Në seancën e sotme përfaqësuesit e partive opozitare i kanë thënë ‘Jo’ të
fortë miratimit të ndryshimeve kushtetuese që i hapin rrugën themelimit të
Gjykatës së Veçantë. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se
themelimi i Gjykatës Speciale do të ishte një “monstrum ligjor”. Sipas tij, kjo
gjykatë është një precedent, pasi që nuk ka ndodhur për republikat e tjera në ish-Jugosllavi,
për asnjë palë tjetër që ka qenë pjesë e luftimeve.
Edhe kryetari i Nismës për
Kosovën, Fatmir Limaj duke kundërshtuar votimin e amendamenteve kushtetuese, ka thënë se buxheti i kësaj Gjykate do të jetë
deri në 500 milionë euro. Sipas tij, kjo gjykatë nuk do të ketë mundësi t’i shpenzojë
këto para për një mandat 5-vjeçar, prandaj mandati i saj do të zgjatet deri në
20 vite. Deputeti Limaj poashtu ka thënë se me votimin e kësaj Gjykate do të
barteshin kompetencat tek individë që nuk i njohim dhe që Kuvendi i Kosovës nuk
pyetet për ta.
Ndërkaq, deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka
thënë se Kosovës po i kërkohet që të votojë një Gjykatë e cila i ngarkon
qytetarët e Kosovës me akuzën e spastrimit të Kosovës. “Kundërshtimi ynë nuk
është kundërshtim ndaj drejtësisë por ndaj padrejtësisë. Kjo Gjykatë po kërkon
t’ua ngarkojë shqiptarëve spastrimin etnik”, ka thënë Selimi. Ai ka thënë se nëse
do të votonte pro themelimit të Gjykatës Speciale atëherë s’do të kishte fytyrë
të shkonte në Prekaz, Reçak e vende të tjera ku janë masakruar civilë shqiptarë.