Dilaver Goxhaj: Një libër që i mbanë parasysh lexuesit e tanishëm dhe ata të ardhshëm

Në përgjigje të disa “historianëve”, gjoja atdhetarë të mëdhenj, Sabri Maxhun Novosellës, Blendi Fevziut dhe Uran Butkës, të cilët Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare Shqipatre, 1939-1944, e akuzojnë si luftë civile ndërsa dhe drejtuesit e saj si vegla qorre të jugosllavëve, studiuesi Fitim Çaushi u përgjigjet me librin e tij modest “Enver Hoxha dhe tellallët politikë”, botim i “Argjiro”, 2013, gjithsej 280 faqe.

Përmes këtij libri, i cli dallohet për stilin polemizues të jashtëzakonshëm, (nuk e teproj aspak nëse e quaj ndoshta ndër më të rrallët në letërsinë e polemikës politiko-letrare shqiptare), me një fjalor të zgjedhur dhe me shumë kulturë, Fitim Çaushi e detyron lexuesin të “gozhdohet’ në tavolinë derisa ta mbarojë së lexuari. Dhe, e veçanta e këtij libri polemist të historisë qëndron në faktin se ai, përveç 75 autorëve të ndryshëm, prej të cilëve 20 janë të huaj, ai u referohet edhe  gjithë botimeve kolaboracioniste gjatë viteve 1939-1945 si dhe dokumenteve arkivore të Londrës, të përmbledhura në librin e autorëve W. Bland dhe J. Price, të titulluar “A tangled web” ( “Një rrjetë merimange e ngatërruar”) dhe atyre të Atrkivit të Shteit dhe të Ushtrisë, të cilat e bëjnë sa të besueshëm gjithçka që autori trajton në përgjigje të këtyre falsifikatorëve të historisë së asaj lufte,

 aq edhe duke i dhënë historiografisë shqiptare një vepër monumentale, duke u ardhur në ndihmë të gjithë atyre studiuesve dhe historianëve që janë marrë e do të merren me studimin e asaj periudhe historike të Shqipërisë.

Fitim Çaushi nuk i merr veç e veç këta tre autorë, por duke i cituar në bllok për secilën çështje që ai e merr në analizë, të cilët, nëse e kanë lexuar këtë libër dhe nëse do të kishin sadopak sedër njerëzore, jo vetëm që nuk do të kishin më kurajë të shkruanin për temën e LANÇ-it, por ndoshta as që të guxonin të dilnin më në publik me botime të kësaj fushe. E tillë është forca argumentuese e Fitim Çaushit, duke e faktuar me dokumentet e dërguara nga oficerët e misionit anglez dhe amerikan në Shqipëri gjatë asaj lufte, ku vetëm ato arrijnë në mbi  400 referenca si dhe me shkrimet e vetë gazetave kolaboracionistëve të asaj kohe. Dhe ajo që e bën edhe më shumë të besueshëm këtë libër është fakti se këto dokumente angleze, të botuara në Londër në vitin 1986 dhe ndodhen prej atëherë në Bibliotekën tonë Kombëtare, nuk janë cituar pothuajse aspak nga historianët tanë. Gjë që tregon

 për këmbënguljen dhe zellin hulumtues të këtij historiani të vërtetë, edhe pse nuk e ka diplomën universitare për histori por për shkenca të tjera shoqërore. Bazuar në përmbajtjen e tij, ilbri ndoshta mund të kishte ndonjë titull tjetër, dhe kjo duhet të jetë arsyeja kryesore pse nuk ka gjetur jehonë dhe nuk është propaganduar nga shtypi dhe mediat e tjera shqiptare të Tiranës por edhe të Gjirokastrës, ku autori ka punuar e punon ende. Por mos propagandimi i këtij libri mundet të jetë edhe për faktin se lukunia e “historianëve” mohues të nderit shqiptar dhe, veçanërisht të historisë së asaj periudhe e njohur me emrin Lufta nacionalçlirimtare, është rritur e po rritet nga dita në ditë dhe botuesit apo drejtuesit e medieve të ndryshme janë tutur dhe nuk guxojnë të propagandojnë të tilla vepra dhe të tillë autorë të guximshëm, ngaqë këta të tre kapso historianët tanë kanë përkrahjen edhe të  “baballarëve të kombit”.

Fitimi, duke i hulumtuar të gjitha këto fakte dokumentare, ka marrë penën dhe me shumë zell i vë tre autorët e cituar në fillim të këtij shkrimi me shpatulla për muri, gjë që të kujton Diogjenin e lashtësisë, i cili rokullisi vozën e tij nëpër Kranë për të mos u dukur se rrinte duarkryq, ashtu edhe Fitimi u kundërvihet pseudo historianëve Fevziu, Butka e kosovarit Maxhun Novosela, të cilët i janë përveshur punës për të mohuar lavdinë e popullit shqiptar. Fitim Çaushi, duke qëndruar me mençuri larg kujdesjeve strikte që kërkon të shkruarit e një historie, ai u jep historianëve një udhëzim të vogël dhe disa këshilla, që kështu të marrë pjesë edhe ai në punën ndërtimore të historisë, e cila Butkës, Fevziut e Maxhunit u duket se qenka një punë fare e lehtë, e thjeshtë dhe plotësisht e arritshme, të cilët kujtojnë se historia mund të shkruhet me ç’t’u vijë

 në mendje. Dhe kjo ndodh ngaqë këta të tre kapso historianët nuk e dinë se historia kërkon kujdesin më të madh, nëqoftëse duam të krijojmë një përmendore të përjetshme, dhe që është historia e jonë. Jam i sigurtë se secili lexues, studjues dhe me siguri çdo historian që do ta lexoi këtë libër, jo vetëm që do të ndërojnë mendje nëse janë mashtruar nga historianët falsifikatorë e sidomos “historianët” pinjollë legalisto-ballistë, por ata që kanë shkruar vepra të tilla do të ndihen keq. Prandaj bën mirë Fitim Çaushi që u drejtohet këtyre pseudo-historianëve, me qëllim që po të guxojnë të ulen e të shkruajnë përsëri për atë periudhë të historisë shqiptare, nuk do të guxonin t’i hapnin luftë Fitim Çushit, pasi kanë para syve të tyre një model të caktuar historie. Butka, Fevziu dhe Maxhuni nuk merren me përshkrimin e ngjarjes, sikundër bën historiani i vërtetë, por ndalen në

 fyerjet ndaj asaj lufte dhe personave që e organizuan dhe e drejtuan atë luftë, ngaqë e dinë se fyerjet kujdesen vetëm për një gjë: si ta poshtërojë personin sa më shumë dhe si të kënaqin sa më shumë pasardhësit e kolaboracionistëve shqiptarë të atëhershëm e të sotëm. Dhe kjo ndodh se Butka, Maxhuni dhe Blendi Fevziu nuk e dinë se historia nuk i duron kurrfarë gënjeshtrash, qofshin ato edhe të rastit e të parëndësishme. Fevziu, Butka e Maxhuni kujtojnë se të bësh histori do të thotë të kesh liri të plotë, njësoj sikur të shkruash poezi apo roman. Dhe kjo është e meta e madhe e Butkës, Fevziut dhe e Maxhunit, të cilën e vëren çdo lexues i theshtë i këtij libri, kur lexon argumentat e faktuar të Fitim Çaushit, i cili, përmes asaj faktografie i bën tepër qesharakë ata kapso historianë.

Libri polemizues historik, për Luftën tonë Antifashiste Nacional-çlirimtare, i Fitim Çaushit, ia arrin qëllimit që ai  ka vënë vetes, i cili është edhe qëllimi i historisë: e dobishmja, dhe kjo e dobishme ka për burim vetëm të vërtetën e thënë përmes dokumentave autentikë, por që shoqërohet edhe me leximin e këndshëm. Kështu që libri polemizues historik i Fitim Çaushit ka brenda edhe të vërtetën historike edhe të këndshmen, ndaj dhe ka për të tërhequr shumë adhurues të historisë. Çdo fjalë e këtij autori është peshuar ashtu sikundër peshon sarafi monedhën e floririt.

Tiranë, 20. 07. 2014

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …