Dilaver Goxhaj: Enigma e mos-heqjes së vizave për shqiptarët

 

Duke shkruar më herët për mos liberalizimin e vizave vizave nga BE-ja për qytetarët e Shqipërisë e Kosovës, kemi konstatuar se arsyet kryesore të kësaj mase ndëshkimore, duke përfshirë  edhe Bosnjën, janë dy probleme, një përkatësia fetare islame  dhe e dyta, sepse shqiptarët dhe boshnjakët simpatizantë e partizanë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si asnjë popull tjetër në Evropë. Të dy këto arsye janë fakte konkrete. Urrejtja e Evropës Perëndimore për myslimanët daton sidomos nga kryqëzatat e saj para 800 vjetësh dhe në copëtimin e trojeve shqiptare para një shekulli; ndërsa fakti i dytë është shumë i vonët dhe shumë i freskët. Nga që Boshnjakët dhe ne Shqiptarët u jemi mirënjohës SHBA për arsye se është Amerikë ajo që sprapsi ekspansionin sllav të fundshekullit të XX për spastrimin e Ballkanit nga myslimanët e Ballkanit, edhe pse ne jemi banorët e parë të këtij gadishulli. Jo më kot Naim Frashëri pat thënë: Bota që kur është zënë, Shqipëria gjallë ka qenë.


Mirëpo, ditët e fundit, kur u hoqën de fakto vizat për qytetarët serbë, malazezë e maqedonë, të cilët në 19 dhjetor të këtij viti filluan të lëvizin lirshëm nëpër Evropë, doli në pah edhe një fakt tjetër sa tronditës aq edhe i rrezikshëm, i cili shpjegon arsyen e vërtetë se pse Bashkimi Evropian i hoqi vizat për tre shtete sllave të Ballkanit, edhe pse ato shtete janë shumë hapa prapa lidhur me kushtet që vetë Bashkimi Europian ka vënë për heqjen e vizave. Këtë të fundit e bëjnë të dukshëm dy fakte. Së pari, Shqipëria është anëtare e NATO-s, i cili është hapi i parë për t’u hequr vizat dhe për t’u pranuar anëtar i BE-së, gjë që të tre shtetet e lartpërmëndura nuk e kanë. Madje, qytetarët e shteteve anëtarë të NATO-s kanë të drejtë të punësohen edhe në NATO, prandaj shqiptarëve nuk u hiqen vizat. Dhe, e dyta, Shqipëria është shumë më përpara se ato tre shtete për pajisjen e qytetarëve të vetë me pasaporta biometrike, gjë që Serbia, edhe pse është disa herë me popullsi më të madhe, nuk ka arritur të pajiset me pasaporta biometrike, as me gjysmën e sasisë  të prodhuar nga Shqipëria, ndërsa dy vendet e  tjera as që mund të krahasohen me Shqipërinë. Mirëpo gjetkë fle lepuri. Dhe ky është edhe qëllimi i këtij artikulli.


Së pari, heqja e vizave për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi është, veç të qenurit të tyre antiamerikanë, (besojmë se nuk janë harruar demonstratat antiamerikane në vitit 1999 në Shkup, Beograd dhe në Podgoricë, por edhe në Athinë), shkak tjetër është se Evropa Perëndimore  dështoi lidhur me marrëveshjet e nënshkruara nga Serbia dhe Maqedonia me shqiptarët, (Marrëveshja e  Preshevës dhe ajo e Ohrit me UÇPMB dhe UÇK e Maqedonisë). Si në Kosovën Lindore (Luginën e Preshevës) dhe në Maqedoni asnjë pikë e atyre marrëveshjeve të nënshkruara nën kujdestarinë e BE-së nuk është zbatuar lidhur me të drejtat e shqiptarëve, që patën rrëmbyer armët për të siguruar ato të drejta. Duke hequr vizat për Serbinë dhe Maqedoninë, automatikisht, as që kërkohet më zbatimi i atyre marrëveshjeve, jo vetëm se edhe shqiptarët e  Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi kanë të drejtën e lëvizjes në Evropë pa viza dhe as që u shkon më ndërmend zbatimi i atyre të drejtave, por edhe politikanët e dalë nga ato luftëra, si dhe ata të mëhershmit, janë kompromentuar nga pushteti serb, malazes dhe ai maqedon dhe jo vetëm që nuk kanë kërkuar dhe nuk kërkojnë seriozisht zbatimin e atyre marrëveshjeve, por këtej e tutje do të mburen edhe ata me heqjen e vizave.


Njëkohësisht, heqja e vizave për ato tre shtete bëhet në kohën kur  BE-ja u bind plotësisht se edhe në Prishtinë dhe në Tiranë politikanët e përzgjedhur prej saj, jo vetëm që janë lepuj të bindur ndaj çdo nëpunësi të BE-së, por janë kompromentuar e korruptuar aq shumë sa nuk mund të guxojnë e të ngrenë kokën për të drejtat e shqiptarëve në ato tre shtete. Madje, këta të Tiranës nuk thonë më se janë shqiptarë, por thonë, jemi qytetarë të botës; ndërsa ata në Prishtinë thonë, jemi kosovarë. Kjo është arsyeja e parë pse BE-ja hoqi vizat.


Arsyeja e dytë është edhe më e rëndë dhe shumë më e kamufluar (e maskuar). Po të kthehemi pak ditë prapa, një muaj para heqjes de fakto të vizave për ato tre shtete, dimë që në Bujanovc  të Kosovës Lindore u inaugurua kazerma më e madhe ushtarake e Serbisë, madje edhe me ndihmën e dëmshpërblimeve të luftës që ajo mori nga BE-ja dhe të tjerët, ndërkohë që Serbia nuk pagoi as edhe një dëmshpërblim për shkrumbimin e Kosovës.


Ky fakt të bën të dyshosh se pranimi i kërkesës amerikane nga shtetet evropiane anëtare të NATO-s për ndërhyrje ushtarake kundër Serbisë, në vitin 1999, ka qenë me qëllim që të mos ngushtohej Serbia dhe Maqedonia në kufijtë e tyre natyrorë, dhe jo se u digjej barku për Kosovën, ndaj dhe sakrifikuan shkëputjen e Kosovën nga Serbia, por jo që të largojnë Serbinë nga Kosova.


Këtë e shpreh qartë edhe plani Ahtisarit.


U sakrifikua pjesa për të shpëtuar të tërën. Ndaj dhe qëllimi i inaugurimit të asaj kazerme u bë në Bujanovc, së pari, që të ndikojë psikologjikisht te shqiptarët duke u thënë se, të kota i kini shpresat, po qe se do të guxoni e ngrini kokën për të drejta, ja ku jemi, nuk na gjeni më në befasi sikundër na zutë ne vitin 2000. Së dyti, duke ardhur një sasi e madhe ushtarësh, mbi 6 000 ushtarë me rrogë, plus edhe familjet e tyre dhe të personelit komandues e atij drejtues të atyre forcave, do të bëjnë që raporti i përqindjes së popullsisë, në Bujanoc, të anojë nga serbët, pa folur për Medvegjën ku shpopullimi i shqiptarëve është kryer më herët. Deri tani në Bujanovc, mbi 60% kanë qenë  shqiptarë, por pas një kohe shumë të shkurtër do të përmbyset raporti. E vetmia pengesë në këtë drejtim është të qenët shumicë e shqiptarëve në Preshevë. Për eleminimin e kësaj pengese që edhe Kosova Lindore të jetë me shumicë absolute serbe, është heqja e vizave, të cilën do ta shpjegojmë më poshtë.


Po ashtu, edhe në Maqedoni, 5 ditë para se të hiqeshin de fakto vizat për maqedonët sllavë, ndodhi një ngjarje ushtarako-policore. U rrethuan dhe u maltrajtua popullsia e Haraçinës dhe e fshatit tjetër fqinj nga policia dhe forcat speciale maqedone. Qëllimi ishte që të terrorizohet popullsia shqiptare. Por pse e bënë këtë reprezalje pikërisht në momentin e heqjes së vizave?


Sepse tani politikanët e të dy palëve kundërshtare shqiptare në Maqedoni janë kompromentuar dhe janë bërë prosllave dhe nuk guxojnë të ngrenë zërin për mbrojtjen e interesave të popullit të tyre; dhe e dyta, që t’u kujtojnë shqiptarëve se në këto kushte nuk mund të jetoni më në Maqedoni me të drejta të barabarta, prandaj këtu nuk mund të rrini. Pra, presion psikologjik si edhe në Kosovën Lindore. Një presion i tillë është bërë edhe për shqiptarët në Mal të Zi, ku u mbajtën të arrestuar mbi dy vjet gati dy duzina shqiptarë, madje disa edhe qytetarë të Amerikës, gjoja për nxitje urrejtjeje etnike dhe i dënuan këtë vit.


Qëllimi i dytë i heqjes së vizave nga BE-ja, për ato tre shtetet, është shpopullimi nga shqiptarët i Kosovës Lindore, i Maqedonisë dhe i Malit të Zi. Pra, atë që nuk mundën ta bënin këto tre shtete për një shekull të tërë me forcën e armëve, madje as edhe në dhjetë-vjeçarin e fundit të shekullit të XX, Evropa po u vjen në ndihmë, duke hequr vizat. Këtu kemi të bëjmë me një koordinim plani midis Evropës dhe këtyre tre shteteve sllave.


Cili është koordinimi?


Evropa të heq vizat edhe për shqiptarët e këtyre tre shteteve, ndërsa këta tre shtete t’ua bëjnë jetën shqiptarëve të atjeshëm sa më të padurueshme, me sa më shumë mënyra. Mënyra e parë është presioni psikologjik përmes terrorit ushtarako-policor. Mënyra tjetër është mos punësimi i shqiptarëve në të gjitha organizmat civile dhe ushtarake shtetërore serbe, malazeze dhe maqedone.


Por si mund të bëhet kjo?


Këtë e ka shpjeguar z. Albin Kurti në një artikull të ditëve të fundit, i cili argumenton se dy janë format e mos punësimit të shqiptarëve. E para, mos njohja e gjuhës sllave nga rinia shqiptare, e cila nuk e njeh faktikisht atë gjuhë. Mirëpo gjuha është vënë si kusht kryesor, pasi gjuha shqipe nuk njihet si gjuhë e dytë zyrtare me kushtetutë në ato tre shtete, edhe pse shqiptarët përbëjnë 7, 30 dhe 70% të popullsisë së tyre, sikundër njihet serbishtja në Kosovë edhe pse serbët përbëjnë 4-5% të të gjithë popullsisë. Duke mos njohur gjuhën, nuk mund të pranohesh në asnjë lloj administrate. Shpopullimi dhe kushti i njohjes së gjuhës serbe për shqiptarët do të sjellë edhe faktin që nëpër komuna me shumicë shqiptare të zgjidhen serbo-maqedonët. Kështu ka qenë edhe në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, edhe në Kohën e RF të Jugosllavisë.


Ky kusht është vënë edhe sot. E dyta, është mos fitimi nga shqiptarët i gjoja konkurseve të shpallura nga administratat serbo-maqedono-malazeze. Duke mos fituar konkursin, ku, përveç që komisionet përzgjedhëse i përbëjnë sllavët,  shkaku kryesor është mos njohja e gjuhës sllave nga shqiptarët si dhe mospranimi i gjuhës shqipe si gjuhë kushtetuese nga këto tre shtete. Atëherë çfarë u mbetet shqiptarëve të këtyre tre shteteve që ata të bëjnë? Të ikin në Evropë dhe të mos kthehen më. Madje Serbia dhe Mali i Zi (pritet që në të ardhmen ta aplikojë edhe Maqedonia) kanë nxjerrë një ligj, ku, ai që nuk banon një vit rresht në qendrën e banimit, i hiqet nënshtetësia. Në këtë mënyrë do të shpopullohen ato tre shtete nga shqiptarët autoktonë.


Përfundimisht mund të themi se mos-heqja e vizave nga Bashkimi Evropian për shqiptarët behët, jo vetëm pse shumica e jonë përbëhet nga qytetarë të besimit mysliman, por edhe jemi pro amerikanët më të mëdhenj në rajon, gjë që realisht kjo është mirënjohje për Amerikën për atë që bëri për Kosovën, por që Evropa nuk mund ta kuptojë pasi ajo nuk e njeh mirënjohjen.


Ndërsa heqja e vizave për fqinjët tanë nga ana e Evropës, së pari, është për të mbuluar dështimet e saj lidhur me Marrëveshjet midis shqiptarëve e sllavëve të bëra në fund të shekullit që lamë prapa si dhe në fillim të këtij shekulli dhe, së fundi, ka për qëllim shpopullimin e trojeve shqiptare të atjeshme. Këtë qëllim të fundit Evropa e nxori nga përvoja e fundshekullit të kaluar, ku të gjithë shqiptarët e larguar përmes agjencive “turistike” rugoviane shqiptaro-serbe gjatë viteve ’90-të nuk u kthyen më as në Mal të Zi, as në Kosovë dhe as në Maqedoni sot e gjithë ditën, por edhe ish luftëtarët e UÇK-së që erdhën nga Evropa dhe që kishin patur dokumente qëndrimi të atjeshme, edhe ata u rilarguan nga Kosova, pasi u detyruan të bënin zgjedhjen midis burgut dhe largimit.


Nga ana tjetër, jo pa qëllim nuk u hiqet viza qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo që shqiptarët e Kosovës Lindore, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi të mos imigrojnë në Kosovë e Shqipëri që, së pari, në Ballkan të ketë sa më pak shqiptarë, dhe, së dyti, sepse nga Kosova dhe Shqipëria nuk mund të shkojnë në Evropë. Kjo është faza e parë. Kur të arrijë  shpopullimi i shqiptarëve prej Kosovës Lindore dhe prej Maqedonisë në atë nivel që është paramenduar, atëherë do të hiqen vizat edhe për Kosovën dhe Shqipërinë. Në rast se shqiptarët nuk bien në atë kurth, atëherë vizat për ne mund të hiqen edhe më shpejtë. Mirëpo deri në atë periudhë pakënaqësia e shqiptarëve do të ketë arritur kulmin dhe, me t’u hequr vizat shumica e popullsisë së aftë për punë do të largohet si në fillim të viteve ’90-të. Në këtë mënyrë shqiptarët në Ballkan do të përgjysmohen. Këtë dëshiron dhe parashikon Evropa.


Tiranë, 21.12.2009

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …