leoni

Dilaver Goxhaj: Hej, Shqipni, mos thuj mbarova!

Dilaver Goxhaj: Hej, Shqipni, mos thuj mbarova!

Data 29 mars 1999 qëlloi një ditë e tmerrshme kur këmbësoria serbe u lëshua disa herë në sulm nën mbështetjen e artilerisë së saj, për të marrë me çdo kusht Qafën e Pagarushës. Të gjithë ata sulme që kishin filluar prej orës 06.00 deri në ora 10.00 u thyen nga forcat e Br 123 e 124 të Zonës II Operative. Në orën 10.00 mbi forcat tona, të cilat kishin gati një javë që luftonin në mbrojtje të popullsisë dhjetramijëshe të grumbulluar në rajonin e Pagarushës, u përqendrua një volum zjarri shumë herë më i madh se në sulmet e orëve të mëparshme. Gjithë ai zjarr mbi një vijë mbrojtjeje 300-400 metra! Ai zjarr e ai metal do të ishte në gjendje të shkatërronte ndoshta edhe një fshat të tërë e më shumë.

Luftëtarët, që luftonin në mbrojtje të asaj vije, vazhdonin t’i qëndronin një tensioni mbinjerëzor, pasi kishin ditë që luftonin pa fjetur. Duke e ndjekur me vëmendje atë zjarr artilerie të të gjithë kalibrave, mund të mendohej se forcat tona nuk do të qëndronin më tej në mes të këtij prushi që po digjte dhe gurët. Por ja që, për ata djem e burra që luftonin në mbrojtje, fjalët “jetë” dhe “vdekje” kishin mbaruar së egzistuari. Heroizmi ishte bërë për ta një gjë e zakonshme, ishte bërë stili i këtyre njerëzve.

Serbët me këtë sasi të madhe zjarri mendonin se do ta thyenin forcën morale të forcave tona. Ata e kishin, ndoshta, atë mendim duke u bazuar në faktin se me atë vullkan zjarri e kishin kaluar kufirin e rezistencës së zemrave dhe të nervave të njerëzve tanë, prandaj dhe kaluan menjëherë në sulm porsa e zhvendosën zjarrin më në thellësinë tonë.

Meqenëse kam shkruar edhe më herët për atë luftim, nuk po zgjatem, por do të përqendrohem në një element të veçantë të tij, të pa trajtuar më herët. Duke qenë se këmbësoria serbe e shoqëruar tash edhe nga tanket, po u merrte krahët forcave që mbronin të dy anët e asaj qafe, forcat tona u detyruan të tërhiqeshin disi në panik.

Në ato momente fillova të dyshoja se këta luftëtarë po e humbisnin aftësinë e rezistencës dhe vështirë që të kundërsulmonin.

Sikundër edhe e kam shtjelluar në shkrimin e mëhershëm, pasi u riorganizuan forcat që u tërheqën nga Qafa e Pagarushës, duke u përforcuar edhe me një skuadër të rezervave, kaluan në kundërsulm, ku në krye të tij, për të rimarë atë Qafë, ishin edhe disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së me në krye Shefin e atij Shtabi, Bislim Zyrapi.

Por ajo që dua të theksoj në këtë shkrim, është se atë ditë u vërtetua për mua një gjë e çuditshme. Porsa filloi kundërsulmi, të gjithë luftëtarët e UÇK-së e filluan sulmin njëherësh me këngën: “Hej, Shqipni, mos thuj mbarova, / Asht’ çu në kambë e tanë Kosova!”.

Unë e dëgjoja për herë të parë këtë këngë; por në kushte të paparashikuara e të paimagjinuara kurrë. Më ngjanin si zogj që fluturonin duke kënduar. Ajo po më tingëllonte si një uverturë e vërtetë e shoqëruar me “muzikën” e predhave të artilerisë e mortajave, të automatikëve, të armëve kundërtanke, mitralozëve, të granatave të dorës dhe prej zhurmës së tankeve e cila ngjante si një bas baritonësh. Një lloj asambli simfonik i veçantë që vetëm kush ka qenë në frontin e luftës e kupton atë lloj muzike.

Duke i parë se si luftëtarët tanë mundoheshin kush e kush të delte i pari në sulm duke hapur zjarr në ecje e sipër e duke kënduar, e kuptova se atë guxim mbinjerëzor ua jepte teksti i asaj kënge.

Në ato çaste të atij rreziku, duke shkuar drejt vdekjes me këngë në formën e një ansambli artistik, unë zbulova forcën mbinjerëzore në gjirin e gjithë atij populli; dhe nuk i mbajta dot emocionet. Më shpëtuan lotë kur dëgjoja fjalët që përsëriteshin vijimisht: “Hej, Shqipni, mos thuj mbarova!”. Më dukej sikur m’i drejtonin mua ato fjalë, ngaqë vija nga ajo Shqipni të cilës ata i thërrisnin.

Ai kundërsulm ishte i denjë ndaj mbrojtjes së asaj pike strategjike. Armiku nuk mundi ta mbante Qafën e Pagarushës. Le të jetë ai kundërsulm e ajo Qafë një përmendore e gjallë e atij heroizmi.

E solla në kujtesë të lexuesve këtë tregim, për atë, se kur ndodhi tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Durrës dhe Thumanë i përjetova edhe më shumë emocionet e asaj date të 29 marsit 1999, kur dëgjuam dhe pamë lajmet se si trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës mbritën prej Prishtine në Thumanë para se forcat e Ushtrisë së Shqipërisë të mbërrinin prej Tirane në Thumanë! Por, ndryshe nga emocionet e asaj dite në front, tash qaja me ngashërim, duke kujtuar atë tekst fjalësh: “Hej, Shqipni, mos thuj mbarova,/ Asht’ t’u ardhë me vrap Kosova”. Tash nuk kishim të bënim më me këngë, por me një realitet. Kusova ishte ngritur në këmbë dhe po i vinte në ndihmë Shqipërisë, pa i marrë leje qeverisë së saj, sikundër vepruan dje vullnetarët nga shteti amë që iu bashkangjitën UÇK-së. Historia u përsërit në një stad më të lartë.

Pasi kryen atë mision vëllazëror, ata u kthyen përsëri në Kosovë, pa pritur t’i falënderonte dikush, pasi e quajnë obligim të domosdoshëm.

Por, mos harrojmë, se ata që i erdhën në ndihmë vëllezërve të shtetit amë janë pasardhësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtar i së cilës kam pas nderin të isha edhe unë. Dhe i thashë vetes: ke të drejtë të mburresh me këtë ushtri. Pjesëtarët e familjes sime e vunë re ngashërimin tim, shikonin njeri-tjetrin, por nuk më ngacmuan me fjalë. Vura re që edhe ata i fshinë fshehtas sytë.

Gjithë kombi shqiptar u trand nga kjo fatkeqësi natyrore, gjithçka po shungullon, gjithçka po vlon nga dëshira për të ndihmuar.

Kjo fatkeqësi natyrore kushtëzoi edhe një ndryshim të përgjithshëm ose tërësor të klimës njerëzore mbarë shqiptare. Por më vjen turp sa herë e kujtoj që Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, zonja Xhaçka  falënderoi edhe afrikanët që dhanë nga 5 euro ndihmë, por jo Kosovën! Pse vallë?! Po të kemi parasysh deklaratën e z.Haradinaj për telefonatën, kuptohet që znj.Xhaçka, nuk e ka pas nga vetja. Por mos u mërzitni, pasi s’është hera e parë që kryeministrat, ministrat dhe presidentët e Kosovës e të Shqipërisë nuk kanë shprehur mirënjohje as për vullnetarët e UÇK-së prej shtetit amë. Sikundër shihet, na i zgjedh e njëjta dorë të dy palët.

“Evropa, shkruajnë e thonë: ç’është kjo që dëgjojmë?!” Cili është ai parim që e vuri në lëvizje aq shpejt ushtrinë e Kosovës në ndihmë të vëllezërve të vet në Shqipëri?! Këto pyetje kanë vetëm një përgjigje: Është virtyti shqiptar i treguar edhe gjatë Luftës për Çlirimin e Kosovës, që bëri aq çudira sa befasoi gjithë popujt e botës, të cilën e shprehu presidenti Bill Klinton: “Kemi dëgjuar dhe njohur njerëz humanë, por për komb human nuk kemi dëgjuar. Ja që ka edhe komb human; ky është kombi shqiptar”.

Kjo është ndjenja fisnike e shqiptarit për shqiptarin, që nënkupton vënien e interest të përgjithshëm mbi të gjitha interesat e veçanta. Dashuria për kombin prodhon tek cilido shqiptar që e ndjen veten shqiptar, të gjitha virtytet, të cilat s’janë gjë tjetër veçse forca shpirtërore që nxisin për të bërë sakrifica në raste tragjedish kombëtare.

Trupat e FSK, duke ardhur vullnetarisht e të organizuara nga qeveria e Kosovës, faktikisht ia bënë më dije gjithë kombit shqiptar, se vetëm të bashkuar mund t’i përballojmë fatkeqësitë.

Me këtë rast u shpreh mirënjohjen time zotërinjve: kryeministrit Ramush Haradinaj, Ministrit të Mbrojtjes Rrustem Berisha (pavarësisht për debatin e luftës në Koshare, të cilit s’i heq asnjë presje) dhe komandantit të FSK Rrahman Rama! Mirënjohje pjestarëve të FSK që kryen atë detyrë vëllazërore gjithë dinjitet e zotësi!

Faleminderit!

4 dhjetor 2019

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …