Diskutohet për zbatimin e ligjeve nëpër komuna

Organizuar nga instituti GAP dhe  organizata INPO, këtë të martë u mbajt tryezë diskutimi me temë “Zbatimi i ligjeve nga komunat”.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishte kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, kryetari i Shtimes Naim ISmajli, kryetari i Kaqanikut Besim Ilazi, kryetari i Hanit te Elezit Rufki Suma, kryesues të kuvendeve, por edhe drejtorë të Drejtorive komunale.

Hapjen e tryezës e bëri Albulena Nrecaj nga organizata Inpo e cila këtë analizë e ka vlerësuar si të një rëndësie shumë të madhe me vet faktin se nga afër shihet edhe zbatueshmeria e ligjeve që janë të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Bekim Salihu nga Instituti Gap tha se kjo analizë politikash nxjerr në pah se shumica e qeverive lokale nuk i zbatojnë në plotësi  ligjet. Bazuar në këtë hulumtim, mungesa e resurseve të kualifikuara njerëzore, kufizimet buxhetore,  mungesa e konsultimit dhe koordinimit  ndër institucional si dhe  mungesa e llogaridhënies dhe përgjegjësisë  janë disa nga shkaqet që ligjet në fuqi nuk zbatohen plotësisht nga komunat.

“Qëllimi i draft analizës e cila është para jush,  është pikërisht për këtë, për të parë se sa komunat i zbatojnë këto ligje që i miraton Kuvendi i Kosovës, por ne kemi gjetur që në shumicën e ligjeve dhe në shumicën e komunave që nuk i zbatojnë”, ka thënë Salihu.

Kreu i Qeverisë lokale të Ferizajt, Muharrem Svarqa shtroi disa aspekte  si mosdefinimin e kompetencave në mes institucioneve lokale e qendrore. Sipas tij tek më vonë pushteti lokal duket sikur po i shkel ligjet e që nuk ndodh në parim por vetëm krijohet përshtypja e tillë.

“Në bazë të asaj që kam lexu përkundër disa vërejtje që mund të japim,  të gjeturat  janë të tilla sado që janë rezultat dhe pasojë  e një mosfunksionimi në mes të pushtetit lokal dhe qendror. Të gjitha të gjeturat për mos zbatim të ligjit në komunën e Ferizajt, janë të ndërlidhura me këtë element sepse mos zbatimi i ligjit nuk është as qëllim,  as synim i komunës së Ferizajt, por intervenimet e vonshme shpesh herë të ministrive përkatëse si dhe të komisionin ndërministror, komunën e Ferizajt,  shpesh herë e kanë fut në  një vorbull dhe në bazë të asaj është krijuar një përshtypje se komuna  e Ferizajt nuk i ka zbatuar ligjet dhe kjo ka qenë e ndërlidhur ne veçanti me Ministrinë e Planifikimit Hapësinor”, ka thënë kryetari Svarqa.

Kryetari i Komunës së Shtimes, njëherësh kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Naim Ismajli pranoi se ka ngecje në zbatimin e ligjeve, por kërkoi të rritet komunikimi me organet qendrore që cilësia e ligjeve të përcaktojë edhe cilësinë e shërbimeve.

Edhe kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma tha se ka përzierje kompetencash ndër institucionale, të cilat sipas tij po e dëmtojnë edhe pushtetin lokal.

Hulumtimi i Instituti GAP gjithashtu nxori se nga 400 ligje sa janë në fuqi,  për zbatimin e 52 prej tyre apo 13% të ligjeve janë përgjegjëse komunat. U tha se  gjatë punës së këtij instituti përgjatë viteve të fundit është hasur në raste të shumta moszbatimi i ligjeve nga ana e komunave.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …