Dilaver Goxhaj: Radio Kosova e Lirë u ka mbetur besnike idealeve të luftës sonë

 


Fjala me rastin e 10 vjetorit

Thonë se ngjarjet historike përsëriten, por gjitnjë në përqasje me kushtet përkatëse ekonomiko-shoqërore. Kjo dukuri u vu re edhe gjatë Luftës Çlirimtare në Kosovë, në vitet 1997-1999, e më konkretisht gjatë funksionimit të Radio Kosova e Lirë, gjatë periudhës së intervenimit ajror të NATOs, në krah të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën Mars-Qershor 1999. Po do të më pyesni ju se, cila ishte ajo ngjarje historike që u përsërit gjatë asaj periudhe? Po. Ajo që unë do të tregoj, besoj se dihet nga shumica e auditorit të këtushëm, kështu që, unë vetëm se do t’ua kujtoj. Ajo ka të bëjë me mediat difuzive gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe pikërisht gjatë kohës kur armatat e Hitlerit ishin ndalur para dyerve të Moskës. Në kulmin e nervozizmit që mësymja hitleriane u ndal, Hitleri pat deklaruar: Me të kapur qytetin e Moskës, të parin qytetar sovjetik që do të pushkatoj do të jetë spikeri i Radio Moskës; folësi që jepte lajmet mbi luftimet në frontet e luftës.
Afërsishtë e tillë ishte edhe deklarata e shëmbëlltyrës së Hitlerit të fundshekullit të XX, fashistit anarkist Arkan, i cili çdo ditë delte në medjat serbe të instaluara në Kosovë dhe deklaronte: Nesër do të mbrij në malet e Berishës dhe të parën gjë që do të bëj do të eleminoj Radion “Kosova e Lirë”.
Me këtshëmbuj që solla, a kam të drejtë të shprehem se, historia përsëritët? Por as Hitleri dhe as Arkani nuk ia arritën dot qëllimit. Radio Kosova e Lirë, edhe pse u godit nga aviacioni serb dhe nga raketat tokë-tokë të ushtrisë serbe të pozicionuara në Arllat, ajo radio nuk devijoi as edhe një minutë nga programi i saj, falë heroizmit të ekipit të vet Radios, por falë edhe heroizmit të luftëtarëve që e mbronin atë, nga të cilët 12 prej tyre dhanë jetën që Radioja jonë e luftës së çlirimtare të mos heshtë. Ja, këta janë heronjtë dhe mos i kërkoni ata në qiell.
Madje, faktet që unë solla për krahasim kanë edhe një ngjashmëri tjetër shumë interesante. Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, me Bashkimit Sovjetik, që luftonte kundër Hitlerit, u bashkuan dy shtetet më të fuqishme të botës të asaj kohe: SHBA dhe Britania e Madhe. E njëjta gjë ndodhi edhe me Luftën Çlirimtare në Kosovë, me UÇK-në, që luftonte kundër Serbisë së Millosheviçit, u bashkuan përsëri SHBA (superfuqia e vetme e botës dhe më e madhja në historinë e njerëzimit) dhe Britania e Madhe, po, në rastin tonë aleanca antifashiste u bë edhe më e madhe, luftën tonë e mbështeti edhe Bashkimi Europjan së bashku me aleancën më të madhe ushtarake të botës, NATO-n, aviacioni i së cilës u pagëzua për herë të parë me luftën e vërtetë. Lind pyetja: Pse agresori Hitler dje, dhe pse agresori Arkani,58 vite më vonë, objektivin e parë për asgjësim kishin Radiot e Frontit: të parët Radio Moskën, të dytët Radion “Kosova e Lirë”? Përgjigja është shumë e thjeshtë. Radioja ishte zëri i Atdheut për liri. Gjithë Atdheu përmblidhej në atë zë. Ai zë ishte Atdheu. Është e vërtetë që radioja jonë kish aparatura të vjetra, por… këndonte këngë të reja. Është e vërtetë që Kosova ishte e coptuar, e gjakosur, e tradhëtuar…, por, radio “Kosova e Lirë” tregonte se Kosova ishte e mbrojtur.

Që prej 14 muaj Kosova po luftonte për jetën e saj. Dhe në 4 janar 1999, në ditën e 400 të luftës sonë çlirimtare, vënia në funksionim e Radio “Kosova e Lirë” vërtetonte se mendimi për çlirimin e Kosovës te popullin shqiptar në Kosovë, por edhe në të gjithë kombin, ishte bërë aq i natyrshëm sa edhe ngrënia e ushqimit dhe fjetja.
“Ju flet Kosova e Lirë”, gjëmoi zëri i Luftës Popullore për Çlirim.
Ai ishte zëri që predikonte luftën tonë të drejtë, bazën e jetës sonë; ai ishte një agjitator, një kryengritës i paduruar, kryeneç dhe i shqetësuar; ai ishte fryma rebeluese në shpirtin e njerëzve, i cili sulmonte kënaqjen e njeriut me vetveten; ai ishte zëri, që zgjonte të fjeturit, u tregonte të kaluarën e afërt, u ndriçonte rrugën për jetën e re, i nxiste të mendonin thellë e të hidhnin poshtë paragjykimet për UÇK-në. Zëri i kësaj radioje ishte tingulli që çekani UÇK binte mbi kudhrën e historisë së Kosovës dhe mbi gjeneralët serbë si dhe mbi mallkuesit shqiptarë, të cilët i hutonte, pasi e panë fare qartë se asgjë nuk doli nga ofensivat e vazhdueshme të forcave serbe. Të gjithë shqiptarët e Kosovës, që e dëgjuan atë zë, u bashkuan me UÇK shpirtërisht dhe një pjesë e tyre edhe fizikishtë, ndërsa gratë dhe fëmijët flinin të urritur nën nailonet në zonat ku i mbronte UÇK-ja.
Nga 9 mijë luftëtarë që kishte deri atë ditë UÇK-ja në radhët e saj, pas atij zëri të fuqishëm arriti 19.800 luftëtarë të reshtuar në formacionet që luftonin në Kosovë. Kosova, deri atë ditë kish trashëguar gati 10 parti të ndryshme, 100 ide të ndryshme, 50 shoqata të ndryshme dhe të paktën 1000 marrëzi të ndryshme. Por Kosova, me zërin e Radios Kosova e Lirë dhe Agjensinë Kosova Press, e plotësoi simfoninë e Luftës Çlirimtare, zë i cili i thërriste popullit: Qëndresë deri në fitore! Rroftë Kosova e lirë! Duke dëgjuar këtë zë shqiptarët në Kosovë njohën forcën e tyre të madhe.
Prej 4 janarit 1999 Radio Kosova e Lirë dhe Agjensia Kosova Press ishin epiqëndra e gjithë Kosovës dhe jo vetëm e UÇK-së, sepse ato ishin zëri i zëmrës së frontit të luftës për liri. Ndaj dhe armiku këtu i përqëndroi forcat kryesore, kundër maleve të Berishës dhe tërë Drenicës. Sado që u granatuan rëndë ato institucione, qiellgërvishëset e vetme shqip në Kosovë, ato vazhduan të jetonin e të trasmetonin. Kur dëgjuan atë zë banorët e Kosovës nuk e ndjenin më veten të braktisur. “Janë tanët”, thirrën ata. Burra e gra qanin nga gëzimi dhe thoshnin: “Tanët po luftojnë”. Dhe lajmi kapërceu kufijtë e Kosovës dhe u përhap në tërë botën. Për UÇK-në dhe tërë popullin shqiptar që ishte me të, gjëndja ishte e qartë. Ata e kishin aq të qartë e të sigurt besimin në fitore aq sa edhe Millosheviçi dhe përkrahësit e tij në Kosovë dhe jashtë saj të cilët mendonin me dëshpërim si të mund të zbukuronin luftën dhe propagandën e tyre të mallkuar, të cilët kërkonin që me një gjethe fiku të mbulonin tërë lakuriqësinë e politikës së tyre të poshtër.
Po të mos ishte kjo radio e thjeshtë, por që dëgjohej në tërë territorin e Kosovës, jo vetëm që do të binte morali i gjithë popullit shqiptar në Kosovë por Ushtria Çlirimtare e saj do të mbetej si peshku pa ujë dhe nuk do të kishte moral për të luftuar. Jo më kotë Napoleon Bonoparti ka thënë: “Në luftë, gjëndja morale përbën tre të katërtat e lojës. Pjesa që mbetet varet nga fuqitë fizike”. Dhe këtë moral të lartë të popullit dhe ushtrisë në Kosovë gjatë asaj lufte e mbajti lart ekipi i Radio Kosova e Lirë dhe Agjensisë Kosova Press; ndaj, të gjithë ata që mendojnë se janë shqiptarë, duhet t’u përulen me respekt tërë jetën këtyre dy institucioneve të luftës sonë.

II

Mirëpo ekipi i Radio Kosova e Lirë nuk e quajti të mbaruar punën që ata bënë gjatë luftës. Ata menduan dhe menduan drejt, se lufta edhe më e madhe për ata do të ishte periudha e pas luftës. Dhe ashtu rezultoi. Porsa Radio Kosova e Lirë u vendos në Prishtinë, ajo u braktis nga të gjithë inisiatorët e ngritjes së asaj radioje gjatë luftës. Dikush habitet kur dëgjon këtë shprehje nga mua. Dhe unë jam i detyruar që ta sqaroj. Braktisja e Radijos Kosova e Lirë nga Qeveria e Përkohëshme e Kosovës, e cila përbëhej pothuaj tërësishtë nga ish antarë të Shtabit të Përgjithëshëm të UÇK-së, me ndonjë përjashtim të vogël, ndodhi sepse: Ushtria Çlirimtare e Kosovës, madje edhe vet Shtabi i saj i Përgjithëshëm, kishte një përbëre dhe karakter heterogjen. Si e tillë, në të ka patur shumë elementë të lëkundur, oportunistë, gjë që nuk ishin të prirë dhe objektivishtë fort të interesuar që idealet e asaj lufte të çoheshin deri në fund. Kjo është edhe arsyeja kryesore pse Radio Kosova e Lirë është penguar dhe pengohet sot e gjithë ditën nga politikanë vendas dhe të huaj; sepse ajo është aktualisht në këta 10 vite të pasluftës, e vetmia mbrojtëse e sinqertë e idealeve të asaj lufte; sepse ajo është e vetmia opozitë e UNMIK-ut, e Sërbisë, e Politikanëve servilë dhe e mediave gënjeshtare vendase. Mirëpo ata mjeranë i gënjen mendja se e kanë mashtruar këtë popull. Dhe kjo ndodh se ata harrojnë një të vërtetë historike, të cilën e ka përmbledhur Abraham Linkoln, në shprehjen: “Mund ta gënjesh një pjesë të popullit për ca kohë. Mund ta gënjesh edhe tërë popullin për ca kohë. Por kurrë nuk mund të gënjesh tërë popullin për tërë kohën”. Dhe kjo u vërtetua në zgjedhjet parlamentare të Kosovës në vitin 2007, ku vetëm ¼ e zgjedhësve morrën pjesë në votime dhe ku partia, që sot kryeson qeverinë, morri vetëm 7% të votive të të gjithë popullit, e cila do të thotë se pakica drejton shumicën. Por, njëkohësishtë, kjo tregon se ky popull nuk gënjehet më. Dhe, në këtë drejtim meritën më të madhe e ka Radio Kosova e Lirë.

III

Edhe sot, në kushtet kur për shqiptarët doli në dritë problemi që sërbët dhe Sërbia ngulmojnë të arrijnë, jo vetëm ndarjen e Kosovës (kjo është faza e parë), por që ta rirrëmbejnë të tërë Kosovën përmes 6 pikave dhe EULEX-it, Radio Kosova e Lirë ka marrë përsipër barrën propagandistike, njësoj si dje në luftë, e cila përmblidhet tek fjalët: Duhet gjetur mjeti për të bllokuar Sërbinë si dhe mbështetësit e saj ndërkombëtarë e të brendëshëm. Kjo radio po bën ndërgjegjësimin gradual të popullit shqiptar në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës, pasi ende ky popull nuk i ka të qarta tradhëtitë që i janë bërë, ku Sërbia po përpiqet të gëlltit përsëri Kosovën; ende ky popull nuk e ka të qartë se sërbët jo vetëm nuk i tolerojnë Mitrovicën Veriore, enklavat serbe në Kosovë dhe Preshevën, por duan të rimarrin tërë Kosovën.
Që shqiptarët të dalin nga mpirja dhe t’u vendosin serbëve dhe miqve të tyre të hapur e të fshehtë një kufi, për këtë qëllim Radio Kosova e Lirë, përmes komenteve dhe analizave të saj ka filluar të ngrejë një politikë të re, për një “përmbajtje” dhe synim për të kontrolluar dhe ndaluar ekspansionin serb. Përmes emisioneve të saj, si dhe pasqyrimit të atyre materialeve në faqet e internetit, kjo Radio bën përpjekje që të sprapset përparimi serb dhe të detyrohen të tërhiqen prapa kufijve të caktuar në Kumanovë në 10 qershor 1999. Ky, thuhet në ato materiale, do të ishte shansi i vetëm për shpresën në Kosovë,dhe këtë strategji të kësaj radioje militante kombëtare duhet ta mbështesim të gjithë, me të gjitha format dhe mjetet që ajo ka nevojë.
Ajo që ngrihet në materialet e përditshme të kësaj Radioje është tërheqja e vëmendjes së popullit, Parlamentit dhe qeverisë aktuale në Prishtinë, e cila duhet jo vetëm të merret me ballafaqimin e drejtpërdrejtë me Serbinë, por të ketë parasysh edhe lidhjet e ngushta të këtij vendi me shumë shtete të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Sigurimit. Kjo radio po ua bën të qartë shqiptarëve se Serbia, për të gëlltitur përsëri Kosovën, po bën trysninë më të madhe politiko-diplomatike edhe në vendet e tjera ku deri tash nuk ka gjetur mbështetjen për këtë qëllim.
Nga çasti kur Serbia arriti të sigurojë planin Ahtisari dhe 6 kushtet e OKB-së, pasi rriti edhe fuqinë e saj ushtarako-ekonomike, filloi të praktikojë politikën e agresionit të tërthortë: rishikimin e Marrëveshjes ushtarako-teknike të Kumanovës.
Në kundërpërgjigje të kësaj strategjije të stërholluar të Sërbisë, Radio Kosova e Lirë ka filluar luftën e saj sqaruese propagandistike si më poshtë:
E para. Meqë serbët po realizojnë në heshtje ndarjen “de fakto” të territorit të Kosovës , e në mënyrë të veçantë për tokat rreth manastireve dhe kishave serbë në Kosovë, Kosova e Lirë udhëzon që qeveria e Kosovës dhe tërë politika shqiptare e këtushme të kundërpërgjigjen dhe të këmbëngulin që ajo ndarje të bëhet duke patur parasysh sa m2 i bie për çdo banor të Kosovës dhe serbët të mos kenë në tërësi më shumë sipërfaqe se sa u takon gjithë serbëve në Kosovë, pavarësisht nga sasia e vendbanimeve dhe institucioneve të tyre fetare. Që të mos ketë padrejtësi dhe gabime të pakorrigjueshme në të ardhmen në këtë drejtim, vijon sqarimi I kësaj radioje, duhet që Parlamenti dhe Qeveria aktuale e Kosovës të mos lejojnë funksionimin e EULEX-it pa u bërë regjistrimi i popullsisë në Kosovë si dhe t’u bëjë thirrje gjithë emigrantëve të vinë e të regjistrohen në Kosovë. Kjo duhet të jetë detyra e parë e EULEX-it, është nënteksti I komenteve të kësaj radioje.

E dyta, Radio Kosova e Lirë thekson: meqë serbët kërkojnë rishikimin e Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, edhe ne të ngremë rishikimin e Marrëveshjes midis NATO-s dhe UÇK-së të 20 qershorit 1999, ku të kërkohet krijimi i ushtrisë së Kosovës mbi bazën e ish luftëtarëve të UÇK-së, në krye të së cilës të vihen ish- kuadrot drejtues të njësive dhe ata ish-ushtarakë profesionistë të saj meqë kanë përvojën dhe vendosmërinë e duhur. Ne, theksohet në materialet e kësaj Radioje për të cilën jemi mbledhur sot, kemi më shumë të drejtë për rishikimin e Marrëveshjes së UÇK-së me NATO-n, se sa kanë serbët për marrëveshjen e tyre, pasi ne na u bë padrejtësia më e madhe: ku, edhe pse ne ishim ushtri fitimtare, kapitulluam pa kushte; ndërsa serbët, edhe pse ishin ushtria agresore dhe kapitullante, kapitulluan me kushte. Ne, theksohet në materialet analitike të Radio Kosova e Lirë, gabuam dhe e pranuam këtë tragjedi sepse ramë viktimë e rrenës së turpshëm që na u punua për zhvillimin pas tre vjetësh të referendumit për vetëvendosje; ndërkohë që në Kumanovë na ishte bërë pabesia tjetër, nuk ishte parashikuar riatdhesimi i detyrueshëm i të burgosurve, robërve dhe i të rrëmbyerve shqiptarë. Ishin këto dy marrëveshje në dëm të shqiptarëve dhe në favor të serbëve, që i hapën rrugën planit 6 pikësh të OKB-së, duke eleminuar UÇK-në.
Marrëveshja e Kumanovës u quajt Marrëveshje Tekniko-Ushtarake me prapaskenën që ajo të rishikohej, pasi marrëveshjet teknike janë akte normative, ndryshe nga traktatet, të cilat firmosen vetëm nga ministri përkatës dhe kryeministri apo presidenti, (si në rastin e Millosheviçit), që në Parlament miratohen pa diskutim, vetëm me ngritje ose jo të kartonit. Këtë klauzolë juridike ndërkombëtare e shfrytëzojnë shumë mirë serbët. Ndërsa Marrëveshjes sonë, kur ajo është nënshkruar nga përfaqësuesit tanë në Prishtinë në 20 qershor 1999, i është hequr fare fjala “marrëveshje” dhe është zëvendësuar me fjalën “zotim” për çmilitarizimin dhe transformimin e UÇK-së, që ne të mos pretendonim më vonë, sikundër pretendojnë serbët sot, pasi ajo jona nuk emërtohet as “marrëveshje”. Mirëpo, kjo kërkesë për rishikim të asaj marrëveshjeje me ne, tashti duhet ngritur vetëm nga Parlamenti i Kosovës, ndryshe nuk ka efekt. Në rast se Parlamenti i Kosovës, thuhet në materialet analitike dhe komentet e Radio Kosova e Lirë, do të këmbënguli në rishikimin e asaj marrëveshjeje, duhet të parashikoi edhe referendumi për vetëvendosje jo vetëm në Kosovë por edhe në Kosovën Lindore, si dhe në Mitrovicën Veriore. Në rast se Parlamenti, qeveria, dhe tërë forcat politike në Kosovë arrijnë të bëjnë realitet këto veprime, thekson Radio Kosova e Lirë, jo vetëm që do të vihet drejt zgjidhjes çështja shqiptare në Ballkan, por edhe Ballkani nuk do të jetë më “fuçi baruti”, sikundër e kanë cilësuar dhe e cilësojnë. Meqë serbët kërkojnë me këmbëngulje Mitrovicën Veriore, nga ana e Parlamentit dhe e Qeverisë së Kosovës, thekson radioja jonë, të kërkohet që Veriu Mitrovicës të jepet duke bërë ndërrim territoresh me Kosovën Lindore, reciprokisht në atë raport me sasinë e popullsisë.

Problemi i Tretë, që del nga komentet e Radio Kosova e Lirë, është që Qeveria e Kosovës të kërkojë që të precizohen rrugët korridor për kalimin e serbëve nëpër enklava, sepse, me sa shohim, theksohet nga Radioja, ka gjasa të përsëritet historia si me enklavën e Berlinit në fund të L2B, ku në vitin 1945, duke mos u parashikuar korridori kalimit ndodhi bllokimi që gati kaloi në konflikt të armatosur midis rusëve dhe ish aleatëve të tyre.
Sikundër po shihet, radio Kosova e Lirë nuk ka devijuar as pak nga idealet e luftës sonë çlirimtare, prandaj duhet ta mbrojmë atë, ta ruajmë, ta ndihmojmë e ta dëgjojmë atë zë aq të vërtetë dhe aq besnik për shqiptarët.
Në mbyllje të fjalës time dua të theksoj se në Kosovë, pas luftës janë ngritur dhe funksionojnë shumë radio e media të tjera, të cilat janë të paisura me aparatura tepër moderne si dhe kanë ndihma dhe lehtësira të shumëllojshme nga ndërkombëtarët dhe qeveritarët e politikanët vendas. Mundësitë e atyre medjave të tjera, po t’i krahasosh me mundësitë dhe vështirësitë e Radio Kosova e Lirë, ato dallojnë si dita ndaj natës. E megjithatë të gjitha ato madia të ndryshme e të fuqishme e kanë dhe do ta kenë zili Radio Kosova e Lirë, pavarësishtë se mundohen ta fshehin atë zili, edhe pse kjo radio nuk i ka mundësitë tekniko-financiare të tyre. Pse? Sepse kjo radio ka një pasuri shumë më tepër se ç’kanë ato të tjerat. Në vend të mundësive teknike që kanë mediet e tjera, Radio Kosova e Lirë ka realitetet e të shkuarës: – ka mundësitë që ajo ka realizuar; ka synimet që ka përmbushur; ka vlerat që ajo ka arritur, vlera që tërë mediet e Kosovës të mara së bashku nuk mund t’i arrijnë. Pikërisht kjo e siguron vlerën e pashlyeshme të dinjitetit të këtyre dy institucioneve të asaj lufte dhe të ekipeve të tyre, sepse është vlerë e papërsëritshme në dobi të shoqërisë shqiptare, dhe nuk kushtëzohet nga përfitimet që mund të nxjerri njeri apo tjetri në të tashmen.
Po ashtu është e vërtetë se ekipi i Radio Kosova e Lirë është dhe ka për të mbetur një pakicë si dhe një radio e vogël. Por pikërisht këtu e shoh unë dhe sfidën e vërtetë për t’u bashkuar me këtë ekip të vogël e guximtar, pasi Kosova gjendet nën një sulm të gjithanshëm çoroditës dhe çdo gjë do të shkonte edhe më për lumë po qe se nuk do të kishim Radio Kosova e Lirë dhe po qe se ne që ia kemi dëgjuar zërin në ato ditët e stuhishme nuk do ta përkrahim.

Kontrolloni gjithashtu

Memli Krasniqi

Memli Krasniqi: Nuk do të ketë koalicion me Vetëvendosjen, pasi qëllimi ynë është të largojmë Albin Kurtin prej pushtetit

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se nuk ka mundësi për një koalicion të …