Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: ORIGJINA E PACIFIZMIT RUGOVIST II

 

Ngjashmëria midis Rugovës dhe Mid’hat Frashërit

Interesante është se, si Mid’hati dhe Rugova janë publicistë dhe shkrimtarë; dhe, të dy, me t’u shndrruar në politikanë aktivë pushuan së qeni shkrimtarë, me të vetmin ndryshim, se Rugova ishte një intelektual i majtë dhe brënda një dite e ka parë të arsyeshme të konvertohej i djathtë! Të dy kokëfortë dhe intaçorë: “Mid’hat Frashëri ma i vendosuri kundër çdo marrëveshje me komunistët.”( Hasan Dosti “Nje jetë për çështjen shqiptare”,2008,f.82).

Rugova nuk njeh këshillë që i vjen në gjuhën shqipe. Ai nuk njeh këshillë që i flitet në shqip.” (Fadil Hysa: revista “Kombi”, Viti IV Nr. 29, datë 05. 08. 2000).

Të dy studentë të dalluar. Mid’hati  u shqua për bashkëpunim me strukturat e pushtetit xhonturk, Rugova si aktivist i zellshëm i LKJ’së dhe tepër bashkëpunues me strukturat e pushtetit komunist.

Të dy parapëlqejnë gjithnjë shoqërinë intelektuale të klasës së mesme, gjë që e konstatojmë si në udheheqjen e “Ballit Kombëtar” ashtu edhe në atë të LDK-së. Ata janë siguruar që përfaqësues si nga klasa punëtore edhe nga fshatarësia të mos kishin detyra shumë të rëndësishme në partinë e tyre. Kjo, jo vetëm për snobizëm intelektual, por edhe sepse kush kishte përvojë të vërtetë intelektuale të bazuar në privilegje ishte i prirur të hidhte poshtë dhunën, duke synuar ndjekjen e përmirësimeve graduale duke e parë me skepticizëm kryengritjen e armatosur.

Stili i tyre nuk është i studjuesit, pasi nuk citojnë shembuj se cili popull e ka fituar pavarësinë duke mos përdorur dhunën me armë kundër pushtuesit kolonialist, as parashtrojnë fakte që kundërshtojnë teorinë e tyre pacifiste, por në fjalimet dhe librat e tyre që kanë shkruar deri sot paraqesin vetëm ato që mbështesin qartë ose vërtetojnë atë që ata e quajnë të vërtetë përfundimtare.

Qasja e tyre ka gjithnjë tonin e rivendikimit, jo të kërkimit: rivendikim të diçkaje të shpallur prej tyre si e vërtetë e përkryer, për të cilën kanë bindje jo si studjues, por si besimtarë. Pra, për ata, faktet reale nuk kishin rëndësi parësore, gjë që tregon se ideja pacifiste e tyre nuk ka lindur nga puna abstrakte e intelektualit dhe imagjinatës, por ka qenë e rrënjosur thellë në karakterin e tyre individual, në mos e diktuar.

Edhe Mid’hati edhe Rugova si dhe shkrimtarët rreth tyre të njohur si intelektualë kozmopolitë, me këtë ide kanë lënë gjurmë në shoqërinë shqiptare, një gjurmë të rëndësishme dhe me rezultate të prekshme e të dëmshme për kombin, pavarësisht se kanë edhe sot të preferuarit e tyre.

Veprimtaria e tyre tregon qartë se ç’dëm sjell ideja pacifiste në kushtet e mbijetesës së një populli të vogël. Kjo, mendojmë se, mund ta ketë burimin te mosdëshira e tyre për njohjen e historisë, të vullnetit dhe dëshirave të popullit, edhe pse pretendojnë me shpatën zhveshur se ishin në sintoni me vullnetin e popullit.

Pasqyrimi pacifizmit në Programin Politik të LDK-së

Duke e parë me kujdes programin e LDK, i vetmi ndryshim midis idesë së Mid’hat Frashërit dhe LDK-së qëndron vetëm te emëri i “perandorisë”: Mid’hat Frashëri e justifikonte “për kushtet e Perandorisë Turke”, LDK-ja e justifikon “për kushtet evropiane”. Si është e mundur që me këtë pikëpamje dritëshkurtër të LDK-së u bashkuan të gjithë intelektualët oportunistë, ndërkohë që, armët duheshin rrokur me vendosmëri, me e nergji e me frymë luftarake edhe më të madhe se demonstrimet e viteve 1988-1989! Në vend që t’i shpjegohej popullit se ishte e domosdoshme një luftë e armatosur e patrembur, sikundër e shpërthyen Jasharajt, dhe nuk duhej të mjaftoheshim vetëmme demonstrimet paqësore, liria ishte e pamundshme, LDK i thoshte se vetën “me rrugë paqësore, pa dhunë, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtaredo ta mëvetësojmë Kosovën”! “Nëse për lumturinë tëndë të duhet leja e dikujt tjetër, je vërtet një mjeran i shkretë.”, thotë nobelisti Herman Hesse

 

Duk e e avancuar idenë e Mid’hat Frashërit, LDK-ja e përforcon disi më tej “besueshmërinë” e domosdoshmërisë së idesë pacifiste të nënshtrimit, duke e ngritur atë ide në një nivel edhe më të lartë, duke e bërë atë ideologjinë e saj. Nëse do të pranojmë se ideja pacifiste e Mid’hat Frashërit ishte një lloj politike që shprehte marrëdhëniet midis klubeve shqiptare si dhe me qeverinë xhonturke, LDK-ja e ngriti atë ide politike në ideologji, duke e bërë pjesë të ndërgjegjes shoqërore; duke e bërë sistem të ideve dhe pikëpamjeve të saj politike, juridike e filozofike, e cila e pasqyronte kokëposhtë realitetin ekzistues në Kosovë.

Kjo shprehet qartë në programin e LDK, të bërë prezent me rastin e 30 vjetorit të saj, ku thuhet: “Lidhja Demokratike e Kosovës si parti për veprim shoqëror-politik e kulturor të të gjithë atyre që aprovojnë orientimet programore të Lidhjes Demokratike e Kosovës dhe interest e saj, e cila angazhohet për reforma ekonomike e shoqërore që synojnë daljen sa më shpejt nga kriza, që mund të bëhet me zhvillim më të shpejtë ekonomik të vendit.” Sikundër shihet, duke gjetur katër a pesë fjalë dinakërisht dialektike, me të cilat ia mjegullojnë sytë lexuesit; kështu, ata që nuk i marrin vesh, i admirojnë, aq më tepër sa më pak që i kuptojnë. Ky fakt të bind se njerëzit gjejnë mjaft kënaqësi, sidomos në ato gjëra që i kanë më të panjohura. Por, edhe Lidhja Komuniste e Kosovës këtë gjë deklaronte, “interesat e Kosovës”, apo jo?

Pra, ideologjia programore e LDK-së nënkuptonte qëndrimin e Kosovës krahinë autonome e Serbisë, asgjë më shumë. gjithë interesi përqëndrohet te përfaqësuesit e inteligjencës së privilegjuar, të cilën e shpreh qartë programi politik i LDK, ku thuhet, se për fatin e Jugosllavisë jemi të brengosur dhe të preokupuar të gjithë, dhe se, e ardhmja e saj mund të garantohet po qe se për të angazhihen të gjithë subjektet e saj… Jugosllavinë duhet kuptuar si interes të secilit që jeton në të, pra, edhe të popullatës së Kosovës, e cila ruan të drejtës e saj të vendosë për fatin e vet.” Pra, në atë program ende fshihej ëndrra themelore e pacifistëve, uniteti federative. Këtë, Rugova e ka konfirmuar me shkrim edhe në deklaratën e datës 2 prill 1999 së bashku me Presidentin e Republikës Serbisë, Milutinoviç, të cilën e pranon edhe gjatë dëshmisë në gjyqin e Hagës në vitin 2002. (Shih: “Dr.I.Rugova në Hagë”,Prizëren, 2002, f.66-67). Kjo tregon se ideologjia e LDK-së ishte jashtë realitetit, i cili ishte shprehur përmes demonstratave popullore, të cilat kishin gati 10 vjet që kërkonin Kosova Republikë, para se të krijohej LDK.

Për ta jetësuar atë program, LDK-së i duhej himnizmi i liderit të saj Ibrahim Rugovën. Për këtë qëllim, fillimisht e shndrroi politikën pacifiste në ideologji, dhe më pas propaganduan krahasimin e tij me Gandin e Hindisë. Përë këtë arsye LDK-ja mbeti parti politike, edhe pse fitoi përmasat e një lëvizjeje politike; partitë janë ideologjike dhe jo lëvizjet politike, sikundër ishin LPK-ja e LKÇK-ja.

Ai krahasim i Rugovës me Gandin nuk lindi nga turmat, por u përgatit dhe u përpunua nga elita intelektuale e Kosovës. Të habit ky krahasim, për vet faktin se është e pamundur që kjo elitë intelektuale, e cila pretendonte se “mbështeste veprimet e popullit të Kosovës, e gatshme të merrte në dorë të nesërmen e popullit”, (M.Kraja ”Vite të humbura” f.184-185), në të cilën ka bërë pjesë edhe vetë Rugova, të mos e dinin faktin që vetë Gandi, i cili drejtoi një komb super të madh në fitoren e mëvetësisë përmes mosbindjes, thoshte se: “shoqëritë e nisin degradimin e plotë kur në vend të dinjitetit, në vend të kundërshtimit ndaj padrejtësive, përdorin vetëm bindjen.”(?!)

Nuk e kuptojmë dot sesi është e mundur që këta goxha intelektualë themelues, që e propagandojnë edhe sot Rugovën si simbol të pavarësis së Kosovës, njësoj si Gandin e Hindisë, të mos e dinë, se të njëjtën gjë si Gandi ka thënë edhe filozofi më i lashtë i njerëzimit, Konfuci, 26 shekuj më parë: “Atje ku nuk bëhet asnjë pretendim, nuk ngrihet asnjë rezistencë.”(?!).

Themeluesit e LDK-së me në krye Ibrahim Rugovën, Mehmet Kraja, Jusuf Buxhovi, Xhemajl Mustafa, Zenun Çelaj, Ramiz Kelmendi, Idriz Ajeti, Ali Aliu, Milazim Krasniqi etj, të cilët, veçse janë shkrimtarë, gazetarë, studjues e kritikë të letërsisë revolucionare e asaj botërore, bazuar në faktin se deri ditën që themeluan LDK-në veç të tjerave ishin edhe komunistë me funksione të larta, dhe sot pretendojnë se këta na lidhën me Amerikën, është e pamundur të mos e kenë studjuar shkrimtarin dhe poetin kombëtar amerikan, Uollt Uitman (1819-1892), i cili, sipas gazetës “Deili Uorker”: “nuk është një eksponent muzeumi por një fushë beteje”. Ai, në ciklin e tij “Këngët e kryengritjes”, që ia kushton luftës në Evropë e veçanërisht revolucionit frances të vitit 1793 në, ku thotë:

“Kryengritje! Të përmbyset tirania! Tradhëtia ngadhënjen – a beson se ngadhënjen?, plumbat e saj bëjnë punën e tyre. Heronj të njohur a që s’u dihet emri, vriten; Tribunët e mëdhenj, shkrimtarët arratisen; Megjithatë, liria s’u mërgua nga vendi i saj; Kur lë liria vendin, nuk largohet e para apo e dyta as e treta; Pret sa të dalin të gjithë, ajo shkon e fundit.” Të mos e kenë ditur këtë himn të tij për lirinë?! E pamundur, derisa pretendojnë se janë ajka e elitës intelektuale e Kosovës!

Por është fakt, se nuk vonoi dhe populli në Kosovë filloi të delte gradualisht nga ndikimi absolut i Rugovës dhe i ideologëve të saj pacifistë që e rrethonin atë; populli filloi të shkoi pas ilegalëve revolucionarë. U vërtetua edhe në Kosovë ajo që na mëson historia, se në të gjitha lëvizjet pacifiste arrihet në një pikë ku elementët më aktivë ndihen të zhgënjyer nga ngadalësia e ecurisë dhe i drejtohen mosbindjes qytetare, bile edhe aktive të dhunës. Dhe, faktikisht  LDK-ja nuk e pati më atë lloj përkrahje që pati 4-5 vitet e para të saj. Ndikimi absolut i saj përfundoi me luftën e Jasharajve në Prekaz.

 

Dallimet midis Ballit Kombëtar dhe Udhëheqjes së LDK-së

1.Balli Kombëtar i bashkoi forcat e veta ushtarake me okupatorin duke luftuar kundër ushtrisë çlirimtare të popullit shqiptar.

Ushtria e LDK-së (FARK) nuk e vuri në jetë këtë strategji të Ballit Kombëtar.

2.Balli Kombëtar i armatosur me automatikët gjermanë u dehën nga gjaku i foshnjave e i grave, pleqve dhe të rinjve tanë dhe, të kapardisur mbi kufomat e tyre, shkriheshin në çast me “punën e axhaminjve qe s’dinë pse sakrifikohen”.

LDK-ja e “armatosur” me radio, televizion, gazeta, kinema e filma e verboi mendërisht shumicën e burrave, rinisë dhe gratë shqiptare, të cilëve u pëlqente të gënjenin veten thënien: “Të niset lufta kundër Serbisë dhe Jugosllavisë me AK-47, njimend ishte Mission Imposible.”(Blerim Shala”Vitet e Kosovës”,Prishtinë, 2000,f.10), si dhe “Ne nuk kemi informata se ekziston një organizatë e tillë dhe letrat që dërgohen janë pa kurrfarë identiteti dhe pa kurrfarë rëndësie, pos që ta rëndojnë situatën në Kosovë dhe të pengojnë zgjidhjen politike të çështjes në Kosovë. Unë mendoj se nuk ekziston një organizatë e tillë.”,(Ibrahim Rugova “Rilindja”, 22. 06. 1996).

3.Udhëheqja e Ballit Kombëtar u largua nga vendi (Shqipëria) menjëherë pas lufte, së bashku me okupatorin.

Udhëheqja e LDK-së u largua gjatë luftës kur populli dhe ushtria e tij çlirimtare luftonin kundër okupatorit. Ja si thotë Sadiu për këto raste: “Kush vërsulet në betejë, lot me kokën e tij; kush kërcet nga fush’ e luftës, lot me kokën e ushtrisë”. Dhe u kthyen në Kosovë kur UÇK-ja dhe aviacioni i NATO-s e larguan okupatorin nga Kosova.

4.Udhëheqja e Ballit Kombëtar pasi u largua nga Shqipëria organizoi grupe diversioniste për të rëzuar regjimin në Shqipëri, por nuk e fyejti Luftën Çlirimtare dhe Ushtrinë e saj.

Udhëheqja e LDK-së, kjo “parti me halle / jo për në male, / po për në valle / demosociale”, pasi mbaroi lufta çlirimtare u kthye në Kosovë, 28 korrik, kur morën garancinë se do çarmatosej edhe ushtari i fundit i UÇK-së. Por, ndryshe nga BK, LDK nuk e fyejti regjimin që po vendosej në Kosovë, por gjithë urrejtjen e shfreu kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke ia mohuar gjithë luftën e saj, si para angazhimit të NATO-s por edhe gjatë bashkveprimit me NATO-n, duke kërkuar menjëherë pas lufte, qysh në mbledhjen e parë të Kryesisë së saj, mbajtur më 05.VII.1999, Eqrem Kryeziu, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për “hulumtimin e krimeve të luftës”, krijuar qysh më 19.11.1998, propozon: “Propozoj që të rihapen zyrat e LDK-së në të gjitha qendrat për hulumtimin e krimeve të kryera nga serbët por edhe UÇK-ja.”(pashtriku.org. 17 mars 2020), dhe më pas, në koalicion me PDK-në, vendosën dërgimin e saj në një gjykatë ndërkombëtare, me akuzën: “ushtri terroriste”, edhe pse në Hagë Rugova i tha Millosheviçit: “Jo, UCK nuk ishte organizatë terroriste dhe as marksistë të Enver Hoxhës. Këto janë shkrime gazetash.” (Po aty, f.78-79); gjë që, do të thotë, se kjo është bindje e udhëheqjes aktuale e LDK që e ka këto akuza, njësoj si Millosheviçi!

 

Përfundime

 

1.LDK-ja vuan nga sëmundja e kultit të i individit; dhe këtë e bën për faktin se ka dështuar në të  gjithë politikën e saj kombëtare dhe mundohet të fshihet pas gishtit. Për këtë arsye, LDK-ja po mundohet me të gjitha mënyrat ta mitizoi Rugovëm, duke u nisur nga parimi: “Heronjtë kujtohen, kurse mitet nuk vdesin kurrë”. Por, gabojnë. Autoriteti nuk mbahet me furkaçe

2.Rugova, kur shkoi për të dëshmuar kundër Millosheviçit në Hagë, ndryshoi qëndrim e tij ndaj UCK-së. Këtë e bëri për të vetmen arsye se UCK-ja kishte fituar  simpatinë jo vetëm të kombit shqiptar dhe të NATO-s, e shprehur kjo në telegramin e mirënjohjes, dërguar SHP të UCK-së, duke e quajtur: “Bashkveprimi më I mirë I NATO-s në historinë e saj 50 vjeçare”, pore dhe të gjithë botës demokratike. Por, për fat të keq, udhëheqja e LDK-së nuk ka ndryshuar aspak mendimin e saj kundër UCK-së, prandaj dhe arriti të bindte PDK dhe shumë deputetë ish-luftëtarë, ta dërgonin UCK-në në një gjyq ndërkombëtar racist.

3.Bazuar në  gjithë aktivitetin politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë tre periudha: para lufte, gjatë luftës dhe veçanërisht në këto 20 vitet e pasluftës, na rezulton se në çdo lloj koalicioni qeverisës që ajo ka bërë pjesë, jetëgjatësia e atij koalicioni ose do të jetë jetëshkurtër, ose koalicioni qeverisës do të korruptohen e do të përfundojë në veprimtari në dëm të interesave popullore a kombëtare. Të njohësh problemin është më e rëndësishme sesa të dish zgjidhjen, sepse paraqitja e saktë e problemit çon te zgjidhja, na mëson Ajnshtajni.

Tirane, 18 mars 2020 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …