leoni

Dilaver Goxhaj

Dilaver Goxhaj: Lufta në Kosovë ishte luftë çlirimtare dhe jo luftë civile

(Reagim kundër shkrimit të Rron Gjinovci)

Duke lexuar shkrimin e Prof. dr. Bashkim Musliu: “A e meritojnë lirinë ata që e mohojnë karakterin kombëtar të luftës çlirimtare?”, botuar në portalin e RKL, date 03.10.2017, më tërhoqi vemendjen kritika e tij e drejtë rreth një shkrimi të Rron Gjonovcit, i cili mundohet të ndryshoi krejtësishtë tipare e Luftës Çlirimtare në Kosovë, zhvilluar gjatë viteve 1997-1999. Kjo akuzë e re kundër asaj lufte çlirimtare, e hedhur në publik nga z. Rron Gjinovci, i cili thotë: “Në këtë shkrim do të mundohem të argumentoj se përveç shtypjes kombëtare ndaj shqiptarëve që zë vendin më me rëndësi në krijimin e vetëdijes kryengritëse, një rol shumë të rëndësishëm ka luajtur edhe pabarazia klasore mes vet shqiptarëve”, gjë që kërkon t’i japë asaj lufte karakter të dyfishtë, luftë çlirimtare e luftë civile, gjë që nuk është e vërtetë.

Mirëpo, pak më poshtë, Rron Gjinovci e mohon këtë karakter të dyfishtë që ai i jep asaj lufte si dhe mohon edhe shkakun e vërtetë të shpërthimit të saj, “shtypjen kombëtare ndaj shqiptarëve”, duke u shprehur pak më poshtë përmes pyetjes së tij retorike: “Po sikur pakënaqësia klasore të ketë qenë arsyeja e vërtetë e rebelimit të klasës së bujqve fshatarë?”

Duke i parë me kujdes dy përkufizimet e mësipërme të z.Rron Gjinovci, për atë luftë çlirimtare, të lind dy mendime, ose ky zotëri nuk e ka të qartë se çfarë është kryengritja e armatosur dhe çfatë është pakënaqësia klasore, ose është i stimuluar, nuk dihet se nga cilat qarqe antishqiptare, të hedhë parullën dashakeqe, se Lufta Çlirimtare në Kosovë ishte Luftë Civile.

Në se është e para, gjysma e së keqes, dhe i falet kjo akuzë e rëndë ndaj asaj lufte. Por nëse është e dyta, këtu, ndal o bek se ka hendek, pasi kemi të bëjmë me një qëndrim të qëllimshëm e të mirëmenduar armiqësor antikombëtar.

Historia e luftrave botërore njeh raste që luftrat çlirimtare të kenë karakter të dyfishtë, sikundër kërkon t’i japi luftës së viteve 1997-1999 në Kosovë z.Rron Gjinovci, edhe çlirim kombëtar, edhe çlirim shoqëror. E tillë, p.sh, ka qenë Lufta Nacionalçlirimtare e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhe në këtë rast nuk ka asgjë të keqe.

Por helmi që hedh z.Rron, (me qëllim a pa qëllim, këtë e di ai), kur thotë se “pakënaqësia klasore ka qenë arsyeja e vërtetë e rebelimit të klasës së bujqve fshatarë”, me këtë ai kërkon të na thotë, se Lufta e Kosovës e viteve 1997-1999 nuk shpërtheu si “rrjedhojë e shtypjes kombëtare ndaj shqiptarëve”, por se ishte thjeshtë një Luftë Civile, dhe asgjë tjetër.

Në këtë rast kemi të bëjmë me qëndrim antikombëtar të tij. Dhe për këtë na bindin arsimimi, profesioni, përvoja e tij politike si gazetar dhe detyra aktuale e tij, Drejtor Ekzekutiv i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA). Të gjitha këto na japin të drejtën të dyshojmë se kjo deklaratë e tij nuk vjen si rrjedhojë e padijes së tij, por e mirëmenduar. Lusim të mos jetë kështu.

Qysh në fillim duhet t’ia bëjmë të qartë z.Rron Gjinovci, dhe atyre që mendojnë si ai, se “pabarazia klasore mes vet shqiptarëve”, sikundër shprehet ai, nuk është shkak për luftë çlirimtare për liri e pavarësi kombëtare, por është shkak për luftë civile. Ky lloj rebelimi prej “pabarazisë klasore mes vetë popullit”, or tungjatjeta, quhet revolucion shoqëror, dhe jo luftë çlirimtare, sikundër ishte Lufta Çlirimtare e Kosovës, e cila pati si forcë kryesore goditëse UÇK-në.

Me një fjalë, nga pabarazia shoqërore, që z.Rron Gjinovci e quan “pabarazi klasore”, lind revolucioni shoqëror, që s’është gjë tjetër, veçse ndryshim i sistemit qeverisës, ku të revoltuarit ngrihen kundër qeverisë ekzistuese të tyre. Dhe këtë na e shpjegon qartë Fjalori  i Shqipes së Sotme: “Revolucioni është një përmbysje me dhumë e një rendi shoqëror, politik dhe ekonomik që i ka kaluar koha dhe vendosja e një rendi të ri shoqëror, që sjell në fuqi një klasë të re, përparimtare e që zgjidh kontraditën ndërmjet forcave prodhuese e marrëdhënieve në prodhim.” E që në këtë rast do të thotë se në Kosovë kemi pasur luftë civile (qytetare), e cila është, sipas po këtij Fjalori: “luftë e armatosur që bëhet ndërmjet forcave e klasave kundërshtare brenda një shteti”, sikundër kanë qenë Revolusioni Frances, në 14 korrik 1789, apo Revolucioni Socialist i Tetorit në Rusi, në 7 nëntor 1917. Këto janë luftra që lindin si rrjedhojë e “pakënaqësisë klasore”, z.Rron Gjinovci, por jo luftë për t’u çliruar nga të huajt.

Sikundër shihet, revolucioni shoqëror është një konflikt ekonomik midis forcave prodhuese dhe marrëdhënieve në prodhim e që merr formën e konflikti shoqëror midis klasave shtypëse (reaksionare) dhe klasave të shtypura (përparimtare), të cilat i shpjegon qartë z.Bashkim Musliu në reagimin e tij.

Rebelimi klasor është një kthesë rrënjësore kryesishtë ekonomike i shoqërisë, nëpërmjet të cilit kalohet nga një formacion ekonomiko-shoqëror, në një tjetër. Ndërsa Lufta Çlirimtare e Kosovës, (të cilën shumë historianë, analistë e politikanë në Kosovë duan ta quajnë “Lufta e UÇK-së”, gjë që s’është e drejtë), nuk kishte të bënte aspak me revolucion shoqëror, me “pakënaqësi klasore”, që të kërkonte rrëzimin e Qeverisë Paralele  të Kosovës, “Qverinë Bukoshi”. Sikundër e pamë, me t’u çliruar Kosova prej kolonizimit serb, në pushtet u kthye ish-administrate e paraluftës, ajo që kishte emëruar LDK-ja, e cila është pothuaj tërësishtë edhe sot. Gjë që vërteton në mënyrë të pakundërshtueshme se ajo luftë nuk pati aspak karakter shoqëror, por thjeshtë luftë për çlirim kombëtar e pavarësi. Dhe ishte e tillë sepse ajo luftë nuk lindi “mes vet shqiptarëve”, sikundër shprehet z. Rron, por lindi si rrjedhojë e pabarazisë, diskriminimit dhe i shtypjes kombëtare nga sundimi Serbisë, që zhvillohej njëlloj si dhe gjatë Jugosllavisë së vjetër kundër shqiptarëve, të cilët i kategorizonin si “popull i dorës së dytë”.

Nga ana tjetër, Lufta Çlirimtare e Kosovës ishte një luftë popullore dhe jo kryengritje. Po t’i referohemi përsëri Fjalorit të Shqipes së Sotme, “kreyngritja është një luftë e armatosur e masave popullore për t’u çliruar nga zgjedha e huaj, a për të përmbysur regjimin shtypës”. Por, sikundër u shpjegova më lart, lufta jonë nuk pati karakter të dyfishtë, çlirim kombëtar e çlirim shoqëror. Që nuk pati karakter të çlirimit shoqëror, që do të thotë luftë civile, duket në faktin se nuk u hodh as edhe një parullë për përmbysjen e regjimit paralel të LDK-së në Kosovë.

Për këtë më lejoni t’iu kujtoj faktin tjetër se parullat kryesore që u hodhën nga Lëvizja Popullore e Kosovës gjatë asaj lufte çlirimtare, ishin: “Ne luftojmë për shtet dhe jo për pushtet”, “Kontriboni në Fondin Vendlindja Thërret!”, “Popull!, rrëmbeni armët kundër pushtuesit!” etj parulla të ngjashme me këto.  Sikundër shihet, nuk u hodh asnjë parullë kundër LDK-së nga kishte dalë Qeveria Bukoshi, as kundër presidentit Rogova, as kundër Parlamentit të Kosovës i dalë nga zgjedhjet e përgjithshme popullore gjatë viteve ‘90-të. Nëse do të kishim parulla kundër këtyre isnstitucioneve të Kosovës së atëhershme, atëherë z.Rron Gjinovci do të kishte plotësishtë të drejtë ta quante Luftën Çlirimtare të Kosovës, luftë civile, një rebelim si rrjedhojë e “pabarazisë klasore midis vet shqiptarëve”.

Përsa i përket luftës në fjalë në Kosovë, ajo ishte luftë popullore. Si e tillë, ajo ishte luftë e armatosur e masave popullore për liri e pavarësi kombëtare pa dallim bindjesh politike, luftë që lejoi të arrihej fitorja edhe mbi një armik që pati epërsi në trupa e armatime, karakteristikë kjo e gjithë luftrave çlirimtare botërore. Dhe kjo më duket se u vërtetua katërcipërisht në Kosovë.

Prandaj, deklarata e z.Rron Gjinovci se për shpërthimin e asaj lufte: “një rol shumë të rëndësishëm ka luajtur edhe pabarazia klasore mes vet shqiptarëve”, nuk qëndron aspak, por  as edhe shprehja tjetër: “pakënaqësia klasore të ketë qenë arsyeja e vërtetë e rebelimit të klasës së bujqve fshatarë”. Por shkaku i vërtetë, i vetëm dhe kryesor për shpërthimin e asaj lufte ka qenë ajo çka z.Rron thotë në pjesën e parë të deklaratës së tij, se ishte “shtypja kombëtare ndaj shqiptarëve që zë vendin më me rëndësi në krijimin e vetëdijes kryengritëse”.

Duke qenë se ajo ishte një luftë e masave të gjera të popullit, pa dallim bindjesh politike, ajo ishte një luftë e drejtë. Pse ishte luftë e drejtë dhe çlirimtare prandaj gëzoi përkrahjen e gjithë demokracisë botërore dhe këtu qëndron edhe një ndër burimet kryesore të forcës e të epërsisë së asaj lufte kundër një armiku shumë herë më të fuqishëm. Duke qenë një luftë çlirimtare ishte një luftë e drejtë, ndaj u bashkua me të i gjithë kombi shqiptar si dhe gjithë Evropa Perëndimorë, SHBA dhe Kanadaja, duke u bërë aleatë me ne edhe Pakti Euroatllantik, NATO-ja. Ajo ishte një luftë e vërtetë çlirimtare, një luftë në të cilën mori pjesë i gjithë kombi shqiptar, që nuk qe parë qysh prej Lidhjes së Prizërenit. Po qe se do të ishte një luftë klasore midis fshatrëve bujqë dhe Qeveris Bukoshi, ajo luftë nuk do të merrte kurrë karakter kombëtar.

Nëse ajo luftë do të ishte, sikundër shpreher z.Rron Gjinovci, “rebelim i klasës së bujqve fshatarë”, do të ishte thjeshtë një revoltë spontane, dhe si e tillë nuk do ta gëzonte kurrë një përkrahje kombëtare e ndërkombëtare, pasi do të quhej çështje e brendëshme e Kosovës së Qeverisë Bukoshi dhe e LDK-së.

Shpresojmë se z.Rron Gjinovci, nëse e ka thjeshtë një qorollisje këtë mendim për Luftën Çlirimtare të Kosovës, do ta kuptoi këtë faj të tij dhe do t’u japi fund këtyre spekullimeve me çështjen kombëtare. Në të kundërt është mirë të deklarohet haptas se me cilën palë ka qenë dhe është: Me UÇK-në apo me Armatën Serbe.

 

4 tetor 2017

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …