Për dallim nga vezirët e mëdhenj që kishin shërbyer në Perandorinë Osmane dhe shumë prej tyre ishin ekzekutuar, gjithnjë në rrethana jo të sqaruara sa duhet, por që ishin pjesë e luftës për pushtet në kreun e Perandorisë më të madhe të botës, nga dinastia e Qyprilinjve, pësoi vetëm Kara Mustafë Pasha, sespe kishte dështuar ta pushtonte Vjenën. Vezirët e tjerë nga kjo derë shqiptare kishin gëzuar namet dhe favoret më të mëdha në afër 150 vjet shërbim në postet më të larta të Turqisë së kohës.
Fazil Ahmed Pashë Qypirliu ( 1661-1676)
Më 31 tetor të vitit 1661, Veziri i Madh, Mehmet Qypriliu, arriti të bindë Sulltanin që të pranonte largimin nga detyra dhe zëvendësimin e tij në detyrën e Vezirit të Madh me të birin Fazil Ahmet Pasha, kërkesë që u plotësua. Emërimi i Ahmetit në këtë post nuk ishte pasojë e një hatri apo preference të favoreve familjare perandorake. Në të kundërt, e gjithë kritika historike, opinionet osmane dhe ato evropiane të kohës, e vlerësojnë këtë hierark si “komandantin ushtarak turk më të aftë dhe më të famshëm të shekullit…” Ai konsiderohet një burë me aftësi dhe karakter të qëndrueshëm; që besonte në forcat dhe aftësitë e tij personale. Nën këtë kurajë, më 1663, ai mobilizoi një forcë ushtarake prej 120. 000 vetash dhe iu drejtua Evropës Qendrore. I takojnë atij meritat e disa fitoreve në kufijtë me Austrinë, si dhe detyrimet prej 200 000 florinjsh në këmbim të ndërtimit të fortesës nga austriakët në Waag. Ahmeti mori përsipër dhe drejtoi gjithashtu ekspeditën dhe operacionet ushtarake kundër Hungarisë, pasi kishte kaluar nëpër Beograd dhe Buda, më 1664, si dhe realizoi nën përgjegjësinë dhe drejtim personal tërë operacionet kundër venecianëve. (Richard Lodge: “Austria, Poland and Turky”, Kap. XII, f 382.)
Në vitin 1669, mposhti aleancën franko-veneciane, pasi kishte marrë më parë komandën personale të drejtimit të betejave nën një vendosmëri të hekurt kundër qëndresës heroike të kryeadmiralit të njohur venecian, Françesko Morozini. Pas betejave të përgjakshme navale nën komandën e tij personale, Ahmet Qypriliu arriti të shtjerë në dorë ishullin strategjik të Kretës, duke përfshirë këtu edhe kontrollin e porteve të Sudas, Karabusës dhe Spina-Lurgas. Nënshtrimi i ishullit të madh dhe strategjik të Kretës ishte pa dyshim i një rëndësie të paimagjinueshme. Kjo fitore konsiderohet e fundmja fitore mbi territoret evropiane e realizuar nga Perandoria Osmane dhe shënon kufirin e fundit të saj në fushatat pushtuese. Ky pushtim shënon në të njëjtën kohë edhe rrëzimin e copës së fundit të territoreve greke nën hartën e Perandorisë Osmane.
(J.A.R. Mariot; “The Eastern Question – An Historical Study of Europian Diplomacy”, Oxford University, Clarendom, 1919, Kap V, f. 98)
Në vitin 1672, duke shfrytëzuar me dinakëri zhvillimet në Evropën Lindore, si dhe thirrjen për ndihmë të kozakut Hetman Dorozenko, në krye të një ushtrie impozante, pushtoi territore më të gjëra në kufijtë veriorë të Evropës, qytetet dhe krahinat e Kameniekut dhe Lembergut, duke lënë në mëshirën e duarve të tij tërë Podolian. Kështu, Veziri i Madh, Ahmet Qypriliu mundi të vërë në kushtet e suzeremitetit të tij tërë Ukrainën, duke marrë gjithashtu prej saj një tribute prej 200 000 dukatesh në vit.
Pa pritur të kthehej triumfator me trofetë e lavdisë dhe të parave në Stamboll, Qypriliu iu drejtua në tetor të vitit 1673 territoreve polake ku realizoi një fushatë ushtarake të suksesshme.
Në këtë mënyrë, gjer aty nga mesi i vitit 1676, Ahmet Qypriliu, kishte zgjeruar kufijtë dhe territoret e Perandorisë Osmane në skajet më veriore të Evropës, duke përfshirë edhe Neuhauselin, kishte vendosur dominimin mbi Hungarinë, kishte thyer dhe aneksuar territore të Polonisë dhe kishte shtënë në dorë të gjithë ishullin e Kretës. Ndoshta është ky strategu që arriti të zgjerojë më shumë se çdo herë tjetër dimensionin gjeografik në jetën e kësaj Perandorie. Vdiq në vitin 1776 pak përpara nënshkrimit nga ana e Turqisë të traktatit të Zuravnës.
(Richard Lodge: “Austria, Poland and Turky”, Kap. XII, f 382.)
Sundimi i Ahmet Pashë Qypriliut është një nga më të gjatët e Veziratit osman, dhe nuk konsiderohet aq i egër sa ai i pararëndësit, të atit të tij, bile ai vlerësohet një nga më të mirët. Vlerësohet si politikani që diti të ndërtojë apo rehabilitojë me mjeshtëri shumë plagë të politikës së jashtme osmane, që gjer atëherë rëndonin ekuilibrat dhe synimet pushtuese të saj. Qysh kur ishte gjallë jo vetëm historianët, por edhe shkrimtarët dhe artistët i thurën himne për kujdesin e veçantë dhe interesonin që ai tregoi ndaj tyre. Në kohën e tij dhe nën kujdesin e tij u ndërtua biblioteka që mban emrin e qyprilinjve dhe që u kthye në një nga bibliotekat më të rëndësishme të Stambollit.
(Martran, Robert; “Historia e Perandorisë Osmane “Dituria”, Tiranë 2004, f. 235)
Burimi:Gazeta Shqip.