( Vështrim për romanin “Trëndafili i bardhë”, i shkrimtarit hungarez Jokai Mor, përkthyer nga Ahmet Qeriqi)
Gjendja shpirtërore e skamnorëve të Stambollit dhe e veteranëve jeniçerë, të cilët u ngritën kundër taksës së përjetshme, “malikane”, kundër korrupsionit të qeveritarëve dhe shtëpive publike, bazuar në trajtesën që i bën shkrimtari i madh hungarez Jokai Mor në librin e tij “Trëndafili i bardhë, mund të themi se ajo kryengritje trajtohet në nivelin e një gjendjeje shpirtërore prej intelektualësh. Historia e protestës dhe e luftës së masave të gjera të popullsisë së Stambollit, në shtator të vitit 1730, kundër borgjezisë së pasur civile-ushtarake në krye të Perandorisë së atëhershme osmane, me sa duket kishte qenë një lloj “rrëmuje e përhershme popullore”. Romane të tilla si “Trëndafili i bardhë” janë tregues të zemërimit të masave të gjera popullore të ngritura kundër shtypjes dhe mjerimit në momente të caktuara kohore. Kjo i ka ndihmuar shkrimtarit të mirënjohur hungarez, Jokai Mor të ngrihet mbi paragjykimet e asaj periudhe historike, por edhe dy shekuj më pas. Madje, mund të themi se përkthyesi Ahmet Qeriqi e ka sjellë në shqip këtë roman, në një kohë që situatat ekonomiko-politike si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, nuk e teprojmë të themi që janë të ngjashme me ato kur jeniçeri shqiptar Halil Patrona u vu në krye të zemërimit të masave të kryeqytetit të Perandorisë.
Halil Patrona në këtë roman historik na paraqitet si një hero i vërtetë, pa asnjë lloj zbukurimi, i farkëtuar prej çeliku të kulluar, nga koka deri në këmbë, një luftëtar heroik, që në mënyrë të ndërgjegjshme ai dhe shokët e tij janë gati të pranojnë edhe vdekjen e sigurt, vetëm e vetëm që të zgjojnë brezin e ri të asaj kohe për një jetë të re, për ta pastruar atë brez dhe fëmijët e tyre nga ai ambient krimesh, korrupsioni të gjithanshëm shoqëror dhe nga servilizmi përdhosës i burokracisë shtetërore por edhe i një pjese të popullit të frikësuar nga pushteti despotik i Sulltanit. Këto dukuri të atij romani janë tipike edhe sot në shoqërinë tonë shqiptare, prandaj e bëjnë atë roman aktual, ndaj dhe është pritur me interes nga lexuesit.
Halil Patrona u pranua nga masat e gjera si udhëheqës i asaj kryengritjeje, sepse ai diti të ngrihej më lart, duke u vënë në një nivel me mendimtarët këshilltarë të Sulltanit dhe të Vezirit të Madh, edhe pse ishte me arsim minimal. Kjo aftësi dhe ky tipar i dhanë atij mundësinë që të luftonte me vendosmëri për çlirimin e masave të gjera popullore nga shumë taksa shkatërrimtare, taksë me të cilën pasurohej burokracia shtetërore dhe jo shteti. Vendimet dhe kërkesat e guximshme të Halil Patronës bënë që prej atëherë të fillonte të prishej heshtja prej skllavi, mu në zemër të Perandorisë. Është kjo arritje e madhe e Halil Patronës që e bën përkthyesin e këtij romani të nervozohet se pse historiografia shqiptare nuk i ka dhënë vendin e merituar këtij shqiptari, por e ka trajtuar thjesht si një kryengritës spontan, duke rënë nën ndikimin e historianëve turq dhe atyre perëndimorë, albanofobë.
Duke u përqendruar te Halil Patrona ne shohim qartë klasat që kanë ekzistuar në atë periudhë në Perandorinë Turke. Fillimisht është burokracia e lartë shtetërore, me në krye Sulltanin dhe Vezirin e madh me ministrat e tij, të cilët janë tmerrësisht larg nga populli, të cilin e shohin dhe e trajtojnë si bagëti, si turma pa tru. Pas tyre vinë tregtarët e pasur dhe klerikët e lartë, të cilët de fakto janë ata që drejtojnë qeverinë e atëhershme. Pastaj vjen shtresa më e privilegjuar: ushtria dhe jeniçerët elitë dhe, së fundi, vjen shtresa më e papërfillur, popullsia e thjeshtë, mbi kurrizi e së cilës pasurohen tre shtresat e mësipërme. Mirëpo në këtë periudhë ka ndodhur fakti që rrethi i jeniçerëve veteranë është bërë shumë i gjerë dhe lidhjet e tyre me popullin janë bërë gjithnjë e më të ngushta. Kjo ka bërë që Sulltani t’i besoi më shumë ushtrisë se sa jeniçerëve, ndaj dhe prêt momentin që këta t’i eleminoi gradualisht dhe që faktikisht ndodh përfundimisht një shekull pas kryengritjes së udhëhequr nga Halil Ptrona. Vetëm pas vrasjes së Halil Patronës ushtria eleminoi 7 mijë jeniçerë shqiptarë nga 12. mijë sa kishte asokohe në Stamboll.
Jokai Mor e paraqet mjeshtërisht rolin që luajnë masat skamnore në kryengritje, të cilat bëhen shtrëngata e vërtetë e saj, por, duke mos patë një udhëheqje të organizuar politike, këto lloj revoltash shuhen, ngaqë çdo gjë e bazojnë vetëm te forca, duke e lënë pas dore sigurimin e aleatëve dhe diplomacinë.
Halil Patrona na del përfaqësuesi i interesave të shtresave skamnore si dhe i jeniçerëve veteranë të rënë në varfëri. Duke qenë se ai i hoqi maskën Sulltanatit natyrshëm që shndërrohet në një hero popullor, sepse eleminoi pamjen e jashtme të atij drejtimi shtetëror të lëmuar nga propaganda mashtruese, duke i thënë popullit të Stambollit se prapa pamjes së jashtme të lyer e të llustruar të qeverisjes perandorake, që me vdekjen e tij tregoi aktivitetin hakmarrës të saj. Halil Patrona eleminohet tradhtisht dhe masakrohet nga Sulltani pasardhës, menjëherë porsa Halili e ngre atë në fronin e Sulltanit, sepse nuk mund të bashkëqeverisnin, ngaqë Halili është përfaqësues i shtresave të varfra, por që shtresat e pasura nuk duan kurrsesi ta ndajnë pushtetin me skamnorët, pasi përfaqësuesit e kësaj të fundit janë të pakorruptueshëm.
Edhe sot, kushdo ministër i ndershëm që rastësisht mund të bëhet pjesëtar i qeverisjes së Prishtinës apo Tiranës, e kemi parë se nuk e ka pasur të gjatë, është shkarkuar menjëherë ose është detyruar të vetëlargohet, ngaqë i futur në mes të ujqërve nuk mundet të ulërasë edhe ai si ujqërit.
Halil Patrona na paraqitet model i luftëtarit të pakorruptueshëm dhe kundër rendit të korruptuar burokratik, por që demokratizimin e jetës ai e quante se bëhej duke shkarkuar një pjesë të qeveritarëve kryesorë dhe zëvendësimin e tyre me njerëz po të sërës së tyre. Dhe kjo ngaqë, sikundër thamë më lartë, mungonte udhëheqja organizative. Duke qenë se ka këtë bindje dhe duke u mashtruar nga pranimi i disa kërkesave të tij nga udhëheqja e lartë, Halil Patrona bie pre e kurtheve të asaj udhëheqjeje shtetërore që ai vet i zgjodhi, dhe menjëherë paraqet kërkesa të tjera, duke kujtuar se ishte i barabartë me Krye vezirin, gjë që as mund ta duronte ajo shtresë një gjë të tillë. Kjo e dyta tregon naivitetin e këtij kryengritësi, ngaqë nuk e njeh as politikën, as diplomacinë dhe as hipokrizinë e politikanëve, duke kujtuar se shtresat e larta do ta pranonin në gjirin e tyre. Ky është karakteri i dyanshëm i Halil Patronës si kryengritës, me tendenca utopike, duke menduar se ngaqë u pranua në audiencë me Sulltanin, krijoi bindjen se me mendimet e tij Sulltani do ta zgjeronte edhe më shumë Perandorinë.
Merita e madhe historike e Halil Patronës ishte se atij i vinte shumë keq për gjendje e keqe të fshatarësisë dhe të shtresave të varfra të qytetit, se ai luftoi energjikisht kundër asaj shtypjeje të pamëshirshme. Por kjo nuk do të thotë se ai, duke qenë përfaqësuesi i interesave të vërteta të shtresave të varfra, nuk mund të mos binte në gabime serioze. Dhe kjo vinte ngaqë ai nuk e kuptonte kontradiktën e brendshme që ekzistonte midis shtresave të varfra dhe udhëheqjes sulltanore. Ai nuk kish as edhe një ide mbi atë antagonizëm klasor dhe e reduktonte këtë antagonizëm se ekzistonte vetëm midis disa qeveritarëve të korruptuar dhe shtresave të varfra.
Ajo kryengritje i bashkoi jeniçerët në pjesën më të madhe të tyre me shtresat e varfra të Stambollit, pasi ishte vala e fuqishme e tyre që i rrëmbeu ata. Në njërën anë kemi shtypjen feudale dhe rrënimin e popullit të thjeshtë, grumbullimin e mal urrejtjeve, zemërimin dhe vendosmërinë e dëshpëruar deri në tepri të atyre masave, dhe, nga ana tjetër po këto shtresa dhe jeniçerët e varfër synojnë forma të reja të bashkëjetesës, por pa e ndryshuar sistemin shoqëror, duke u mjaftuar vetëm me ndryshimin e disa drejtuesve të shtetit, pa synuar liri apo përmbysje të Sulltanit, sikundër ndodhi pas dy shekuj, me Qemal Ataturkun. Të vetmen arritje politike në interes të popullit që ajo kryengritje pati, ishte që u mësoi masave të shtypura të urrenin politikanët dhe Sulltanin, por nuk e mësoi dhe nuk mund ta mësonte se ku mund ta kërkonin një përgjigje adekuate për gjithë popullin, dhe kjo, sikundër thamë, kryengritja ishte spontane, e paorganizuar politikisht. Njeriu i vetëm nuk mund të ndryshojë asgjë. Që nga Halili dhe deri te kryengritësi më i thjeshtë zgjidhjen a asaj kontradikte midis pushtetarëve të pasur dhe popullit të thjeshtë e kërkonin te lutja dhe ndihma e Zotit.
Por këta luftëtarë trima dhe kryengritës të zjarrtë, këta akuzues të flaktë të korrupsionit, kritikë ndaj qeverisjes dhe degjenerimit moral të shtresave të pasura dhe atyre të privilegjuara, u pa se kishin një moskuptim të shkaqeve të atij korrupsioni, gjë që është karakteristike e kryengritjeve të të varfërve naivë.
Këto kritika të Jokai Mor nuk është se nuk janë thënë më herët apo më pas nga shkrimtarë të tjerë, por rëndësia historike e këtij libri qëndron në faktin se ai e pasqyron gjendjen shpirtërore të masave të varfra në mënyrë kaq bindëse, saqë naivitetin e tyre e trajton gati si doktrinë, sepse i mënjanon nga politika, dhe arrin ta shpreh me një forcë, që është karakteristike vetëm për shkrimtarët e mëdhenj thyerjen e pikëpamjeve të masave të gjera, përfshi edhe gratç, në mënyrë masive, në një periudhë kur Perandoria Otomane gëzonte arritjet e Sulltanit të Madhërishëm. Dhe ajo që të bën edhe më shumë përshtypje është se ato ndjenja revoltuese kundër shtetarëve dhe burokracisë shtetërorë të etur për para dhe qejfe, manifestohen edhe sot në vendin tonë, prandaj mund të themi se botimi në shqip i këtij libri i shërben edhe thyerjes së pikëpamjeve të masave të sotme të popullit tonë që e varin shpresën tek individi, e cila e gjen veten në shprehjen: “Ja e hoqëm X apo Y, kush mund t’i zëvendësojë?”, koncept, i cili i ka shndërruar disa kryetarë partish në mit, duke i lënë në krye të tyre me dekada të tëra.
Kur mbaron së lexuari romanin “Trëndafili i bardhë” menjëherë të shkon mendimi se të gjithë kryengritësit naivë kanë të njëjtin fund, të cilët pasi arrijnë qëllimin final vriten ose digjen në stivën e druve nga vetë ata që masat i kanë sjellë në pushtet. Dhe historia ka shumë shembuj të tyre, si p.sh Zhana Dark, Emiliano Zapata, kryengritësit e Luftës së Vlorës në 1920 apo edhe luftëtarët e lirisë së Kosovës, të cilët jo vetëm që u braktisën dhe u hodhën në rrugën e madhe nga vetë ata, që kryengritësit tanë i sollën në pushtet, por pjesën dërmuese të tyre i kyçën nëpër burgje. Historia përsëritet. Gjë që tregon se popujt nuk nxjerrin mësime nga historia.