Bota dokesore shqiptare është shumë e pasur me motive arkaike, të cilat edhe pse në formë të pashkruar, janë mbajtur mend dhe janë përcjellë brez pas brezi në formë kënge apo rrëfimi, qysh nga koha antike e deri në ditët tona. E kaluara tragjike, por edhe heroike është e mbushur me shembuj ngjarjesh ndër më dramatiket, të cilat bota i njeh vetëm në tragjeditë e Eskilit, Euripidit, Sofolkit, Shekspirit e dramaturgëve të tjerë të mëdhenj, të cilët kanë sjellë shembuj të shumtë të këtij fenomeni.
Kjo trashëgimi, në botën shpirtërore dhe dokesore shqiptare është e gjithanshme në motive dhe paraqitje, ndërkohë që janë ruajtur disa nga motivet më arkaike dhe më autentike, të cilat kanë mbijetuar në një formë të çuditshme, në formën gojore të rrëfimit, veçori kjo shumë e moçme e popujve antikë dhe tejet e përhapur në traditën tonë gojore.
Përveç motiveve shumë të njohura dhe të përhapura si motivet e rinjohjes, ringjalljes, flijimit, bota dokesore shqiptare njeh edhe fenomenin e gjakmarrjes si formë për të mbijetuar, për ta ruajtur veten dhe të afërmin, në mungesë të ligjit e të shtetit. Në Kanunin e Lekë Dukagjinit, kodifikuar nga Atë Shtjefën Gjeçovi, thuhet se “Gjaqet i la Leka, një për një, sepse del i keqi prej të mirit, ashtu sikur i miri prej të keqit. Shpirt për shpirt se dukjen e falë Zoti. Çmimi i jetës së njeriut është një, si për të mirin ashtu edhe për të keqin..
( Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shkodër 1933. faqe 85.)
Gjakmarrja në Kodin e lekë Dukagjinit ishte kodeks me rëndësi që rregullonte të drejtën dhe paprekshmërinë e jetës, në kushte dhe rrethana të njohura historike. Ky fenomen ka arritur deri në ditët tona, jo si trashëgimi e prapambetjes dhe arkaizmit vulgar, sikur paraqitet nga shumë studiues të sotëm shqiptarë, por si relikt i një qytetërimi autentik, jo vetëm ndër shqiptarët, por edhe te shumë popuj të tjerë të qytetëruar, si te arabët, grekët e vjetër, korzikanët, sicilianët etj, në të gjitha periudhat e zhvillimit historik.
Gjakmarrja lindi si rezultat i nevojës për mbrojtje dhe siguri, shpjegon Engelsi duke shtuar se “për të mbrojtur sigurinë e tij, individi mbështetej te gjinia. Nga lidhjet e gjakut që kishte gjinia, lind edhe detyra për të marrë hakun.. Engels: Origjina e familjes, pronës private dhe e Shtetit. Tiranë 1958, faqe 228-229.
Duke e kundruar këtë fenomen si “sui generis”, pa pretendime të ndreqjes të së kaluarës, apo injorimit, nxjerrim në sipërfaqe elemente të qytetërimit tonë autentik në sinkroni e diakroni, në kohë dhe hapësirë përmes përshkrimit realist, historik, në kushte dhe rrethana të caktuara.
Gjakmarrja ndër shqiptarë ka qenë dhe do të mbetet një temë e përhershme për trajtime e studime të ndryshme, jo sepse është fenomen tipik shqiptar, por sepse ky fenomen është i njohur në tërë qytetërimet botërore, duke qenë i shprehur ku më shumë e ku më pak.
Fenomeni i gjakmarrjes ndër shqiptarë, ka arritur deri në ditët tona. Vetëm në periudhën kohore prej vitit 1945 e deri në vitin 1991, gjatë kohës së sundimit komunist, në Shqipëri, gjakmarrja ishte çrrënjosur, ose thuhej se ishte çrrënjosur. Gjatë asaj periudhe kohore në Kosovë, ku sundonte ligji i një pushteti okupator, gjakmarrja ndër shqiptarë ishte e pranishme, edhe pse ligjet e pushtetit ndëshkonin krimin, konform ligjeve në fuqi.
Janë dhënë sa e sa konstatime lidhur me këtë fenomen të lashtësisë dhe është arritur në përfundime të nxituara, e shpeshherë edhe të gabuara. Mendjet iluministe dhe romantike, kanë bërë përpjekje që këtë fenomen ta paraqesin si reaksionar, të dëmshëm për etninë dhe krejtësisht të papranueshëm. Janë bërë sa e sa apele, janë bërë sa e saj pajtime gjaqesh, janë zhvilluar sa e sa fushata, por gjakmarrja nuk është çrrënjosur as mund të çrrënjoset, sidomos në vendet ku ligji dhe shteti janë të dobët dhe nuk arrijnë ta shtrijnë sigurinë dhe mbrojtjen ligjore për të gjithë qytetarët pa dallime entike, fetare apo sociale.
Po të shikohen kronikat e zeza, sidomos në Shqipëri shohim dhe bindemi se ky fenomen po mbijeton në mënyrë të çuditshme, ashtu si sfinksi.
Gjakmarrja ndër shqiptarë ekziston dhe pranohet botërisht, ndërsa ekziston edhe të popujt tjerë, por nuk e ka nivelin drastik të paraqitjes sikur është përhapur në mesin tonë.
Nuk është gjakmarrja shenj që tregon mungesë së kulturës, as mungesë të vetëdijes qytetëruese, as shenj i prapambetjes. Ajo në esencë është e lidhur me qenien, kulturën, historinë, etninë, robërinë shekullore, fenë dhe shumë veçori të tjera. Në kohën e mbretërimit të anarkisë, për të mos ekzistonte fenomeni i gjakmarrjes, banda të tëra keqbërësish do të shuanin dhe do të shfarosnin familje të tëra.
Gjakmarrja ka qenë mënyrë e ruajtjes së kokës, mënyrë e ruajtjes së familjes, por edhe fisit e bajrakut, sipas motos, “Dy duar për një kokë”. Sepse po të mos ishte kështu, sepse po të mos merrej haku, vrasësit nuk do të ndaleshin me aq.
Zakonisht pasi nxirrej haku, jepej besa, apo edhe “besa e paqit” dhe ndërkohë palët pajtoheshin. Në rastet kur pala që konsideronte se është dëmtuar më shumë nuk pranonte pajtimin dhe vazhdonte vrasja. Në të shumtën e rasteve, të gjitha gjaqet janë trajtuar me pleqnarë popullorë, të cilët e kanë interpretuar për mrekulli ligjin, edhe pse të pashkruar deri vonë, të Lekë Dukagjinit.
Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, gjakmarrja përkufizohet si “Zakon i egër e i prapambetur fisnor, sipas të cilit për të marrë hakun e një të vrari, duhej vrarë njëri prej anëtarëve të familjes a të fisit të vrasësit. Marrja e gjakut sipas zakonit të hakmarrjes. Zakoni i hakmarrjes...FGJSH, Prishtinë 1981.f.597). Po ashtu në formë më të zbutur të gjakmarrjes kemi edhe hakmarrjen, si fenomen i cili është i përhapur kudo në botë në forma të ndryshme të shprehjes.
Hakmarrja është një shpagim për një të keqe, për një dhunë, për një krim, padrejtësi, fyerje, për një qortim a kritikë…duke e ndëshkuar apo duke e dënuar në mënyra të ndryshme, atë që e ka bërë… Hakmarrje e drejtë, Hakmarrje e popullit, etj. Luftë hakmarrëse, njeri hakmarrës etj. (FGJSH, Prishtinë, 1981, faqe 642).
Hakmarrja e dikurshme individuale, sot në botën e globalizmit kapitalist është kthyer në hakmarrje, apo revanshizëm me përmasa kolektive. Sa i ka kushtuar Amerikës dhe botës arabe e islame kjo hakmarrje prej shtatorit të vitit 2001?
Nuk mund të japim as përafërsisht shifrat fatale se sa jetë njerëzish ka marrë hakmarrja amerikane, por edhe e shteteve të tjera perëndimore kundër botës islame, të paragjykuar si përkrahëse të “Al Qaidës”.
Pavarësisht se kjo çështje mund të shikohet nga sa e sa aspekte, esenca mbetet hakmarrja kolektive, që është shumë më e rrezikshme sesa hakmarrja individuale, e cila po ashtu është e vjetër aq sa është edhe njerëzimi dhe nuk do të pushojë kurrë derisa të ekzistojë njerëzimi.
Shembujt e gjakmarrjes në traditën tonë gojore. Gjakmarrja e motrës për vëllanë
Në këtë studim do të marrin në shqyrtim vetëm një segment të gjakmarrjes, për të cilin mendojmë se është fenomen autentik shqiptar dhe do të bëjmë përpjekje ta zbërthejmë duke u mbështetur në të dhënat, që ofron vetë lënda si e tillë.
Gjakmarrja e motrës për vëllanë, e bijës për babanë apo anëtarin e familjes nuk parashihet në Kanunin e Lekë Dukagjinit, edhe pse kjo formë e “vetë drejtësisë” është lejuar, mbase edhe ka qenë krejtësisht e lejuar. Në kanun nuk është përcaktuar kush duhet të marrë hak, edhe pse është nënkuptuar se hakun e merr i afërmi për të afërmin e vet. Nuk janë përjashtuar rastet kur nipi ka marrë hak për dajën, apo daja për nipin, apo shoku për shokun, miku për mikun e raste të tjera.
Gjakmarrja e motrës për vëllanë, ndër ne është veçori tipike më shumë shpirtërore sesa dokesore. Ky fenomen tregon mirëfilli se bota femërore nuk ka qenë e shtypur dhe e diskriminuar, sikur më vonë paraqitet në Kanun, as ka qenë e pabarabartë sikur është spekuluar dhe spekulohet madje edhe në ditët tona.
Femra në historinë shqiptare ka qenë edhe mbretëreshë, princeshë, kryengritëse, heroinë, dëshmore, madje edhe gjakmarrëse e hakmarrëse. Mbase kështu është edhe ndër popujt e tjerë, por që motra të marrë hak për vëllanë, më duket se është një veçanti karakteristike që sfidon studiuesit për të zbërthyer këtë fenomen mbi bazën e fakteve, që na jep vetë tradita e së kaluarës.
Antigona e Sofokliut,
Hajrie Garria,
Mrika e Gjini,
Mora e Terbaçit,
Hasimja e Mirashit
Sanie Kaçkini
Zylfie Haklaj, janë vetëm disa shembuj të këtij fenomeni.
Përkushtimi dhe dashuria e thellë e motrës për vëllanë, por jo edhe e vëllait për motër, (të paktën jo në nivel të njëjtë, gjithnjë sipas traditës të së kaluarës), hetohet qysh në dramaturgjinë antike. Dramaturgu i madh, Sofokliu, në dramën e tij Antigona, ka paraqitur femrën e kohës, e cila thyen ligjin e mbretit dhe varros vëllanë, Polinikun, pavarësisht se ai i takonte taborit kundërshtar dhe trajtohej si armik. “Antigona, një vajzë guximtare dhe trime vendos ta varros të vëllanë, duke shkelur urdhrin e panjerëzishëm të mbretit dhe duke përbuzur çdo rrezik, që mund të dilte nga veprimi i tillë. Ajo ndien se nuk është në rregull të veprojë kundër ligjeve të pushtetit, por vepron sipas ligjit moral, të pashkruar. Mbreti Kreon urdhëron të vritet Antigona, e cila ishte e fejuar me të birin e tij. Edhe pse i paralajmëruar për pasojat tragjike të një veprimi të tillë Kreoni nuk ndërron mendje, ndërkohë që djali i tij, Emoni, vret veten mbi varrin e Antigones. Kur merr vesh për humbjen e djalit, var veten edhe Euridiqi, bashkëshortja e Kreonit”. ( Sofokliu, Antigona, Prishtinë 1976, f.6)
Përderisa Antigona thyen ligjin e kohës, e vetëdijshme se do të ndëshkohet me jetë, Hajrie Garria e traditës dokesore shqiptare vret burrin madje edhe djalin, për të marrë gjakun për vëllezërit, Mustën dhe Halilin, të cilët i kishte tradhtuar burri i saj, një vasal i pushtuesit. Vrasja e djalit të vet nga Hajria në këtë këngë është komentuar si barbarizëm dhe janë bërë përpjekje që ky motiv të paraqitet si i egër. Mirëpo kritikët e këtij soji, mbase kanë harruar se ishte vetë mbreti grek, Agamemnoni, i cili e therë para altarit bijën e tij, Ifigjeninë, si dhuratë për hyjin, me qëllim për ta ndihmuar në luftë kundër armikut. Derisa motivi grek është krejtësisht i egër dhe nuk mund të arsyetohet në asnjë mënyrë, vrasja e djalit nga Hajrie Garria, bëhet për ta ndëshkuar dhe për ta ndërprerë përfundimisht tradhtinë, por jo për të fituar favore apo zulm e nam.
Hajria nuk e vret për hakmarrje birin, por nga frika se djali do të trashëgonte babanë, meqë asokohe kishte shumë shembuj të tillë.
Kënga popullore e trimërisë për Hajrie Garrinë ka një dramaticitet të fuqishëm por edhe tmerrues. Motra ndihet e tradhtuar nga burri, sepse ai kishte vepruar kundër ligjit të vendit. Ai kishte prerë mikun në besë, që është forma më drastike e besëprerjes dhe për të cilën kanuni i Lekës parasheh vendimin kapital për besë-prishësin, të cilit pasuria i bëhej gjobë për fisin e bajrakun, i digjej shtëpia, i nxirrej guri i kufirit dhe me tërë anëtarët e familjes dëbohej nga Bajraku, nga njësia territoriale e përcaktuar me Kanun.
Motra e Mustës dhe e Halilit, pasi merr vesh se burri ua ka fshehur armët dhe ka denoncuar vendndodhjen pyet për fatin e tyre. Këngëtari popullor anonim ka zhvilluar këtë dialog imagjinar mes motrës, turmës, apo korit dhe vëllezërve
Vjen e motra tue pvetë,
-Të mij vëllazën çka i ka gjetë?
-I ka shitun miku i vet,
-I ka shitë treqind duket…
-M’ paç n qafë ti mori motër,
-Q’ i më rrejte e m prune në Shkodër,
-Ty mos t leftë as djalë në votër.
-Mos m leftë djalë, e mos m leftë çikë
-Ket’ punë motra s’ e ka ditë,
-Mos kij gajle vëlla i motrës,
-Ti pret motra qentë e Shkodrës.
(Visaret e Kombit, vëllimi I, Shkodër, 1937, faqe. 29-30.)
Hajrie Garria kishte mësuar rastin tragjik të prerjes së kokave të dy vëllezërve, të Mustës dhe Halilit, i cili në dëshirën e tij të fundit para xhelatit, kërkon që vëllait të vogël t’i hiqet koka më parë, në mënyrë që ai të mos e shohë vëllanë e madh duke ia prerë kokën xhelatxhiu.
Prej atij çasti, Hajrie Garria projekton dhe kryen hakmarrjen. Ajo vret burrin dhe përjeton një katarzë shpirtërore. Mirëpo, për t’ia prerë lidhjet e tradhtisë dhe duke u frikësuar se djali, kur të rritet do të përsëris veprën e babait, ajo në rrethana të një dhembjeje të thellë për vëllezërit, e therë edhe të birin.
“Kur ja vuna thikën burrit,
Si mi nxjerrë vllaznit’ prej burgit,
Kur ja vuna thikën djalit
Si me i nxjerrë dy sytë e ballit”.
(Po aty, faqe. 33.)
Motivi i gjakmarrjes së Hajrie Garrisë ka qenë pjesë e interpretimeve ndër më të ndryshmet në letrat tona.
Duke bërë përpjekje për ta analizuar veprën e Hajries, dhe për ta trajtuar këtë si fenomen të traditës shqiptare dhe ndëshkimit që kjo traditë i bënte tradhtisë, studiuesit dhe mbledhësit e folklorit: Karl Gurakuqi dhe Filip Fishta, arrijnë në përfundim se të huajt kurrë nuk mund ta kuptojnë dramën morale të kësaj kënge. Për më tepër, ata kanë vërejtur se teksti i kësaj kënge do të keqinterpretohet nga armiqtë e shqiptarëve, të cilët do ta marrin si shembull të një kanibalizmi e egërsie të tyre, duke përmendur edhe konstatimet e antishqiptarit Vladan Gjorgjeviq, i cili pretendonte ta bindte opinioni se shqiptarët janë njerëz me bishta. “Prej kesaj kange nuk del se gruaja mbytë burrin e djalin për mirakande, apo për instinkt, përkundrazi duket mirëfilli se ajo e ka ndërgjegjen e punës së kobshme qi asht tuj e ba, pse ajo vetë thotë:
Kur i vuna thikën djalit
Si t’i nxjerrkësh sytë prej ballit” ( K. Gurakuqi, F. Fishta, Po aty, faqe 33)
Në kohën e regjimit komunist në Shqipëri, ky motiv ishte përfillur me realizëm, duke vënë në spikamë aktin heroik të trimëreshës shqiptare, e cila edhe pse në mënyrë individuale, e ndëshkoi ashpër tradhtinë. Doemos se pushteti që ndiqte tradhtarët e popullit, gjente mbështetje në këtë motiv shumë të përhapur sidomos në veri të vendit dhe në Kosovë. Në disa studime të deformuara që iu kanë bërë këtij motivi në Kosovë, janë bërë përpjekje, që ky motiv të anashkalohet, meqë sipas një soji të interpretëve tanë sharlatanë ky motiv parqet egërsi dhe barbari.
Heroina e kësaj kënge është e njëjtë me Antigonen e Sofokliut, për më tepër drama morale e saj është shumë më e fuqishme dhe më tmerruese. Po të dalim nga kontesti i këngës dhe ta analizojmë këtë fenomen në aspektin psikologjik, në raport me kohën dhe mbizotërimin e moralit të fortë dokesor të kohës së caktuar, do të zbulojmë jo vetëm karakterin tradicional të një femre, e cila tashmë simbolizon shembullin më karakteristik të femrës shqiptare, e cila vret për ta vënë në vend moralin e traditës, duke bërë një hap më tej. Ajo, duke ditur se trashëgimia e burrit do të demonizohej nëpër shekuj si një shembull drastik i tradhtisë, i këput rrënjën e trashëgimisë, me qëllim që e liga të mos përsëritej dhe djali i saj të mos jetojë i demonizuar si bir i një tradhtari. Fenomeni i tradhtisë është ndëshkuar kurdoherë, të paktën është ndëshkuar nga ana morale duke e denoncuar publikisht. Është interesant fakti se në disa raste rapsodi anonim popullor ka stigmatizuar aktin e tradhtisë, në anën tjetër nuk ka ofruar të dhëna të hollësishme për tradhtarin, madje në disa raste ka kursyer edhe emrat, për shkak që kjo vepër e ligë dhe e dënueshme me Kanun të mos prekte trashëgimtarët. Emrat janë denoncuar vetëm në rastet drastike të tradhtisë, si Bektash aga i kësaj kënge, tradhtari Kadri Mehmeti, i cili vret Bajram Currin e raste të tjera.
Duhet shtuar me këtë rast se kjo këngë një kohë të gjatë është kënduar në stilin e këngëve të quajtura të “Majekrahit” në kohën kur krushqit bëheshin gati të hynin në shtëpinë e mikut, për të marrë nusen. Përmbajtja e këngës në mënyrë paragjykuese i përkujtonte mikut lidhjen e miqësisë mbi parime të besës dhe mikëpritjes.
“Vargjet e kësaj kënge, kënduar nga krushqit pak para arritjes te dera e mikut, apo para hyrjet në fshat, përkujtonin dukurinë e tradhtisë, i përkujtonin mikut se besëprerja ishte akt i rëndë dhe bija e fisit, e cila po bëhej nuse, kishte të drejtën ta ndëshkonte tradhtinë”.
(Milush Kopiliqi serb apo shqiptar? Prishtinë 2003, f. 102).
Kanga e Mustes dhe Halilit
Fryni era u çel taraba:
-Çou Halil se Bejtash Aga,
Me treqind sejmenë përmbrapa,
T gjithë në opinga pa çorapa
Musa i vogël u que në kambë,
Lypka armet ku i ka lanë,
-Na i ka fshehun miku mbramë;
-S’e ka menden me na i dhanë,
-E paska menden me na nxanë.
Bejto Syla, qen qafiri,
Ban gosti e çoi na thirri,
Mire na priti na gostiti,
Mish e petlla mjaft na qiti,
Çoj per myzhde te Veziri,
-Myzhde pashe se u zu Halili,
U zu Halili tuj kendue,
Dugajxhitë ne kambë janë çue,
-Kofsh i lire e kofsh bekue,
-Fole Shkodër nji fjale per mue,
-Nuk po tham jo me m shpetue,
-Me pre Musen para mue,
-Musen e vogel e ka fale Pasha,
-Pa Halilin t gjalle mos paça.
Musa i vogel shtrini qafen,
Xhelatxhia pe preh’ shpaten,
Xhelatxhia ka ba be.
-Kurrë ksi trima nuk kam pre,
-M’ paq ne qafe ti mori moter,
-si me rrejte e m prune n Shkoder,
-Ty mos t’ lefte kurr djale ne voter.
-Mos m lefte djale e mos m lefte çikë,
-Ket pun’ motra s; e ka dijtë,
-Mos ki gajle vlla i motres,
-Ti pret motra qent’ e Shkodës,
Shkoi nji jave e shkun pese dite,
Preu t shoqin me të bijt’.
-Kur ja vuna pushkën burrit,
– Si me i nxjerrë vllaznit prej burgit,
-Kur ja vuna thikën djalit,
-Si me i nxjerrë dy sytë prej ballit.
Ç’bani motra për Halilin?
Preu t’ shoqin me gjith’ t’ birin
Vrau tre vete e duel kaçak…
(Visaret e Kombit, Shkodër, 1937, faqe, 32-33)
Hasime Mirashi është një personazh i rëndësishëm i memories tonë kombëtare
Hasime Mirashi mori gjakun sipas traditës, sipas kanunit të Lekë Dukagjinit. Duke qenë bijë e një familjeje të varfër dhe të keqtrajtuar gjatë tërë jetës, ajo doemos se ishte edukuar në frymë të hakmarrjes. Ndjenja e gjakmarrjes i fuqizohet me rastin kur ia vrasin dy vëllezër, meqë nuk kishte mashkull tjetër në shtëpi, i cili do ta merrte gjakun. Për ta vënë në jetë synimin e saj, pranon ta humbasë edhe rininë. Martohet me një burrë, që ishte shumë më i moshuar dhe që kishte shumë gra të tjera në haremin e tij. Në kohën kur ishte bindur se burri, por edhe daja i saj e kishin gënjyer, ajo kishte vendosur ta merrte gjakun për vëllezërit, duke qenë po ashtu e vetëdijshme se po e humbiste edhe ardhmërinë.
Elementi qenësor që e ka ngulitur thellë në memorien e kombit veprën e Hasimes, është vrasja nga ana e saj e përdhunuesit, gardianit serb në qelinë e burgut të Nishit. Ishte kjo një mbrojtje brilante e nderit, e një femre shqiptare, e cila nuk iu kishte nënshtruar fatit dhe nuk kishte pranuar të luajnë me nderin e saj derisa të ishte gjallë, edhe pse ishte dënuar me burg të rëndë dhe atje do të qëndronte për një kohë të gjatë.
Janë krejtësisht të paqëndrueshme përgojimet e armiqve të saj, që kanë përhapur gënjeshtra se ajo ishte martuar me drejtorin e burgut. Është krejtësisht jashtë çdo mundësie dhe logjike që një drejtor burgu të marrë për grua një të burgosur shqiptare, e cila i kishte vrarë edhe gardianin dhe kishte dëmtuar edhe personelin e burgut në aspektin moral, meqë dhuna që kishte ushtruar kundër saj gardiani binte ndesh edhe me vetë rregulloren e institucionit dhe i kishte qitur hije të zezë jo vetëm burgut.
Këtu qëndron thelbësorja e këtij akti të kësaj heroine shqiptare, e cila iu kishte kundërvënë ligjit të dhunës dhe përdhunimit nga pushtuesi serb.
Veprimet e saj na bëjnë të kuptojmë se kemi të bëjmë me një femër të edukuar në rrethana shumë të rënda të jetës. Ajo kishte përjetuar shumë tragjedi në jetë. I kishin vdekur prindërit dhe së bashku me vëllezërit bonjakë ishte rritur me troha buke, në skamje e varfëri. Në kohën kur vëllezërit ishin burrëruar, ia kishin vrarë. E kishte tradhtuar burri, por edhe daja. Krejt këto fatkeqësi e kishin kalitur në jetë dhe ajo kishte marrë qëndrim për hakmarrje, meqë familja edhe ashtu kishte pësuar, ashtu sikur kanë pësuar me mijëra familje të varfra shqiptare të kohës së regjimit gjakatar serb.
Edhe pse kishte humbur prindërit në moshë të re, pastaj vëllezërit, edhe pse ishte dënuar me burg të rëndë, nuk ishte dorëzuar as kishte pranuar pozitën e robëreshës. Ajo, gjatë kohës sa ishte në vuajtje të dënimit ishte sfiduar edhe në nderin e saj, të cilin e kishte ruajtur me fanatizëm, duke u kthyer kështu në një heroinë të heshtur, në një shembull tipik të botës së pastër shqiptare, të botës të vegjëlisë së nëpërkëmbur, e cila kurrë nuk ishte dorëzuar edhe pse ishte dëmtuar gjithnjë nga pushtuesit dhe shërbëtorët e tyre.
Vepra e Hasime Mirashit është e denjë për tërë kombin.
Ajo ka mbetur në kujtesë ashtu si Harie Garria dhe Maroja e Tërbaqit.
Veprën e saj duhet ta gjykojmë jo me këndvështrimin e sotme të marrëdhënieve shoqërore, por me rrethanat që kanë mbretëruar në vendin tonë në kohën e okupimit gjakatar serb, i cili kishte vrarë qindra mijëra shqiptarë dhe po aq i kishte shpërngulur detyrimisht për në Turqi.
Emri i Hasime Mirashit është meritor dhe është ne nderin e institucioneve tona që këtë emër ta përjetësojnë, jo vetëm për veprën e saj brilante, por edhe për faktin se regjimi kriminal serb i ka humbur çdo gjurmë. Është për çdo lëvdatë puna që ka bërë dr. Mark Krasniqi në ndriçimin e biografisë së saj, por janë për çdo kritikë institucionet e ish Krahinës Autonome të Kosovës, të cilat nuk patën as edhe ide për ta zbardhur fatin e kësaj heroine shqiptare, të cilën populli nuk e harroi kurrë. Kënga për Hasime Mirashin këndohet në Kosovë, në Drenicë, në Dukagjin në Kumanovë e Tetovë por edhe në Shkodër e në Tiranë.
Kënga e Hasimes, (variant, Augustin Ukaj )
Çke Hasime, qi kanë ti
Jam tuj kajtë, e mjera, për dy vllazni,
Kanë lanë nanën me duer në gji,
Motra shkretë me lotë për sy,
-Unë, djalë nanës, nuk po di,
-Që m’ çet pushkë për vllaznitë e mi,
-I koftë dhanë toka me tapi,
-Edhe ara me mulli,
-Un’ u bafsha niqah i tij,
Lile Begraci paska nie,
Ai Lila në kamë asht çue,
Te daja i Hases paska shkue,
Edhe dajës i ka kallxue,
-Disa fjalë i kam nigjue,
-Ke nji mbesë me ma dhanë mue,
-E per vllazën t’saj kam me luftue,
Ja dha besën janë besatue,
Daja i Hases në kambë ashtu que
-Hajde, hajde tash me mue,
Te Hasimja paska shkue,
-Hajde mbese i ka ka kallzue,
-Lil Begraca ta ka lype për grue,
-Po don daja me t’ martue,
-Në daç për vllaznit me luftue,
-N dash vendin me ta kallxue,
-Te Lilë Begraca ki me shkue,
Fort e shkreta koka gzue,
-Ndal bre daje i paksa thene,
-A ki besë, a don me m zanë,
-Atij besën ja kam dhane,
-Qi me qet pushke e qi lufton.
-Pritem pak daje i ka thane.
-Nji shami tesha du me marrë.
Përmbas dajës ju ka vnue,
Fill te Lila n konak jane shkue,
Te Lila brenda paskan shkue,
Edhe Lilës i ka thanë:
Shtrije besn qi ke dhanë,
Mbesen teme per hajr ta baj,
Ti e din Liles i ka thane,
Ngryka -ngrykas kokan marrë,
Edhe daja ne shpi ka shkue.
Kqyre Lila çka ka marue,
Rafsh dy vjet paskan kalue,
Me çitë pushke krejt e pat harrue,
Niske gjaqet me i pajtue,
Nje dite ne kambë ai asht que,
Merr do pleq per me pajtue,
Edhe ne odë i ka bashkue,
Kjo Hasimja i ka hetue,
Punte e shpisë ish tuj punue,
Merr kusinë në kullë ka shkue,
Me ujë valë për me përvëlue
Veshin deres ja ka vnue,
Nijke burrat tuj kuvenue,
Dojshin gjaqet me i pajtue,
Fort e shkreta koka ngushtue,
Shkelem deres i ka paska mshue,
Edhe Liles ju ka ngërmua:
-Mos lashte Zoti pa t’ marrue,
A di besen qi me ke dhane mue,
A di besen qi m ke dhanë,
Ti me dajen ki dy fjalë,
Bese të fort ti na ke dhanë.
Ti dhe ftyren na ke marrë.
Disa kohë po kalojnë.
Shkunë do muj e shkunë dy vjet,
Pushka Lilës nuk po kercet,
Ban Hasimja shka dojke vet,
Vet po shkon ajo ne qeler,
I ka veshe nje pale tirqi t’ zi,
Ne shokë ma shtijke nji allti,
Ne kry pe vnon nj plis te ri,
E përjashta ja paska msye
E te hasmi koka shkue.
Thrret me za koka dale nje grue
Nje za tjetër po ia lëshon,
Shpejt e shpejt koka dale një hallë,
-Ku janë burrat mori halle?
-Permas gardhi jane tuj vdu nje talle
E hasimja shka po ban,
Fill asht nisë ne lamë po shkon,
-Puna mbarë po ja ban,
-Pune mbarë mor Xhemë Delija,
Xhemë Sadrija del tue keshe
-Te mbare paç mor djalë i ri,
Nxur ja dhajka qat kuti,
Me dorë të majte ma merrke kutinë
Me dorë të djathte ja dhezë alltinë.
Ne vend ma vrau Xhemë Sadrinë
E vrau Xhemen me gjithë djalë.
Pak mandej kishte lanë nje fjale
-Ruhi bir u plaçin syte
-Ka dalë halla n oborr tuj brite,
-Ruhi djem se koka çikë,
-Po don fare me çite,
N’ kapixhik fluturim ka dale,
Ka marrë rrugën koka dalë,
Xhadarmëria ma kanë zanë,
N milici n’ stranicë po e qojnë
Edhe t’ shkreten po e qortojne
-Pse Hasime ket nam ke bamun,
-Per vllazen t mi u paska thanun,
-Une gjakun e kam marrë,
-Nuk pat kush dorzan me dale.
20 vjet burg pe denojnë
E ne burg Hasimen pe qojnë
Edhe n Nish e paskan çue.
Disa ditë paskan kalue,
I ka ardhe rendi per uje me shkue
I ka marrë knatat ka tfillue,
Nji xhandar mbrapa ju ka nue.
Shtini doren me shnjerëzue,
Fort e shkreta koka ngushtue,
Me knatë të re në kokë ja ka mshue,
Deken n toke e ka lane palue,
E Hasimja asht tfillue,
Te komandiri koka shkue,
-Pse at qen mrapa ma ke que,
-Deshti qeni me m’ shnjerëzue
-Shtrini dorën me m’ çnderu,
-Me ni knate ja kam mshue,
-Dekun në toke e kam lan palue.
Ahmet Qeriqi