Nuk thonë më kot se: “Fshati që duket, nuk do kallauz”. Reagimet e diplomatëve të huaj në Kosovë që edhe pse Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar Marrëveshjen për Zajednicën në pjesën më të madhe të vendimit të saj si anti kushtetuese, këta diplomatë urdhërojnë që të zbatohet vendimi i marrë në Bruksel! Që do të thotë se ajo marrëveshje është bërë me urdhër të tyre dhe me dëshirën e Qeverisë. Ndaj dhe kjo qeveri i qëndron përsëri pronto këtyre ambasadorëve; gjë që tregon haptazi se vetëm me përkrahjen e tyre mund të qëndrojë si qeveri. Që do të thotë, gjithashtu, se me urdhër dhe ndihmën e tyre është krijuar kjo qeveri.
Sikundër është shprehur edhe opozita, Gjykatës Kushtetuese i ishte kërkuar nga Presidentia Jahjaga vetëm një përgjigje: Zajednica është antikushtetuese, apo jo? Dhe kaq. Atëherë, pse Gjykata Kushtetuese urdhëron që të ribëhet marrëveshja, gjë që nuk i është kërkuar nga presidentja?! Edhe pse gjykata nuk është e detyruar t’i japi përgjigje kësaj pyetje, gjithkush që i hedh një sy përbërjes së saj, (pesë ndërkombëtarë dhe dy vendas), bazuar në vendimin në fjalë, e kupton që kjo gjykatë nuk është gjykatë e drejtësisë kusheteuese e Kosovës, por gjykatë e diplomacisë ndërkombëtare për Kosovën. Prandaj dhe vendim i saj s’është gjë tjetër veçse goditje që Gjykata Kushtetuese i jep drejtësisë; asnjë ndëshkim përfundimtar ndaj autoritetit shtetëror të çoroditur; asnjë mallkim ndaj shkelësve të kushtetutës së Kosovës; asnjë mundësi për të parë një “lot” në sy të kësaj Gjykate për fatin e Kosovës! Për këto arsye ai vendim i përngjason një kukuvajke që shtrëngohet të hedhë vështrime prej shqiponje. Duke qenë se është një gjykatë e atillë, ndaj dhe ky vendim i kësaj gjykate tregon se ideali i saj në vend që të ishte i madhërishëm dhe i paqortueshëm, tregon së është jo i tillë.
Si është e mundur që të bjerë Gjykata Kushtetuese në rolin e Pont-Pilatit? Noshta edhe antarët e saj nuk munden ta shpjegojnë këtë gjë. Po qe se do të ishte Gjykatë Kushtetuese e Kosovësm,ajo me siguri do të kish si qëllim që t’ia dorëzonte këtë marrëveshje për Zajednicën ligjit kushtetues, si skllave e saj që ajo duhet të jetë. Duke mos qenë e tillë, ndaj dhe i zbaton urdhërat e diplomacisë, duke i mbyllur sytë përpara një qeverie recidiviste. Me këtë vendim, ajo i ka vjedhur kushtetutës një qeveri që i përket ndëshkimit, pasi ka thyer pesë nene nga gjashtë të tillë të Kreut të Tretë të Kushtetutës që kanë lidhje me atë marrëveshje, e thënë në vendimin e saj. Kjo tregon se kësaj gjykate i mungon besnikëria ndaj kushtetutës.
Ç’gjë e tmerrshme! Të jesh shtatorja e ndëshkimit e atyre që cënojnë kushtetutën dhe të arrish në atë shkallë sa të shpërblesh të keqen me të mirën, sado që gjer në atë ditë i ke thënë vetes se çdo e keqe është e keqe! Të jesh akull dhe të shkrihesh! Të jesh darë dhe të bëhesh dorë! Të mbylli Gjykata Kushtetuese një sy, ç’gjë e tmerrshme!
Kur ka folur vetë Kushtetuta me nenet e saj për këtë lloj thyerje dhe të lash duart si Pont-Pilati, do të thotë se autoriteti i Gjykatës Kushtyetuese është i pleksur me shumë luhatje; do të thotë se edhe Gjykatat Kushtetuese gabon me dëshirë. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese tregon çakërdisjen e drejtësisë në ndërgjegjen juridike të këtyre gjyqtarëve; tregon shtypjen e një ndershmërie ndaj kushtetutës, pasi nuk mund të shjegohet se si e patundshmja, e përpikta dhe e përsosura të mund të përkulet! Gjë që tregon se këta gjyqtarë, në të gjithë këtë punë, nuk shikojnë gjë tjetër veçse atë vështirësinë e pafundme për të qëndruar sa më gjatë në këto funksione që kanë rroga maramendëse. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që ta humbi toruan kaq keq një gjykatë e tërë. Kujt t’i besosh më në Kosovë? Ajo së cilës ky popull e ka parë si simbol drejtësie, po shembet!
26.12.2015
*) Prokurori romak, i njohur për rolin që luajti në gjyqin ndaj Krishtit, që, edhe pse e nxori të pafajshëm, e kryqëzoi. Në rastin tonë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, edhe pse e nxori të fajshme qeverinë e Kosovës, e shpërbleu.