(Reagim në emisionin, “Të pathënat për UÇK-në”, të TV-Dukagjinit, të datës 10 tetor 2018)
Duke ndjekur emisionin e TV Dukagjinit, me titull: “Të pathënat për UCK-në”, të përgatitur prej gazetarit, Ermal Panduri, transmetuar në datën 10 tetor 2018, e cila është intervista ku kanë folur: bashkëluftëtari i Zahir Pajazitit Fadil Begu, kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së për Shqipërinë, Sokol Poga, Komandanti i Qendrës Stërvitore të UCK-së në Helshan, kolonel Maliq Doci, një prej furnitorëve kryesorë për formacionet e UCK-së prej Hasi në brendësi të Kosovës Qamil Cahani, dhe autori i këtij reagimi.
Mirëpo, në fund të asaj interviste, gazetari Panduri i ka bashkangjitur edhe një intervistë të ish-oficerit nga Shqipëria, i njohur me emrin Spiro Butka, por de fakto mbiemrin e ka Bucka, i vetgraduar kolonel. Mirë ka bërë, e drejt e tij si gazetar. Por, sikundër do ta shpjegojmë më pas, kjo shtesë e tij është qëllim keqe.
Themi për Spiron “i vetgraduar”, për faktin se nuk e ka gëzuar kurrë atë gradë ushtarake sa ka qenë oficer efektiv në Ushtrinë e Shqipërisë. Kjo për arsyen e thjeshtë se, kur Spirua është liruar nga Ushtria e Shqipërisë , (në gjysmën e dytë të viteve ’70-të të shekullit XX), jo vetëm që Ushtria Shqiptare nuk kishte grada, por që të gëzoje atë gradë duhej të ishe minimalisht komandant Brigade (Regjimenti), ndërkohë që ai zotëri ka qenë shef stërvitjeje a shef operativ Brigade, që po të ishin gradat në atë kohë, do t’i takonte maksimalisht grada major, por kurrë kolonel.
Por ky zotëri, me sa po duket, e ka qejf vetgradimin, pasi edhe kur krijoi Armatën Kombëtare Shqiptare në vitin 2003, për të cilën u fut edhe në listën e zezë të Presidentit të SHBA, Xhorxh Bush (i vjetri), edhe atëherë u vetgradua Gjeneral-Kolonel, (për t’u barazuar me Enver Hoxhën kur iu dha kjo gradë në Kongresin e Përmetit, 24 maj 1944, kur vendosi gradat), dhe zgjodhi për pseudonim një emër e mbiemër madhështor për t’u paraqit si i lindur nga Zoti për beteja të mëdha ushtarake, Vigan Gradica. Edhe mbiemrin Gradica e ka zgjedhur për të na thënë se është Mehmet Gradica i kohës sonë! Kjo tregon se djallëzia e tij është e pa arritshme.
Por që të mos largohemi nga tema, z. Ermal Panduri përveç që i ka censuruar thëniet tona për “viganin” Spiro Bucka, por e mbyll qëllimisht atë intervistë me thëniet e tij. Dhe kuptohet se cili është qëllimi i këtij gazetari: që t’i paraqesë të pavlera e të paqena gjithçka folën e treguan parafolësit, protagonistët e vërtetë të atyre ngjarjeve që ata trajtuan e folën për operacionin “Shigjeta” si dhe për çështjen e të qenit të Spiro Buckës dëshmitar prefencial i Prokurorit, Elez Blakaj.
Ç’është gjithë kjo dashuri dhe përkrahje e prokurorëve dhe e disa gazetarëve në Kosovë ndaj një magazinieri të UÇK-së që vepronte gjatë luftës në qytetin e Kuksit dhe kurrë në Kosovë, madje i përkrahur pa rezerva edhe nga Azem Syla, e i mbështetur pas lufte edhe nga shumica e ish-anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së?! Ku vallë flen lepuri?
Dhe ajo që është interesante në intervistën e Spiro Buckës, në këtë emision, është shprehia e tij: “Unë, po të kisha 3000 ushtarë do ta çliroja Prizrenin”. Ç’paska humbur Kosova një fat të madh!
Kjo deklaratë pompoze e Vigan Spiro Buckës tregon se, ky zotëri ose nuk ka pirë ilaqet kur ka dhënë intervistën, ose nuk e kanë çuar për ta vizituar te mjeku psikiatër. E themi këtë për vet faktin se ai bie ndesh me ato çka ka thënë në shumë shkrime të tij. Në ato shkrime, ai është deklaruar se na paska qenë emëruar nga Azem Syla zevendës Komandant i Operacionit “Shigjeta”. Madje ka deklaruar edhe tjetrën: e ka komanduar atë luftim, (le ta quajmë operacion), nga një largësi 20-30 kilometra larg, pasi, sikundër tregojnë të gjithë pjesëmarrësit në të quajturin Operacioni “Shigjeta”, ai ka qenë në një zyrë në ish-Uzinën Mekanikë të Kuksit!
Dhe kjo duhet të jetë një risi në artin ushtarak botëror dhe jo vetëm shqiptar, që ta drejtosh luftimin nga një zyrë, pa dritare dhe në një largësi të tillë, duke mos qenë nevoja ta shohësh fare as frontin e jo më vijën e parë të luftimeve.
Mirëpo, dimë që në mal të Pashtrikut dhe në Koshare u grumbulluan e u angazhuan në luftim gati 5000 ushtarë. Nëse do të pranojmë se ky zotëri ka qenë zëvendës komandant i atij operacioni të planifikuar nga Shtabi Përgjithshëm dhe jo nga ministri Azem Syla, sikundër na e paraqet ky, në disa dokumente me nënshkrimet e Azem Sylës, si është e mundur që nuk e çliroi Prizrenin? Dhe kjo do të ketë ndodhur për faktin se kanë qenë më shumë ushtarë se sa i duheshin Spiros, ishin 5000 dhe jo 3000, prandaj nuk e ka marrë mundimin ky “trim vigan” që ta çlironte Prizrenin!
Ngaqë kanë qenë 5000 dhe jo 3000 luftëtarë, prandaj ky zëvendës komandant operacioni nuk mundi të çlironte edhe ato 300-1000 metra të territorit të Republikës së Shqipërisë që ishin pushtuar e fortifikuar nga forcat serbe, prej Qafës së Prushit e deri Gorozhup. E paskemi vrarë mendjen kot se pse nuk u realizua detyra për hapjen e korridorit të furnizimit si në Koshare edhe në Pashtrik, ngaqë kanë qenë më shumë se sa i nevojiteshin, Viganit Spiro Bucka. Pse nuk na e ka thënë më pare ky vigan, që mos të ishim lodhur kaq shumë.
Dhe me këtë deklaratë mburravece të këtij “trim vigani”, gazetari Ermal Panduri na e mbyll intervistën e “të pathënave për UCK-në”. Turp, e faqe e zezë, kur duan të na i paraqesin si të vërteta këto broçkulla mburravece të një ish-oficeri të përjashtuar nga tre ushtri, dy shqiptare e një ndërkombëtare, si i padenjë për të qenë oficer ushtrie: nga Ushtria e Republikës së Shqipërisë, nga TMK-ja dhe nga KFOR-i .