Diskutimi publik për ridestinimin e hapësirës përreth Shkollës së Muzikës në Mitrovicë do të vazhdoi

Rreth 100 qytetarë, përfaqësues të OJQ-ve e shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve e të tjera, kanë marrë pjesë në  Diskutimin  Publik lidhur me Shqyrtimin e idesë së Projektit për Ridestinimin e Zonës Urbane F1/3, Parcela me nr 1600, 1600-1, me Objektin Ekzistues (ish Shtëpia e Armatës Jugosllave), me nr. 1600-1-190-0, nga Destinimi sipas PRRU ”Qendra”, që janë institucione publike, në destinimin me përmbajtje Objekte Ekonomike-Garazhe Etazhore, organizuar nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Mitrovicës.

Arsyetimet lidhur me idenë për ndryshimin e destinimit të hapësirës komunale ku aktualisht gjenet objekti i Shkollës së Muzikës dhe Muzeut të Qytetit, me qëllim të ndërtimit të një garazhe etazhore, mbi bazën e partneritetit publiko-privat, i dhanë: kryetari i Komunës Agim Bahtiri, drejtori i Drejtorisë  së Urbanizmit e Planifikimit Sami Zeka dhe drejtori i Drejtorisë së Rinisë, Kulturës dhe Sportit Fidan Ademi.

Në vazhdim lidhur me këtë çështje u hap diskutimi publik, që zgjoi interesim të jashtëzakonshëm tek të pranishmit. Diskutuesit e shumtë u ndanë në ata që e mbështetnin ridestinimin dhe ata që e kundërshtonin atë.

Mbështetësit folën për të mirat që kjo ide sjell për qytetarët e Mitrovicës, pasi që sipas tyre ka nevojë të madhe për të pasur hapësirë për parkimin e automjeteve, si dhe nevojë të domosdoshme për ndërtimin e objektit të muzeut karshi kësaj hapësire, që parashihet ta bëj përfituesi i projektit për ndërtimin e garazhës etazhore.

Kundërshtarët e idesë së ridestinimit thanë se kjo ide nuk është e qëlluar dhe se është në dëm të qytetarëve, sidomos është pengesë për nxënësit dhe arsimtarët e shkollës që gjendet aty afër, pasi që do të krijohet zhurmë dhe ndotje e ambientit nga automjetet.

Duke parë se qytetarët janë të ndarë rreth kësaj çështje dhe me qëllim që vërtetë të merren parasysh kërkesat e qytetarëve, kryetari i komunë propozoi që kjo çështje të diskutohet edhe njëherë  në rreth më të ngushtë për të sqaruar të gjitha dilemat dhe pastaj të zhvillohet sërish debati.

“Fjala e fundit do të jetë fjala e qytetarëve. Nëse shumica e qytetarëve mendojnë se kjo ide duhet realizuar, atëherë ne do të vazhdojmë procedurat. Nëse ata janë kundër, atëherë mbetet ashtu sikur është”, tha kryetari Bahtiri.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …