Dilaver Goxhaj

Dilaver Goxhaj: Demonstratat e vitit 1968 ishin për shndritja e vetëdijes së shqiptarëve

Historia 60-vjeçare e popullit shqiptar në Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore është histori konfliktesh dhe lufte, e cila përshkruhet nga përpjekjet e gjithanshme për t’u çliruar nga kriza e përgjithshme nacionale e këtij populli në Jugosllavi, si e si të fitonte  lirinë. Kjo histori gjashtëdhjetëvjeçare e këtij populli vërtetoi  përvojën e historisë së  njerëzimit, se  betejat për liri bëhen nga të shtypurit, nga ata që aspirojnë një liri dinjitoze, kundër atyre që kishin privilegje për të mbrojtur.

Dhe një nga betejat liridashëse në të gjitha territoret shqiptare në Jugosllavi, me ndikim më të madh shpirtëror, gjatë kësaj periudhe 60-vjeçare, ishin  demonstratat e vitit 1968 në Prishtinë, Gjilan, Podujevë, Ferizaj, Tetovë, Manastir e Ulqin. Ato demonstrata jo vetëm që e detyruan udhëheqjen Federative të Jugosllavisë të pranonte shumicën e kërkesave të shqiptarëve, por ato demonstrata u bënë prelud për ngjarjet e mëvonshme, si ato në vitin 1981 dhe ato për Luftës Çlirimtare në vitet 1997-1999, të cilat kanë qenë arritje të mëdha njerëzore, duke e nxjerrë atë popull nga gjendja rrethuese serbomadhe. Këto ngjarje të përësritura në çdo dekadë tregojnë se shqiptarët nuk u thyen, prandaj dhe e kanë filluar luftën shpesh herë nga e para.

Sa më shumë që serbo-sllavët mundoheshin t’i shtinin frikën atij populli, aq më shumë i shtohej atij revolta dhe urrejtja ndaj tyre. Dhe kjo na jep të drejtën të themi, se ngjarjet e vitit 1968 në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi ishin një nga përshëndritjet e vetëdijes së shqiptarëve; ato demonstrata u dhanë atyre kuptim dhe karakter gjithëkombëtar; ato treguan se ishin përpjekje e gjithë shqiptarëve për tu çliruar nga pushteti jugosllav.

Demonstratat e vitit 1968 ishin një refuzim total, të zhvilluara nën udhëheqjen e një organizate ilegale revolucionare shqiptare, për të mos pranuar gjithë veprimtaritë shtetërore të deriatëhershme në Kosovë, të kryera nga pushtetarët e Serbisë e të Federatës si dhe nga pushtetarët shqiptarë. Demonstratat e vitit 1968 e bënë atë popull më të lirë për të zhvilluar dhe për të shprehur unin e vet kombëtar, pasi nuk guxonte kush më ta pengonte atë nga lidhjet me shtetin amë, pasi “të gjithë ato demonstrata kishin qenë nën ndikmin e Radio Tiranës”, sikundër shprehet një prej drejtuesve të atyre demonstratave në Maqedoni, Beqir Berisha.

Ky tipar gjithëkombëtar i tyre u arrit pasi ato demonstrata të rinisë shqiptare morën karakterin e një revolucioni; ngaqë detyrat historike, që demonstruesit e tyre kërkonin për zgjidhje, patën karakter shumë revolucionar. Pse ato ishin të tilla, prandaj dhe shkaktuan tronditjen revolucionare të atij populli pas një kllapie çerek shekullore.

Si rrjedhojë, na jepet e drejta të themi se ato demonstrata ishin thjeshtë një revolucion demokratiko-popullor apo demokratiko-kombëtar. E them këtë se ato shtruan haptas jo vetëm kërkesa të caktuara shoqërore, por edhe kërkesa politike me karakter kombëtar, plotësimin e të cilave e pengonin jo vetëm institucionet shtetërore të republikës së Serbisë por edhe ato federative të Jugosllavisë. Ato demonstrata ishin një revolucion demokratiko-popullor apo demokratiko-kombëtar sepse kërkohej çlirimi i popullit shqiptar në Jugosllavi nga pasiviteti dhe ngathtësia e asaj periudhe të gjatë terrori, duke u hedhur në veprime aktive, duke u futur gjerësishtë në politikë. I cilësojmë ato demonstrata të ngjashme me një revolucion demokratiko-popullor apo demokratiko-kombëtar duke u bazuar nga forcat shoqërore që morrën pjesë në ato demonstrata, të cilat frymëzuan edhe një pjesë të komunistëve shqiptarë të LKK që të kërkonin ato të drejta që kërkonte populli i tyre. Themi se kishim të bënim me një një revolucion demokratiko-popullor ose demokratiko-kombëtar pasi ato demonstrata ishin ngjarja më interesante e atij çerek shekulli pas Luftës II Botërore, të cilat lindën nga një rebelim që i detyroi institucionet shtetërore serbe e federative që t’i plotësonin shumicën e atyre kërkesave pas një viti. I përcaktojmë të tilla ato ngjarje sepse u dëftua se ishte një rebelim jo vetëm kundër qeverisë së krahinës së Kosovës e të Serbisë, por edhe kundër asaj federative; gjë që tregoi se kishim të bënim me një lloj kryengritje të të shtypurve, që nuk donin të mbeteshin skllevër të shovinistëve serbomëdhenj.

Megjithatë, ngelem më së shumti në përcaktimin se ato demonstrata patën karakterin e një revolucioni,  dhe jo ekzakt revolucion, sepse ishte, si të themi, një reformë pa formë, dhe kjo, ngaqë demonstruesit nuk kërkonin pushtetin shtetëror, por kërkonin vetëm të drejta shoqërore e politike, në kuadrin e asaj qeverisjeje federative. Por, duke qenë se ato demonstrata i bëri populli, na lëviz mendimi e na shtyn që ta pranojmë edhe cilësimin e tyre si një lloj revolucioni demokratik, ngaqë i vetmi profesion që njeh populli është revolucioni. Dihet, revolucionet i bëjnë popujt, kurse luftrat i bëjnë qeveritë.

Cili ishte qëllimi i atyre demonstratave me karakter rvolucionar të vitit 1968?

Qëllimi i tyre ishte për një kthesë rrënjësore të jetës politike, ekonomike dhe kulturore të të gjithë kombit shqipar që jetonte në Jugosllavi. Ato demonstrata nuk ishin të rastit, siç pretendonin ideologët titistë sllavë e shqiptarë, por një proces i ligjshëm dhe i domosdoshëm për të drejtat politike, ekonomike, shpirtërore dhe veçanërisht ato nacionale të shqiptarëve.

Madje, mund të themi pa hezitim se ato demonstrata me karakter revolucionar i kaluan kufijtë e një revolucioni demokratiko-popullor apo demokratik-kombëtar, ngaqë pjesëmarrësit në to nuk u kufizuan vetëm kundër qeverisë kosovare, kundër asaj serbe e asaj federative, për të kërkuar vecse të drejta ekonomike, politike, kulturore e të statusit politik të Kosovës, POR KËRKUAN EDHE CLIRIM KOMBËTAR, e shprehur kjo me parrullat që mbante rinia në duar dhe që i thërrisnin me zë të lartë: “Kushtetutë”, “Vetëvendosje”,”Republikë”, “Universitet”, “Rroftë Shqipëria!”, “Rroftë Enver Hoxha!” . Parullat janë ato që tregojnë karakterin e vërtetë të çdo lëvizjeje popullore.

Këto parulla vërtetojnë atë që thonë dishepujt e revolucioneve, se  revolucionet janë, para së gjithash, një forcë krijuese. Këtu qëndron dhe madhështia e atij ideatori të atyre demonstratave, Adem Demaçi, i cili, “me një gur kërkonte të vriste disa zogj”; ndaj dhe jo më kot serbomëdhenjtë e dënuan pothuajse me burgim të përjetshëm.

Ngaqë ato demonstrata u shndërruan edhe në kërkesa për çlirim kombëtar, prandaj pushteti shtetëror federativ përdori fuqishëm organet e tij të dhunës, të cilat u shtypën me forcë të pakontrolluar, duke u plagosën 27 demonstrues, 8 prej tyre rëndë, në gjendje spitalore; u dënuan edhe 64 anëtarë të LK të Kosovës, prej të cilave 49 shqiptarë, 8 serbë e 2 të tjerë; u pushuan nga punët administrative 30 qytetarë, prej të cilëve 25 shqiptarë e ndër ta 22 mësues; madje, sipas komunikatës që lëshoi Këshilli Ekzekutiv Krahinor më 30 nëmtor 1968, në demonstrata u plagosën edhe 10 punonjës të shërbimt të Sigurimit Publik dhe 4 punëtorë të shërbimit zjarrfikës.

Pse u kalua edhe në kërkesa për çlirim kombëtar, prandaj në fund të dhjetorit 1968 me demonstruesit e Prishtinës, të Ferizajt, të Gjilanit e të Podujevës u bashkuan edhe shqiptarët në RS të Maqedonisë, e cila zgjati dy ditë, 22-23 dhjetor, ku veç kërkesave të ngjashme me ata në Kosovë, kërkonin edhe bashkim me Kosovën duke krijuar një njësi të vetme administrative. Për këtë në Shkup u dënuan 77 vetë me 400 vite burg, me akuzën se kishin kërkuar bashkimin me Shqipërinë; prandaj pas disa muajsh u ngrit edhe rinia e Ulqinit me të njëjtat kërkesa.

 Cilët ishin shkaqet që e çuan popullin shqiptar në rebelim, në vitin 1968?

Shkaku i atij rebelimi shqiptar ishte thjeshtë shprehje e zemërimit të dy dekadave e më shumë i shndërruar në urrejtje për regjimin titist, ngaqë Kosova ishte nën shtypje të dyfishtë: kapitaliste dhe shoviniste të serbomëdhenjve; ishte diskriminimi në fushën e arsimit, ku 50 mijë fëmijë të moshës shkollore ngeleshin cdo vit pa shkuar në shkollë për shkak të pamjaftueshmërisë së shkollave e të personelit mësimor si dhe mungonin 2400 mësues, ku 70% e prsonelit arsimor ekzistues shqiptar ishin të pakualifikuar; ishte burgosja dhe mbytja e mijëra shqiptarë në kampet e përqëndrimit të Prishtinës, të Shkupit, të Tetovës, të Mitrovicës etj;  ishte dëbimi në viteve 1955-56 të  50.000 shqiptarë në Turqi, masakër kjo e përsëritër edh në vitet 1965-1968 kur u shpërngulën 250.000 shqiptarë të tjerë në Turqi, ku vetëm nga Kosova 100 mijë vetë, dhe njëherësh vendin e tyre e zunë 50.000 kolonë sllavë; ishte politika disrkeminuese e investimeve me qëllim që të nxitej  shpopullimi i trojeve shqiptare duke shkuar në republikat e tjera jugosllave ose në Evropë; ishte ekzistenca e hendekut të zhvillimit me viset e tjera të Jugosllavisë, ku të ardhurat për frymë në Kosovë ishin 730 dinarë, ndërkohë në Slloveni  e republikat e tjera 8.000 dinarë; ishte mos lejimi i përdorimit të flamurit shqiptar as me ligj e as praktikishtë; ishte mos njohja e autonomisë financiare e gjyqësore nga shqiptarët; ishte presioni që u bëhej shqiptarëve që gjatë regjistrimeve të ndëronin kombësinë e tyre në turq; ishte mohimi i krijimit të institucioneve kulturore në gjuhën shqipe dhe mos lejimi i përdorimit të shqipes në administratën shtetërore, ku 68% të administratës dhe të posteve udhëheqëse në Kosovë e përbënin serbët dhe sllavët e tjerë; ishte terrori  mbi popullsinë shqiptare, ku vetëm në vitet 1963-1965 ishin hapur 120 mijë dosje kundër shqiptarëve që kërkonin këto të drejta.

Të gjitha këto krijuan atë që quhet: situata revolucionare, që realizoi kushtin objektiv më të afërt e më të domosdoshëm për shpërthimin e atyre demonstratave, ngaqë ishte acaruar në kulm konflikti ekonmik, shoqëror e politik në Kosovë.

Mirëpo, revolucionet nuk bëhen pa udhëheqës.

Dhe udhëheqës i atyre demonstratve, i atij revolucioni demonkratik shqiptar, ishte organizata ilegale politike revolucionare me emrin “Lëvizja Revolucionare e Bashkimit të Shqiptarëve”, e cila kishte më shumë se 300 anëtarë, e drejtuar nga gazetari dhe shkrimtari Adem  Demaçi, e krijuar në vitin 1963.

Ajo organizatë ilegale revolucionare kish arritur të krijonte degët e saj në disa komuna të Kosovës dhe në Maqedoni; këto të fundit drejtoheshin nga Beqir  Berisha, Faik Mustafa dhe Abdyl Selami.

Adem Demaçi, (si dhe drejtuesit e degëve të asaj organizate ilegale), duke pasur vetëdije dhe ndjenjë të lartë të dinjitetit personal, nuk frikësoheshin prej atyre që ishin më të mënçur ose më të arsimuar, prandaj nuk e vendosën veten shumë më lartë se të tjerët, ndonëse e dinin që ishin, sepse e gjithë kjo u dukej fare e parëndësishme në krahasim me vullnetin e mirë, me të cilin ata vetëm veten respektonin dhe e sillnin ndër mend këtë për çdo shqiptar.

Cili ishte momenti që u kap dhe u shfrytëzua për shpërthimin e këtyre demonstratave?

Në vitin 1966, kur shkarkohet ministri i brendshëm i Jugosllavisë, Rankoviçi, ishte momenti që shqiptarët e shfrytëzuan për t’u përfshirë në rrjedhat politike të kohës, duke kërkuar të drejtat e tyre për arsim, për kulturë, për gjuhën shqipe, për flamurin kombëtar e deri në rishikimin e statusit politik të Kosovës. Këto kërkesa u shfaqën hapur e me forcë sidomos gjatë diskutimit për amendamentet e reja që do të ndryshonin kushtetutën e Federatës, kushtetutat e republikave federale dhe statutet e krahinave autonome të vitit 1963. Në pranverën e viti 1967, diskutimet për pozitën kushtetuese të Krahinës Autonome të Kosovës filluan edhe në Kuvendin e Serbisë, ku serbët vendosën që Kosova të mos kishte alternativë tjetër veçse brenda kornizave të RS të Serbisë.

Në 14 korrik 1967, Dhoma Krahinore e Kuvendit të Kosovës formoi me vendim “Komisionin për studimin e çështjeve që kanë të bëjnë me ndryshimet dhe plotësimet e Statutit, por në maj 1968 këto propozime u ballafaquan nga Kuvendi i LK të Serbisë me një sulm të ashpër, sidomos nga Dobrica Qosiçi dhe Jovan Marjanoviç. Atëherë në Gusht 1968 kuvendet e komunave në Kosovë kërkuan që Kosova të ishte njësi federative, d.m.th. Republikë dhe në Dhomën e Kombeve të Jugosllavisë Kosova të kishte 20 deputetë sikundër dhe republikat e tjera, dhe emri i krahinës të ndryshonte nga Kosovë-Metohi në Kosovë, pasi ashtu i përgjigjej më mirë të vërtetës historike, si dhe të kishte gjyqin e saj suprem e të sigurohej barazia e gjuhëve. Mirëpo, në 31 Gusht, në Prishtinë u mbajt mbledhja e zgjeruar e Kryesisë së Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Krahinor, ku u gjykuan ashpër propozimt e bëra për këto probleme, dhe nën presionin e serbëve u vendos që në Kosovë të mos shtrohej kërkesa për republikë dhe vetëvendosje. Në tetor 1968, në takimin me Titon delegaconi shqiptar e shtroi përsëri alternativën e Republikës së Kosovës, por Tito e mohoi një mundësi të tillë.

Në këto kushte, kur kërkesa e shqiptarëve për republikë, si dhe gjithë kërkesat e tjera shoqërore dhe nacionale, të bëra mjaft të njohura dhe të mirëpritura në popull, nuk u përkrahën publikisht nga politikanët e Kosovës, të Serbisë dhe vetë Titua, natyrisht që anëtarësia e lëvizjes ilgale i konsideroi si çasti më i përshtatshëm për të kaluar në formën e demonstratave mbarëpopullore, duke i bërë thirrje popullit për mbështetje masive. Jo më kot populli ynë, në një këngë për të tilla raste, thotë: “Atje ku s’na shkonte fjala, bënte punë, hapte rrugë palla”. Bartësit kryesorë u bënë studentët në Kosovë, Maqedoni e Ulqin, të cilët u vunë në radhët e para të përpjekjeve dhe të luftës për Republikë. Në 27 nëntor 1968 ata dolën në demonstrata në rrugët e Prishtinës, të Gjilanit, të Ferizajt e të Podujevës, një ditë para përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar.

Në mbrëmjen e kësaj date Komiteti Krahinor i cilësoi demonstratat e paradites në Prishtinë si “armiqësore”, si për pjesëmarrësit ashtu edhe për përkrahësit e demonstratave.

E megjithatë, ishin këto demonstrata që e detyruan  Kuvendin Federativ të Jugosllavisë që pas 5 vjetësh, në 28 shkurt 1974 të miratohej Kushtetuta e Kosovës.

Së fundi, më lejoni të shprehem, se Kosova, veçse përmes këtyre lëvizjeve masive ka kaluar hap pas hapi në statuse të ndryshëm: nga koloni, në krahinë autonome; nga vend me pavarësi të kushtëzuar, arriti të shkëputej nga njësia federative e Serbisë, duke u bërë gjithnjë e më shumë shtet i pavarur.

Si rrjedhojë Kosova nuk ka alternativë tjetër në të ardhmen e saj, veçse të bashkohet me shtetin amë, Shqipërinë, dëshirë e vullnet i shprehur fuqishëm pas Luftës II Botërore nga Organizata Nacionaldemokratike Shqiptare (NDSH), më vonë me demonstratat e vitit 1968, pastaj në ato të vitit 1981, e së fundi përmes Luftën Çlirimtare në vitet 1997-1999, dhe sot me luftën politike për vetëvendosje.

Prishtinë, 26.11.2018

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …