leoni

Dilaver Goxhaj: Adem Jashari dhe Ibrahim Rugova

Dilaver Goxhaj: Adem Jashari dhe Ibrahim Rugova

“Lindja” pas vdekjes e Adem Jasharit shkaktoi “vdekjen” politike të Ibrahim Rugovës, nga e cila lindi antagonizmi i tij, pasi “vdekja” politike për një Komandant të Përgjithshëm, ai dhe President Republike, është më fatkeqe se vdekja fizike, ngaqë shkakton hidhërim të pakufishëm. Ky hidhërim e bëri Rugovën që Adem Jasharin ta kishte armikun e tij më të urryer por të pa shpallur, ngaqë Ademi i shkaktoi atij disa “vdekje”: edhe politikisht, edhe si President e Komandant, por i vrau edhe ideologjinë e tij pacifiste, të cilën e pat shndërruar në një lloj féje, fé, të cilës i këndojnë Te Deum-e edhe sot. Dhe Rugova, sa ishte gjallë, nuk ia fali kurrë ato lloj “vdekje”, ndaj dhe nuk ia përmendi kurrë emrin, prandaj nuk u përkul asnjëherë jo vetëm para varrit të Adem Jasharit, por as para gjithë dëshmorëve të asaj familjeje epokale shtetformuese.

A e shihni Skënderbenë?

mbren’ e mirë, trim e burrë?

u përpoq për mëmëdhenë,

pa s’i vdes emëri kurrë.

Skëndërbeu është i gjallë,

rron e mbretëron për jetë,

kjo fjalë s’është përrallë

ndaj t’urtit është e vërtetë.

 Naim Frashëri: “Histori e Skënderbeut”

Në 5 marsin e këtij viti mbushen 20 vjet nga Lufta e Prekazit dhe rënia heroike e Adem Jasharit dhe e 55 pjesëtarëve të tjerë të asaj familjeje. Një rast unik në historinë botërore, ku një familje e tërë, në një unitet mendimi dhe veprimi të jashtëzakonshëm lufton si një trup i vetëm dhe e gjithë bie theror për çlirimin dhe krijimin e një shteti – Kosovës.

Lavdia e asaj vdekjeje me qëndrueshmëri, në periudhën kur politikanët shqiptarë kishin filluar të zhyteshin në llomin e kompromiseve me pushtuesin, tregoi se ajo ishte rrugëdalja e vetme për t’u çliruar Kosova nga pushtimi serb; ai heroizëm ishte një përmbysje historike e madhe sepse njerëzit, më në fund, e gjetën të fshehtën e rrugës drejt lirisë.

Gjithë veprimtaria ilegale e deriatëhershme e Adem Jasharit dhe e asaj familjeje s’ishte gjë tjetër veçse një punë pa bujë e një propagandë pa qëllime publiciteti, në kundërshtim me thirrjet e shpeshta publike të politikanëve të Kosovë të cilët i thoshin popullit: rrini urtë e mos u ndjeni se lirinë na e kanë premtuar të na e sjellin.

Pas Luftës së Prekazit ata që e ndjenin veten shqiptarë e ndërprenë hyjnizimin e rezistencën paqësore, e flakën tej atë.

Data e 5 marsit 1998 ka dy ngjarje të rëndësishme brenda saj: është edhe vdekja biologjike e Adem Jasharit, por edhe LINDJA e përjetshme e tij. Si i tillë, Adem Jashari është një vigan që si ditëlindje të tij do t’i njihet data e vdekjes biologjike të tij, nëse do të perifrazonim një thënie të Niçes. Njerëzit shumë të famshëm janë gjithnjë në jetë që është e vetmia jetë e denjë për t’u quajtur me këtë emër, shprehej Ciceroni. Dhe prej asaj date Adem Jashari do të jetoi përjetësisht, që do të thotë se atë ditë që Ai ra në betejë, atë ditë dhe “Lindi”.

Edhe shtetet për ditëlindje të tyre kanë atë datë kur përfundon lufta e rënies heroike të mijëra e mijëra dëshmorëve idealistë të tyre. Pa rënë theror dëshmorët për lirinë e atdheut, nuk ka ditëlindje të një shteti. Kështu ndodhi edhe me Kosovën. Ditëlindja e një shteti nuk është deklarata pas lufte për Pavarësi, por dita e çlirimit nga pushtuesi shekullor i tij.

Një “LINDJE” të tillë e përjetshme, pas vdekjes biologjike, e kanë pas në mote edhe shqiptarë të tjerë: Mic Sokoli, Selam Musai, Vojo Kushi, Tre heronjt e Shkodrës etj. Këta njerëz janë të mëdhenj pasi janë rezultat i bashkëveprimit të kohës me shoqërinë njerëzore, janë produkt i vetë historisë, pasi njeriu është produkt i mjedisit dhe kohës ku jeton e vepron.

I tillë produkt është edhe Adem Jashari, por me një veçori shumë më të dukshme se shembujt e mësipërm: kjo marrëdhënie afrie e Adem Jasharit midis shoqërisë dhe kohës, thënë ndryshe, midis natyrës dhe fatit, ka qenë ngjashëm si në rastin e Skëndërbeut dhe Ismail Qemalit, ku duket sikur është sforcuar historia, jo vetëm për të përfshirë në një njeri të vetëm virtytet e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, si burrë shteti, por edhe për ta dalluar nga virtytet e Komandantit të Përgjthshëm të atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugovës, për të treguar se ishin me një madhësi të ngjashme në qëllimin final për Kosovën, por me guxim dhe ideal të ndryshëm; dëshira për lavdi, por pa guximin e një komandanti, e çoi Ibrahim Rugovën për të qenë politikan pacifist i nivelit më të lartë, ndërsa Adem Jasharin historia e deshi të shërbejë si model i burit të shtetit e i komandantit të përsosur, ngjashëm si Skënderbeu e Ismail Qemali.

Adem Jasharin familja, koha dhe shoqëria në Kosovë e pajisi me shumë karakter, me shumë guxim dhe me shumë trimëri; historia e lindi të shpërthente luftën për çlirimin e Kosovës dhe të shndërrohej në një Komandant i ngjashëm me legjendën dhe luftëtar simbol i asaj lufte.

Deri atë ditë e gjithë bota demokratike e jo demokratike e kishte injoruar kërkesën e Ibrahim Rugovës për shtetin e ri të Kosovës dhe ushtrinë e saj çlirimtare e pat cilësuar, si dhe vetë Rugova, grup terrorist. Ishte “lindja” e përjetshme e Adem Jasharit që bëri korrigjimin.

Adem Jashari, ashtu si dhe heronjtë e tjerë që cituam më lartë, deri ditën e rënies së tij heroike nuk ishte i njohur jo vetëm nga mbarë kombi shqiptar por as edhe nga populli shqiptar në Kosovë. Prej ditës që Adam Jashari ra heroikisht, atë ditë ai u njoh nga i gjithë kombi shqiptar dhe u shndërrua në simbol jo vetëm i Komandantit dhe luftëtarit por edhe simbol i lirisë për gjithë shqiptarët në Kosovë. Ajo luftë në Prekaz në 5 marsin e vitit 1998 ishte një veprim i madh vezullues për gjithë shqiptarët në Kosovë; ishte afirmim i Adem Jasharit Komandant legjendë i luftës për çlirimin e Kosovës dhe i Ushtris Çlirimtare të Kosovës.

Mos vdekja kurrë e tij në memorjen e kombit është rezultat i vdekjes heroike të tij për idealin e lindjes së shtetit të Kosovës, ndaj dhe data e rënies së tij, 5 Mars 1998, do të quhet ditëlindja e tij, si një vepër që inicoi njohjen ndërkombëtare të luftës kryengritëse në Kosovë dhe të Ushtrisë Çlirimtare të saj, duke u dhënë atyre tiparet e saktësisë e të përpikmërisë.

Adem Jasharin, njësoj si dhe Skëndërbeun dhe Ismail Qemalin, nuk i shpallën komandantë dhe kryetarë shteti institucionet partiake a shtetërore, po i shpalli vepra e tyre personale heroike, ndaj dhe nuk mund të krahasohet me ta asnjë politikan tjetër i kombit shqiptar.

Edhe Adem Jashari organizoi KUVENDIN, ngjashëm si Kuvendi i Lëzhës dhe ai i Vlorës, por me një ndryshim epokal: salla e Kuvendit të Adem Jasharit ishin Kullat e Jasharajve dhe zhvillimi i Kuvendit ishte vetë BETEJA E PREKAZIT; pjesmarrës në Kuvendin e Lezhës ishin gjithë princat shqiptarë, ndërsa në Kuvendin e Vlorës ishin përfaqësuesit e gjithë vilajeteve shqiptare, kurse pjesmarrës në “Kuvendin e Prekazit” ishin 56 luftëtarë-dëshmorë vetmohues; nënshkrimet e kuvendeve të Lezhës dhe Vlorës u bënë me penë e me bojë shkrimi, ndërsa në Kuvendin e Prekazit historia urdhëroi që nënshkrimet të bëheshin si në asnjë rast tjetër të historisë shqiptare e asaj botërore: ajo urdhëroi që nënshkrimet të bëheshin me pushkë dhe gjak; telegrafi i Kuvendit të Prekazit nuk ishin as korjerët, as zarfet, as njoftimet me letër, as postjerët por gjithë mediat vizive botërore, ngaqë ishte koha e televizionit dhe e internetit, koha e kozmosit dhe e luftës aero-tokësore.

Guximi i Adem Jasharit dhe gjithë familjes së tij ishte një focë e jashtëzakonshme shpirtërore, e cila i ngriti ata mbi shqetësimet, mbi pështjellimet dhe mbi emocionet që mund të shkaktonte mbi ta shfaqja e asaj ushtrie të madhe e të blinduar e Serbisë; falë asaj force Adem Jashari dhe familja e tij u mbajtën të qetë dhe e ruajtën përdorimin e lirë të arsyes në ato rrethana aq të tmerrshme.

Pak kush qenë atëherë të gatshëm të rrezikonin sa duhet për triumfin e çështjes për jetë a vdekje të Kosovës, sikundër vepruan Jasharajt në ditën e lindjes së tyre të përjetshme. Ata humbën jetën, por i dhanë Kosovës lirinë dhe lavdinë. Prandaj dhe Përfaqësuesi i parë Special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Kushner, deklaroi: Nëse do të kishte çmim Nobel për një lloj të tllë sakrifice, kjo familje do të ishte e para që do ta gëzonte.

*      *    *

Vepra e madhe e Adem Jasharit nuk ishte rezultat i një plani të madh, sikundër ishte plani pacifist i dhurimit të lirisë së Kosovës nga ndërkombëtarët, por ishte thjesht rezultat i rastësisë. Jeta zhvillohet jashtë vullnetit tonë. Ajo rastësi ndryshoi prodhimin shpirtëror, revolucionarizoi gjithë shoqërinë shqiptare në Kosovë, duke u shkëputur nga idetë pacifiste pasive sunduese të deriatëhershme.

Vepra heroike e Adem Jasharit ishte vepër e madhe për disa arsye: së pari, ngaqë u përputhën koha, mjetet dhe forma që treguan sesi mund të fitohej liria; së dyti,  ishte rezultat i një përpjekje të madhe në vijueshmëri të popullit shqiptar në Kosovë; së treti, pati një proporcion midis veprimeve të Adem Jasharit dhe ëndërrës kombëtare të atij populli shqiptar në Kosovë; dhe së katërti, ishte shpresa e popullit që shërbeu ta çonte Adem Jsharin dhe tërë familjen e tij drejt vdekjes me qëndrueshmëri nëpër atë rrugë që u pëlqye dhe u pasua nga mijëra shqiptarë në Kosovë e trevat e tjera shqiptare.

Të gjitha këto prodhuan shfaqjen e Ushrisë Çlirimtare të Kosovës në formën e një bumi. Njerëzia shpërblen më shpesh shfaqjen e thelbit sesa thelbin vetë.

* * *

Duke qenë se të dy këto personalitete, Adem Jasharin dhe Ibrahim Rugovën, i kemi komandantë të ushtrisë së Kosovës, do të mundohem të heq këtu disa paralele ballafaquese midis tyre. Sado të madh e të ndritshëm mundohen ta nxjerrin Ibrahim Rugovën ithtarët e tij, përsëri është e vështirë që të barazohet me Adem Jasharin, pasi janë rrethanat ato që na ndihmojnë të nxjerrim në dritë të përshtatshme tërë cilësitë e tyre, duke i ballafaquar ato:

– historisë dhe kohës iu desh t’i lindte në të njëjtën periudhë që ne t’i njihnim sikundër i njohëm: të ndryshëm në inteligencë e të ndryshëm në përkushtim e dhunti;

– njëri qytetar i thjeshtë e i bindur se liria nuk dhurohet por fitohet me gjak e sakrifica, tjetri me synime të mëdha e ambicje të pakufishme personale;

– të dy të njohur për virtyte por që i shfaqën nën pamje krejt të ndryshme;

– dy modele të ndryshme në dy burra me pikëpamje të ndryshme e me përvojë jetësore të ndryshme, por duke synuar të njëtën gjë: lirinë e Kosovës;

– për nga synimi dukeshin të barabartë e të palodhur secili në mënyrën e vet, por që i pamë të vepronin krejt ndryshe në praktikë;

– u shfaqën me fat e pa fat në rrethana të ndryshme, duke ia detyruar suksesin njëri lutjeve drejtuar Perëndimit kryesisht në shërbim të lavdisë së vet, tjetri rrëmbimit të armëve dhe shpërthimin e luftës së armatosur e me kurajo, duke u shfaqur jashtëzakonisht i madh në fatkeqësi, i tërhequr nga epërsia e gjinisë së vet që ngjan t’ia nënshtroi vetvetes rastet e për t’i vënë në shërbim të lirisë së Kosovës;

– që të dy dëshironin të krijonin shtetin e Kosovës.

– ekzistenca e një pushtuesi të fuqishëm ushtarakisht dhe ekonomikisht si dhe mendësia pacifiste tërësore jo aktive e popullit shqiptar në Kosovë u afroi të dyve rastet për të shpalosur tërë vlerat e tyre në mënyra diametralisht të ndryshme;

– të dy ishin në moshën më burrërore të tyre, në të njëjtin mjedis politiko-shoqëror të njëkohshëm, por jeta dhe vepra e Adem Jasharit ishin krejt ndryshe nga jeta dhe vepra e Ibrahim Rugovës; jeta e Ademit u shoqërua nga aq rrethana të rralla e për më tepër në një moment tejet pacifist të opinionit shqiptar në Kosovë për të shpalosur tërë vlerat e tij, të cilat do të vendosnin fatin e nesërm të Kosovës.

Sikundër shihet, ky fat ishte i njëjtë për të dy, por ja që historia Ibrahim Rugovën e shkarkoi nga Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Kosovës, sikundër e kishte emëruar Kushtetuta e Kaçanikut, dhe në vend të tij historia emëroi Komandant të Luftës Adem Jasharin. Historia e bëri atë zëvendësim ngaqë në atë kohë ajo kishte nevojë jo për profesionalizëm dhe intelekt por për personalitet, vetëdje dhe përgjegjësi. Ky zevendësim detyrash, njërin e “lindi” përjetësisht, tjetrin e “vdiqi” politkisht.

* * *

“Lindja” pas vdekjes e Adem Jasharit shkaktoi “vdekjen” politike të Ibrahim Rugovës, nga e cila lindi antagonizmi i tij, pasi “vdekja” politike për një Komandant të Përgjithshëm, ai dhe President Republike, është më fatkeqe se vdekja fizike, ngaqë shkakton hidhërim të pakufishëm. Ky hidhërim e bëri Rugovën që Adem Jasharin ta kishte armikun e tij më të urryer por të pa pa shpallur, ngaqë Ademi i shkaktoi atij disa “vdekje”: edhe politikisht, edhe si President e Komandant, por i vrau edhe ideologjinë e tij pacifiste, të cilën e pat shndërruar në një lloj féje, fé, të cilës i këndojnë Te Deum-e edhe sot. Dhe Rogova, sa ishte gjallë, nuk ia fali kurrë ato lloj “vdekje”, ndaj dhe nuk ia përmendi kurrë emrin, prandaj nuk u përkul asnjëherë jo vetëm para varrit të Adem Jasharit, por as para gjithë dëshmorëve të asaj famljeje epokale shtetformuese.

E, për fat të keq, menjëherë pas asaj qëndrese heroike udhërëfyese që tregoi se liria fitohej vetëm me gjak, filloi antagonizmi edhe midis mbështetësve të Ibrahim Rugovës, Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Kosovës (FARK), dhe pasuesve të Adem Jasharit, Komandantit legjendë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Këta të parët e mohojnë çlirimin me luftë të armatosur e gjak, duke predikuar me maksimumin e zërit të tyre pseudo-patriotik, se vetëm politika e robit është produkt i fitores së lirisë së Kosovës. Dhe kjo lloj féje politike ishte aq më tepër e dëmshme, sa më pak që e kuptonin këta ithtarë pacifistë domosdoshmërinë e fitores së lirisë me gjak, duke mos e kuptuar se padashje bëheshin shërbëtorë të propagandës së Millosheviçit. Por nuk përjashtohet mundësia që atë mohim të fitores së lirisë me gjak ta kenë nga zilia, e cila është pasojë e frikës dhe e turpit, ndaj dhe nuk kanë guxuar kurrë të rrëfehen pse nuk e mbështetën rrugën e fitores së lirisë me armë, rrugën e Adem Jasharit. Frika prej vdekjes i hoqi shumë vlera politkës pacifiste pasive tetë vjeçare të Rugovës dhe të pasuesve të tij.

Nga pikëpamja e kulturës dhe e nivelit të tyre intelektual pacifistët mund të qëndronin më lartë se luftëtarët e Adem Jaharit. Por ajo që i bënte dhe i bën ata  partizanë të politikës së robit është se mendimi i tyre nuk mund të kapërcejë ato caqe që nuk i kapërcen vetë jeta e njeriut meskin, dhe se prandaj teorikisht ata synojnë në po ato zgjidhje në të cilat e shtyjnë praktikisht njeriun e vogël interesat e tij materiale dhe pozita e tij shoqërore. Ky është, në përgjithësi, shkaku pse shoqëria kosovare u nda në dy kampe: pacifistë dhe revolucionarë.

Por lufta e kampit pacifist kundër kampit revolucionar mund të jetë edhe zili ndaj heroizmit të Adem Jasharit, zhvlerësuesit të politikës pacifiste e cila propagandonte nënshtrim dhe jo revoltë; zili, sepse dihet që zilia është një tërbim, është më e papajtueshme se urrejtja, ngaqë nuk munden ta durojnë fitoren e revolucionarëve të Adem Jashari dhe që nuk mundi ta realizonte lirinë strategjia e Ibrahim Rugovës.

* * *

Meskinët ziliqarë të Ibrahim Rugovs, duke mos qenë të gatshëm që të sakrifikonin për lirinë e Kosovës dhe të pazotë të merreshin me gjëra të mëdha, si Adem Jashari dhe pasuesit e tij, filluan të merreshin me gjëra të vogla, për ta izoluar UÇK-në. Dhe konkretisht:

1). E shpallën UÇK-në  “Dorë e zgjatur e Serbisë”, për t’i hequr asaj mbështetjen e popullit;

2). Lansuan propagandën: “Serbia është e fortë, nuk luftohet me Serbinë, UDB-ja është shumë e organizuar, po i dinë të gjitha gjërat që ndodhin në mes shqiptarëve, për tri ditë na shfarrosin etj”, për ta trembur popullin të mos rrëmbente armët;

3). Organizuan “zgjedhjet e lira” dhe atë për president në kohë lufte, për ta injoruar epopenë shpëtimtare të Betejës së Prekazit;

4). E akuzuan UÇK-në grupacion marksist, leninist, islamist, enverist, komunist, terrorist e banda rivale, për t’i hequr mbështetjen ndërkombëtare;

5). U sulmuan gazetat lokale e ato jashtë Kosove që thyenin shabllonin uniformist për “qetësinë” në Kosovë, për të krijuar iluzionin se lirinë do ta sillte dikush nga jashtë;

6). Betimin e UÇK-së për bashkim me Shqipërinë e propaganduan si tendencë për “Shqipërinë e Madhe”, parrullë dikur e fashizmit italian;

7). Kur u bindën se këto propaganda nuk ngjitën, krijuan brenda në Kosovë formacione të një ushtrie tjetër, FARK-un, gjë që krijoi premisa për të kaluar në luftë civile. Dhe, kur veprimtaria e tyre luftarake po i çonte drejt asaj lufte, nxituan dhe u larguan nga Kosova dhe të nesërmen Kryeministri i tyre, Bukoshi, u detyrua të delte në TVSH dhe të pranonte: “Në Kosovë nuk ka dy ushtri, vetëm një ushtri, ajo është UÇK-ja”. Por ajo ishte thjeshtë manovër për të dalë momentalisht nga situata ku qenë futur dhe që të mos merrnin urrejtjen e kombit.

8). Ajo manovër u zbulua kur, pas ofensivës serbe të korrikut 1998, kur qenë djegur 470 fshatra të banuar me shqiptarë dhe ishin larguar mbi 400 mijë shqiptarë nga Kosova, në pyetjen që gazetarët i bënë Rugovës nëse ishte dobësuar apo jo pozicioni i tij, çuditërisht Ai u përgjigj: “Tani jam më i fortë”! Si ishte e mundur?

9). Shkelën Marrëveshjen për Qeverinë e Përkohshme të Kosovës të 23 shkurtit 1999, të nënshkruar në Rambuje, me pretekstin se u dhanë disa ministri jo shumë të rëndësishme.

Dhe Ibrahim Rugova nuk rezulton të ketë dënuar qoftë dhe një prej këtyre veprimtarive të dëmshme.

10). Menjëherë sa mbaroi lufta, qeveria e Kosovës në ekzil, përdori djallëzisht paratë e popullit, duke sjellë tërë pompozitet në kryeqytetin e Kosovës monumentin e Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut, edhe pse nuk e pëlqejnë strategjinë e tij për liri. “Për interesat e veta edhe djalli mund ta citoi Biblën”, thotë Shekspiri. Vetëm me Skënderbeun mund të shmangej Adem Jashari.

11). Që të humbiste sa më shpejt roli i Adem Jasharit u bë ç’është e mundur që në Kosovë të gjallërohej në ekstrem ndjenja përçarëse lokaliste, lufta për lavdi personale e jo kombëtare. Konkretisht:

A – Komanda e Zonës së Llapit ngriti me urgjencë në qendër të Prishtinës monumentin e Heroit Zahir Pajaziti, për të thënë se ne jemi më patriotë se krahinat e tjera, me nëntekstin tjetër se Zahiri ka më shumë vlera se Adem Jashari;

B – Pasuesit e politikës pacifiste të Ibrahim Rugovës, duke vënë interesat personale, partiake dhe lokale mbi nderin dhe interesin kombëtar, ngritën po me urgjencë, në qendër të Prishtinës, monumentin e Ibrahim Rugovës, ngjitas me atë të Skënderbeut, krahas vendosjes së portretit të tij me përmasa gjigante në shumë mjedise të dukshme të Prishtinës; veprime këto që treguan dhe tregojnë mos njohje prej tyre të Adem Jasharit Komandant të UÇK-së dhe të asaj Lufte Çlirimtare;

C – Drejtoria Politike e UÇK-së dhe Komanda e Zonës së Drenicës me një ndjenjë shumë të madhe vetëkënaqësie ngritën monumentin e Adem Jasharit në fshatin e tij dhe jo në Prishtinë, edhe pse kishin pushtetin shtetëror dhe mbështetjen mbarë popullore. Atë akt të theksuar lokalist e paraqitën si qëllimin dhe përsosjen e fundit të asaj Lufte Çlirimtare, si rrjedhojë e mos-inteligjencës dhe e fantazisë së tyre, duke menduar se i gjithë procesi historik i asaj lufte e arriti qëllimin e vet duke i ngritur Adem Jasharit monumentin në Skënderaj. I gjithë ky fodullëk lokalist i fryrë i përgjigjej një praktike mjaft meskine matrapazësh të vegjël. Mirëpo, me këtë nonsens bënë atë që nuk duhej bërë: i thanë historisë dhe popullit, se Adem Jashari dhe familja e tij nuk sakrifikoi për Kosovën, por veç për Drenicën. Vallë e kanë kuptuar sot?

Ç – Më pas, ithtarët e ish-presidentit Rugova nxituan dhe ngritën në Prishtinë monumentin e Presidentit Klinton. Nuk bënë keq. Por të tërheq vemendjen fakti se pse nuk është diskutuar sot e gjithë ditën ngritja e monumentit të Adem Jasharit atje, pranë shëmbulltyrës së tij, Skënderbeut, vendin e të cilit e ka zënë monumenti i Ibrahim Rugovës?! Po VETËVENDOSJE! çfarë po bën, e cila ka pesë vjet që ka pushtetin e Kryeqytetit?! Pse nuk e sjell në Prishtinë monumentin e Komandant Adem Jasharit, i cili ende rri në fshat?

12). Edhe sot e gjithë ditën mediat e mbështetësve të Rugovës po e anatemojnë UÇK-në dhe luftën e saj, duke e identifikuar atë me aktet antishtetërore e korruptive të pasluftës të disa profiterëve ish-drejtues kryesorë të UÇK-së dhe të formacioneve të saj.

I reshtova këto fakte jo se jam kundër ngritjes së atyre monumenteve që janë ngritur në Prishtinë, madje ia vlen të ngrihen në të gjithë sheshet e qyteteve të Kosovës, por se duhej dhe duhet të ketë një radhë pune bazuar në vlerat burrështetase dhe ndikimit të veprës së tyre në ngjarjet madhore që ndodhën në fund të shekullit XX në Kosovë.

E për fat të keq gazetat e shitura i lavdërojnë me të madhe këto dehje absurde, ku dhe hekuri i skuqur skuqet nga turpi.

* * *

Nuk mund të tjetërsohen e të thjeshtësohen vlerat atdhetare të Adem Jasharit e të zbresin ato në nivelin e vlerave atdhetare pacifiste të Ibrahim Rugovës edhe pse ishte një intelektual e politikan i admirueshëm në popull.  Dhe ja pse:

A – Ibrahim Rugova ishte me Kushtetutë Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Kosovës (FARK-t), por, në vend që të delte në krye të atyre forcave, ose të paktën t’i bënte thirrje popullit për të rrëmbyer armët, apo të emëronte dikë Komandant të UÇK-së kur ajo formoi formacionet luftarake të saj, Ai shkoi dhe U DORËZUA te armiku, duke treguar se nuk ishte as ushtar, ndaj dhe i bëri thirrje NATO-s që të ndalonte bombardimin e forcave ushtarako-policore të armikut, – e tani pasuesit e tij po na këpusin mollë të arta. Dhe për këtë dorëzim Ai nuk dha kurrë ndonjë shpjegim, sikundër tregon edhe z.Kushner në librin e tij. Kuptohet, të dobëtit nuk mund të jenë të sinqertë. Ndoshta e bëri nga frika a nga naiviteti. Mirëpo, mos-shpjegimi prej tij i atij dorëzimi te armiku e i asaj thirrjeje, të bindin se nuk e kishte marrë peng armiku. Të jetë vallë nga dobësia?, se të dobëtit pothuajse nuk janë kurrë zotërues të vërtetë të tyre. Dobësia nuk duhet të jetë tipar i komandantëve të përgjithshëm të një vendi.

B – Edhe kur Komandanti i Përgjithshëm i forcave armike, Millosheviçi, e ndihmoi Komandantin e Përgjithshëm të FARK-ut për të shkuar në Evropë, Ai edhe prej andej vijoi ta anatemonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se atë e drejtojnë ca kalamaj profane, ndërkohë që  Uesli Klark, ditën e ndërprerjes së asaj lufte, këta “kalamaj profanë” i përshëndeti:  “Bashkëveprimi luftarak më i mirë i NATO-s në historinë e saj 50 vjeçare!”.

C – Edhe kur Kosova u çlirua, Komandanti i FARK-ut deklaroi botërisht nga Italia, se nuk do të kthehej në Kosovë pa u çarmatosur edhe luftëtari i fundit i Ushtrisë Çlirimtare me Komandant Adem Jasharin.

D – Por edhe kur Rugova u kthye në Kosovë dhe u rizgjodh President i saj, Ai, në vend që të shkonte e të vendoste qoftë edhe një lule të vetme te varri i Komandantit legjendë Adem Jashari, çuditërisht shpalli komandant legjendar dezertorin dhe dëmtuesin më të madh të asaj lufte çlirimtare, kolonelin Tahir Zema!

Këto janë fakte nga më kokëfortë.

Por,  ngaqë janë fakte të vërtetë e të pakundërshtueshëm, edhe mund të anatemohet shkrimi dhe autori i këtij shkrimi. Mendjet mediokre dënojnë zakonisht gjithçka që i tejkalon kapacitetet e tyre.

Me këtë analizë unë s’kam për qëllim të parodizoj figurën e Ibrahim Rugovës dhe as për të mohuar vlerat e tij politike e intelektuale, por për të vënë në dukje se KURRË nuk mund të vendoset vepra e Ibrahim Rugovës mbi veprën e Adem Jasharit dhe as të barazohet me të. Ishte heroizmi dhe figura e Adem Jasharit dhe e gjithë familjes së tij që mbajti lart entuziazmin e luftëtarëve të UÇK-së në lartësinë e tagjedisë së madhe historike, ndërsa “dr.Ibrahim Rugova ishte i pëlqyeshëm dhe i matur, mirëpo mënyra e tij e të udhëhequrit, e heshtur dhe me rezerva, vështirë se mund të ishte inspiruese.”, sikundër e ka përcaktuar edhe Xhejms Rubin, këshilltari i Medlin Ollbrajt.

Inspirues ishte Adem Jashari dhe krijesa e tij, UÇK-ja, sikundër e thekson znj.Ollbrajt: “Ishte ajo (UÇK-ja) e cila sensibilizoi opinion ndërkombëtar, opinion i cili u vu i tëri në shërbim të përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri.”

Atëherë, më thoni, me cilin do të dashurohet përjetësia?

Tiranë, 5 mars 2018

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …