Shkrimtarët e mëdhenj nuk shfaqen rastësisht. Me këtë nuk dua të them se ekziston një farë mëshirimi i papritur i “frymës së shenjtë” në trupin e këtij apo atij personi që të bëhet shkrimtar a poet,i cili të ndriçoi me shkëlqimin e tij mjedisin rrethues. Në çdo epokë njerëzore kanë lindur e lindin një përqindje njerëzish të aftë për një punë më të rëndësishme, me prirje të veçanta. Sigurisht që në këtë çështje ndikojnë, së pari, kushtet e zhvillimit familjar e shoqëror, të cilat paraqesin kërkesa maksimale për talente të përgjithshëm ose talente të llojit të veçantë (shkencëtarë, shkrimtarë, poetë, muzikantë, skulptorë etj), talente të cilat pasqyrohen në cilësitë biologjike të këtij apo atij individi. Ashtu sikundër ndodh e kundërta, ka epoka ku degë të veçanta të kulturës kalojnë në plan të dytë, ose kur zhvillimi shoqëror është i ngadaltë, i sëmurë, individët e talentuar nuk gjejnë fushë të gjerë dhe, si rrjedhojë, shumë prej këtyre talenteve humbasin, ikin pa lënë gjurmë.
Dhe këto ndodhin se zhvillimi i shoqërisë nuk bëhet kurrë në një vijë të drejtë, ngaqë përcaktuese janë forcat e ndërlikuara të zhvillimit shoqëror. Dhe në bazë të tyre qëndron progresi dhe regresi ekonomik, nëpërmjet kontradiktave të shumta. Historia është e mbushur me këtë luftë të ashpër midis të kundërtave, të silat bëhen pasqyra kryesore dhe sunduese e proceseve historike.
Duke i hedhur një vështrim historisë së zhvillimit të kulturës dhe letërsisë shqipe, konstatojmë se në ato periudha historike ku kontradiktat shoqërore kanë arritur apogjeun e vet, janë shfaqur të ashtuquajturat talente klasike, të cilët kanë krijuar vepra të përsosura emocionuese. Shkrimtarët dhe poetët tanë më të mëdhenj janë shfaqur më së shumti në kohën e këtyre krizave të ashpra shoqërore, kur shpirti kombëtar është copëtuar më dysh si rrjedhojë e këtyre kundështive. Të mbushur me përshtypje të mprehta dhe me dhimbje, ato talente, të pajisura edhe me guximin e mjaftueshëm qytetar, përpiqen të shprehin ndjenjat e tyre, duke u bërë në këtë mënyrë zëdhënës të masave të gjera, të cilët u shëmbëllejnë atyre. Këto talente i pushton malli dhe dëshira për të krijuar disa vlera të qëndrueshme morale dhe shoqërore, me të cilat ata kundërshtojnë kohën, duke e goditur atë me armën e kritikës më të ashpër, por dhe artistikisht.
Një shfaqje tipike të krizës shoqërore në të cilën ndodhemi e shikojmë te poeti ynë Arben Duka, poezia e të cilit s’është asgjë më shumë se pjellë e kësaj krize shoqërore që po kalon Shqipëria në këta 25 vjet pluralizëm politik, i cili e pasqyron këtë krizë si një qytetar idealist i kulturuar, por i revoltuar.
Disa orvatje të Arben Dukës në vitet e para të pluralizmit për t’u kapur pas së majtës moderuese, e cila nuk i përshtatej kërkesave të masave popullore, nuk duhet të na turbullojnë, pasi ai ngelet si tip social idealist. Arbeni, duke e parë se Shqipëria po përfshihej gjithnjë e më shumë nga shtrëngata e shkatërrimit të gjithçkaje që kish ndërtuar ky popull gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit të XX, shtrëngatë që e shkatërroi fshatin dhe shpopulloi Shqipërinë, ku qendra e saj po mblidhej dhe po mblidhet në qytete, (sidomos me reformën e fundit territoriale), ku çdo intelektual filloi të luftonte për karrierë, vetëm e vetëm për të pasur pushtet e pasuri, Arben Duka çdo ditë e më shumë po bëhej përfaqësuesi i popullit të tij. Kjo përsosmëri e tij ka arritur kulmet e saj, sa tashti e ka zhveshur haptas shpatën, duke filluar nga poezia “Rebelohuni” në Majin e vitit 2013, ku me vargjet e mëposhtme na kujton vargjet e Fan Nolit, vargje me të cilat poeti Arben Duka ka për qëllim transformimin krejtësisht të Shqipërisë:
Zgjohu sot-o popull-zgjohu, Se të hodhën në greminë,
në beteja rebelohu, ta përmbysën drejtësinë,
zgjohu vetë e ngri furtunë, se të vranë e të pështynë,
pa liderët në tribunë! dil të shembësh tiraninë!
Ndërsa tek poezia “Tufa e çakejve dhe kryeçakalli”, ai përdor fjalët e thjeshta, por me gjuhë poezie. Ndërtimi i frazave me këto fjalë është krejt i papritur, një prej veçorive karakteristike të poezisë së Arben Dukës; ato nuk janë fjalë të vdekura, por fjalë të gjalla, sepse vetëm me fjalë të tilla dhe jo me fjalë të lëmuara ai arrin ta shpreh fuqishëm zhgënjimin popullor.
Kurrë s’e menduam, Sovranin e shkretë,
neve budallenjtë, përsëri e talli,
se në vend të qenve, tufë e babëzitur,
do vinin çakejtë! dhe Kryeçakalli!
Për sa i përket poezisë “Barka e qeverisë është mbushur me ujë”, ai tregohet virtuoz dhe krijues frazash interesante, ku tregon se në ndërtimin e qeverisë kemi të bëjmë me një pazar të vërtetë.
Në gjithë kabinetin, Vërtetë që u ra,
gjen dhe ndonjë kokërr, një letër me vrimë,
po pjesa dërrmuese, po femrat e Ramës,
janë mediokër! janë ulërimë!
Ndërsa në poezinë “Një të lodhuri prej mundit, i merr qindarkën e fundit”, Arbeni përdor mjeshtërisht rimën. Edhe kjo është një karakteristikë tjetër e vargut rebel të këtij poeti, dhe këtë e bën me qëllimin që vargu i tij të mbahet mirë mend, të ruhet në kujtesën e popullit. Ai përdor një rimë të tillë, e cila i përshtatet një udhëtimë me të vërtetë të re, aq origjinale sa të shkakton habinë, se vetëm në këtë mënyrë poezia mbahet mend nga njerëzit. Madje në këtë poezi çdo strofë e saj është një aforizëm.
Shqipëria shkëmb e maja, Dje Sali-dreq e më dreq,
mbytur në hallet e saja, sot Edvin-keq e më keq,
me hallet më të mëdhaja, Eh, një racë vërtet’ e pjerdhur,
sikur t’i ketë rënë damllaja! njeri-tjetrit për t’ja hedhur!
Në çdo poezi të Arben Dukës shohim një model të ri. E tillë është edhe poezitë “O Kryeministri ynë, u trete për Shqipërinë!”, me të cilën e ka ngritur në majat më të larta ironinë dhe sarkazmin e Çajupit. Është interesante sesi në të gjithë poezinë e tij, nuk gjen kurrë vargje bosh. Kjo poezi na jep të drejtën të themi se lidhja e Arben Dukës me shqetësimin popullor nuk është një gjë e rastit, por diçka e domosdoshme, një fenomen i mrekullueshëm.
Ruaje pak veten, Mos puno kaq shumë, Që kur erdhe ti,
o Edvini ynë, bir-o biri ynë, këtu s’ka më lista,
u thinje – u trete, erdhe nga Hong Kongu, dhe gjysmë e shqiptarëve,
veç për Shqipërinë! ike prapë në Kinë! kanë shkuar turista!
Poezia e Arben Dukës është gjithmonë paraqitja e konkretes jetësore të vendit, ai nuk ka frikë aspak nga konkretja. Kjo ndodh ngaqë ai jeton me popullin, pulsi i tij rreh me pulsin e populli. Dhe këtë e shohim shumë qartë tek poezia “Mbasi e ke vrarë, nuk mund ta ringjallësh!”
S’u krijua asnjë ditë, Ndaj njerëzit pa asnjë shpresë,
klimë besimi-dashurie, ikin këtej edhe natën,
po të gjithë kemi parë, se “Rilindja” gjer tani,
pa fund akte marrëzie! e ka shkelur gjithë KONTRATËN!
Çdo shqiptar e di që Arben Duka është edhe poet i mirëfilltë lirik, në të cilën ai di të përkëdheli e ledhatoi më mirë se çdo lirik tjetër. Por në poezinë politike kemi një Arben poet tjetër, i cili nuk di të përkëdheli e të ledhatojë. Pse është poet i tillë, Arben Duka është bërë poeti më karakteristik për periudhën kalimtare të Shqipërisë nga monizmi në pluralizmin politik. Ai çdo ditë shkon në luftë kundër mashtruesve të popullit. Rast unikal. Dhe nuk bën luftë të shkurtër (me pak vargje), por luftë të gjatë, tamam luftë popullore, sikundër janë tribunët popullorë, duke u frymëzuar në popull. Luftërat e gjata popullore kanë mundur edhe perandori. Këtë besoj se e kanë të qartë politikanët tanë. Në qoftë se Arbeni nuk do të ecte duke luftuar ashpër e çdo ditë; në qoftë se ai do ta kish goditur me lehtësi të madhe këtë borgjezi grabitaçare të pashoqe në Evropë, ai nuk do të ishte bërë poet tribun. Ai nuk resht së luftuari duke e shtrënguar për fyti klasën aktuale politike të këtyre 25 viteve. Këtë e sheh kushdo sikur të lexoi qoftë edhe vetëm disa prej vargje të poezisë “Dy Rilindjet”; gjë që tregon se Arben Duka nuk ia ka frikën as edhe më të fuqishmit të vendit, Kryeministrit:
Abdyl trete pasurinë,
një barrë flori,
këta tretën Shqipërinë,
bënë pasuri!
Vetëm ideali juaj,
ishte i pa njollë,
ndaj ai që vodhi emrin,
e kish tjerrë hollë!
Mbetet Rilindja e Parë,
një dritë e pashuar,
me Rilindjen e tanishme,
s’duhet ngatërruar!
Pas shumë kohësh, kur demokracia do ta ketë bërë punën e vet dhe, nëse Shqipëria do të shndërrohet në shtet ligjor, brezat që do të vinë, kur të lexojnë poezinë politike të Arben Dukës, do ta quajnë atë “epoka e poezisë së Arben Dukës”, një poezi shumë interesante, e cila ndriçon me një dritë shumë të fuqishme,.
28.11.2015