Dita e Tokës u shënua me pemë të reja dhe pastrim të mjedisit në Ferizaj

22 prilli, Dita e Tokës, edhe në Ferizaj u shënua me mbjelljen e pemëve dhe me pastrimin e mjedisit jetësor.

Qindra nxënës të shkollave të Ferizajt, iu bashkuan zyrtarëve komunalë në shënimin simbolik të kësaj dite, e cila konsiderohet si një moment për të bërë thirrje për pengimin e degradimit të tokës, keqpërdorimin e pasurive të saj, kundër ndotjes nga industria kimike dhe nga shpyllëzimi masiv.

Një pemë dekorative e llojit acer platonides, u mboll simbolikisht para ndërtesës të Komunës së Ferizajt, ndihmuar nga kryetari Muharrem Svarqa dhe zyrtarët komunalë.

“Në këtë mënyrë po tregojmë përkushtimin tonë për një mjedis më të pastër dhe më të pasur me drurë dhe për më shumë hapësira të gjelbra. Sot janë mobilizuar nxënësit e shkollave që janë ambientalistë të rinj dhe zyrtarët e Komunës që merren me këtë fushë, për ta shënuar ditën që na kujton të gjithëve se si duhet të sillemi me më shumë përgjegjësi ndaj mjedisit”, tha kryetari Svarqa. Ai e lidhi këtë veprimtari mjedisore me një projekt të organizatës gjermane GIZ, i cili pritet të zbatohet në Komunën e Ferizajt në të mirë të mbrojtjes dhe pasurimit të mjedisit jetësor.

Me këtë rast u tha se muajt prill e maj do të jenë të mbushur me aktivitete mjedisore, por kujdes ndaj mjedisit do të tregohet edhe gjatë muajve të tjerë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …