Disa medie dhe jugo-portale në Kosovë, përpiqen që përmes një fjalë të shprehur gati 20-vjet më parë, në një gjendje të rëndë shpirtërore, ta poshtërojnë, Sherife Sylën nënën e dëshmorit, Kadri Syla, nga Reçaku, e cila ka vdekur të hënën, në moshën 79-vjeçe.
Me rastin e vdekjes së nën Sherifës jugo-mediet që kujdestarojnë për ta poshtëruar luftën e UÇK-së, komentojnë një bisedë që kjo nënë e dëshmorëve e martirëve kishte pasur me ish kryeministrin, tanimë të ndjerë, Bajram Rexhepi. Fjala e saj e pamatur e shprehur, si pasojë e dhembjes dhe pikëllimit, për tre anëtarë të vrarë të familjes është shpërndarë në Youtube, dhe është riaktualizuar sot nga ish bashkëpunëtorët e Milosheviqit, tani drejtues mediesh e portalesh, të cilët jo vetëm që nuk shprehin asnjë respekt për këtë nënë fatkeqe, por e poshtërojnë atë dhe familjen e saj, duke i përmendur një fjalë të papeshuar.
Jam tejet i sigurt se po ta kishte sharë Nënë Sherifja, Sllobodan Milosheviqin, si vrastar, të dy bijve e burrit, jugomediet insjaderët, telegrafët, indeksonlinet e të tjerët si këta, kurrë nuk do ta kishin përmendur fjalën e saj.
Këtyre urrejtësve të UÇK-së, duhet përkujtuar njërin prej 30 karaktereve të filozofit grek, Theofrast, i cili në mesin e radhitjes dhe sistemimit të karaktereve të njerëzve, ka veçuar edhe karakterin e debilit dhe të shpërfytyruarit, i cili e pyet nënën e vet, se si është ndier kur e ka lindur dhe nga ku e ka lindur atë? Të tillë janë ky soj i njerëzve. Në vend të shprehjes së pikëllimi për një nënë dëshmori, në vend të një ngushëllimi moral, për familjen me rastin e vdekjes së saj, ata e mbajnë peng dhe e poshtërojnë për një fjalë të papeshuar, me qëllim që përmes fjalës së saj ta poshtërojnë luftën e UÇK-së. ( Ahmet Qeriqi)