Dilaver Goxhaj: Një tragjedi Makbethjane në letërsinë shqipe

(Vështim rreth librit të Ylli Polovinës, “Ndarje me të shkuarën)

“Akuzoje fatkeqësinë që ajo të mos marrë përmasa më të gjera, përndryshe fatkeqësitë zmadhohen”
Shekspir

Letërsia e sotme shqipe dallohet për larminë e madhe të stileve apo të rymave, duke mos patur uniformitet midis tyre, por që ende nuk është larguar fuqia ndikuese e autoriteteve të vjetër. Kjo erdhi si rjedhojë e hapjes dhe njohjes me letërsinë botërore, e në mënyrë të veçantë me atë Perndimore. Dhe kjo është e natyrshme, pasi edhe populli ynë i shkolluar, filloi të hyjë në pjesën më të qytetëruar të njerëzimit si rjedhojë e një nevoje të përgjithëshme. Ky shpërthim stilesh dhe rymash të reja erdhi pas një lumë përkthimesh, dhe Ylli Polovina është ndër të parët shkrimtarë, jo si rjedhim i imitimit të verbër të influencave të letërsisë përparimtare botërore, por si rjedhojë e nevojës së përgjithëshme dhe frymës zotëruese të kohës. Më së shumti letrarët tanë i ka tërhequr dhe vijon të tërheqë gjithnjë e më shumë vëmendjen pasqyrimi i ish-diktaturës komuniste dhe i proceseve demokratike në Shqipëri, sidomos periudha 1980 – 2000, pasi karakterizohet me shumë ngjarje, pasoja dhe konflikte politike, shoqërore dhe ushtarake, ku kritika e diktaturës dhe e palaço-demokracisë shqiptare në veprat e të gjitha gjinive të artit është mjaft e ashpër edhe e mprehtë. Një prej shkrimtarëve që e ka analizuar dhe vijon të na i paraqesë këto ngjarje në kapërcyellin e këtyre tre dekadave tona historike është edhe z. Ylli Polovina, ku angazhimi i tij politik dhe artistik kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë premisa të domosdoshme për të krijuar vepra letrare të fuqishme dhe realiste.
Ndër veprat e Polovinës, të cilat janë rreth dhjetë të tilla e më shumë, një prodhimtari e jashtëzakonshme, do të vecoja librin e tij të hedhur në qarkullim ditët e fundit, të titulluar “Ndarja me të shkuarën”. Në këtë vepër përshkruhet jeta dhe veprimtaria politike dhe shtetërore e përditëshme e zyrtarëve të lartë të periudhës së diktaturës komuniste në dhjetë vjetët e fundit të atij sistemi, duke na dhënë tablonë e plotë të njërit prej dikastereve më të frikshëm të asaj diktature, Ministrinë e Brendshme. Subjekti ka të bëjë me një ish antar të PPSH-së, me funksione të larta partiake e shtetërore, që thirreshin funksione të nivelit të dytë të nomenklaturës komuniste, Sekretar i Parë i Partisë në dy rrethe dhe në një rajon të kryeqytet, si dhe zevendës Ministër i Punëve të Brendëshme për Sigurimin e Shtetit, i prezantuar në libër me emrin Shahu, i cili mbulonte zbulimin sekret të jashtëm të Republikës së Shqipërisë në 10 vjecarin e fundit të diktaturës si dhe sigurimin e jetës së udhëheqjes së lartë të partisë e të shtetit, përfshi dhe Enver Hoxhën. Shahu na jepet me të gjitha ngjyrat një nëpunës i lartë, besnik i diktaturës e i ndërgjegjëshem, duke i plotësuar detyrat në mes të ngjarjeve nga më idiotet dhe që nuk i duket vetja në kontraditë, sepse bëhej fjalë të mos lihej gjallë ose të mos punonte më në struktura të rëndësishme shtetërore kushdo që konsiderohej simpatizant i ish kryeministrit apo ish Ministrit të Brendëshëm të pushkatuar. Autori na rrëfen se si Shahu, por edhe kolegët e tjerë zëvendës ministra, jetonin në një lumturi metafizike në një jetë absurde. Ngritja në përgjegjësinë e zëvendës ministrit për sigurimin, nga ish Sekretar i Parë Rrethi, tregon se sigurimi ishte më i rëndësishëm se partia dhe qëndronte mbi partinë, pavarësishtë se ndër parulla shkruhej “Partia mbi të gjitha”. Gjithashtu dashuria e tij për Enver Hoxhën dhe revolta e tij e paguximshme janë përcaktime të dinjitetit të kësaj kategorie nëpunësish, ku të gjithë na shfaqen robotë. 
Ylli Polovina ka një lloj mjeshtërie që të bën për vete, të bën që herë-herë të ndjesh keqardhje edhe për këta robotë të sigurimit edhe pse pjesën më të madhe të jetës së tyre në diktaturë e kanë kaluar duke ngrënë e duke pirë, pa u hyrë gjemb në këmbë. Kjo është mjeshtëri e Polovinës, e cila vjen nga që ai nuk e zbukuron as tregimin dhe as jetën, por as edhe nuk shpif kundër saj. 
Libri “Ndarje me të shkuarën” është një pasqyrim i gjithë makinacioneve që përdorte diktatura për eleminimin e atyre që do të pengonin bërjen Pasonjës të përzgjedhurit. Kush ka bërë përzgjedhjen? Këtë e mëson po të lexosh deri në fund librin. Aty tregohet ndoshta për herë të parë se si manipulohej me figurën dhe shëndetin e Enver Hoxhës për t’i bindur të tjerët se ai është në gjëndje mjaft të mirë shëndetësore, dhe se gjithëçka që “ne themi në emër të tij, janë fjalët dhe porositë e tij”, ku në të vërtetë ai ka gati dhjetë vjet që drogohet me ditë të tëra për të shkuar në kongres, për të dalë në tribunë apo për të marrë pjesë disa orë në mbledhjen e Byrosë Politike. 
Dhe këtë e dinë vetëm Pasonjësi i ardhshëm, e shoqja e diktatorit, mjeku dhe kryetari i grupit të rojeve të tij. Asmjë antar tjetër i Byrosë Politike nuk e ka ditur një gjë të tillë prej vitit 1975. Që Enveri ishte i sëmurë dhe që nuk drejtonte më ai por Pasonjësi i parazgjedhur dhe zonja e parë, këtë e dëshmon vet kjo e fundit në një intervistë dhënë në emisionin “Shqip”, në “Top Shou” në datën 03,09.2008: “sëmundja i zgjati 10 vjetë. Por gjatë këtyre viteve ai dilte, kur nuk kishte kriza”. Një fakt më shumë edhe ky që vërteton vërtetësinë veprën realiste të Polovinës. Këtë të vërtetë e përforcon edhe fakti kur ish Ministri i Brendëshëm K.H., në momentin që e zbresin nga makina para gropës ku do të pushkatohej, pyeti: “A e di Enver Hoxha se çfarë po bëni?”. Kur këtë e konstaton zëvendësministri që mbulonte sigurimin e jetës së tij befasohet: “Më pas i erdhën fjalë se kishin nisur ta drogonin. Në të vërtetë kësaj gjëje i thoshnin me fjalëne butë tonizim, sepse qene ilaçe të tilla që e stimulonin, edhe pse më pas do të pësonte përkeqësim. Kjo kurë kryhej për dy javë rrjesht dhe bëhej sa herë që për të ruajtur imazhin do t’i duhej të delte para publikut… Por drogimin sa për një a dy orë, qëndrimi para kamerave të televizionit të vetëm shtetëror, Shahu vetëm e dinte. Nuk e kishte parë kurrë. Ajo qe punë e fare pak personave, ndoshta e vetëm dyve, mes tyre edhe e bashkëshortes së diktatorit. Vetë ai do të kishte rast ta ndeshte kur as e pati përfytyruar.. në fundin e muajit të dytë të punës së re” (1982) 
Me këtë autori na portretizon jetën e kulisave politike në Shqipëri të tipit Makbethjan, ku ish Ministrin e pushkaton me dorën e tij vartësi i tij më i afërt; tragjedi kjo që në letërsinë tonë nuk ka patur një të ngjashme me këtë, as edhe në penën e Kadaresë. Sikundër thamë edhe më lartë, subjekti është marrë nga veprimtaria e strukturave sekrete të Ministrisë së Brendëshme dhe të institucioneve më të larta politike të shtetit pa u ngatëruar në hollësira historike. Aty na jepet një pasqyrë e pastër e historisë së luftës që është bërë për të pastruar rrugën e Pasonjësit të Enver Hoxhës dhe se si Pasonjësi i përzgjedhur prêt kokë njerëzish Heronj të Popullit, sikur prêt koka lakrash “Të gjithë ata që kishin bërë luftën partizane pothuaj qenë zhdukur njeri pas tjetrit. Aty ku nuk kishte nbaruar dot punë mosha apo ndonjë sëmundje, pati vepruar shpallja tradhëtar, arrestimi, internimi, burgosja dhe pushkatimi”, shpjegon protagonisti. 
Ironia tragjike, që i vë kapakun kësaj tragjedie është që Pasonjësi i Enverit dhe ata që e mbështesin në këto vrasje përshëndeten nga gjithë institucionet politike e shtetërore si shpëtimtarë të Shqipërisë, ndërsa bijtë e komunistave e të ish-partizanëve tentonin të arratiseshin. Kjo ironi tragjike tregon se kur një popull, i cili është i mërzitur nga diktatura e egër shtetërore është gati ta braktisë atdheun, madje qoftë edhe sikur të përfundojnë në burgjet e Perëndimit, të cilët i konsiderojnë më të mirë se jeta në Shqipëri, gjë që tregon se ky popull ishte në rrezik të humbiste edhe dinjitetin kombëtar. Dhe të gjitha këto tregohen mjeshtërisht nga autori i këtij libri. 
Te Polovina historia është shndëruar në vepër artistike, dhe ashtu e paraqitur artistikisht prej tij na jep një gjini krejt të re për letërsinë shqipe, një rrymë krejt e pangjashme me letërsinë tonë të deritashme. E them këtë sepse Polovina subjektet i merr nga personazhe realë që kanë qenë në qendër të ngjarjes apo periudhës historike që ai merr përsipër të na i tregoi artistikisht, duke u mbështetur në një veprimtari qind për qind të vërtetë, ku përveç protagonistit edhe personazhet e tjerë janë realë dhe jetojnë ende. Polovina nuk kënaqet me sipërfaqen, por hyn në thellësi; ai i jeton të gjitha dhe bashkon në personin e protagonistit praktikën e gjithë partisë në pushtet dhe atë të Sigurimit. Kët veçori të mos kënaqjes vetëm me sipërfaqen e dukurive e kemi jo vetëm te ky libër i autorit, por edhe te librat e tjerë “Shteti kundër”, “Nano e Berisha”, “Ditët e mbrapshta të një parlamenti”, “Ditari i Romës”, “Kur u vra Azem Hajdari”, “Një kolonel…” etj. Aq shumë ka hyrë Polovina në botën e personazheve sa kur edhe vet personazhi që është intervistuar nga autori, kur e lexon veprën dhe ato cka autori ka venë në meditimin e personazhit, këtij të fundit i duket sikur ia ka thënë ai edhe këto meditime. Kjo tregon se Polovina vazhdon të qëndroi midis historianit dhe shkrimtarit, (romancierit), dhe “gatuan”, bën “petë”, sikundër shprehet shkrimtari dhe poeti, Daut Gumeni, duke përdorur dy magje: atë të historisë dhe atë të romancierit dhe ende nuk ka vendosur se nga do të anojë. Neve na pëlqen që autori të qëndroi aty ku është, pasi kur lexojmë veprën e tij historiko-letrare ndjejmë kënaqësinë e atij personi që ha duke i mbajtur njërën dorë në revani dhe tjetrën në bakllava. 
Me sa duket Polovina do të vijoi të mbetet në këtë pozicion, pasi është sinqeriteti i tij që nuk e lejon të kalojë nga asnjëra anë. Që të kalojë në histori, sinqeriteti e pengon që të mos i bëjë modifikime, zbukurime apo shtrembërime historisë apo ngjarjes; ndërsa për t’u bërë shkrimtar duhet të fantazosh, por i sinqerti vetëm se e përfytyron dhe e ritregon artistikisht ngjarjen e treguar apo të mësuar; sinqeriteti nuk e lejon atë të bëjë shtesa sikundër bën romancieri. Dhe kjo vihet re shumë qartë, pasi Polovina nuk e krijon në librin e tij jetën nga fillimi, sikundër bën romancieri, por e riprodhon artistikisht atë, e rikrijon artistikisht duke zgjedhur tek ajo atë që nevoitet për ta pasqyruar jetën apo historinë në një kuadër të plotë. Heroi i Polovinës është njeriu që vepron lirisht. Jeta në veprën e Polovinës paraqitet lakuriq me gjithë bukurinë apo shëmtirën e saj, duke u qëndruar besnik gjithë hollësive, ngjyrave e nuancave të atij realiteti. Dhe kjo të bind se krijimtaria e Ylli Polovinës është realiste. Jo më kotë Gëte thotë se “Ai që është i vërtetë me vetveten dhe me të tjerët, ai zotëron talentin e madh të cilësisë”. Dhe kjo ndodh nga që Polovina nuk kërkon idealin e jetës, por vetë jetën ashtu sikundër ajo është apo ishte, pa e zbukuruar, gjë që në letërsinë socialiste, apo si quhej ndryshe, në letërsinë e realizmit socialist, romani dhe veprat e tjera artistike ishin idealiste, si pasojë e jetës sonë të idealizuar; ndërsa vepra e Polovinës është si pasojë e frymës së kohës që jetojmë. Kështu që ne do të kemi edhe në të ardhmen vepra të kësaj natyre dhe lusim të vazhdoi kështu. 
Në këtë libër si dhe në librat e mëparshëm, për Polovinën jeta nuk është një gosti e gëzueshme, sikundër konceptohej në letërsinë socialiste, por një shesh mungesash e vuajtjesh, një shesh lufte; dhe këtu e ka burimin ai pasqyrim artistik i historisë nga autori në fjalë. Personazhet e Polovinës më tepër vuajnë e ankohen, pavarësisht se si i kanë kushtet e jetës nga pozita që kanë në shoqëri; ata paraqiten ashtu siç është jeta në të vërtetë me më shumë hidhërime se sa gëzime; personazhet e tij nuk e lavdërojnë jetën, por gjejnë në të misteret e vuajtjeve të tyre. Polovina nuk përdor kurrë asnjë lloj leve a mjeti artificial në veprën e tij; përmbajtja e saj zhvillohet lirshëm, në mënyrën më të natyrshme, nga vetë thelbi i tyre. Pra, karakteristika kryesore dalluese e veprës së tij është e vërteta, ndaj dhe thamë pak më lart se Polovina duhet ta ketë të vështirë të shndërohet në historian; personazhet e tij janë njerëz të vërtetë ashtu si ata janë e si mund të jenë në të vërtetë. Dhe, ajo që të bie në sy është se uni i autorit nuk duket në veprën e Polovinës, nga që është krejtësishtë një histori e vërtetë e treguar sinqerisht përmes një vepre letrare dhe e lë lexuesin ta nxjerrë vetë përfundimin, nuk ia imponon mendimin. Polovina e ka zgjedhur këtë lloj gjinie ndoshta nga që e ka parë si metodën më të përshtatëshme për të na e treguar jetën apo historinë e djeshme ose të sotme artistikisht; ose ndoshta nga që koha e jonë është e uritur për vërtetësi; ose ende ai nuk është bindur nëse do të behet historian apo romancier. 
Ylli Polovina në librin “Ndarje me të shkuarën” na tregon makiavelizmin e grupit të Pasonjësit të tij, të cilët kujdesen që populli më mirë t’u ketë frikën se sa t’i dojë. Dhe kjo është një ndër më tragjiket në këtë libër. Diktatura i harxhon të gjitha energjitë e saj për të trembur popullin duke vrarë, burgosur e internuar të gjithë ata që mendohet se pengojnë që të jetë Pasonjës njeriu i përzgjedhur nga njerëz shumë pranë diktatorit por edhe nga shtete të Lindjes. “Bandini heshti dhe priti përgjigjen. Ato çaste Shahu po mendonte se paktin nuk e kishte bërë aq shumë me shërbimin e fshehtë Italian, por me atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I qe fanitur para syve hija e CIA-s. Pa nga drejtori i Zbulimit. Ky uli lehtësishtë qepallat për të thënë një “po”. … Pa u vonuar, drejtori i Zbulimit shqiptar përgatiti materialin me propozimin që patën marrë dhe ia dorzoi ministrit. Ky e quajti të dobishëm dhe ia përcolli menjëherë Pasonjësit..… Kur materiali doli nga zyra më e lartë e shtetit, ai ishte një “adakt”… Në sytë e drejtorit të Zbulimit Shahu dalloi një çast se ky po vërtiste ndër mend merakun mos kryetari i tyre i partisë dhe i shtetit në përzgjedhjen mes Perëndimit dhe Lindjes anonte disi më tepër nga këta të fundit” dhe se “Gropën kryeministrit shqiptar kanë dashur t’ia bëjnë rivalët e tij politikë në Tiranë. Nuk janë të djathtët, antikomunistët, por vetë të së majtës”, i thotë avokatit të tij Shahu, në Itali. Një jetë e tillë e bën Shqipërinë një ferr, por edhe krejt të çmendur. Dhe të gjithë këtë Ylli Polovina na e jep artistikishtë duke mos na dhënë as edhe një thënie për këtë qëllim të E H apo të pasonjësit të pritshëm. Ai vetëm se na tregon historinë, ndërsa këtë përfundim na e len që ta nxjerri vetë lexuesi. E megjithatë personazhet i tij në këtë vepër, ashtu si edhe në veprat e tjera, nuk filozofojnë. Ata flasin me gjuhën e fakteve dhe i lejojnë vetes nxjerrjen e atyre përfundimeve të cilat rrjedhin nga zhvillimi i natyrshëm i vetë ngjarjeve. Autori nuk përpiqet të na tregojë se cila është e drejta dhe cila nuk është në këtë apo në atë ngjarje dhe as se kush ka të drejtë; këtë ai ia lë lexuesit. Themi se është një tragjedi makbethjane pasi ambicja kriminale për të siguruar të qenët Pasonjës është e ngjashme si edhe në tragjedinë “Makbethi” të Shekspirit, por në përmasa shumë më të mëdha, pasi nuk vritet vetëm një Dunkan por me dhjetra të tillë për gati dhjetë vjetë rresht. Ambicja për të qenë Pasonjës na pasqyrohet ashtu sikundër është zhvilluar me të vërtetë, e paskrupullt, pa i shtuar as edhe një ngjyrë, pa mëshirë dhe papërgjegjësi, “është një kuçedër që ha vetëveten dhe krijon për popullin një Ferr mbi Dhe, më të llahtarshëm se ai i Dantes”, sikundër shprehet ngjashëm Fan Noli për tragjedinë “Makbethi”. Ferri i Ylli Polovinës nuk është fantazi e tij, por një Ferr i mbështetur në ngjarje reale të treguara nga aktorë dhe faktorë realë të ngjarjes. Nuk është një Ferr nëntokësor por është një shtet i tërë mbitokësor me tre milionë banorë. Por kemi vetëm një ndryshim të madh midis tragjedisë së Shekspirit dhe kësaj të Ylli Polovinës. Makbethit të Shekspirit iu bë gjyqi dhe ai e dinte se nuk do të ngelej pa u ndëshkuar, ndërsa Makbethët e diktaturës shqiptare jo vetëm nuk u ndëshkuan, duke u shprehur se “vendimet kolegjale nuk gjykohen”. Ata e mashtruan popullin dhe po e mashtrojnë sot e gjithë ditën dhe populli i zgjedh në krye të vendit. 

Kur lexon librin “Ndarje me të shkuarën” natyrshëm të lind pyetja se cila ishte ajo forcë aq e madhe e ambicjes për të qenë Pasonjës sa të bëhen disa tragjedi të tilla makbethjane? Dhe autori përmes tregimit na e shpjegon se ishte shkëlqimi i të qenit Pasonjës që ia verbon ndërgjegjen Pasonjësit, ku pas eleminimit të kryeministrit M.Sh duhej të eleminohej edhe ish Ministri i Brendshëm K.H., pasi edhe ky përbënte pengesë për Pasonjësin, qoftë nga aftësitë intelektuale por edhe nga kontributi, autoriteti dhe besimi që gëzonte në popull në raport me Pasonjësin. Njëkohësishtë, autori me shumë mjeshtëri e bind lexuesin se Pasonjësin e nxit në këtë tragjedi edhe e shoqja e Diktatorit, e cila ia forcon pushtetin absolut Pasonjësit të ardhshëm. Ajo, njësoj si edhe zonja Makbeth, nuk parashikon pasojat që do të kishte Shqipëria me ato vrasje, por sheh vetëm qëllimin imediat që Pasonjës të jetë me çdo kusht dhe me çdo mënyrë njeriu i përzgjedhur prej saj, duke mos i shkuar ndër mend që Shqipëria do të mbrinte në atë derexhe që mbriti. Themi se ndodh original si tek Makbethi, pasi edhe zonja e jonë makbethjane edhe Pasonjësi ynë i ardhëshëm makbethjan në këtë libër kanë gënjyer veten se me veprimet që bëjnë nuk po bëjnë gjakderdhje nga që nuk kanë qenë edhe më parë gjakderdhës, por ambicja i bën të tillë dhe ata nuk e kuptojnë që Pasonjësi është shndëruar në Makbeth, ndërsa bashkëshortja e diktatorit është shndëruar në zonja Makbeth. Këtë na e tregon vetë përgjegjësi kryesor i ruajtjes së diktatorit, kur ia tregon Shahut në kohën që ai ishte sekretar i parë, para se të emrohej zevendës ministër në vitin 1982, duke i thënë: ”Njeriu i rëndësishëm që merrej me ruajtjen e jetës së diktatorit tregoi se Enver Hoxha nuk ishte më i pari. Ishte mjaft i sëmurë dhe jo në gjëndje të kontrollonte e të merrte përsipër të gjitha punët e drejtimit të shtetit. Për këtë e ndihmon bashkëshortja dhe shokët e partisë.” Por edhe punonjësit me të cilët Pasonjësi dhe shëmbëlltyra e zonjës Makbeth kryejnë këto vrasje makbethjane, (sikundër kemi zëvendës ministrat, drejtorët dhe tërë përgjegjësat e tjerë në atë ministri), besojnë se me këtë Pasonjës dhe me këtë besnikëri ndaj tij do të qëndrojnë gjatë në këto poste. Mirëpo kur shikojnë se ata që futen nëpër ambasada u jepët fshehur pasaporta dhe ikin jashtë; kur mësojnë se demostrata në Shkodër apo vendosja e dinamitit tek monumenti i Stalinit dihej dhe përgatitej nga vetë Pasonjësi sëbashku me ministrin e tyre dhe ata që ishin shumë afër tij, tronditen e megjithatë përsëri u qëndrojnë besnikë edhe pse “I gjithë morali i kësaj fabule është se tashmë ka nisur ndryshimi i komanduar, revolucioni paralel. Ai i stimuluari, ai që duhet t’i dalë përpara të vërtetit dhe ta shmangë apo ta neutralizojë atë. Operacionin po e drejton pasonjësi”, sikundër i thotë Shahut kolegu i tij për policinë, të cilëve tashmë nuk u qesh më buza, por fillojnë e pëshpërisin me njeri-tjetrin; jeta u duket si një makth. 

Personazhi kryesor, Shahu, nuk kërkon të largohet nga detyra e zv. Ministrit ku sheh se si bëhen krimet, madje edhe e kundërshton ministrin e ri, antar i Byrosë Politike, i cili e kritikon për liberal, dhe këtë nga frika se mos e heqin nga ajo detyrë, në vend që të gëzohej. Shahun nuk e vret ndërgjegjia gjatë tërë kohës që është zv. ministër për krimet që bëheshin, edhe kur E.H. vdes, por as edhe nuk kërkon të falur, pasi e ndjen veten të pa përzier me krimet e diktaturës! Ai e përsërit shpesh se vetëm i ka shërbyer vendit dhe popullit të tij, pasi diktatorin e njëson me popullin. Kështu shprehet edhe një kuadër tjetër i MPB në takimin e punonjësve të asaj ministrie me Pasonjësin, të nesërmen e rëzimit të monumentit të Enver Hoxhës dhe tentativës së hyrjes së turmave në Bllokun e Udhëheqjes. “Vetëm andej nga fundi i mbledhjes, atmosferën e paqëtimit e kishte prishur një officer i Sigurimit.. Sipas asaj që ai shqiptoi, Ministria e Punëve të Brendëshme do të përdorej edhe një herë tjetër si shkaktare e të gjitha gabimeve që deri ato caste qenë kryer… Politika do të na bëjë mish për top. Mbi fatet tona do të pastrojnë të kaluarën e tyre ata që janë fajtorët e vërtetë të asaj që ka ndodhur”, edhe pse janë të ndërgjegjëshëm se janë ata që ia kanë zgjatur jetën diktaturës, i kanë shërbyer asaj dhe jo popullit. Jo më kotë latini thoshte se ai që ti nuk e lë të vdesë, ai s’të lë ty të jetosh. Kjo tregon se Shahu dhe kolegët e tij partiakë e shtetërorë, që e dinin të vërtetën se çfarë ndodhte me popullin shqiptar dhe nuk kishin guximin të reagonin haptas, ata do të mbeten gjithmonë shkurtabiqë të mjerueshëm. Duke mos i kërkuar falje popullit ata punonjës nuk mund të themi se janë ndarë nga e kaluara. 
Kritika e Polovinës është e dyfishtë. Ajo është kritikë edhe ndaj drejtësisë edhe ndaj politikës shqiptare. Këtu qëndron gjithë guximi i Polovinës, kritikë ndaj mënyrës së pandryshuar të politikës shqiptare e komanduar ende nga të huajt në dëm të interesave kombëtare dhe këtë autori e nënvizon: “Nuk i qe larguar nga mendja një lajm i agjensisë Tanjug… Shahu prej punës në shërbimet e fshehta kishte aq përvojë sa të kuptonte se ajo klishe formulimi nuk kishte vetëm qëllim dizinformues, por ishte edhe si platformë që duhej të zbatohej. Qe patjetër një skemë aksioni, një kod i përcjellë qartë për të vetët në Tiranë se si duhej të vepronin” Shahu, personazhi kryesor, edhe pse i sheh të vërtetat dhe padrejtësitë që zhvillohen në kurriz të popullit dhe të shtetit, ai mjaftohet t’i konsumoi duke medituar me vehte ose maksimumi i diskuton fshehtas me kolegun e tij që mbulon policinë dhe të dy nuk i çojnë më tej. Mjaftohen vetëm me një pëshpëritje fshehtas nëpër kafenëtë dhe rrugët e Tiranës. Pse Shahu dhe kolegu tjetër nuk guxojnë të hedhin më tej hapin? Kuptohet, nga frika se do ta pësonin si ministrat e tyre paraardhës, por ndoshta edhe për të mos humbur karjerën dhe privilegjet. Të dyja qëndrojnë. Mirëpo dihet se privilegjet e çdo lloji qofshin, janë varri i lirisë dhe i drejtësisë. Dhe, ajo që bie në sy është se këto dyshime për “një kod i përcjellë qartë për të vetët në Tiranë”, Shahut nuk i lindin qysh në fillimet e tij si funksionar partie, por pas disa vjetësh si zv.ministër për sigurimin, pasi atje pa me sy rrethin e shtatë të Purgatorit. Ndjenja për të zgjatur sa më shumë karjerën e tij personale e të privilegjuar si sekretar i parë, ai pranon t’i nënshtrohet edhe kryetarit të Degës së Punëve të Brendëshme të rrethit ku ishte sekretar i parë si dhe drejtorit të burgut, edhe pse ata ishin vartësa të tij, edhe pse është më se i bindur se ndaj të burgosurit të ndërgjegjes, Labit, bëhej një padrejtësi makabre. “Të ndërhynte edhe më ishte një thikë me dy tehe. Kryetari i Degës mund të qe ndonjë prej atyre të skajshmëve, që fanatizmin e vet mund ta çojnë deri në denoncimin e vetë atij, sekretarit të parë të partisë”. 
Në librin “Ndarje me të shkuarën” theksohet qartë se shkaktarët e vërtetë të asaj tragjedie që shkaktoi ajo diktaturë, duke shfrytëzuar lidhjet e tyre të vjetra me persona të fuqishëm e të dyfishtë në Perëndim (agjentë dhe tregëtarë njëkohësishtë), lidhje jo si rjedhojë e aftësive të tyre profesionale, por si rjedhojë e funksioneve dhe pushtetit që u pat dhënë PPSH, jo vetëm që i shfrytëzojnë ato lidhje ende por përsëri ata përfitojnë ekonomikisht vetëm për vete, jo për popullin. Mirëpo, me sa dimë, Norman Betyn thotë se tregëtarët e mëdhenj nuk kanë Atdhe. Dhe këtë a mund ta quajnë ndarje me tëshkuarën? Kjo situatë bashkëfajësie e Shahut dhe e kolegëve të tij me udhëheqjen e lartë të PPSH, brejtje ndërgjegjeje ose pendimi, realisht e pazgjidhëshme, përfundon me disa tentativa të stisura nga vet ata se gjoja po kalohet në demokraci të imponuar, por që faktikisht veprohet sipas porosive të agjenturave të huaja, “një kod i përcjellë qartë për të vetët në Tiranë”. 
Të dy zevendës ministrat e MPB e pranojnë se në brezin e ri shqiptar tek bijtë e ish partizanëve por edhe të komunistave mbijeton kerkësa për një jetë më të pastër, ku të zotërojë e vërteta, sinqeriteti, jeta më e mirë ekonomike dhe më e moralshme, pavarësishtë se nuk e urrejnë PPSH. Brejtja e ndërgjegjes tek të rinjtë përjetohej tek dëshira për të braktisur atdheun për një jetë më të mirë. Dhe për këtë udhëheqja e lartë kishte dijeni të plota. Mirëpo përballë kërkesave të tyre qëndron kjo udhëheqje e lartë, si dhe ajo një shkallë më poshtë saj, ku bën pjesë edhe Shahu me kolegët e tij, edhe pse prindërit e tyre kanë luftuar sëbashku me të atyre që duan të aratisen. Kjo është drama. Veçse në një moment të caktua, kur lindi nevoja e fuqizimit apo e zëvendësimit të kuadrove të vjetyra të partisë dhe shtetit me kuadro të reja, në mesin e viteve ’70-të, atëherë kur vetë Shahu bëhet sekretar i parë i një prej rajoneve të Tiranës, na lind konflikti në marrëdheniet midis logjikës së fitimit e mosdorzimit të të gjithë pushteteve në duar të tjera, përveç se në duart e bijve, dhëndurëve, nuseve, krushqëve, nipërve e mbesave të nomenklaturës klanore. Ato pushtete duhet t’i mbajnë me çdo kusht vetëm klanet e krijuara në udhëheqjen e lartë, në Byronë Politike, duke mos ia dorzuar pushtetin as bijve të atyre që derdhën gjak për një Shqipëri të re dhe kjo u realizua përmes nepotizmit dhe krushqive, sikundër ndodhi edhe me Shahun. “Të gjithë e dinin simpatinë e Enver Hoxhës për familjen e tij dhe emërimi në Ministrinë e Punëve të Brendëshme u përfol si vendosje e njeriut të tij në një pikë kyçe”. I vetmi në atë udhëheqje që nuk krijoi klane ishte kryeministri. “Ajo që Shahun e tundonte më shumë në temperamentin e kryeministrit, ishte virtyti që nuk donte e as përpiqej të dinte si të krijonte klane apo grupazhe. Në Ministrinë e Punëve të Brendëshme, me gjithë pastrimet radikale që mbi të ranë pas vdekjes së tij, më shumë i shpifën se i gjetën përkrahës. Nuk u zbuluan mbështetës të lidhur me fije klanore as në sektorët e tjerë të partisë apo administratës shtetërore”, ndaj dhe ai duhej eleminuar që të trashëgohej pushteti; ndyshe këputej zinxhiri. Pasonjësi dhe klani i tij e trajtojnë këtë cështje të ardhjes në pushtet dhe në krye të partisë të elementëve jashtë klaneve të tyre si një problem armiqësor, nga frika se mos kuadrot e reja apo edhe kryeministri dhe simpatizantët e tij lidheshin me Perëndimin. Kjo frikë solli si domosdoshmëri edhe likuidimin e kryeministrit autoritar shqiptar. Dhe “Kur bëhej fjala për të shpallur armiq të mëdhenj të partisë, zgjidheshin hetues të tillë që i shtrëngonin të pandehurit të pranonin atë që vinte e porositur nga lartë. Po ashtu kishte dijeni se pyetjet që i bëheshin bashkëshortes së kryeministrit të vetëvrarë vinin të gjitha të hartuara me shkrim nga mjedisi përreth Enver Hoxhës”, shprehet protagonisti i këtij libri. Me këtë dëshmi të njërit prej levave kryesore të asaj diktature, lexuesi e kupton se gjithë këtë tragjedi e kanë përgatitur dhe e kanë realizuar Pasonjësi i ardhëshëm dhe njerëzit e tjerë “nga mjedisi përreth Enver Hoxhës”, të cilët e drogonin gjatë gjithë kohës, ndërsa të gjithë antarët e tjerë të Byrosë Politike nuk e dinin që ai ishte i sëmurë, u mbahej fshehtë njësoj si vdekja e Timur Lengut apo e Sulltan Hamitit në Krujë. Për këtë të bind edhe fakti tjetër që gjyqet zhvilloheshin me dyer të mbyllura dhe ekzekutimet i bënin natën e në fshehtësinë më të madhe, ku edhe sot nuk u dihen varret, gjë që tregon se ata kishin frikë nga të arestuarit dhe nga ndikimi i tyre në popull. Shahu dhe kolegët e tjerë të nivelit të tij si edhe ata më lartë, që të rrinë në ato pozita apo të ecin edhe më lartë i shmangen luftës kundër vrasjeve të tilla makbethjane, madje e ofendojnë në momentin e pushkatimit edhe ish ministrin e tyre që i patën shërbyer besnikërisht e me ndërgjegje për gati 30 vjet, edhe pse i shohin qartë që ato vrasje janë kundër interesave kombëtare; madje bëhen konformistë, zënë një pozitë mikroborgjeze dhe nuk ngurojnë të përfitojnë për vete edhe në ato rrethana që vetë ata e shihnin se shpërblehej vetëm ai që arestonte më shumë bashkëqytetarë, duke i shpalluar armiq se gjoja bënin agjitacion e propagandë. Mirëpo, populli thotë se aty ku duhet folur, heshtja është krim. Ata ishin besnikë fanatikë të diktaturës sepse kishin qar prej saj. Fanatizmi, është sëmundje e rrezikshme; ai e ngjall ligësinë dhe të keqen në natyrën njerëzore; ai i nxit njerëzit në inat dhe në urrejtje, shprehet diku Servantes. 

“Lufta e klasave, thotë protagonisti, ishte furnizuesi i punës së tyre. Po të zbutej apo të ndërpritej, ata mbeteshin pa punë….Në fund të çdo viti shpalleshin si më të dalluar ata që kishin kryer më shumë arestime për agjitacion e propagandë. Agjitacion-propaganda ishte shndëruar në punën më të lehtë të një punonjësi të Sigurimit”, edhe pasi kish vdekur Diktatori. Sigurimsat fanatikë që bënin këto përgjime e denoncime, tregon se kishin hequr dorë nga liria dhe si të tillë ata kishin hequr dorë nga dinjiteti njerëzor, nga e drejta njerëzore dhe nga të gjitha detyrimet e saj. Ndaj dhe ishin bërë të urrrejtshëm e të frikshëm në popull, edhe pse ishin hyjnizuar nga partia. Demokracia shqiptare u gjend e pambrojtur dhe e pafuqishme ndaj proceseve diktatorjale të PPSH, madje edhe kur ajo u përpoq t’i kundërshtonte ato procese. Vijimi i subjektit të librit shpalos dukshëm bindjen e autorit, e cila shprehet në rrjeshtat e fundit të librit: “Rrëzimi i njerëzve, përjashtimi i tyre përfundimtar, nuk i duhej kurrkujt, asnjë kombi, asnjë të shkuare dhe asnjë të ardhmeje. Ato që duhej të binin dhe po ashtu të rrëzoheshin për të mos u ngritur më qenë ideologjitë fanatike, regjimet politike pa liri”; i cili kërkon të thotë se regjimet diktatorjale kanë shkaqet e veta të lindjes, të cilët nuk shfaqen në boshllëk dhe nga hiçi dhe që në etapa të ndryshme fiton me dashje apo pa dashje mbështetjen e një pjese të popullsisë. Shahu i Polovinës gjatë gjithë diktaturës bën një jetë të lumtur e të qetë prej puritani edhe pse nga dita ne ditë shtohen lajmet e hidhura për dhunën, i cili është ndër të parët që i mëson. 
Shahu indinjohet, edhe ai mendon se duhen bërë ndryshime, por vetë nuk ndërmerr as edhe një nismë për të biseduar me Pasonjësin, i cili është eprori i tij i drejtpërdrejtë, por pret që gjithçka të bëhet nga udhëheqja e lartë dhe nga vetë Pasonjësi, me përjashtim vetëm të një rasti, për vëllanë e kryeinxhinjerit të uzinës “Partizani”, të cilin e ka patur dikur koleg pune. Pse nuk guxoi ta bënte atë veprim për të ridënuarin, Labin? Megjithatë mosveprimet e Shahut nuk mund t’i quajmë një shfaqje e thjeshtë e indiferentizmit apo i mungesës së vullnetit për t’u përzjerë në punët e Drejtorit të burgut apo të Kryetarit të Degës së Punëve të Brendëshme ose të kolegëve dhe eprorëve të tij. Shpjegimin e kësaj sjelljeje të Shahut autori e shpjegon me frikën e tij, pasi diktatura ishte një dukuri objektivisht e shpjegueshme. Sikur Polovina të mos na jepte komunikimet e Ministrit të tij të Brendshëm, antar i Byrosë Politike, me Pasonjësin, lexuesit nuk do t’i ngacmohej aspak mendimi dhe për lexuesin Shahu do të ishte i pa ngacmuar në ndërgjegje. Pikërisht, për të mënjanuar këtë rjedhojë, Polovina do na nxjerrë në pah si fajtor ose përgjegjës të parë të asaj diktature të egër jo vetëm diktatorin dhe Pasonjësin me ata që e rrethonin shumë afër diktatorin, por edhe kategorinë e nivelit të dytë të nomenklaturës udhëheqëse të Partisë e të Shtetit, me servilizmin dhe pasivitetin e tyre, duke i bërë bashkëfajtorë. 
Nocioni i bashkëfajësisë është mjaft specifik në këtë vepër letrare. Kuadrot partiake dhe shtetërore me të drejtë vendim-marrjeje, për autorin dhe lexuesin e librit janë përgjegjës nga që nuk kanë reaguar, qoftë edhe me dorëheqje ndaj metodave çnjerëzore të asaj diktature edhe në rast se nuk kanë marrë vendime të tilla. Ata nuk lëvizin as edhe gishtin e vogë të dorës dhe nga që nuk vendosin kur ato duhet të vendosin edhe kur e kanë kopetencën e tyre, pasi dridheshin edhe nga Kryetari i Degës së Punëve të Brendëshme e jo më nga Byroistët. “Funksioni i lartë partiak (sekretar i parë i rrethit) Shahut i jepte kompetencë të mbante nën kontroll edhe Degën e Punëve të Brendëshme të qytetit….. I kërkoi Kryetarit të Degës së Punëve të Brendëshme t’i shpjegonte përse i burgosuri Labi do të ridënohej. Tjetri u përgjigj shkurt: “Është armik i popullit”. Këmbënguli për të ditur më shumë e sërish Kryetari i Degës iu përgjigj me pak fjalë: “Ka qënë ballist.. Nuk na do”. Pas kësaj Shahu heshti. Të ndërhynte edhe më ishte një thikë me dy tehe. Kryetari i Degës mund të qe ndonjë prej atyre të skajshmëve, që fanatizmin e vet mund ta çojnë deri në denoncimin e vetë atij, sekretarit të parë të partisë”. Për një gjë kaq ordinere sekretari i parë nuk mund të delte mbi sigurimin e jo më të propozonte edhe një alternativë politike! Shahut nuk i bën përshtypje se tjetri dënohej për kapriço me vite të tëra burg dhe ai kapardisej nëpër qytet e fshatra si njeriu më i plotfuqishëm dhe me i përkushtuar për popullin! Edhe kur kolegu i tij për policinë ka bërë një gjë të tillë me shkrim, kur i kërkuan një studim, nuk ka guximin të kërkojë përgjigje, ndërsa Shahut as që i shkon ndër mend të bëjë edhe ai një hap të tillë dhe vazhdon të gëzojë privilegjet që i jep të qenët sekretar i parë. Qetësia dhe konformizmi mikroborgjez bëjnë që njerëzit si Shahu t’i kuptojnë proceset historike dhe rjedhojat e tyre “post festum”. Shahu dhe kolegu i tij për policinë, vërejtjet dhe kritikat që kanë për udhëheqjen e lartë, edhe kur Diktatori nuk jeton më, i bëjnë vetëm midis tyre dhe aspak në praninë e një të treti, qoftë ai edhe me bashkshortet e tyre dhe me kaq mjaftohen. 
Përsa i përket solidaritet midis Shahut dhe të burgosurve të tjerë shqiptarë, që ai gjen në burgjet e Italisë, ka më shumë shenja filantropie apo altruiste, duke e ruajtur të paprekur kujtimin e së kaluaras; madje i përkëdhelet sedra kur ata e thërrëasin “ministër” apo e respektojnë si ish sekretar i parë i rrethit të tyre. Mirëpo kur ishte sekretar i parë dhe kur vëllezërit e këtyre të burgosurve në Itali ridënoheshin atëherë në burgun e Burrelit, ky “i sjellshmi” i tanishëm as denjoi të shikonte të paktën një herë se si i kishin kushtet e jetesës të burgosurit, qoftë edhe në përputhje me ligjet që ai kish miratuar si deputet i asaj kohe, ndërsa kur ishte burgosur në Tiranë nuk e harronte që në supë gjeti një bisht miu. A i pat shkuar ndonjëherë ndër mend Shahut se si ushqeheshin të burgosurit e qytetit kur ai ishte sekretar i parë? Këtë temë ai nuk ia trajton autorit, por i shmanget me çdo kusht. Edhe në burgjet e Italisë ai sheh pavjone të këqinj dhe indinjohet. Kur e pëson për vete atëherë kujtohej të kritikojë por jo ama të kërkojë falje, që nuk është interesuar për bashkqytetarët e tij të burgosur kur ai ishte drejtues kryesor në rreth dhe as që interesohej aspak për ata të vuajtur. Ai kërkon të bëjë aleancë me të burgosurit e tjerë ordinerë shqiptarë në Itali, por jo të shkrihet dhe as të identifikohet me të burgosurit e tjerë. Nga ajo çka na përshkruan autori lë të kuptohet se Shahu e konsideron këtë aleancë të përkohëshme edhe si mjet për të kapërcyer vështirësitë e jetës së tij në burg. Edhe pse Shahu ka qenë kuadër i partisë dhe i pushtetit, i përzgjedhur personalisht nga Enver Hoxha, madje kuadër në dikasterin aneks të “pallatit të ëndrave”, edhe pse ai është arestuar një herë, prsëri ai nuk arrin të kuptojë plotësishtë mekanizmin e funksionimit të shoqërisë shqiptare në post-diktaturë ndaj dhe bie viktimë e një kurthi dhe arestohet në Itali. 
Vepra e Polovinës, të cilën mund ta quajm edhe roman, ka edhe një veçori tjetër. Ai është një roman i coptuar në dhjetra pjesësëza, të cilat janë tregime më vete. Ato mund edhe t’i botosh vec e vec dhe mund të përbëjnë tregime të vecanta. Duke qënë se ato pjesëza janë të shkrurtëra dhe të lexueshme shpejtë e lehtë, romani i Polovinës “fluturon”. Kjo është edhe një vecori interesante e veprës së Polovinës. Kjo vecori e veprës së tij tregon se ai ka një talent të dukshëm për tregimin e ngjarjes reale në mënyrë të gjallë e tërheqëse, gjini që ai nuk e ka lëvruar dhe nuk e ka provuar. Dhe ndoshta kjo aftësi, ky talent i tij prej tregimtari vjen nga vullneti, qëllimi dhe dëshira për të treguar artistikisht të vërtetat e jetës shqiptare. Në këtë aspekt mund të themi se letërsia e Ylli Polovinës është një hap i madh përpara për letërsinë shqipe, letërsi që të bën për vete jo vetëm me vërtetësinë e saj, por edhe me stilin e tij. 
Ajo që të mbetet në mendje nga ky libër është se shoqëria shqiptare në tranzicion, me mënyrën e saj të politikës ekonomike për shndërimin e njeriut në konsumator, është mjaft e rrezikshme për jetën njerëzore dhe ku tjetërsimi i njeriut, “ndarja e tij me të shkuarën”, merr në këtë rast një formë të veçantë. Ai përfshihet në logjikën e “konsumatorit” ku humbet çdo pavarësi, e cila krijon ndjenjën e pasigurisë, e cila ka zevendësuar ndjenjën e frikës në diktaturë. 
Pasonjësi i Enver Hoxhës me lojën me ambasadën italiane ku u futën Popajt; me dhënien e pasaportës fshehtas të atyre që u futën në kohë të ndryshme në ambasadën greke; me lejimin e ambasadorit gjerman për të përgatitur demostratën në Shkodër etj, tregon se i pat nënçmuar të drejtat dhe liritë e popullit të tij por edhe energjitë e tij. Dihet se të mbash pushtetin me çdo kusht duhet pa tjetër që të përdorësh dhunën ose demagogjinë duke krijuar superticione, sikundër Pasonjësi veproi me shpërthimet e stimuluara te dyqani “Flora” dhe te monumenti i Stalinit. Të kryesh veprime të tilla do të thotë të mbytësh një të vërtetë vetëm e vetëm për të mbajtur nën kontroll gjithçka, gjoja se nuk e linin “konservatorët” që të zbuste masat diktatorjale dhe të fuste demokracinë në vend si dhe për të bërë të pamundur daljen në skenë të një opozite politike. Pra, ai ndjek taktikën: E lejon të të kafshojë pak por jo të të marrë një copë të madhe, sikundër është pushteti. Dhe, për çudi, në këtë rast veprimi i tij përshëndetet nga qytetarët të cilët kërkojnë të jenë të qetë dhe i japin titullin e paqësorit që eleminoi luftën civile, por që ai u vetëkujdes vetëm e vetëm që të mos pësonte fatin e Çausheskut. Djallëzia e tij fiton përsëri. Pra edhe në ato momente kur në gjithë Lindjen ishte rëzuar sistemi komunist, Pasonjësi mendonte vetëm për veten e tij dhe klanin e tij, edhe pse pasi ai likuidon tërë ata që i zinin rrugën prë t’u bërë Pasonjës, ai u kultivoi popullit tonë “zotësinë” për të ndënjur në “radhë”, gjersa përfundimisht na u bë si një gjë e zakonshme, ndoshta na dallon edhe nga popujt e tjerë. Dhe mendoni pakëz se sa të vështirë e kish ky popull i veshur dosido për të qëndruar me orë të tëra në radhë në cikmën e dimrit apo të natës, ku herë pas here shpërthenin thirrje pakënaqësie te hidhura e plot vrer, material për sigurimsat. 
Që të jetë sa më i besueshëm për masat, që nesër të mos pengohet në planet e tij, Pasonjësi hedh parullën se “Shqipëria nuk është as Lindje e as Perëndim”, një parullë absurde, sikundër del në libër, për të trullosur dhe tërhequr pas vetes masat si dhe të fitojë kohë për të përzgjedhur personat që do të vihen në krye të partive pluraliste dhe të qeverive të ardhëshme. Dhe lexuesi befasohet kur mëson se numuri dy i partisë të porsalindur, opozitare e PPSH, e thërret Shahun në takim personal, kur ende ky ishte sekretar i parë i partisë në Berat, dhe i propozon në emër të kryetarit të partisë që të marri postin e Ministrit të Brendshëm pas zgjedhjeve parlamentare dhe ku parashikohej t’i fitonte opozita! “Kur u takuan në një bar të kryeqytetit, i afërmi i shoqes kishte në krah një prej vetëthemeluesve të partrisë së opozitës. Shahu doemos që u befasua nga e papritura dhe parandjeu se takimi nuk do të qe i zakonshëm. Ende pa porositur kafet, emëri shumë i njohur i antikomunistave i tha se vetë lideri i partisë së tyre e kishte ngarkuar ta pyeste nëse pranonte që në qeverinë e paszgjedhjeve të ishte në postin e Ministrit të Punëve të Brendëshme… Fjalët e përhapura thoshnin se këtë gjë e bënte vetë Pasdiktatori… me një person të rëndësishëm të Sigurimit”, tregon vetë Shahu. 
Mjeshtëria e Pasonjësit për të vepruar mbi instiktet kolektive të turmës tregon se këtu kemi elementë të uzurpimit tiran me masat, i magjeps ato dhe u ngjall pasigurinë dhe frikën për të nesërmen dhe, në emër të “unitetit” shoqëria të pranojë sakrifica të reja dhe politika ta shfrytëzojë atë qetësi për të përzgjedhur elementët më të përshtatëshëm për kushtet e reja, nga radhët e Shahut dhe njerëzve të tjerë si ai, për t’i vendosur në krye të institucioneve të reja të nesërmen. Dhe ashtu ndodhi. 
Të gjitha ngjarjet dhe personat në këtë libër janë shkruar besnikërisht, sipas tregimit të ish zevendës ministrit të Brendëshëm për Sigurimin, ngjarje që shumica e të cilave janë të pëshpëritura edhe në popull më herët por që Ylli Polovina nuk bën gjë tjetër veçse na i paraqet ato në mënyrën më dramatike, duke i lidhur ngjarjet aq bukur sa ka krijuar romanin ndoshta më të fuqishëm për përshkrimin e asaj diktature, duke e sintetizuar edhe me titullin “Ndarje me të shkuarën”, veprimet e personazheve të të cilit të kujtojnë personazhet e Sh. Musarajt: “Paçet fashizmit e vinçeremo-s, / se iku koha e Baba Qemos”. E themi këtë pasi ata nuk i bënë opozitë diktaturës, se vetëm atëherë kur bën opozitë fillon ndarja, thotë Balzaku. Ky titull vlen më tepër se sa dhjetra tregime, por ndarja e vërtetë me të shkuarën, sikundër del nga libri, është bërë nga populli, por jo nga ata që u privilegjuan vetë dhe familjarishtë nga diktatura mbi kurizin e fatkeqësive të të tjerëve. 
Së fundi më mbetet të themi e të urojmë që ky talent le të vijojë të shkëlqejë në letërsinë tonë.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …