Dilaver Goxhaj: Xhandarmëria – forcë ushtarako-policore multifunksionale

Ekstrat. Prej rëzimit të sistemit politik monist në vendin tonë, faktet kanë treguar dhe tregojnë se zonat rurale janë jasht kontrollit të shtetit, gjë që ka krijuar kushte për aktivitete të paligjshme, të cilat kanë sjellë edhe shkelie ligjore të të gjitha llojeve, që në shumë raste kanë përfunduar në krime. Kjo ndoshta edhe për arsye se, edhe pse ndëroi sistemi ekonomiko-shoqëror, shtetit ligjor nuk iu përshtatën disa struktura që koha po tregon se nuk janë plotësisht të efekshme për të mbajtur nën kontroll edhe zonat rurale sikundër qytetet.  


Hyrje. Krahas policisë së shtetit, e cila ka funksionuar kryesisht në qytete, në vendin tonë ka ekzistuar edhe xhandarnmëria, pavarësisht se termi Xhandarmëri ka qenë jo i pëlqyer prej popullit, si në periudhën e sundimit turk, ashtu edhe gjatë periudhës së Mbretërisë Shqiptare, ku xhandarmëria ish shndëruar në gogol. Në Shqipëri termi xhandar është i njohur shumë herët me emrin subash dhe më vonë xhandarmëri, e kryer nga jeniçerët.


Xhandarmëria shqiptare e ka fillesën në vitin 1914, e shndëruar në xhandarmëri moderne në vitet 1925-1939, me ndihmën e specialistëve anglezë, me një efektiv prej 3000 vetë dhe 131 oficerë, në varësi të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, duke u ndarë në katër zona, me qendra: Shkodrën, Peshkopinë, Tiranën dhe Përmetin, me komandën e përgjithshme në Tiranë. Në secilën zonë kishte nga një inspektor anglez. Komandanti dhe inspektori i përgjithshëm ishin drejtpërdrejt nën urdhërat e Mbretit. Prej 7 prillit 1939 deri në 29 Nwntor 1944 ajo u zëvendësua nga karabineria italiane dhe për demagogji u ringrit nga pushtuesit gjermanë. Pas çlirimit kemi forca që kryejnë detyra të xhandarmërisë, por me emërtim tjetër. Dhe këto ishin katër brigada të Divizionit të Mbrojtjes Popullore, të vendosura në Pukë, Peshkopi, Librazhd dhe Tepelenë, që më vonë morën emrin Forcat e Ndjekjes dhe u shkrinë në fund të viteve 60-të, kur ushtria kaloi në Pika Hapjeje dhe kur gjithçka u bë pronë shtetërore. Në ato kushte shteti u bë jashtzakonisht arbitrar, me dhunë anonime, pasi u shndërua në shoqëri të ekonomisë së planifikuar në formën e një ndërmarrje të stërmadhe, ku  të gjithë dhe për gjithçka vareshin nga shteti, dhe i gjithë populli u shndërua në popull ushtar. Si rjedhojë, Forcat e Ndjekjes dolën të panevojshme.


Fjala xhandarmëri vjen prej fjalës franceze gens d’ armes, që do të thotë burra të armatosur. Historikisht, si në kohët e Mesjetës edhe në ato moderne, ky term i referohej kavalerisë të armatosur rëndë, të cilët vinin prej familjesh fisnike dhe që shërbenin në ushtri. Napoleon Bonoparti e filloi organizimin e xhandarmërisë vetëm katër muaj pas grushtit të shtetit. Prej atij, ajo shndërohet për herë të parë në një lloj force e armatosur, e cila nuk kish si qëllim të vetëm pacifikimin e zonave rurale, por njëkohësishtë shërbente për zhvillimin e shtetit dhe shoqërisë edhe në ato zona, gjë që policia nuk mund ta realizonte përsosmërisht.[1])


Xhandarmëria ekziston në shumë shtete të Evropës: Francë, Zvicër, Itali, Vatikan,  Austri, Portugali, Spanjë, Serbi, Rumani, Turqi, Poloni, me emërtime të ndryshme: xhandarmëri, karabineri, roja e financës, roja kombëtare, mbrojtja popullore, etj., madhësia e sëcilës varjon kudo në raportin mesatar: një xhandar për çdo 600 banorë ose për çdo 5-7 km2. Në korrik 2006 është lançuar marrëveshja për një xhandarmëri europine midis Francës, Spanjës, Italisë, Portugalisë, Hollandës dhe, në vitin 2009 është bashkuar edhe Rumania, së shpejti pritet edhe Polonia. Qëllimi: krijimi i një force ndërhyrëse europiane që do të ketë funksione ushtarake të policisë si dhe të specializuar në menaxhimin e krizave, statusi i sëcilës është përcaktuar në Traktatin e Velsenit, në 18 tetor 2007.


 


Rikaktivizimi xhandarmëisë-një nevojë e kohës


 


Çdo lloj reforme ekonomiko-shoqërore, në çdo sistem shoqëror dhe ai i pronës. Aktualisht jetojmë në një shoqëri komplekse ku shpërndarja jo e barabartë e pushtetit dhe e pasurisë, si dhe rivaliteti mes njerëzve dhe grupeve të ndryshme për të shtënë dorë sa më shumë të mira, sjellin anarki dhe nismave vetjake, hile dhe mashtrime, ndaj kërkohet një policim më i efekshëm për gjithë territorin e vendit. Në këto kushte që shteti ende nuk e ka autoritin e vetë për të vënë në jetë programin e tij, ku dihet që planifikuesit privatë dëshirojnë të kenë hapësira dhe mjete të pamata dhe, për ta çuar shtetin ligjor edhe në skajin më të largët, atij i duhet një lloj strukture e sigurtë, tepër efikase dhe e përherëshme. Aktualisht kemi vetëm një polic për dhjetra fshatra malorë e kodrinorë, (76% e territorit tonë është kodrinor dhe malor tepër i thyer), ku policit i duhet të lëvizi vetëm në këmbë, ndërkohë që kontrabandistëve, sikundër e shohim për ditë, u mungon vetëm helikopteri, bën që jeta e qytetarit dhe llojet e pronave në zonat fshatare të jenë tërësisht të pambrojtura. Ngaqë në ato zona gjithçka është jashtë syrit të shtetit, ndaj dhe kultivimi i bimëve narkotike, përpunimi dhe trafikimi i tyre po lulëzon gjithnjë e më shumë, kontrabandohet jashtë traut të doganave, duke qarkulluar nëpër rrugët rurale e nacionale. Rjedhimisht që ka sjellë shtim të krimit të organizuar e të paorganizuar, edhe pse Ministria e Brendshme është fuqizuar me Forcat RENEA dhe FNSH, gjë që e tregon edhe dënimi i 124 personave me burgime të përjetëshëm, vetëm në dekadën e fundit[2]), përveç vrasjeve. Mungesa e policisë rurale ka sjellë edhe mosmbrojtjen e pasurisë kombëtare si, kullotat, pyjet, liqenet dhe lumenjtë si dhe mos mbajtjen nën kontroll të gjuetisë dhe të peshkimit. Si rezultat kemi shfarrosje të pyjeve sëbashku me florën tonë kombëtare,; humbjen e mijëra hektarëve toké arë gjatë rjedhës së lumenjve dhe në bregdet, si rjedhojë e aluvioneve nga shfrytëzimi pakriter i lumenjve, dhe shfarrosjen e gjithë faunës tokësore, ujore e detare, gjë që tregon se sistemi policor aktual është i paefekshëm, sidomos për zonat rurale. Dhe, që të parandalohet e gjithë kjo veprimtari kriminale, të mbrohet pasuria kombëtare dhe të kontrollohet çdo veprimtari ekonomike njerëzore, edhe në skajin më të largët të vendit, del domosdoshme krijimi i një strukture tjetër policore, krahas policisë aktuale të shtetit. Dhe kjo është Xhandarmëria.


Ç’është Xhandarmëria? Ajo është një lloj force ushtarako-policore e përherëshme, e ngarkuar me detyra policore midis popullatës civile dhe në repartet ushtarake, për të siguruar qetësinë publike, kufijtë, si edhe me detyra të Gardës Kombëtare,etj., në bashkpunuar me institucionet e tjera ligjore.


 


Xhandarmëria – forcë parandaluese e rëndësisë së veçantë


 


Në nenin 4 të Ligjit për  Policinë e Shtetit thuhet se kjo përgjigjet për mbrojtjen e gjithçkaje në të gjithë territorin e vendit, përfshi edhe kufijtë tokësorë e detarë. Mirëpo, sikundër e prekëm më lartë, mosefektiviteti i mbrojtjes së jetës së njerëzve, (ku nuk ka ditë pa vrasje makabre në fshat dhe qytet), kryesisht për shkaqe pronësie dhe përfitimi, tregon se Policisë së Shtetit i është dhënë një ngarkesë jashtë mundësive të saj, sado të përkushtuar të jenë drejtuesit dhe pjestarët e saj, pavarësisht se ajo është fuqizuar dhe fuqizohet çdo ditë. Për të qenë garante e jetës së njerëve, e demokracisë dhe e pushtetit, në kushtet e një demokracie të gjithanshme dhe të një pluralizmi politik në “luftë” të përherëshme për të marrë me çdo kusht pushtetin, ku edhe format me dhunë nuk  kanë munguar, në kushtet e një konkurenca gjithnjë e më të egër në aktivitetet prodhuese e tregëtare, me pjesmarrjen edhe të investitorëve të huaj, ku edhe kontrabanda gjallërohet, ndërkohë që  korrupsioni po shndërohet në mënyrë jetese, në duart e Policisë së Shtetit është përqëndruar një fuqi e tejskajshme. Çdo gjë ka kufi. A duhet kufizuar kjo fuqi, për parandalimin e ndonjë të keqe edhe më të madhe? Ngritja e xhandarmërisë bën të mundur që kjo fuqi të mos jetë në një dorë të vetme, pasi në një moment të caktuar, mos na duket çudi, mund të shkaktoi edhe grusht shteti, sikundër ka ndodhur me xhandarmërinë në vitin 1935, kryengrita e Fierit dhe në vitin 1937, ajo e Delvinës, të cilat u shtypën nga ushtria dhe forcat rezerviste, të cilat paguheshin mirë dhe regullisht, pasi mbaheshin vetëm për atë qëllim. Këto dy forca është mirë të kontrollojnë dhe kundërbalancojnë njëra-tjetrën. Mbajtja e gjithë kësaj fuqie në një dorë të vetme policore, duam apo nuk duam, të çon në abuzime. Ekzistenca e dy policive, por me varësi të ndryshme, i parandalon këto abuzime dhe njëkohësisht shton konkurencën midis dy këtyre institucioneve. Në të gjitha vendet ku ekzistojnë xhandarmëria dhe policia e shtetit, gjithnjë ka rivalitet dhe tension midis tyre si dhe ekzistojnë edhe reputacione të ndryshme, ku Xhandarmëria del gjithnjë më e vlerësuar nga ana e popullatës, për shkaqet e mëposhtme. Për shembull, në datën 01.10.2010, në Ekuador, policia, duke qenë e fuqishme, si në rastin aktual tonin, bëri përpjekje për grusht shteti, por dështoi si rjedhojë e ndërhyrjes së ushtrisë, e cila ishte më e fuqishme. Mirëpo, faktikisht ushtria jonë është më e dobët se policia e shtetit, pasi edhe forcat elitë i ka jashtë vendit. Në rastin e ekzistencës së xhandarmërisë nuk mund të bëjnë grusht shteti as ushtria, as policia e shtetit, sado të fuqishme të jenë, pasi janë tre lloj forcash dhe është e pamundur të bien në ujdi. Njëkohësisht, ushtria nuk e ka të lehtë të ndeshet me xhandarmërinë. Gjithashtu, duke qenë se xhandarmëria ka varësi nga dy Ministri, e ka shunë të vështirë që ajo vetë të bëjë grusht shteti, ndaj dhe del garante në këtë drejtim.


 


Krijimi i qyteteve të mëdha, imponon përqëndrimin e policisë në tò


 


Policia e Shtetit është një forcë civile nën kontrollin e MB, ku objektiva parësorë të saj duhet të jenë vetëm qytetet me 10 mijë banorë e lart, e cila të ketë vetëm dy priritete kryesore: sigurinë dhe paqen publike në ato qytete, si dhe misionin juridik për të siguruar provat për personat dhe organizatat që shkelin ligjet ose Kushtetutën dhe t’ia paraqesë ato drejtësisë. Koha ka treguar se probabiliteti i ndodhjes së shkelieve ligjore është shumë i shpeshtë dhe i madh në qytetet e mëdha, pasi kemi popullsi të madhe, prona dhe pronarë jashtzakonisht të shumtë, qarkullim të madh dhe, si rjedhojë, gjithë vëmendia e policies për mbrojtjen e ligjit dhe kërkimin e arrestimin e shkelsave të ligjit është përqëndruar në këto qytete, gjë që kanë mbetur jashtë kontrollit të saj zonat rurale, madje edhe ato në afërsi të qyteteve të mëdha. Në kushtet e ekzistencës së xhandarmërisë, policia e shtetit do të përqëndrohet vetëm në qytete, duke rritur shkallën e sigurisë së njerëzve dhe të pronës, që do të sjellë edhe parandalimin e grabitjeve spektakulare të bankave dhe dyqaneve që po na ndodhin shpesh edhe në mes të ditës.


 


Xhnadarmëria – forcë ushtarake


 


Këtë veçori xhandarmëria e merr prej misioneve të saj, të cilat janë: patrullon në të gjitha zonat e banuara rurale dhe qyteza, rrugët nacionale dhe ato dytësore, bregdetin, kullotat, pyjet, lumenjtë, zonat kufitare dhe kufijtë shtetërorë, (përfshi këtu edhe ndërhyrjet e jashtme), kryen sigurinë e aeroporteve civile dhe ushtarake si dhe të gjitha llojet e investigimit që kanë lidhje me ushtrinë; kryen shërbimin e vëzhgimit për ujrat detare; mbron vendet kulturore; mbron mjedisin e gjithë territorit si dhe punon edhe për nevoja të ministrive të tjera me kërkesë të tyre, gjë që do të thotë se ajo është kompetente për të gjithë territorin e vendit, ku parësore ka zonat rurale, të cilat nuk mund të kontrollohen vetëm nga policia aktuale e shtetit. Në situata lufte, xhandarmërisë i duhet të veproi si forcë e veçantë ushtarake, kundër forcave armike të hedhura apo të depërtuara në shpinë të ushtrisë apo në thellësi të vendit, gjë që është krejt ndryshe nga policia e shtetit, e cila nuk e ka mundësinë për një ndeshje të tillë.


Pë të kryer të gjitha këto detyra, është e nevojshme që xhandarmëria të organizohet, të armatoset, të pajiset dhe të stërvitet si dhe ushtria. Si e tillë, xhandarmëria, duke u shtrirë në të gjithë territorin e vendit, më shumë edhe se vet ushtria, ajo merr tiparet e një ushtrie territoriale, duke siguruar shërbime policore, speciale dhe të përgjithëshme, pavarësisht se këto të fundit i kryen në bazë të instruksioneve të Ministrisë së Brendshme. Për këtë qëllim, kuadrot si dhe të gjithë rekrutët e xhandarmërisë vinë nga kontigjentet dhe rekrutimet që bën sistemi i ushtrisë. Ndaj dhe gjithë pjestarët e xhandarmërisë, në rezervë apo në detyrë, llogariten si pjestarë të FA dhe janë subjekt i kodit dhe drejtësisë ushtarake dhe kanë të njëtin sistem edukimi, trajnimi, gradimi dhe financimi si FA. Xhandarmëria përfshin një shtab që mbulon forcat kufitare, kontrollin e administratës, policimin ushtarak në kazermat ushtarake si dhe monitoron trafikun dhe shërbimin logjistik të ushtrisë dhe të shtetit,përfshi stafin e trajnimit të tyre, për parandalimin e korrupsionit. Si rezultat i detyrave të mësipërme, xhandarmëria nganjëherë përshkruhet edhe si forcë paraushtarake. Si rjedhojë, ajo është e nevojshme të organizohet në batalione, me efektivë 300-400 vetë, të përqëndruar  në periferi të qyteteve të mëdha, si dhe në kompani, pranë prefekturave,si dhe në toga e posta nëpër qyteza, komuna dhe fshatra.  Prandaj dhe duhet që ajo të komandohet nga Shtabi i Përgjithshëm i MM, përfshi dhe anën financiare të saj.


Në detyrat ushtarake të xhandarmërisë përfshihen edhe asistimi si forcë sigurie në raste emërgjencash, por edhe dhune civile; përballimi me të gjitha llojet e demostratave; forcimin dhe vënien në zbatim të ligjit për detyrimin e  mobilizimit në rastet kur urdhërohet; lufton dhe shtyp kriminelët dhe grupet e dhunshme të armatosura, si dhe zbaton me përpikmëri detyrat që mund t’i jepen mbi bazën e dekreteve presidenciale dhe vendimeve qeveritare.


 


Xhandarmëria – polici rurale


 


Xhandarmëria, duke qenë një forcë me strukturë tërësisht ushtarake dhe e paisur me armatim të fuqishëm si vetw ushtaria, kuptohet që është mirë t’i ngarkohet ruajtja dhe mbajtja e sigurisë publike dhe e regullit publik në qytetet e vogla dhe në të gjithë hapësirën rurale të vendit. Si e tillë, ajo nuk mund të veproi në qendrat e mëdha të banimit me lirshmërinë e policisë, përveç rasteve kur policia nuk mund të përballoi demostratat dhe grumbullimet e mëdha të dhunshme, sikundër ishte rasti i 21 janarit 2011. Xhandarmëria, duke qenë më e përqëndruar, më e disiplinuar dhe më e fuqishme se policia është më e aftë për t’u përballur jo vetëm në raste demostratatash dhe grumbullime të mëdha e të dhunshme, por edhe kundër grupeve të armatosura dhe shumë të armatosura, qofshin ato të një natyre ushtarake ose jo ushtarake.


Ekzistencën e xhandarmërisë, krahas Policisë së Shtetit, e imponon edhe diferenca që ekziston midis qytetit dhe fshatit, pasi ekzistojnë mentaliteteve të ndryshme të formuara  me kohë. Në kushtet e sotme, ku pothuaj gjithçka është private, dhe ku qytetet e mëdha po rriten me shpejtësi, ndërsa qytetet e vogla po zvogëlohen, kuptohet që vëmendia e policisë së shtetit të përqëndrohet në këta qytete, gjë që lë mbeten jashtë kontrollit qytezat, pa folur për komunat e thella të vendit, të cilat kanë nevojë për një kontroll të tipit ushtarak. Kjo është arsyeja pse historikisht forcat e xhandarmërisë i kanë postat e tyre nëpër fshatra, prandaj dhe ajo është në gjendie ta kryej shumë më mirë se policia vendosjen e regullit e të qetësisë në fshat sepse është në kontakt të përditshëm dhe të drejtpërdrejt me popullsinë në tà, duke marrë pjesë në të gjitha aktivitetet komunitare por edhe ato familjare të zonës, pasi efektivi i postave nuk jeton as në qytet dhe as në kazerma. Kontakti i tyre ditë e natë me popullin kontribon në sigurinë publike, si policia e shtetit, ashtu edhe në atë të Kërkim-Shpëtimit (SAR), e cila e bën shumë më lehtë.


Si e tillë, xhandarmëria funksionon si një polici kombëtare, ngaqë kryen detyra edhe më shumë, edhe më gjerë se policia e shtetit. Njëkohësishtë ajo ka edhe disa degë speciale si: mbrojtja e konsumatorit, përfshi edhe shërbimin shëndetësor (për të cilat ngre hetim), duke u mbështetur në ligjin për prokurorinë dhe kodet ligjore.


Gjithashtu, xhandarmëria kryen edhe shërbimin e vëzhgimit në lumenj, liqene, në pyje dhe mund të funksionojë edhe si roje bregdetare, (si p.sh. në SHBA); ushtron kontrollin  e sigurisë në aeroporte e porte, duke mos përjashtuar edhe policimin ajror; po ashtu, ajo bën sigurinë e Presidentit, Presidencës dhe Qeveritarëve, roje nderi si dhe roje të godinave qeveritare me anë të Gardës së Republikës, e cila është pjesë e saj, si dhe shërbime të tjera të karakterit policor. Për këto arsye, përfshi edhe çështjet administrative dhe ato për zbatimin me rigorozitet të ligjeve të gjuetisë e të peshkimit, e bëjnë që xhandarmëria të jetë edhe në shërbim të Ministrisë së Brendëshme, (sikundër janë rastet emërgjente), dhe që MB ushtron kontroll mbi to, pavarësisht se xhandarmëria i raporton direkt edhe MM. Lidhjet e saj me Ministrinë e Brendëshme kanë të bëjnë me çështjet që i përkasin sigurisë dhe rendit publik, të cilat përbëjnë detyrat civile të xhandarmërisë.


 


A ka dallime midis xhandarmërisë dhe ushtrisë?


 


Dihet që ushtria si detyrë parësore ka mbrojtjen e sistemit shoqëror, mbrojtjen e armatosur të territorit kombëtar, si dhe kryen detyra luftarake jashtë kufujve, në kuadrin e NATO-s, ndërkohë që mbrojtja dhe rivendosja e ligjit nuk është detyrë e saj, por e një lloj force tjetër policore-ushtarake, dhe që është xhandarmëria, pavarësisht se  një pjesë e forcave të ushtrisë kanë në këtë drejtim një nivel të kënaqshëm eksperience, të fituar gjatë pjesmarrjes në operacionet paqësore. Ndryshe nga Ushtria, Xhandarmëria ka edhe detyra të sigurisë kombëtare ndaj revoltave të dhunshme të brendëshme; të sigurisë elektorale, veçanërisht në zonat rurale, ku edhe na kanë ndodhur paregullsi të përherëshme; siguron mos-shkeljen e kufijve si dhe eleminimin e pasojave në raste inondatash.


 


Veçori të të tjera të xhandarmërisë si lloj force e veçantë


 


Duke patur natyrë të dyfishtë, policore dhe ushtarake, xhandarmëria ka mundësinë dhe aftësinë të marrë pjesë në të gjitha llojet e operacioneve, si në fazën ushtarake të krizave brenda dhe jashtë vendit, por edhe të veproi në periudhat tranzitore, nga ato ushtarake në ato civile. Njësoj si ushtria, ajo mund të marrë pjesë në stërvitjet e mëdha dhe operacionet e tjera të NATO-s, por edhe në operacionet paqësore të OKB dhe të OSBE-së, ku nuk shkon ushtria. Ndryshe nga ushtria, ajo ka edhe detyra të një natyre civile (administrative, sociale, ekonomike, juridike dhe trafiku rrugor), duke patur të drejtë të ekzekutoi mandate arresti, si dhe policia, por edhe të kryej arrestime pa mandate arresti, kur personi është duke shkelur ligjin ose kryen krim në prezencë të pjestarëve të xhandarmërisë. Pra, xhandarmëria 60% të kohës, të resurseve dhe të fuqisë së saj e harxhon në misione sigurie kombëtare dhe civile, ndërsa 40% tjetër e harxhon për detyra juridike. Në këtë 40% përfshihen raportimi i krimeve dhe i shkeljeve të ndryshme të ligjit, mbledhja e të dhënave faktike dhe provave për këto shkelje, kërkimi dhe kapja e këtyre shkelsave në zonat e juridiksionit të saj si dhe çka folëm më lartë. Të gjitha këto bëjnë që xhandarmëria të vendoset nën autoritetin e dy ministrive, MM dhe MB, sikundër është në Francë, Serbi dhe Portogali ose edhe vetëm nën juridiksionin e MM, sikundër është në Itali e Turqi.


Brenda xhandarmërisë ka edhe rendime speciale, të cilat ndahen në: roja bregdetare, rendimi presidencial për sigurimin e Presidentit dhe Presidencës, shkolla e xhandarmërisë; dega gjyqësore e xhandarmërisë, e cila përfshin ruajtjen e burgjeve, transferimin dhe shoqërimin e të burgosurve, ndërhyrjet speciale në raste të nevojshme nëpër burgje, asistimin në hetimin e çështjeve penale dhe përgatitjen e tyre për gjyq dhe për gjykatat ushtarake; dega e hetimit ushtarak dhe dega e hetimit civil si dhe dega për detyrat e policimit administrativ, etj.


Duke qenë se është forcë e armatosur për aplikimin e ligjit të natyrës ushtarake, xhandarmëria në kohë paqe ka për detyrë të mbajë regullin, paqen dhe bindjen publike si dhe t’i rivendosi ato në rast se humbasin ose dëmtohen rëndë; t’i shërbejë komunitetit; të kryej detyra antiterrorizmi; të shtypi çdo revoltë të paligjshme të popullatës; të zbatoi gjëndien e jashtëzakonshme të shpallur nga Kuvendi ose ligjin e luftës; të zbatoi mobilizimin e detyruar dhe detyrat që dalin nga dekretet presidencialë, duke zbatuar detyrat e saj civile dhe ushtarake që rjedhin nga këta dekrete dhe ligje; të ndihmojë oficerat e policisë; të shoqëroi paratë publike si dhe municionet e ushtrisë; mbron ambasadat tona dhe personelin e tyre jashtë vendit, atje ku del e nevojshme; kryen detyra të mbledhjes së informacionit për nevoja të shërbimeve inteligjente; kontrollon dhe jep lejet e armëve dhe të gjuetisë si dhe ruan ambasadat dhe objektet historiko-kulturore e fetare. Ajo që është më kryesorja, xhandarmëria shërben si konjukturë lidhëse midis FA dhe çdo lloj force tjetër ose entiteti jashtë ushtrisë, në rastet që i kërkohet; merret me arrestimin dhe ndalimin e dezertorëve nga radhët e ushtrisë, gjë që policia ushtarake e ka shumë të vështirë ta kryejë këtë detyrë në zonat rurale; afron ndaj autoriteteve civile të dhëna të inteligjencës, por jo të një natyre politike, e cila hyn në atë që quhet policim administrativ dhe bëhet me qëllim për të llogaritur akte të mëdha të dhunës, etj.


Aktualisht mbi vendin tonë kryejnë mbikalime mbi 600 avjonë pasagjerës përveç 12 kompanive ajrore që ulen dhe ngrihen nga Rinasi, gjë që ka dalë e novojshme edhe krijimi i forcave të SAR-it dhe këtë detyrë xhandarmëria mund ta kryej me sukses dhe në kohën e duhur, pasi ajo është e vetmia forcë e përqëndruar e shtrirë në të gjithë thellësitë e territorit të vendit, ku edhe probabiliteti i përfundimit të aksidentet ajrore është shumë më i madh.


Përzgjedhja e kuadrove të Xhandarmërisë


Bazuar në sistemin tonë aktual të përgatitjes së oficerit, kuadrot për xhandarmërinë zgjidhen në mbarimin e vitit të tretë të Fakultetit Juridik dhe përgatiten 6 muaj në Shkollën e Trupës për nivelinvitin komandantit të togës dhe pas kësaj dërgohen 4 muaj për të bërë stërvitje intensive për forca komando dhe vetëm pas kësaj ata emërohen me detyrë në xhandarmëri. Pas 2-3 vjetësh rikthehet përsëri në Shkollën e trupës dhe për 4 muaj përgatitet për komandant kompanie, ndërsa për të komanduar batalionin dhe për të marrë edhe gradën e majorit përgatitet 6 muaj në Akademinë e Mbrojtjes. Edhe për nivele më të larta rikthehet përsëri në Akademinë e mbrojtjes. Në rastin kur funksionon Universiteti Ushtarak, kandidatët për oficera xhandarmërie, pasi mbarojnë vitin e dytë të universitetit çohen në Fakultetin Juridik për dy vitet e tjera. Pas mbarimit të këtij katërvjeçari shkojnë në Shkollën e Trupës dhe vijohet si më sipër. Por mundet të ndiqet edhe një përvojë tjetër, ku oficerat që mbarojnë Akademinë ushtarake me gradë nëntoger çohen në një shkollë xhandarmërie një vit ku marrin një trajnim profesional për edukim juridik e administrativ dhe, pasi mbarojnë këtë çohen 4 muaj për kursin e forcave komando, dhe ata që e mbarojnë me sukses këtë kurs emërohen me detyrë në xhandarmëri. Përsa u përket nënoficerave të xhandarmërisë, edhe ata zgjidhen me konkurs nga radhët e ushtrisë. Kushti i vetëm është që të kenë shërbyer minimalisht dy vite si nënoficerë në ushtri dhe pas këtij seleksionimi dërgohen 4 muaj në Shkollën e Trupës ose në një shkollë xhandarmërie për t’u përgatitur për specialitete të ndryshme të saj. Gjithmonë në përshtatje me sistemin e arsimimit të kuadrove të ushtrisë.


Përfundime


Xhandarmëria është një lloj force ushtarako-policore territoriale e gjithëkohëshme multifunksionale, e cila përfshihet në Forcat e Armatosura. Në rast se ajo krijohet, në të do të përfshihen Policia Rurale, FNSH, Policia Ushtarake, Garda, Shërbimi SAR, Policia e Burgjeve, Kufitre, Pyjore, Lumore, Kulturore, Mjedisit, Bregdetare, Qëndra Kombëtare e Emërgjencave si dhe funksionet elektorale në ato zona.


Edukimi i saj ushtarak dhe vartësia e dyfishtë  e mënjanojnë atë nga tepërimet e dikurshme policore, ndaj dhe mund të emërtohet edhe ndryshe.


Ekzistenca e saj garanton ekuilibrimin e forcave dhe parandalon çdo lloj abuzimi nga secila forcë e armatosur dhe parandalon ngjarjet si ajo e Gërdecit apo e 21 janarit 2011. Në rast se do të ekzistonte xhandarmëria në vitin 1997, nuk do të ndodhte tragjedia e dërgimi të Gardës Kombëtare në Cërrik, sepse oficerat e xhandarmërisë, përveç që janë ushtarakë të mirëfilltë, janë edhe juristë të pajisur edhe me edukim administrativ. Ngjarjet e mësipërme treguan nevojën e kësaj lloj force me varësi të dyfishtë, si dhe paaftësinë e Policisë për ato lloj situatash.


 


Bibliografia


1.       Fletore Zyrtare Nr. 40, datë 23 korrik 1929, mbi Dekret-ligjin organik të Gjindarmërisë.


2.      Historia e Shqipërisë, v.3, Tiranë 1984


3.      Ligji Nr.9749, datë 4.6.2007 për Policinë e Shtetit


4.      Ligji Nr.10 142, datë 15.5.2009, për ndryshime në Ligjin Nr.9749, datë 4.6.2007.


5.       Ligji Nr. 8869, datë 22.05.2003 për Gardën e Republikës së Shqipëerisë.


6.      Ligji Nr. 9445, datë 16.11.2005, për disa ndryshime në ligjin nr. 8869, datë 22.5.2003.


7.      Ligji Nr.9069, datë 15.5.2003 për Policinë Ushtarake në FA të Republikës së Shqipërisë


8.      TV “Channel One”, 12.3.2012


9.      Michel de Weger, Res Militares, Vol.I, nr.2, 2011


 


13.3.2012.


(Dilaver Goxhaj është pedagog në KDS)








[1] Michel de Weger, Res Militares, Vol.I, nr.2, 2011


[2] TV “Channel One”, 12.3.2012

Kontrolloni gjithashtu

Memli Krasniqi

Memli Krasniqi: Nuk do të ketë koalicion me Vetëvendosjen, pasi qëllimi ynë është të largojmë Albin Kurtin prej pushtetit

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se nuk ka mundësi për një koalicion të …