Diskutohen sfidat e Hotelerisë dhe Turizmi në Kosovë, pas pandemisë Covid-19

Ne Universitetin e Shkencave të Aplikuara, gjatë ditës së sotme është mbajtur një tryezë me temën “Sfidat e Hotelerisë dhe Turizmit në Kosovë, pas pandemisë Covid-19”.

Hapjen e këtij takimi e bëri, prof.dr. Petrit Hasanaj, i cili tha se qëllimi i tryezës është realizimi i një analize të plotë shkencore mbi krizën e shkaktuar nga koronavirusi, efektet e saj në sektorin e Hotelerisë dhe Turizmit në Kosovë.

Me një fjalë përshëndetëse të pranishmëve i është drejtuar edhe prof.dr. Agron Bajraktari, Rektor i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

Në këtë takim në emër të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, të pranishmit i ka përshëndetur, drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Balton Dërguti. Ai me këtë rast ka folur për sfidat që i janë shkaktuar në Komunë e Ferizajt, gjatë pandemisë Covid-19.

“Turizmi dhe gastronomia para pandemisë kanë qenë duke ecur shumë mirë. Ka pasur rritje të klientëve dhe vizitorëve, por pandemia Covid-19 dhe masat e distancimit social kanë shkaktuar dëme të shumta për ekonomitë në mbarë botën, si dhe në zhvillimin e turizmit. Së fundmi, pasiguria që shoqëron krizën po çon në ulje të investimeve të inovacionit dhe vizitorëve në fushën e turizmit, kjo ka qenë njëra ndër sfidat më të rënda për bizneset të cilat mirren me turizëm gjatë kohëve të fundit në vendin tone”, ka thënë drejtori Dërguti, përderisa ka shtuar që synim kryesor i kësaj drejtori është edhe përkrahja e bizneseve përmes granteve, sidomos në fushën e turizmit dhe ato artizanale.

“ Planifikojmë që të bëjmë lirimin nga taksat për pronat e dhëna në shfrytëzim për çështje turistike, do të bëhet studimi i fizibilitetit për qytetin e Ferizajt, rregullimin e qendrave informuese për turizëm dhe investitor, përgatitja e ciceronëve dhe trajnimi i tyre edhe me gjuhë të huaj, edhe me pjesën e shpalosjes së vendeve turistike të cilët shfrytëzohen nga turistët me pagesë. Poashtu do të bëjmë përkrahjen për pjesën e prodhimeve artizanale, mirëmbajtja dhe restaurimi i hapësirave dhe vendeve turistike, krijimi i hartës turistike dhe vendosja në vende të ndryshme, do të bëjmë përgatitjen e Guidës turistike si dhe do të bashkëpunojmë edhe me organizata vendore dhe ndërkombëtare me qëllim krijimin e zonave turistike, bashkëpunimi me Universitetin e Ferizajt dega e Turizmit ku do të bëjmë edhe gërshetimin e përvojave”, është shprehur Dërguti.

Përmes kësaj tryeze u synua gjithashtu të trajtojë masat, politikat dhe strategjitë e ndjekura për përballimin e saj në Kosovë. Nëpërmjet punimeve dhe konkluzioneve të kësaj tryeze do të synohet të jepen sugjerime dhe mendime për sfidat dhe politikat e rimëkëmbjes ekonomike në periudhën post-pandemike.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …