Tabet e Llapashticës ndodhen në krahinën e Llapit, pranë qytetit të Podujevës. Ai vend është kthyer prej kohësh në një prej simboleve kryesore të Luftës për Çlirimin e Kosovës nga formacionet e UÇK-së të Zonës Operative të Llapit (ZOLL). Dhe krijimi i simboleve ka përherë arsye. Kjo pjesë e tokës shqiptare në Kosovë ka parë shpesh herë ditë të vështira, madje të përzishme, sikundër janë edha ditët e 22 deri 27 Dhjetorit të vitit 1998, të cilat na i përshkuan hollësishtë në një libër të veçantë, qartë e saktë, pa zbukurie letrareske, ish luftëtari vullnetar në radhët e UÇK-së, djali i Hotolishtit të Librazhdit, Dashamir Alliu. Dhe ndoshta pikërisht për këtë, për faktin se Dashamiri ka qenë dhe ka luftuar ato ditë atje, është dëshmitari gardian i historsë së atij luftimi triumfues e jo triumfues, i qeshur sa edhe i zymtë, krenar sa edhe qortues, duke na dëshmuar një nga taktikat e UÇK-së, strategjinë e saj të luftës mbrojtëse pozicionale të zbatuar gjatë vitit 1998, pa sulme e kundërsulme. Kjo e bën Dashairin të zymtë, por krenar, pasi ai me këtë libër na i jep Tabeve të Llapshticës hijen dhe peshën e një simboli.
Dihet se për Luftën Çliritare të Kosovës të viteve 1997-1999 është shkruar e do të shkruhet në vijimësi. E megjithatë, kushdo që i ka lexuar e do t’i lexojë këto histori të asaj lufte, duke patur edhe dëshirën të bëjë pohimin klishe: unë di gjithçka për UÇK-në edhe para se të delte libri i Dashair Alliut, mirëpo, me të lexuar këtë libër – për atë që mund të shprehet si më sipër, ky pohim do t’i tingëlloi fare naiv.
Asnjë luftë nuk mund të njihet plotësisht nga librat, e aq më pak lufta e UÇK-së, e cila më së shumti është anatemuar e mohuar nga shuica e inteligjencës dhe politika shqiptare e të dy anëve; më shumë pozitivisht për atë luftë kanë shkruar publicistët e huaj europianë e amerikanë se sa shkrimtarët, historianët e politikanët shqiptarë. Ajo luftë është e komplikuar dhe e shumëfytyrshme si vetë inteligjenca pacifiste kosovare. Shtoji kësaj edhe optikën e ndryshmë të secilit përshkrues dhe politikan të Kosovës, se sa larg është e vërteta për UÇK-në dhe kryengritjet e mëhershme të popullit shqiptar në Kosovë, të cilat nuk e kanë patur fatin e fundit të luftës, sikundër e pati UÇK-ja.
Luftimet e UÇK-së në Tabet e Llapashticës, pasqyruar nga Dashamir Alliu, është një nga më dramatiket në letërsinë e shkruar për UÇK-në.
Dashamir Alliu përmes këtij libri ngre një perde dhe na zbulon fatalitetin heroik të një lufte të pabarabartë në forca e mjete, por që e bën edhe më të dobët palën çlirimtare, kur ajo vendos që tankeve dhe autoblindave të ushtrisë serbe t’i kundërverë taktikën e luftës frontal, me kallashnikovë dhe granata dore. E megjithatë luftëtarët e UÇK-së, të bindur në fitoren e tyre, nuk tremben nga tanket dhe artileria serbe, por hypin mbi kullat e tyre dhe i asgjësojnë me granata dore, duke u vetsakrifikuar si Isë Havolli, duke qenë të bindur se me gjoks mund të shtyjnë edhe malin. Ky ishte vullneti dhe vendosmëria e tyre, por jo mundësia për ta përballuar armatën e blinduar serbe me atë lloj taktike, duke mos i kundërvënë taktikën e luftës guerile, si e vetmia mënyrë që një ushtri e vogël partizane të mund të përballoi një ushtri të madhe e tepër të armatosur, duke u shndëruar gradualisht nga më e dobët në më e fuqishme, por kurdoherë sipas taktikës: Godit si rrufeja dhe zhduku si era, dhe kurrë me luftë pozicionale të transhesë.
Si shumë përshkues të tjerë të asaj lufte, Dashamir Alliu ka krijuar në librin e tij një botë të vetën. Kjo botë ka shtrirjen e saj në një kohë disa ditore, megjithatë ka historinë dhe gjeografinë e saj. E gjithë drama për të cilën dëshmon Dashamir Alliu, kap një aspekt të vetëm të asaj lufte dyvjeçare çlirimtare. Mirëpo skena, në të cilën ajo luftë shpaloset, është e tërë UÇK-ja e viteve 1997-1998, në mos krejt, pjesa më dramatike e saj, në radhë të parë strategjia e UÇK-së e asaj periudhe.
Këto shtjellime dramatike kanë rëndësi për peshën e asaj lufte dhe të vetë autorit, ndonëse ato çka ai përshkruan nuk janë vendimtare për gjithçka. E megjithatë Dashamir Alliu me këtë libër lë një dëshmi sa heroike edhe të zymtë, të ndershme, të besueshme dhe emancipuese për një nga luftimet më heroike të popullit dhe kombit shqiptar kundër hordhisë serbo-sllave, të cilën unë do të dëshiroja ta quaja: “Kronika e një prej luftimeve të UÇK-së.”
Jam më se i bindur se ky libër shumë shpejt ka për t’u bërë një thesar i asaj lufte, pa qenë kronologjikisht kulmi ose mbyllja e historisë së Luftës Çliritare të Kosovës, pasi është një libër sa i bukur aq dhe dramatik.
Dashamir Alliu denoncon në këtë libër jo vetëm barbarinë serbe, por edhe qëndrimin mosmirënjohës e armiqësor të fshatarëve dhe popullsisë serbe në Kosovë, e cila deri atëherë ka qenë trajtuar nga fqinjët e tyre shqiptarë njëjtë si dhe bashkfshatarët e tjerë shqiptarë, në të mira e në hidhërime, por kur populli shqiptar në Kosovë kërkoi lirinë dhe pavarësinë, ajo popullsi serbe iu bashkangjit me kuç e me maç ushtrisë dhe paramilitarëve gjakatarë serbë të ardhur nga Beogradi, duke iu kundërvenë UÇK-së deri edhe me armë e me vrasje pas shpine. Dhe Dashamiri është një prej dëshmitarëve ocular dhe protagonist në neutralizimin e këtyre sulmeve nga fshatarët e dy fshatrave serbe. Duke na pasqyruar këtë tragjedi shoqërore, Dashamir Alliu i thotë popullit dhe politikanëve shqiptarë: Kini kudes nga serbët, mos u besoni se çfarë u premtojnë nëpër tavolina bisedimesh, ata janë shmë më të pabesë se sa mund të kujtoni ju, ata të vrasin pas shpine, sikundër ndodhi me ne, luftëtarët e UÇK-së gjatë luftës në Tabet e Llapashticës nga fshatarët serbë të fshatrave Katunishtë dhe Llapashticë të Podujevës. Cilido që e lexon këtë libër tash pas ngjarjeve për krijimin e “Zajednicës” serbe nga Qeveria e Kosovës kupton aktin më anti UÇK që ka bërë ko Qeveri, duke dalë edhe mbi Kushtetutën e Kosovës.
Tiranë, 23.12.2015