike e publicistike të Adem Demaçit, i cili në radhë të parë dhe me të drejtë është çmuar e çmohet për rrugën e tij qëndrestare, për qëndrimin e tij heroik e madhështor, duke lënë deri diku nën hije, krijimtarinë e tij.
I lindur dhe i rritur në Açarevën e Drenicës, ku kënga e trimërisë dhe pushka e lirisë ishin pjesë e edukatës që fillonte qysh në djep, pastaj begatohej nëpër oda duke dëgjuar rrëfimet për bëmat e trimave e trimëreshave nëpër breza, Dibran Fylli, që në fëmijëri e kishte të vetë përcaktuar rrugën e tij jetësore, të cilën deri tani e ka begatuar me shumë aktivitete e krijime në zhanre të ndryshme të angazhimit të tij krijues, intelektual.
Kësaj radhe nuk do të shkruajnë për veprimtarin e tij, të begatshme e të gjithanshme, por do të kufizohemi në librin, “Tokë e mbjellë me varre, krimet serbe në Kosovë 1998-1999”, një vepër me shumë vlera dokumentare, një lëndë e përgatitur me korrektësi dhe e sistemuar mjaft mirë, e cila me tërësinë e vetë pranishme në këtë libër, mund të shërbejë për të ngritur aktpadi kundër kreut të regjimit serb, për krimet me përmasa të gjenocidit, që ka kryer në Kosovë, veçmas në luftën e fundit të viteve 1998-1999.
Krahas shumë veprave të tjera, të cilat në periudhën e pas luftës janë shkruar dhe janë botuar për krimet serbe në Kosovë, libri i Dibran Fyllit, “Tokë e mbjellë me varre, krimet serbe në Kosovë 1998-1999, botuar në vitin 2019, sjellë dëshmi e argumente të shumta, të dhëna e fakte të pamohueshme, të cilat hedhin dritë mbi të vërtetat e tmerrshme, mbi krimet e masakrat që kanë kryer serbët në shumë vendbanime të shqiptarëve, në Kosovë.
Në fillim të librit, autori ka paraqitur një pasqyrë të shkurtë, por të ngjeshur me fakte e dëshmi relevante, historike e shkencore të periudhave të pushtimeve të vendit tonë dhe të trojeve shqiptare nga pushtues të ndryshëm, sidomos nga rashjanët e nemanjidët sllavë, në Mesjetë dhe rikthimi i tyre në trojet shqiptare, në gjysmën e dytë të shekullit 19-të e në tërë shekullin 20-të, deri në vitin 1999.
I konceptuar si libër me përmbajtje dokumentare, autori e ka sistemuar metodologjikisht lëndën, duke shkruar veç e veç për krimet e masakrat serbe kundër shqiptarëve në rreth 90 vendbanime të Kosovës, ku dora vrastare serbe ka vepruar barbarisht kryesisht kundër grave, fëmijëve, pleqve, invalidëve e të sëmurëve, që i kishte zënë lufta në trojet e tyre, në shtëpitë e tyre, të cilat nuk i lëshuan dhe nuk ikën nga ato, por qëndruan, për t’i treguar botës se nuk i linin shtëpitë e trojet, as me çmimin më të rëndë, të cilin edhe e paguan me jetët e tyre, por e shpaguan me çlirimin e vendit nga barbaria sunduese, shekullore.
Duke qenë njohës i shumë rrethanave, i kalitur nëpër të priturat e të papriturat e jetës, luftëtari i lirisë, shkrimtari, poeti e publicisti, regjisori e skenaristi, Dibran Fylli, ka krijuar një përvojë të lakmueshme në lëvrimin e shumë temave, në pasqyrimin objektiv të realitetit në fushën e krijimtarinë artistike, pastaj ka treguar aftësi, në organizime e prezantime kulturore, sidomos nga koha e luftës, ku krahas pushkës, kundër pushtuesit, nuk kishte munguar as aktiviteti në pasqyrimin kulturor e artistik të jetës në rrethana të luftës, sado që ishte me rrezik të madh, por zhvillohej në mënyrë të vetëdijshme e të përgjegjshme, pasi të gjithë liridashësit kishin mbështetur një shembull unik moral e kombëtar, kur përkujtonin sakrificën që kishte dhënë familja e Shaban Jasharit dhe e Jasharëve përgjithësisht, në mars të vitit 1998, në Prekaz përballë barbarisë serbe.
Dibran Fylli me librin e tij, “Tokë e mbjellë me varre, krimet serbe në Kosovë 1998-1999”, ka dhënë një kontribut të veçantë edhe për faktin se duke qenë edhe vetë pjesë e luftës, ka parë nga afër vuajtjet e popullatës së zhvendosur nëpër pyje e male, në lugina lumenjsh, kryesisht në vendet ku ishte strehuar ajo, duke qenë edhe logjistikë e luftëtarëve të lirisë, sepse shumica dërrmuese e tyre kishte bijtë e bijat, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kishte qëndruar duke marrë si shembull qëndresën e Jasharëve dhe të familjeve të tjera, qëndrestare të Kosovës.
E veçanta e këtij libri është kapitulli i fundit, ku autori ka evidentuar emrat e mbiemrat e shumicës së kriminelëve serbë, sllavë e të tjerë, të cilët kanë kryer krime, dhunime, vrasje, pushkatime e masakra në Kosovë, gjatë luftës së viteve 1998-1999, duke u mbështetur në fakte e dëshmi të publikuara, apo në dëshmitë e organizatave të ndryshme, sidomos në të dhënat e KMDLNJ-së, në të dhëna të verifikuara gojore, në burime të huaja e të vendit dhe në shumë libra e monografi të publikuara gjatë 20 viteve të fundit, në Kosovë e më gjerë.
Autori ka shfrytëzuar një literaturë të begatshme, nga e cila ka vjelë dhe ka sistemuar në mënyrë kronologjike lëndën, duke i përfillur në tërësi kërkesat e metodologjisë së punës shkencore, duke pasqyruar bindshëm rrethanat e luftës dhe tërë atë që ka ndodhur, në vende e lokalitete të caktuara në vendin tonë, duke evidentuar shumicën dërrmuese të të vrarëve e të masakruarve nga dora gjakësore serbe.
Duke marrë parasysh të gjitha këto, arrijmë në përfundim se libri i Dibran Fyllit, “Tokë e mbjellë me varre, (krimet serbe në Kosovë 1998-1999)”, është libër tejet i kompletuar, i pajisur me shumë të dhëna, fakte e argumente relevante dokumentare, historike e shkencore, i shkruar me një gjuhë të pastër e të kujdesshme, i trajtuar me vëmendje e korrektësi, i pasur me të dhëna të shumta, një libër që radhitet në mesin e publikimeve më të arrira që janë botuar deri tani, për krimet e masakrat serbe në Kosovë.
Të rënëve, të vrarëve e të masakruarve, për jetë e mot, lavdi!
Dibranit, shëndet e suksese në krijimtari!
Ahmet Qeriqi
7 janar 2022
Prishtinë