Dilaver Goxhaj: PSE GODITET AZEM SYLA?

 


Deklaratat e Nazim Bllacës, së bashku me ato të Adem Salihut dhe të Gani Gecit, dhënë medieve të Prishtinës, i ranë opinionit shqiptar si një rrufe në ditën me diell e me qiell pa re.


Shumica që nuk është mësuar me truke të tilla policore, i morën dhe i marrin për të vërteta ato broçkulla. Dhe ky është edhe një nga qëllimet kryesore të autorëve të kësaj tragjikomedie. Të tjerë që kanë qenë kundër luftës çlirimtare në Kosovë gjatë viteve 1997-1999, edhe pse e dinë “vërtetësinë” e këtyre “dëshmive” hiqen sikur u besojnë dhe i propagandojnë ato si të vërteta, duke i ngritur ato në një shkallë edhe më të lartë me dashakeqësinë e tyre. Kjo kategori që e përforcon këtë lojë me skenarë të shërbimeve të fshehta evropiane-ballkanike nuk bën gjë tjetër, veçse i jep shoqërisë një personazh për konsum ditor, ku në raste të ngjashme të thotë: “Si foli Nazmi Bllaca”
Mirëpo, pavarësisht se autorët e këtij skenari e kanë parashikuar këtë fund të Nazmi Bllacës ( ku vetëm ai nuk e ka kuptuar që është kokë turku) kanë të tjera qëllime. Objektivi që ata duan të godasin është Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Qëllimi? Që ta diskreditojnë sa më shumë që të jetë e mundur UÇK-në. atëherë lind pyetja: Pse zgjodhën Azem Sylën? Dhe këtu fillon çelësi i skenarit.
Azem Syla është veprimtari kryesor nismëtar i themelimit dhe zhvillimit të UÇK-së, pavarësisht se janë munduar ta shfrytëzojnë, mbase edhe e kanë shfrytëzuar, dhe e kanë lënë në hije. Këtë e dinë, në mos i gjithë populli në Kosovë, e di shumica e luftëtarëve të UÇK-së dhe gjithë të afërmit dhe miqtë e tyre si dhe simpatizantët e UÇK-së. Mirëpo, po ta shikosh me vëmendje “deklaratën” e Nazim Bllacës, ai shihet se ka goditur veçmas Azem Sylën,  njeriun që ka gëzuar dhe gëzon autoritet në popull, si gjatë luftës kur ai ishte Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe më vonë, pas Rambujesë, Ministër i Mbrojtjes i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.


Atëherë lind pyetja: Pse Azem Sylën pretendojnë ta bëjnë pjesëtar të drejtimit të shërbimit të fshehtë? Sepse nuk kanë ku ta kapin e ta sulmojnë. Meqë, ai nuk ka asnjë post, përveç autoriteti të pakontestuar dhe postit moral si ish Komandant i SHP të UÇK-së.


Nga dëshmia e Nazim Bllacës, mësojmë se prej majit të vitit 2007 deri në maj të vitit 2009, ai ka jetuar jashtë Kosove. Dy vjet  jashtë Kosove?! Ai tha se ka qenë në Kroaci, por tashmë u zbulua qartë se ai me tërë familjen ka qëndruar në Serbi!


Atëherë ku ka punuar ai gjatë atyre viteve?


Me çfarë pune është marrë ato dy vjet?


Kush e mbajti financiarisht, kur ai ka deklaruar se është mbytur në borxhe?


Pse kryeprokurori i  Serbisë kërkon me ngulmë nga EULEX-i të ruhet dhe të mbahet në arrest shtëpiak, ky njeri?


Edhe për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, kuptohet që janë marrë masat nga skenaristët. Por Bllaca, duke qenë një person, i cili ka shërbyer në strukturat e shërbimin të fshehtë të UÇK-së, si mund të lihej pa u kontaktuar nga shërbimet e fshehta të shteteve, që nuk e duan pavarësinë e Kosovës? Këtë dyshim ta përforcon edhe vetë fakti se, pse Nazim Bllaca është konservuar deri ditën kur fillon gjyqi në Hagë për ligjshmërinë e pavarësimit të Kosovës!


Pse nuk doli ky zotëri qoftë edhe një muaj më herët, por pikërisht ditën kur përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë u nisën për t’u përballur në GJND në Hagë?


Kjo është pika që zbulon prapavijën e këtij skenari.


Njëkohësisht nuk duhet të harrojmë deklaratat e mëhershme të titullarëve të shërbimeve të fshehta serbe, gjatë periudhës së luftës dhe menjëherë pas saj, të cilët  disa herë patën deklaruar se në Kosovë ata kishin rreth 80 mijë agjentë të shpërndarë në të gjitha qelizat jetësore të shoqërisë Kosovare. Kjo e dhënë është botuar disa herë në mediet e Prishtinës. Pra, Serbia ka patur një armatë gati 4 herë më të madhe se UÇK-ja. Atëherë, kjo armatë  nuk besohet që të mos ketë depërtuar në disa nga strukturat e UÇK-së.
Mirëpo goditjet në drejtim të Azem Sylës janë shumë më të hershme. Së pari, rreth tij qysh gjatë luftës ka nisur një fushatë shpifjesh nga mediet shqiptare si të Tiranës ashtu edhe të Prishtinës.


Unë, autori i këtij shkrimi, kam qenë shefi i kabinetit të Ministrisë që ai drejtonte, në Prishtinë, gjatë kohës së funksionimit të QPK-së, dhe personin e Nazim Bllacës nuk e kam parë, as edhe një ditë në mjediset e asaj ministrie, kur dihet që gjithkush që vinte për të kontaktuar më ministrin duhej të kalonte përmes meje. Këtë rregull e pat vendosur vetë Azem Syla kur ishte ministër. Të paktën ky person do të kish ardhur qoftë edhe një ditë te Azemi për deri sa thotë se e kontaktonte aq shpesh. Madje në një rast, kur po shkrihej QPK-ja dhe po formohej KPA (Këshilli i Përkohshëm Administrativ i Kosovës), në janar të vitit 2000, u shfaqën veprime të shmangies me çdo kusht të kësaj figure dhe ne filluam ta kundërshtonim qysh atë aferë shpifjet kundër Azem Sylës.


Interesante është edhe fakti që menjëherë, porsa doli në medie “dëshmia” e Nazim Bllacës, ajo u transmetua dhe u komentua në mediet e Tiranës edhe nga gazetari, që nuk ka lënë asgjë pa shpifur për UÇK-në dhe drejtuesit e saj gjatë gjithë  periudhës së luftës si dhe më vonë, gazetari Mero Baze. Shkrimet e gazetës së tij kundër UÇK-së dhe figurave të saj ishin më zi se të gazetave të Beogradit. Madje ngazëllimi i tij në mbrëmjen e 1 dhjetorit 2009, në TV+, ishte i jashtëzakonshëm. Ky është një fakt më shumë që të bind të dyshosh se këtu kemi të bëjmë me skenarë të vjetër antishqiptarë, autorët e të cilëve nuk kanë hequr dorë nga qëllimet e tyre që t’iu thuhet shqiptarëve dhe gjithë opinionit botëror, e në mënyrë të veçantë atij evropian se, UÇK-ja nuk ka qenë një ushtri e rregullt çlirimtare por një organizatë terroriste, sikundër shkruante gazeta e Mero Bazes ashtu edhe simotrat e saj në Tiranë, Zvicër dhe në Prishtinë, sidomos gjatë kohës së luftës.


Njëkohësisht, përmes këtij skenari, ata,  indirekt duan t’i thuhet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, që Serbia ka të drejtë, prandaj ajo duhet ta fitojë gjyqin. Por ky skenar ka edhe një larghedhje më të madhe. Me një gur duan  të godasin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ato iu imponuan NATO-s, të ndërhynte me aviacion kundër forcave serbe, në Kosovë përkrah UÇK-së. Por, nga që nuk mund ta shprehin direkt këtë mllef, mundohen të trokasin në dritare, që të dëgjojë dera.

Kontrolloni gjithashtu

Memli Krasniqi

Memli Krasniqi: Nuk do të ketë koalicion me Vetëvendosjen, pasi qëllimi ynë është të largojmë Albin Kurtin prej pushtetit

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se nuk ka mundësi për një koalicion të …