Dilaver Goxhaj: E vërteta e fakteve gjendet me vështirësi

Çështja e Tribunalit të posaçëm për UÇK-në, që parashihet të fillojë nga veprimtaria e vet pas 15 Qershorit të këtij viti dhe që po diskutohet gjerë e gjatë mes shqiptarëve, por edhe nga analistë të huaj, me të drejtë që ka tërhequr e do të tërheq edhe më shumë vëmendjen e mbarë publikut shqiptar. Dhe kjo për të vetmen arsye pasi tash e ka kuptuar i madh e i vogël, në të gjithë kombin tonë se, Evropa e ndërmerr këtë veprim në shenjë ndjese ndaj Serbisë ngaqë në Marsin e vitit 1999 u detyrua nga SHBA për të bombarduar forcat ushtarako-policore e ato paramilitare serbe, në Serbi e në Kosovë. Këtë veprim të fundit Evropa e rimerr pas një testimi të gjatë të pulsit të popullit shqiptar në Kosovë e më gjerë, por që më intensive e pati prej vitit 2012 e në vijim, ku gjatë këtij testimi nuk pati nga populli ynë reagim, ashtu sikundër reagon çdo popull kur mundohesh t’i cenosh dinjitetin dhe krenarinë kombëtare.

Njëkohësisht, përmes gjyqeve farse ndaj strukturave drejtuese të Zonave Operative të UÇK-së, as UNMIK-u, as EULEX-i dhe as Haga nuk mundën që ta mohonin apo të paktën ta mjegullonin sadopak luftën çlirimtare në Kosovë, e kryer nga UÇK-ja. Edhe pse atyre gjyqeve iu bë jehonë e madhe nga disa media të Tiranës e të Prishtinës, media në shërbim të kundërshtarëve të UÇK-së, përsëri lufta jonë çlirimtare, 1997-1999, mbeti ashtu sikundër ajo u zhvillua, e pastër. Përkundrazi, sa herë të akuzuarit nga radhët e UÇK-së për gjoja krime të kryera prej tyre ktheheshin të pafajshëm nga Haga, lavdia e asaj lufte është ngritur edhe më shumë.

Mirëpo, lavdia që ka fituar UÇK-ja pas çdo gjyqi të dështuar në Hagë apo në Prishtinë ka hedhur gjithmonë hije mbi shumë politikanë apo edhe qeveri evropiane, ndaj dhe ata po mundohen ta ulin sa më poshtë këtë ushtri të ndershme shqiptare.

Këtë lavdi nuk e kërkoi UÇK-ja pasi mbaroi lufta, atë ia sollën vetë ata që nuk qenë dakort me luftën e saj, ndaj më kot e kanë që stërmundohen ta denigrojnë gjithnjë e më shumë.

E, megjithatë, kjo lavdi i ka egërsuar edhe më shumë gazetarët dhe politikanët shqiptarë e të huaj, të cilët e kanë urryer dhe dënuar UÇK-në. Burracakët nuk i shohin dot me sy heronjtë. Politikanë dhe gazetarë të tillë burracakë, për fat të keq, kemi me bollëk në të gjitha forumet e larta të forcave kryesore politike si në Tiranë edhe në Prishtinë. Por, duke qenë se reagimet e popullit dhe kombit tonë kundër këtyre proceseve të montuara gjyqësorë kanë qenë të mefshta, si dhe politikanët e qeveritarët e Prishtinës e të Tiranës kanë qenë tepër servilë ndaj këtyre fyerjeve, që vijojnë të na bëjnë shumë mujshtarë evropianë, që për fat të keq kanë fuqi vendim-marrëse. Dhe janë këto qarqe pro serbe që po e bëjnë një gjë të tillë.  Në këto kushte, Evropa kërkon që me çdo kusht ta denigrojnë luftën tonë të drejtë, (pasi rezistenca kombëtare është një e drejtë legjitime për të gjitha kombet), ndaj edhe ajo po organizon këtë lloj Gjykate Speciale.  Ngritja e një gjykate të tillë, qoftë edhe nga Këshilli i Sigurimit, nuk tregon gjë tjetër, veç atë çka ka thënë  Ciceroni mbi dymijë vjet më parë: “Sa më shumë ligje, aq më pak drejtësi”.

Por që të ngrihet e të funksionojë një gjykatë e tillë në territorin e Kosovës, duhet që këtë ta miratoi Parlamenti i Kosovës. Nëse ky Parlament nuk do ta miratojë një gjykatë të tillë, e cila barazon viktimën shqiptare me kriminelin serb, ajo gjykatë nuk mund të instalohet. Por edhe nëse ngrihet diku gjetkë, nuk mund të ekstradojë asnjë shqiptar, nëse Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës tregohen bij dhe vëllezër të vërtetë të dëshmorëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky rast është një gur prove për të gjithë këta politikanë.

Për sa i përket Tiranës zyrtare, ajo e tregoi veten ditët e para të muajit Maj 2012, kur miratoi në Kuvendin e Shqipërisë ligjin, i cili i hap dritën jeshile EULEX-it për të kryer hetime dhe arrestime në territorin e Republikës së Shqipërisë, për gjoja transplant organesh, duke u bazuar në raportin e një farë Dick Marti, edhe pse ekspertët e së drejtës ndërkombëtare në Tiranë e pritën atë vendim me shqetësim të theksuar. Ata pohuan se një ligj i tillë cenon drejtpërsëdrejti të drejtat dhe liritë e garantuara me kushtetutë të qytetarëve shqiptarë. Ekspertët, duke analizuar një nga një nenet e këtij ligji, kanë thënë se ato paraqesin imponime sesi duhet të sillen gjyqtarët shqiptarë, në një kohë kur BE, në raportet e saj për Shqipërinë, kërkon që gjyqësori të jetë një pushtet i pavarur! “Bota është e rrezikshme, thotë Ajnshtajni, jo aq shumë për faj të atyre që bëjnë të keqen, sesa nga ata që e shikojnë dhe e lënë të bëhet”.

Ky denigrim dhe barazim i viktimës me kriminelin, prej atyre që kanë marrë vendimin për hapjen e Gjykatës Speciale për krime të montuara kundër UÇK-së, bëhet nën moton: “Është e vërtetë që Serbia ka vrarë e masakruar mbi 20 mijë shqiptarë, duke i varrosur ata në mbi 400 varre masive, por shqiptarët,- duan të thonë ata përmes kësaj Gjykate Speciale,- janë treguar shumë herë më kanibalë se ushtria, policia dhe paramilitarët serbë, pasi kanë kapur një qytetar të thjeshtë serb, i kanë hequr organet për transplant” (!!!).  Dhe kjo, për ata, është e barabartë  me njëzetmijë krimet serbe!

Mirëpo, edhe kur shefi i klinikës speciale të transplanteve në Beograd para dy vjetësh, doli në televizionin e Beogradit dhe deklaroi se “transplantin e organeve nuk mund ta bëjë edhe sot asnjë spital i shtetit shqiptar e jo më në kushte fushore nga ana e UÇK-së”,  çuditërisht kjo deklaratë e këtij specialisti serb kaloi pothuajse në heshtje nga mediet shqiptare, në vend që të potencohej e të përmendej çdo ditë prej mediave tona! Madje, ende nuk kemi dëgjuar që t’i referohen politikanët dhe analistët shqiptarë kësaj deklarate të atij specialist serb, i cili midis të tjerave deklaroi se vetëm për të kryer një transplant nevojiten rreth 40 specialistë, pa folur për teknologjinë dhe kushte spitalore të jashtëzakonshme!

Shumë politikanë në Kosovë janë shprehur të gatshëm që të hapet e të funksionojë ajo gjykatë, duke thënë, si edhe në rastet e arrestimeve të mëparshme të shumë kuadrove të UÇK-së, se besojmë tek drejtësia. Por në këtë rast nuk kemi përpjekje për drejtësi, por përpjekje për manipulime të paramenduara hollësisht dhe me dëshmitarë të fshehtë e të sajuar, pa u ballafaquar me të akuzuarin. Këta politikanë të Kosovës, mes tyre edhe të dalë nga radhët e UÇK-së, pretendojnë për një drejtësi universale, për të cilën s’kanë bërë asgjë prej gjëje dhe e bëjnë për të marrë pjesën e tyre nga një ëmbëlsirë, nga e cila i kanë lënë ta shijojnë për një kohë të gjatë. E vërteta për ta janë vetëm fjalët e bukura, ndërsa e vërteta e statistikave, e vërteta e fakteve, ajo e vërtetë që gjendet me vështirësi ndër këto lloj gjykata tendencize, është e huaj për ata. Ata politikanë të Kosovës janë kaq të gatshëm për atë lloj Gjykate, ngaqë e “hodhën lumin”, duke shfrytëzuan gjakun e mbi dymijë dëshmorëve e të njëzetmijë viktimave ose përvetësuan luftën e mbi njëzetmijë luftëtarëve të UÇK-së prandaj sot dakordohen me këtë lloj Gjykate Speciale kundër UÇK-së, duke vërtetuar shprehjen e lashtë latine: “Ai që ty nuk e le të vdiste, ai s’të lë ty të jetosh”.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …