Rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim ka bërë të ditur se që nga fillimi i fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit është vërejtur gjuhë nxitëse dhe e urrejtjes mbi baza politike, si në tubime politike, por edhe në komente në platforma online. Në një konferencë për media më 18 janar, Eugen Cakolli nga DnV, tha se gjatë kësaj jave ka pasur përkeqësim të gjuhës së ashpër të përdorur në fushatë. “Këtë javë kemi pasur ashpërsim e përkeqësim të gjuhës së përdorur në fushatë, me plotë 25 aktivitete gjatë monitorimit të së cilave janë raportuar raste të përdorimit të gjuhës së nxitjes apo urrejtjes, kryesisht mbi baza politike”, tha ai. Sipas tij, gjuhë e tillë është përdorur më së shumti gjatë aktiviteteve të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, por përjashtim nuk kanë bërë pas partitë e tjera. Ai tha se gjatë monitorimit, dhjetë raste të përdorimit të gjuhës nxitëse, të urrejtjes dhe fyese janë identifikuar në aktivitetet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjashtë në aktivitetet e Partisë Demokratike dhe katër në atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Gjatë konferencës për media, Cakolli po ashtu njoftoi se kanë monitoruar edhe aktivitetin online të 679 kandidatëve për deputetë. DnV-ja, tha ai, ka identifikuar 50 raste kur të njëjtit kanë qenë shënjestër apo edhe autorë të gjuhës nxitëse e të urrejtjes, por edhe lajmeve të rreme.
Kontrolloni gjithashtu
Në Kuvendin Zgjedhor të OVL-UÇK-së janë ftuar; Sami Lushtaku, Fatmir Limaj, Daut Haradinaj, Dardan Molliqaj, Shqipe Selimi e Nuredin Ibishi
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mban Kuvendit e V-të …