Në deklaratën e tij për medie, shefi i Zyrës së BE-së, në Kosovë, Samuel Zbogar ka deklaruar se “Asociacioni i Komunave Serbe, do të krijohet, sepse është pjesë e një marrëveshjeje të dakorduar në Bruksel, dhe se të dyja palët duhet t’i zbatojnë marrëveshjet”.
Lind pyetja: Kush janë këto dy palë?
Për sa i përket palës serbe, as që nuk mund të flasim, pasi nuk e dimë se si dhe nga cili institucion e kanë marrë autorizimin për këto bisedime. Por për palën kosovare tashmë e dimë saktë që kryeministri Mustafa dhe Ministri i Jashtëm, ai dhe zëvendës-kryeministër, Hashim Thaçi, nuk e kanë pasur autorizimin e institucionit adekuat për autorizime të kësaj rëndësie, që është vetëm Parlamenti i Kosovës, marrëveshje, e cila, nuk është gjë tjetër, veçse rikthim i Serbisë në Kosovë.
Mirëpo: Ku e gjen këtë siguri z. Samuel Zbogar, që deklaron me bindje të plotë se kemi të bëjmë me “një marrëveshjeje të dakorduar në Bruksel, dhe se të dyja palët duhet t’i zbatojnë marrëveshjet.”? Por, me sap o duket, përgjigjen e ka vdhënë vetë z. Samul, e cila s’është asgjë më shumë, veçse një marrëveshje e diktuar nga institucionet evropiane, nga ato institucione që kanë emëruar edhe z. Samuel në Kosovë. Dhe, kuptohet se janë po ato institucione që e kanë urdhëruar z. Samuel të japë këtë deklaratë. Në këto kushte, veprimet e opozitës për kundërshtimin e asaj marrëveshjeje “e deklaruar në Bruksel”, konsiderohen kundërshtime ndaj BE-së, prandaj dhe z. Samuel flet me kaq bindje dhe arrogancë.
Së dyti, z. Samuel na sqaron se: “BE’-a nuk kërkon miratimin e demarkacionit me Malin e Zi në Kuvend menjëherë, për shkak të situatës politike, porse ky është një kriter që do të monitorohet”; që do të thotë se kjo marrëveshje është bërë me nismën e vetë z.Hashim Thaçi, por me miratimin e Kryeministrit Mustafa. Që do të thotë se Thaçi dhe Mustafa e konsiderojnë Kosovën pronë individuale të tyre dhe, si rrjedhojë, mund të bëjnë si të duan dhe kur të duan me “pronën” e tyre, që e ka emrin Kosovë.
Bazuar në të dy rastet, Qeveria e Kosovës, për të qëndruar me çdo kusht në kolltuqet qeveritare, anëtarët e saj janë gati të bëjnë çdo lloj tradhtie kombëtare. Dhe për të realizuar këtë tradhti kombëtare, ata i kanë paraprirë me përzgjedhjen e deputetëve marioneta, me të cilën kanë menduar të ushtrojnë në popull tirani. Por dihet se tirania e shumicës është tirani e fshehtë. Dhe këtë lloj tiranie ata e kanë paramenduar qysh më herët, duke përdorur demagogjinë dhe shpifjet ndaj opozitës, për të fituar besimin në popull. Dhe, mesa duket, këtë besim e kanë fituar në një pjesë të konsiderueshme të popullit, përmes medieve dhe analistëve të tyre me shumicë, duke përdorur edhe pretekstin e thënë me gojën e z.Samuel: “Nuk mundet që në të njëjtën kohë të ketë diskutim për liberalizim vizash nga shtetet anëtare të BE-së e në Kuvend të vazhdojë gjuajtja e gazit lotsjellës”.
Tiranë
- 2. 2016