Disa deputetë të LDK-së nuk do ta mbështesin kandidaturën e Hashim Thaçit për kryetar

Në një prononcim për “Radion Evropa e Lirë”, deputetja e LDK-së, Vjosa  Osmani ka folur për skenarët që mund të rrëzojnë kandidaturën e Thaçit, ditën e votimit të tij në Kuvend. “Unë jam e bindur që e vetmja mënyrë për ta parandaluar zgjedhjen e Thaçit president është duke e pamundësuar kuorumin prej dy të tretave të votave që kërkohen qysh në momentin kur fillon procedura e zgjedhjes së presidentit. Pra, përveç opozitës, duhen edhe 10 deputetë të LDK-së që atë ditë të mos qëndrojnë në sallë në mënyrë që të pamundësohet zgjedhja e tij në krye të shtetit për pesë vitet e ardhshme”, ka thënë Osmani. Ajo vlerëson se Thaçi nuk i plotëson dy kritere kryesore, që parashihen me Kushtetutën e Kosovës. “E para, Thaçi nuk është figurë uniteti, por, përkundrazi, është figurë përçarëse. Dhe së dyti, për shkak se posti i presidentit është edhe shef apo udhëheqës i politikës së jashtme, sipas Kushtetutës, që nënkupton se duhet ta kemi një figurë që e rregullon imazhin e Kosovës në botë, ndërkaq z. Thaçi e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë vetëm të kundërtën”, ka vlerësuar Osmani.


 


17. 1. 2016.  Ora 14.00


 


Avokati, Arianit Koci  ka deklaruar se kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili ndodhet në burg, ka hyrë në grevë të urisë. Gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar.  Krejt çka po kërkon Lushtaku është që t’i respektohet e drejta elementare: e drejta në trajtimin mjekësor, ka thënë Koci   Sami Lushtaku është dënuar nga shkalla e parë 12 vjet për vrasjen e një personi të panjohur, kufoma e të cilit nuk është gjetur. Pritet shumë shpejt të mbahet seanca në shkallën e dytë, sipas kërkesës së avokatit, i cili ka apeluar vendimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës. Aktualisht, Lushtaku është duke qëndruar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdofc.


 


Pasi është bërë i ditur lajmi se kryetari i komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku ka hyrë në grevë urie për shka të mos trajtimit në spital Udhëheqja e punëtorëve të administratës komunale dhe udhëheqja më e lartë e Komunës së Skenderajt, ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm pas situatës së krijuar me këtë rast


Pas kësaj mbledhjeje është marrë vendim që e tërë nëpunësit e administratës komunale të hyjnë në grevë nga dita e hënë. Më këtë rast, komuna e Skenderajt  shpreh edhe shqetësimin për, siç thuhet në komunikatë, “trajtimin e padrejtë dhe johuman të Kryetarit Sami Lushtaku”. Më tej, kjo komunë kërkon nga Presidentja e Kosovës, Avokati i Popullit dhe institucionet e tjera relevante që të reagojnë “karshi shkeljes së rëndë të të drejtave elementare njerëzore ndaj z. Lushtaku”. “Privimi nga e drejta për të marrë shërbime shëndetësore është në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Shërbimi shëndetësor nuk u ndalohet as robërve të luftës. Gjendja shëndetësore e z. Lushtaku është serioze dhe ndalimi i ofrimit të shërbimeve adekuate mjekësore përbën rrezik për jetën e tij, prandaj kërkojmë nga institucionet relevante kompetente që të marrin masa urgjente në drejtim të përmirësimit të kësaj situate, që është shqetësim jo vetëm i familjes Lushtaku por edhe i institucioneve lokale të Skenderajt dhe qytetarëve të kësaj treve, thuhet në komunikatën njoftuese të Komunës së Skenderajt.


 


Agjencia DPA nga Nju Jorku, bën të ditur se Kroacia zyrtarisht e ka nominuar ministren e jashtme, Vesna Pushiq, për postin e sekretares së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke u bërë shteti i parë qe e ka paraqitur një femër për këtë post, i cili gjithnjë ishte mbajtur nga meshkujt. Në letrën dërguar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u ishte shpërndarë vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanoviq, e ka nominuar zonjën Pushiq, e cila është edhe zëvendëskryeministre e parë e Kroacisë. “Zonja Pushiq e ka një karrierë të shquar kombëtare dhe ndërkombëtare, si politikane dhe anëtare e akademisë, që e bënë atë plotësisht të përgatitur për kryerjen e këtij posti të udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale”, ka shkruar kryeministri Milanoviq. Më herët edhe Maqedonia e ka paraqitur kandidatin e vet, Sërgjan Kerim, që është diplomat dhe biznesmen. Mandati i sekretarit të përgjithshëm të tashëm të OKB-së, Ban Ki Mun, i kalon gjatë këtij viti.


 


Kancelari i Austrisë, Werner Fajmann në një intervistë për gazetën lokale “Ostereih” ka bërë të ditur se Vjena zyrtare ka anulura për një kohë rregullat e Shengenit për lëvizjen e lirë të qytetarëve.  Bashkë me pezullimin e Schengenit, Fajmann ka njoftuar se kontrollet e personave që do të hyjnë në austri do të vazhdojnë të jenë edhe më të  përforcuara. Pezullimi i Schengenit, veprim që pas Austrisë mund të ndiqet nga vende të tjera perëndimore, ishte i pritshëm për shkak të fluskit të emigrantëve nga vendet arabe dhe Afrika drejt vendeve të Europës. Krahas emigrantëve, një tjetër rrezik përbën edhe terrorizmi. Sipas autoriteteve evropiane, Schengeni u ka mundësuar militantëve të lëvizin të lirë në kontinentin e vjetër e të organizojnë atentate, si ai i 13 nëntorit në Francë. Për t’u bërë ballë këtyre sfidave, edhe Italia është shprehur e gatshme të rivendosë kontrollet, ndërkohë që Suedia dhe Danimarka i kanë vendosur tashmë masat shtrënguese.


 


 


Në raportin e Policisë së Kosovës për 24 orët e fundit, janë raportuar gjithsej 57 aksidente, në 22 prej tyre ka pasur persona të lënduar. Duke iu referuar kushteve atmosferike, gjendjes së rrugëve dhe aksidenteve të raportuara gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës nga pjesëmarrësit në trafik kërkon një vigjilencë më të shtuar dhe vozitje më të kujdesshme duke iu përshtatur gjendjes së rrugëve dhe shenjave të komunikacionit.


“Policia e Kosovës iu drejtohet të gjithë pjesëmarrësve në trafik, e në veçanti drejtuesve të automjeteve, që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor si dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike gjatë ngasjes së automjeteve, sepse tani të reshurat ndikojnë në zvogëlimin e dukshmërisë në rrugë, ku në disa akse rrugore mund të paraqiten vështirësi në qarkullimin rrugor e sidomos në orët e vona dhe ato të hershme ku mund të paraqiten edhe ngrica”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës. Ndërkaq, në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës është raportuar për gjithsej 57 aksidentet, kurse në 22 prej tyre ka pasur persona të lënduar.


 


34-vjet më parë, më 17 janar të vitit 1982, në Untergrupenbah të Gjermanisë, në një pritë të organizuar nga UDB-ja jugosllave janë martirizuar:  Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, tre ndër atdhetarët më të njohur shqiptarë të kohës, në mërgatë. Pikërisht në kohën kur Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe disa mërgimtarë të tjerë shqiptarë nga Kosova  dhe viset e pushtuara, (që përfaqësonin disa grupe të veprimtarisë së fshehtë të kohës),  kishin arritur ta bashkonin lëvizjen e ndarë dhe të përçarë të rezistencës, inspektorët dhe instruktorët e UDB-së, pasi i kishin përcjellë një kohë të gjatë hap pas hapi, në mëngjesin e hershëm të 17 janarit i kishin goditur, me breshëri  të armëve të zjarrit, në momentin kur ata po hynin në veturën e parkuar para shtëpisë ku banonin vëllezërit Gërvalla.  Asokohe, autoritet shtetërore gjermane kanë përhapur lajmin për opinion dhe medie  se vrasës të panjohur kanë vrarë tre shqiptarë nga Kosova. Versioni zyrtar i Gjermanisë lidhur me vrasjen i adresohej, sikur thuhej, “qërimit të hesapeve” mes grupeve të emigrantëve, duke fshehur faktin se Shërbimi sekret gjerman bashkëpunonte me UDB-në për eliminimin e emigrantëve kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë. Në momentin e fundit të jetës, i shtrirë në një spital gjerman nën “përkujdesje të rastit” të një mjeku me origjinë serbe, Jusuf Gërvalla, kishte deklaruar se vrasjen në pritë e  kishte kryer UDB-ja jugosllave me njerëzit e vet.


 


 


Nesër, më 18 janar 2016,  në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të dalluar të çështjes kombëtare, Avdi Kelmendi mbahet Akademi në nderim të jetës dhe veprës së tij.  Akademia përkujtimore mbahet, në orën 12,00 në  Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë. Me këtë rast shfaqet edhe një film dokumentar tematik kushtuar jetës dhe veprës atdhetare të Avdi Kelmendit.


Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …