Disa nga mediet në Kosovë, që i ka nën kontroll Vetëvendosja, apo që iu kanë vënë nën tutelë nga favoret që i vjelin nga ajo, kur flasin e shkruajnë për Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi i referohen si kryeministër teknik apo kryeministër në detyrë, në përpjekje për ta denigruar autoritetin e tij qeveritar, për ta minimizuar rolinnë postin e kryetarit të Qeverisë, njëjtë me partitë politike nacionaliste, sllavomaqdone. Dihet mirëfilli pozita kushtetuese e kryeministrit, Talat Xhaferi, por të tillëve, ashtu sikur travarëve e taravarëve u pengon fakti se për herë të parë në historinë e këtij shteti, dikur shtet edhe më represiv kundër shqiptarëve sesa Serbia, të ndodh e papritura edhe pse e paralajmëruar shumë kohë më parë nga BDI-ja, se një ditë Qeverinë e Maqedonisë do ta udhëheq një kryeministër shqiptar, madje, në rastin konkret nga radha e komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Xhelozët, inatzinjë sikur Kurti e kurtët e tij, në Maqedoni, tregojnë mungesën elementare të moralit kombëtar, pse jo edhe atij politik, në përpjekje për të fituar ndonjë poen apo lëvdatë nga nacionalistët sllavomaqedonë, duke injoruar kryeministrin, Talat Xhaferi, i cili për një mandat të plotë ishte kryetar i Kuvendi të Maqedonisë së Veriut, jo kryetar në detyrë, as kryetar rasti, por kryekuvendar ndër më të guximshmit për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe shumë paqësor e parimor për komunitetin shumicë në këtë shtet. Talat Xhaferi që moti ka hyrë në histori, jo si teknik i saj as si taravar e taravol, po si luftëtar i lirisë. Tani politikan me kredo diplomat dhe burrë shteti ndër të paktët që i ka kombi.
Përpjekja e një segmenti të Vetëvendosjes në krye me Albin Kurtin për ta dëmtuar BDI-në duke krijuar përçarje në mes të partive politike në Maqedoni, para së të jetë përpjekje politike, ajo është përpjekje antikombëtare, në radhë të parë për shkak se kjo parti ka përbërje dhe përmbajtje nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe është shumë e afërt me paritë e dala nga lufta e UÇK-së në Kosovë. Kurti i cili mendon se me burgosjen e kreut të UÇK-së, partitë që identifikohen me luftën nuk do të mund ta marrin pushtetin, për shkak të një mase të demonizimit nga faktori ndërkombëtar, pretendon që edhe në Maqedoni ta marrë pushtetin opozita kundër BDI-së, jo kundër Qeverisë, edhe pse aktualisht BDI-ja udhëheq edhe me qeverinë deri në muajin maj.
Në pamundësi për të krijuar përçarje e ndasi në Shqipëri ku ka pësuar me turp në organizimin e Vetëvendosjes me tre kaskaderë politikë të Tiranës, Kurti po përpiqet të korr ndonjë sukses në thellimin e përçarjes në mesin e shqiptarëve në Maqedoni.
Duke qenë se BDI-ja tashmë është konsoliduar dhe së fundmi e ka marrë edhe qeverisjen, nuk ka kurrëfarë rreziku, që ajo të pësojë nga përpjekjet e Kurtit dhe të kurtëve në Maqedoni. Megjithatë, duhet pasur kujdes, sepse fanatikët e politikave të dështuara, kurrë nuk e pranojnë dështimin dhe në të shumtën e rasteve nuk zgjedhin mjete, për të arritur qëllimet e tyre të sëmuara. RKL