Këtë shkrim ia dedikojmë rilindasit Gjerasim Qirjazi, me rastin e 140 vjetorit të lirimit të tij nga kaçakët, pas gjashtë muajve peng i tyre, (më 28 Prill 1885), dhe në kujtim të 100 vjetorit të vdekjes së tij.
Ndryshe nga feudalët reaksionarë dhe elementët e tjerë turkomanë, të cilët kërkonin të ruhej i pandryshuar sundimi turk në Shqipëri, rilindasit shtruan si detyrë që, në periudhën e stabilitetit që ishte krijuar pas Lidhjs së Prizërenit, t’i kërkonin Portës së Lartë zbatimin e atyre reformave që vetë Turqia ishte detyruar nga fuqitë e mëdha në Kongresin e Berlinit t’u jepte disa liri kombësive jo turke të perandorisë.
Fillimisht rilindasit i kushtuan kujdes të veçantë edukimit të shtresave të gjera të popullsisë shqiptare me ndërgjegjen kombëtare, e cila ishte ende e kufizuar. Në kushtet e ndarjes së shqiptarëve në fé të ndryshme, rilindasit i dhanë rëndësi lëvizjes kulturore, në interes të bashkimit kombëtar, duke propaganduar së pari, mësimin e të shkruarit shqip.
Një prej rilindasve që u angzhua për mësimin e të shkruarit shqip ishte edhe Gjerasim Qirjazi, i cili, së bashku me motrën e tij, Sevasti Qirjazi arritën që në vitin 1891 të hapnin në Korçë Shkollën e Parë fillore për vajzat. Gjerasimi drejtor, ndërsa mësim jepnin Sevasti Qirjazi, Katerina Cilka, më vonë edhe Polikseni Luarasi, Fanka Eftimi, Parashqevi Qiriazi, Helidhona Titu (Falli), të cilat janë arsimtaret e para të shkollës shqipe. Dhe më pas kanë dhënë mësim: Thanas Sina Postenani, Grigor dhe Gjergj Qiriazi, Kristo Dako. Shkolla u hap në shtëpinë e Grigor Eliadh Frashërit, pranë kishës së Shën Gjergjit,
Gjerasim Qirjazi pat lindur më 8 Tetor 1858 nga një familje korçare me banim në Manastir. Por më më 1873, bashkë me prindërit e tij u largua nga Manastiri dhe ndoqi shkollën greke në Korçë, ku jepnin mësim misionarët protestanë amerikanë të Shoqërisë Biblike të Huaj me Qendër në Londër, ku krahas profesionit këpucar, merrte mësime edhe për Biblën. Kjo Shoqëri ka kryer shërbime për letërsinë tonë duke përkthyer Biblën në Shqip. Gjerasim D. Qiriazi filloi të ndiqte ato shërbesa, dhe, nga dashuria për të mësuar gjuhën shqipe, ai shpejt pranoi të bëhej predikues I asaj Shoqate dhe mësues shëtitës për gjuhën shqipe. Ai dha prova të mira të devotshmërisë së thellë dhe aftësisë së mirë si predikues, duke fituar reputacion të shkëlqyer për diturinë, aftësinë, besnikërinë, energjinë, gjenialitetin dhe devotshmërinë.
Në vitin 1882, përfaqësuesi i Shoqërisë Biblike, Dr. Aleksandër Tomsoni përPerandrorinë Otomane dhe Ballkanin, dëgjoi për një shqiptar të ri nga Manastiri, i cili sapo kishte mbaruar studimet teologjike në Samokov të Bullgarisë, dhe më 18 janar 1883 I shkruan Gjerasimit në Shkup, duke i afruar të punësohej për Shoqërinë Biblike, si librashitës dhe predikues shëtitës. Gjerasimi pranoi dhe filloi udhëtimet nëpër gjithë Shqipërinë e Jugut si dhe në Elbasan, Durrës e Tiranë, ndërsa në shtator 1883 deri në Prill 1884 e dërguan në Stamboll për t’u profesionuar si veprimtar i Shoqatës Biblike. Në pranverën e vitit 1884 Gjerasimim kthehet në Manastir, ku krijoi një bazë për përhapjen e punës së Shoqatës Biblike në Shqipëri, duke predikuar në fshatrat Korçë e Manastir.
Gjerasim Qiriazi është predikuesi i parë protestant shqiptar për Biblën në gjuhën shqipe. Për këtë punë Gjerasimi kishte një talent të veçantë. Mirëpo, gjatë një turneu predikues, më 13 Nëntor 1884 kapet rob nga një bandë kaçakësh, në Grykën e Lajthizës, afër Qafës së Zvezdës-Korçë. Ata kaçakë përbën çetën prej 26 vetë të komanduar prej Shahin Matraku nga Popçishti, (të gjithë ishin nga: Devolli, Popçishti, Bozhigradi, Gora, Panariti, Skrapari, Piluri, Polloska, Kuteli, Lunga dhe Lahja, D.G), të cilët e mbajtën peg 6 muaj: 13 Nëntor 1884 – 28 prill 1885.
Tash le t’ia lëmë fjalën Gjerasim Qirjazit, përshkruar në dorëshkrim e tij, me titull “Pengu i kaçakëve”, (gjëndet vetëm përkthimi në anglisht prej Xhon Kuanrud, i cili është edhe autori i parathënies së librit, botuar në Londër, 1902, përkthyer në shqip nga Edmond Seferi, më 1993), i cili tregon ndodhinë me aventura të çuditëshme gjatë atyre 6 muajve peng i kaçakëve, nga i cili po bëjmë këto përzgjedhje:
“Qëllimi im është ta përshkruaj jetën e cubave, bisedat e tyre dhe të gjitha ato që ngjanë gjatë gjashtë muajve sa kam qenë peng i tyre. Gjatë robërisë sime pata rast të mirë ta shoh jetën e bashkëatdhetarëve të mi për së afërmi. Shumica e tyre i kanë lënë shtëpitë dhe kanë dalë në mal, të jetonin si bisha. Shkaku i parë është ikja nga gjakësit dhe hakmarrja ndaj tyre. Shkaku i dytë është shmangia nga shërbimi ushtarak, me shpresë se si cuba do të fitoni 50-60 lira për të paguar bedelin për ushtri. Shkaku i tretë, mungesa e tokës pjellore në pjesën më të madhe të Shqipërisë… Kusaria është mallkim për vendin tonë dhe e pengon përparimin….
… Kur mbritëm në krye të një shtegu në Mal të Thatë, aty u mblodhën njëzet e gjashtë kaçakët … Si shova etjen dhe u çlodha pakëz, Shahini nxori një kalem nga brezi dhe një copë kartë nga gjiri e më tha:
– Shkruaj aty! “Dërgonani pesëqind lira”. Thuaju se po të mos i dërgojnë paratë, kokën tënde në torbë do ta marrin.
– E keni kot, sepse nuk kam para”, ua ktheva unë. “Atyre që s’kanë para ua përdredhim kokën. Çtë duhet kjo e flamosur jetë pa para?” – ma priti njëri prej tyre.
Shahini m’u hakërrye me zemërim:
– Shkruaj atë që të thonë! Sa për para, ajo është puna jonë.
Me që s’kisha ç’të bëja, nisa të shkruaj: “Prindër të dashur. Jam peng në duar të kaçakëve; kërkojnë pesëqind lira shpërblim. Gjerasim D. Qirjazi. Mali i Thatë, 13 nëntor 1884”…..
… Të shtunën, më 4 prill 1885, një ditë para Pashkës, më lanë të qetë; pandeha se ndoshta vuajtjet e mia morën fund…. Të Hënën, herët në mëngjës, ndjeva njerëz që hynë në kasollen ku ishim. Ata ishin tre vetë nga banda e Shahinit. Ata kishin ardhur të më shpinin te sharra e Grabovës, ku ndodhej Shahini më të tijtë.
– Paratë erdhën dhe ne do të të lirojmë, – më rha Malua (nga Kuteli). Për katër a pesë ditë do të jeshë në shtëpinë tënde.
Të martën, pas mesnate, më thanë të bëhesha gati për udhë. Sytë i kisha ende të lidhur. Dy tri orë pasi ikëm nga shtëpia, arritëm në një grykë të madhe ku kishte ujë. Aty kishin ardhur të na prisnin edhe të tjerë, midis të cilëve ishte Bazi, nip i Shahinit. Me të na parë, ai u tha shokëve: “Zgjidhjani sytë Qirjazit!”.
Kjo bëri vaki më 8 prill 1885. Ajo ditë kur hapa sytë dhe pashë dritën, ishte një ditë e shënuar për mua. Arritëm në një sharrë, ku gjetëm nëntë kaçakë duke u ngrohur pranë një zjarri. Shahini, Nurua dhe të tjerët sa më panë, u ngritën e më përshëndetën dhe më bënë vend për t’u ulur.
Pastaj Shahini nxorri një letër nga gjiri e ma dha ta lexoja. Ajo vinte nga shtëpia. Letër të rrallë më të ëmbël s’kisha lexuar kurrë. Kur e hapa, nisa ta lexoja, më rrodhën lotë; megjithatë u ngushëllova kur mora vesh se të gjithë në shtëpi ishin shëndosh’ e mirë.
– Tani mos ki frikë, – më tha Shahini, dhe bëri sikur i qortoi ata të dy që më kishjin munduar.
Atë mbrëmje hëngra bukë e djathë gjithë lezet dhe ndënja pranë zjarrit duke kuvënduar lirisht. Të nesërmen u ngrita dhe u ula pranë zjarrit. Pas dy-tri orësh erdhi Shanini. Me të hyrë brenda, nxorri nga xhepi dy vezë të kuqe e m’i zgjati, duke më thënë:
– Krishti u ngjall, Qirjaz.
-Vërtet ashtu është”, ia ktheva unë…..
Tërë ditën e 25 prillit ra shi pa pushim. Kasollet nuk e mbanin shiun. Uji u fut brënda dhe ne s’gjenim vend ku të rrinim. Të tërë u lagëm. Shumica e tyre kishin guna që nuk e fusnin ujin. Aty kishin mbetur vetëm 9 kaçakë, të tjerët kishin vajtur në fshat. Atëherë Shahini m’u drejtua:
– E, o Qirjaz, a s’e sheh ç’biçim zanat kemi? Në këtë mot edhe dhitë e eghra rrinë në strofkë, kurse për ne s’ka vend ku të fusim kokën..
– E shoh, – i thashë, – dhe vras mendjen se kur, vallë, do t’ju mbarojnë hallet, që të shihni një ditë të bardhë?
– Kur të na vijnë mënd në kokë, – ma ktheu Shahini.
– Po pse thua që na ka mallkuar Zoti? Zoti kurrë nuk bën keq. Ende s’e keni kuptuar që udha e mëkatarit është e zorshme? – ia ktheva unë.
– Në këto anë udha e të drejtit është më e zorshme, – tha ai.
– Por, edhe në qoftë më e zorshme udha e të drejtit (që unë s’e besoj), ju duhet ta ndiqni atë. Poshtërsia, sado e ëmbël që t’i duket të ligut, mbaron me turp e rrënim për të tërë.- ia prita unë. Të tjerët i kishite zënë gjumi.
– Mund të të lirojmë në një fshat anfër Manastirit. Fshatarët do të të shpien në Manastir e, kur të të thërrasi në pyetje qeveria, do t’u thuash që s’kam parë asnjë vend, pasi sytë m’i kishin lidhur.
– Po si mund t’u them atë që s’është e vërtetë.
– Mos do të thuash që nuk bëka të gënjejmë fare?
– Atë s’e them unë, por vetë Zoti që na krijoi të dyve.
– Po, në mos gënjefshim, ne s’do të bitisnim dot asnjë punë dhe e kemi të humbur davanë.
– Davanë e humbim kur gënjejmë, pasi pjellë të gënjeshtrave janë turpi, brejtja e ndërgjegjes në këtë botë dhe në atë tjetrën, – iu përgjigja unë.
– Ne s’ia kemi ngëne t’u vëmë veshin fjalëve të tua, o Qirjaz se, po ta kishim bërë këtë, s’do të dilnim malit kaçakë. Po ku u gjetka ai njeri që qenka ashtu si do ti? A ka ndonjë që nuk vjedh, nuk gënjen e nuk lakmon? Ju që e mbani veten të drejtë e të ndershëm, mos u gënjen mendja se jeni të larë? Gënjeshtra, hajdutëria dhe lakmia maten me kute të ndryshëm, dhe shpesh fajtorët rrinë rehat në shtëpitë e tyre e gjëllojnë në mes të atyre që gërthasin për drejtësi. Tërë bota e di që ne vrasim, plaçkisim dhe mashtrojmë, kështu që njerëzit ruhen prej nesh; prandaj, ma do mëndja, që nuk jemi aq të rrezikshëm sa të tjerët. Kush ia vë veshin atij që thotë të vërtetë? Si në kohën e vjetra, ashtu edhe tani, të ligjtë duan t’i fshijnë nga faqja e dhéut ata që punojnë për drejtësi. Në sytë e botës të ligjtë mbahen për shënjtorë, por përbrenda janë plot hilera e ligësi. Ata venë e luten në kishë, ndezin qirinj e falin dhurata dhe pandehin se me bakshishe do të lajnë gjynahet e tyre. Po qe se Zoti ua fal kështu gjynahet, atëhere më parë më takon mua të vete në xhenet, pasi as unë nuk kam lënë kishë në Opar e Gorë pa ndezur qirinj – e ç’qirinj pa, jo si ata tuajt, po naaa, sa krahu im. Shpesh i kam falur dhurata kishës, kam dëgjuar meshë, priftërinjtë më kanë lexuar mbi kokë dhe nuk kam lënë zakon e adet të kishës pa bërë. Nëse nuk i bjë ashtu siç duhet, për këtë s’e kam fajin unë, pasi nuk më ka mësuar kush. Zoti na ka bërë me qëllim fatzinj. Sikur të na qeshte fati, edhe ne do të kishim pakëz dritë dhe puna do të mbrodhësonte; mirëpo Zoti na ka lënë ta kërkojmë fatin vetë. – mbaroi së foluri Shahini.
Njëri nga Kokoneshët ishte afër meje dhe bënte sikur flinte. Ai u ngrit, u ul pranë zjarrit dhe, si fërkoi sytë, foli:
-Hallall të qoftë, o kapidan Shahini!Fjalë me vend ke thënë. Në ato kohë kur donin ta kryqëzoni Krishtin, tërë paria nderonin Barabanë që ishte hajdut si ne.
28 Prilli 1885. Gdhiu me një qiell të pastër e një mot të mrekullueshëm. Atë mëngjes u kthye një kaçak që kishte vajtur te Kokoneshët për bukë. Me të ardhur ai folën kokë më kokë me Shahinin. Pastaj ata më thanë hapur:
– Sot do të të lërojmë, se paratë erdhën.
Pas kësaj, të tërë zunë të më flisnin më ngrohtësishtë e më donin të më bënin mik. Ajo i vërteteonte fjalët që më thanë. Atë ditë më dukej vetja si në ëndërr. Morrëm të tatëpjetën, kaluam një grykë të thellë dhe dolëm në një luginë. Aty nuk kishte borë dhe vinte erë pranvere…. Një orë e gjysëm pasi ikëm nga kasollet, arritëm në një kodër, ku u takuam me zotin Nikolla Zarçe, i cili kishte sjellë paratë e shpërblimit. Si kuvënduan pak, zoti Zarçe nxori një tufë lirash turke, të mbështjella në një shami dhe i vuri para Shahinit. I numëruan paratë dhe doli se ishin treqind lira turke. Shahini i mbështolli sërish me shami e ua ktheu, duke u thënë:
– E kishim fjalën për shtëtqind lira. Ku janë katërqind të tjerat?
– Kaq më dhanë, ia ktheu Zarçia dhe zuri të bënte be e rrfe.
Mirëpo shumicës së kaçakëve u vinte keq për mua dhe ngulën këmbë që të lirohesha…..
Më çuan me barkë në fshatin Lin të Ohrit. Aty kishin ardhur im vëlla Kosta, dhe Gjon Ciku, enkas për të më pritur mua. Kur u pamë, ia plasëm vajit. Unë isha si ai djali plangprishës, për të cilin thonë: “Ishte i vdekur dhe u ngjall sërish; ishte i humbur e u gjet”…. Dhe morëm udhën për në Manastir.”
* * *
Me t’u rikthyer në Manastir Gjerasimi, bashkë me librashitësin Gjon Ciku, vijoi aktivitetin për përhapjen e punë së Shoqërisë Biblike dhe mësime për shkrimin e gjuhës shqipe, duke punësuar edhe gjshtë librashitës shëtitës. Puna zhvillohej nën mbikqyrjen e tij dhe në vitin 1887 pat arritur të krijonte tre depo të Shoqërisë Biblike në Shqipëri: në Manastir, në Janinë dhe në Shkodër, si dhe filloi të jepte mësime shqip për nxënësit e shkollës amerikane në Manastir, kurse natën mësonte të rriturit. Shpesh herë, gjatë kësaj pune, ai pengohej nga autoritetet otomane.
Në Shkollën e Parë Shqipe, e hapur në Korçë më 1887, si dhe në Shkollën e Parë Shqipe për vajzat, themeluar prej atij dhe e motra, Sevastia, më 1891, janë përdorur botime të Shoqërisë Biblike. Gjerasim Qirjazi ndëron jetë në moshën 36 vjeçare, 2 Janar 1894.
(Shkëputur prej librit “Pengu i kaçakëve”, Shtypur në Suedi nga ScandiBook, Falun 1993. Titulli origjinalit: “Captured by Brigands”, Religious Tract Society, London, 1902)