Dilaver Goxhaj: Antiamerikanizmi evropian ndëshkon shqiptarët

Çështja e heqjes së vizave nga Bashkimi Europian për Ballkanin dhe veçanërisht për Ballkanin Perëndimor është analizuar e diskutuar së tepërmi kohët e fundit nga shumë analistë e komentatorë shqiptarë, por edhe të huaj. Në shumicën e tyre ka një përfundim të përbashkët: Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës nuk iu hoqën vizat për në Evropë, jo vetëm se nuk i kanë plotësuar detyrat e shtëpisë, të dhëna nga Evropa, por edhe sepse janë myslimanë.
Ndoshta nuk do të them diçka të paprekur deri tash nga analistët dhe komentatorët e mëparshëm, por do të jetë me interes të vëmë theksin edhe më fortë tek ndonjë përfundim i parashkruesve si dhe të themi më hapur, një të vërtete të tjetër që dikush e thotë me gjysmë zëri, për një arsye a për një tjetër.
Së pari, mendoj se pretendimi i Havier Solanës dhe Sheferit se Shqipëria si dhe ato dy të tjerat nuk i kanë plotësuar standardet e kërkuara nuk qëndron edhe për një arsye tjetër se, ne shqiptarët, por edhe boshnjakët, nuk i kemi shkaktuar as edhe një shqetësim as Ballkanit dhe as Evropës, jo vetëm këta 20 vjetët e fundit por edhe më herët.
Evropa nuk ka parë as edhe një ngacmim shqetësues nga ne. Ne kemi qenë diktaturë, por atë e vuanim ne shqiptarët dhe jo Evropa. Por nuk ishim vetëm ne shqiptarët në diktaturën komuniste, të tillë ishin edhe Serbia, Maqedoinia edhe Mali i Zi, e megjithatë këta të tre u lehtësuan për çështjen e vizave, edhe pse ata i kanë shkaktuar Evropës dhe komunitetit botëror shqetësime nga më të ndryshmet këta 20 vitet e fundit, si me katër luftëra ashtu edhe me kontrabandën, (sidomos Mali i Zi).
Dhe megjithatë këto shumë shpejt u harruan. Pse u “harruan” nga Evropa?
Sepse janë shtete që drejtohen nga krisherë, pavarësisht se në Maqedoni dhe në Mal të Zi ka popullsi shqiptare ndoshta më shumë se maqedonë dhe malazesë. E themi këtë sepse Evropa e ka shprehur haptas dhe me vepra këtë koncept antinjerëzor dhe antidemokratik.
A është Evropa që tha dhe thotë se Turqia kë një popullsi mbi 80 milionë banorë, të gjithë myslimanë, ndaj është një problem delikat për Evropën.
Mirëpo, kjo Turqi edhe gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë kaq banorë myslimanë kish, por atëherë nuk përbënte problem për Evropën. Po pse atëherë Turqia nuk përbënte problem për Evropën? Sepse atëherë Evropës i nevojitej Turqia si shtet tepër i fuqishëm ushtarakisht ashtu edhe në potencialin njerëzor për ta patur në kufi me Bashkimin e militarizuar Sovjetik, që ia kishin frikën.
Me t’u eleminuar rreziku i BS dhe i asaj lufte, një mëngjes të bukur Turqia 80 milionëshe na përbëka problem për Evropën dhe iu ndalua lëvizja e lirë asaj popullsie nga që “nuk plotësonte standardet”. Thuaj po deshe se Evropa nuk është mirënjohëse! Mirëpo, politikanët e Evropës, duke qenë se kanë një urrejtje të pamatshme ndaj popujve myslimanë, (mos harrojmë 12 kryqëzatat), u është errësuar arsyeja ndaj dhe gabuan jo vetëm në politikë, por edhe në diplomaci. Që të mos akuzoheshin për urrejtje fetare ndaj Turqisë myslimane, ata do t’i kishin hequr vizat për 7-8 milionë myslimanët e Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnjës dhe nuk do t’i jepnin “armë” Turqisë e të shprehej se BE-ja nuk është gjë tjetër veçse një klub i krishterë.

Mosmirënjohja e Evropës u shfaq edhe me Shqipërinë. Në periudhën e Luftës së Ftohtë, kur Shqipëria largoi nga Mesdheu bazat Ushtarake Sovjetike, shtetasit shqiptarë që lëviznin nëpër Evropë as që kontrolloheshin nëpër dogana, por me të rënë perdja e hekurt, shqiptarët jo vetëm që nuk kanë të drejtë të lëvizin lirshëm, qoftë edhe me viza, por kontrollohen edhe me qen nëpër dogana. Edhe gjatë luftës në Kosovë, në Preshevë dhe Maqedoni përsëri Shqipëria u bë faktor i shuarjes së luftës në dëm të shqiptarëve (që i takonte të bënte të kundërtën, mbështetjen e fuqishme të shqiptarëve), dhe përsëri Evropa nuk ia diti për nder.
Antimyslimanizmi i Evropës u pa edhe gjatë luftës së Serbisë në Bosnjë, ku po shfaroseshin në masë me qindra mijëra qytetarë të besimit mysliman. U desh ndërhyrja me forcë e Amerikës që ajo shfarosje njerëzore të ndërpritej. E njëjta gjë ndodhi edhe me Kosovën. Evropa, shkaktarja e problemit të pazgjidhshëm shqiptar, bënte një sy qorr e një vesh shurdh për kërkesat e shqiptarëve. Madje indirekt
e nxiste Millosheviqin edhe përmes stimulimit të pacifizmit rugovian, që ta vinte botën demokratike para faktit të kryer me shpopullimin e Kosovës nga shqiptarët myslimanë. Ishte përsëri Amerika që ndërhyri dhe iu imponuan Evropës të ndërhynte ushtarakisht për ta ndalur atë shfarosje mesjetare. Mirëpo, Evropa plakë ka inat të hidhur dhe kur gjen momentin hakmerret. Dhe mos heqja e vizave nga BE për Shqipërinë, Kosovën dhe Bosnjën nuk është veç antimyslimanizëm, por kryesorja e kryesoreve është hakmarrje kundër Amerikës , e cila jo vetëm që ndërhyri me forcë në dy luftërat e mësipërme, por iu imponua Evropës që Shqipëria të bëhej anëtare e NATO-s. Kemi të bëjmë vetëm më një Hakmarrje kundër SHBA dhe asgjë tjetër, por një hakmarrje e formës sikundër thotë një fjalë popullore e jona: nuk kanë çfarë t’i bëjnë kalit dhe i bien samarit.
Kuptohet që në krye të kësaj hakmarrjeje evropane antiamerikane është Haver Solana. Ai ishte kundër ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës, dhe këtë na e shpreh shumë qartë ish Komandanti i Përgjithshëm i NATO-s, në atë luftë, Uesli Klark, i cili në librin e tij, (f. 234), thotë: “Thirra Javier Solanën për t’i përcjellë këtë lajm: serbët janë ngritur të na sfidojnë dhe ne e kemi mposhtur këtë sfidë. Prisja që Solana të ndante me mua krenarinë time me reagimin e aeroplanëve kundër kërcënimit serb, por Solana më befasoi. “Kjo nuk është e mirë! Kjo nuk është e mirë!”, tha ai”. Dhe këtë inat Solana e tregoi edhe në ngjarjet e Marsit 2004 në Kosovë, kur populli shqiptar i atjeshëm u ngrit kundër padrejtësive që u bëheshin shqiptarëve në raport me popullsinë serbe nga administrate e UNMIK-ut dhe qeveritë kukulla shqiptare. Solana u shpreh menjëherë, qysh në minutat e para të asaj revolte mbarë popullore, duke thënë: “populli shqiptar është popull terrorist”. Po kështu u shpreh edhe zoti Shefer që kish zënë vendin e tij në NATO.
Dhe më qartë akoma këtë hakmarrje antiamerikane na e tregon Bernard Kushner, në kohën kur ai është njoftuar nga Hyber Vedrin për të qenë Përfaqësuesi Special i Sekretarit të përgjithshëm të OKB për Kosovën, në librin e tij: “Luftëtarët e paqes” (f.35) kur thotë: “Hyber Vedrin më mori sërish në telefon…
-Presidenti e ka pranuar kandidaturën tënde. Duhet ta takosh sa më shpejt…
– Do të marr takim që sot.
Po Kofi Annan? A ta kontaktoj? Njihemi mirë.
– Jo, jo, jo, jo, atë jo. Do të prishje gjithçka. Konkurrentët nuk do të falin…… një brazilian po bën presion të madh.
Një brazilian?
Ky vend i takon ose një evropiani ose një amerikani.
Eh, Ata (kupto: amerikanët, D G) na detyruan njëherë me anën e NATO-s.
– Na detyruan?
Ç’do të thuash? Ishe kundër bombardimeve!?”.
Ndërsa presidenti i Francës, kur ai e përcolli Kushnerin (f. 38), i tha: “Mbajeni vath në vesh që ne duam drejtësi për kosovarët, por mbetemi miqtë e serbëve”.
Besoj se nuk ka nevojë për koment.
Dhe erdhi momenti që Solana të hakmerrej për atë që: “na detyruan amerikanët”, dhe myslimanëve të Ballkanit nuk ua hoqi vizat për në Evropë, ndërsa ata që vranë e prenë me qindra mijëra myslimanë të Ballkanit, por që Amerika nuk i la të vazhdonin më tej, u shpërblyen!
Kemi një Kadare, i cili thotë se inati i të mëdhenjve është i tmerrshëm. Ndaj, kjo sjellje e Evropës, ndoshta nuk do të ngelet pa u ndëshkuar, në një formë ose në një tjetër, në mos nga amerikanët, nga ndonjë mik apo aleat i tyre. Historia përsëritet.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …