Nga fillimi i vitit të ardhshëm Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës, sipas zyrtarëve qeveritarë, thuhet se do të funksionojnë si një institucion i vetëm, i quajtur Agjencia e të Hyrave e Kosovës.
Bashkimi i dy agjencive, të cilat grumbullojnë paratë për buxhetin e Kosovës, do të përmirësojë shërbimet për tatimpaguesit, njëherësh do të sjellë rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe ekonomisë joligjore.
Avdullah Hoti, ministër i Financave, për Radion Evropa e Lirë, bën të ditur se aktualisht është duke u punuar në finalizimin e ligjit, dokument ky që shumë shpejt pritet të kalojë në Qeveri dhe të procedohet në Kuvendin e Kosovës.
“Bizneset do të kenë një adresë të vetme, jo një zyrtar tatimor dhe një doganor. Dhe, mbi të gjitha, të krijojmë atë zinxhirin e pashkëputur prej momentit të importit të mallit, derisa malli të shitet brenda vendit, si masë për luftimin e ekonomisë joformale”.
“Kemi marrë praktikat më të mira në rajon dhe më gjerë. Shumica e vendeve të Bashkimit Evropian funksionojnë në këtë mënyrë.Tendenca është në atë drejtim të bashkimit në një agjenci të vetme të të hyrave buxhetore”, thotë Hoti.