Doli në dritë libri: “Dëshmitar në kohë historike”, vëllimi i 9-të i Ditarit të profesor, doktor, Rexhep Qoses, botuar në Toena

Doli në dritë libri: “Dëshmitar në kohë historike”, vëllimi i 9-të i Ditarit të profesor, doktor, Rexhep Qoses, botuar në Toena

Doli në dritë libri: “Dëshmitar në kohë historike: Vëllimi i 9-të i Ditarit, të profesor, doktor Rexhep Qoses, botuar në Toena.

Nëntë vëllimet e këtij Ditari,  ashtu sikur tërë krijimtaria e tij, janë pasqyra më besnike, më realiste dhe më e çmuar e letrave shqipe, që kanë të bëjmë me zhvillimet historike,  shoqërore, politike e kulturore në Kosovë e më gjerë,  prej  viti 1966 e deri tani në vitin 2008. Kjo  enciklopedi, e vetmja e kësaj përmbajtjeje  dhe e këtij zhanri në letërsinë shqipe, është një vepër monumentale dhe lapidare në të njëjtën kohë, sepse përmban brenda një pasqyrë historike, reale, dokumentare  të tri periudhave më të rëndësishme të jetës dhe historisë sonë kombëtare,  sidomos në Kosovë, periudhën e para luftës, në kohën e robërisë jugosllave e serbe, periudhën e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe periudhën e pas çlirimit deri në vitin 2008, kur edhe ishte shpallur Pavarësia e Kosovës, tashmë e njohur nga shumica e vendeve të botës.  

Kompleti me 9 vëllime, Dëshmitar në kohë historike, është një fenomen i veçantë i krijimtarisë së akademikut, Rexhep Qosja, ku  është  e segmentuar vetë jeta jonë e përditshme, shoqërore, politike, kulturore, që ka ndodhur dhe që është shënuar në kronologji, ditë pas dite, javë pas jave, muaj pas muaji, vit pas  viti, nga një “regjistrues”  i pajisur me dije  erudite e njohuri enciklopedike, me qëllim për t’ iu lënë brezave një trashëgimi të një realiteti objektiv, që ka ndodhur në kushte dhe rrethana të ndërlikuara të së kaluarës sonë, i pasqyruar nga këndi subjektiv, ku autori është edhe personazh dhe pjesëmarrës i shumë  zhvillimeve,  kronologjikisht prej vitit 1966 deri në vitin 2008 dhe në vazhdim me pjesën tjetër shumë dimensionale të krijimtarisë, të cilën po e vazhdon me sukses edhe në ditët e pleqërisë së mbarë e fisnike.

E kam thënë dhe vazhdoj ta mendoj e them  në vazhdimësi, se të shkruash  për veprat e profesor, doktor, Rexhep Qoses nuk është punë e lehtë, por nuk është edhe  e mundimshme,  sepse lënda që profesori i ofron lexuesit dhe studiuesit është brumë i ardhur shumë mirë, me të cilin mund të gatuhet gjithçka që ushqen trurin e mendjen, andaj edhe ia vlen, sepse në radhë të parë përfiton si lexuesi ashtu edhe vlerësuesi i veprës së tij.

Profesori im i nderuar, Rexhep Qosja, si gjatë studimeve, në fakultet dhe në studimet pasuniversitare, për mua ka  qenë dhe mbetur gjithmonë  profesor, ligjërues, kumtues, mësues   për tërë jetën, sepse natyra krijuese  e ka pajisur me të gjitha dhuntitë, virtytet, aftësitë, e mbi të gjitha me idealizmin e njeriut të vënë me krejt qenien në shërbim të popullit, në edukimin e arsimimin  e tij, në hapjen  e rrugëve që çojnë në dituri, përparim, zhvillim, emancipim kombëtar e njerëzor.

Vëllimi i fundit i  librit, Dëshmitar në kohë historike cili ka dalë në dritë tani, ashtu sikur edhe vëllimet paraprake, të këtij projekti madhor,  është i stërmbushur me ngjarje ditore, me prezantimin dhe komentimin e tyre, me pasqyrimin objektiv të rrethanave, me vënien në spikamë të ndodhive e ngjarjeve që janë zhvilluar si shkak-pasojë, si reflekse e meditime, duke i pasqyruar dhe duke i interpretuar  me një aftësi të jashtëzakonshme, me gjuhën kurdoherë të pasur e të kuptueshme për lexuesin dhe me interes të veçantë për studiuesit, kritikët, komentuesit dhe historianët e letërsisë.

Nëntë “Ditarët” e Rexhep Qoses, kanë një rëndësi të veçantë, në radhë të parë për faktin se janë “nëntë yje të pashuar”, që ndriçojnë, që rrezatojnë realizëm, që pasqyrojnë totalitetin e zhvillimeve më të rëndësishme kombëtare e shoqërore, të shqiptarëve në raport me vetveten dhe me të tjerët. Janë fakte reale të përditshmërisë, janë gjurmë të pashlyeshme të një realiteti që ka ndodhur me të mirat e me të ligat, me dituritë e padituritë, me luftën e përhershme të kontradiktave shoqërore, politike, me krejt atë që e përbën jetën njerëzore në lëvizje, në kohë e hapësirë, në sinkroni e diakroni, në rrjedha të caktuara, me të cilat është mbarsur jeta, në përgjithësi, në veçanti jeta jonë kombëtare e shoqërore.

Duke regjistruar çdo ngjarje me interes të përditshmërisë, në ditarët e tij, Qosja merr në trajtim  qoftë një informatë, lajm, ndodhi, aktivitet politik, shoqëror  apo kulturor, në nivel lokal apo të përgjithshëm, gjithnjë duke e studiuar nga të gjitha këndet, si ide, mendim, qoftë edhe sugjerim, tezë, antitezë, për të nxjerrë sinteza të caktuara, reale, logjike, jo imagjinare e hipotetike, përveç në rastet kur e kërkon qoftë tema, qoftë disponimi momental.

Si kundrues i thellë i realitetit me vëmendjen, diturinë, aftësinë  dhe ndërgjegjen e shkencëtarit e  të intelektualit meritor, ai shkruan jo me qëllim për të shkruar sa më shumë, por me qëllim për ta vënë në spikamë,  për ta thënë, për ta shkruar  e për ta dëshmuar gjithnjë të vërtetën dhe vetëm  të vërtetën, atë të vërtetë që qëndron në ballë të Universit dhe që është diga e saj e pathyeshme, e pa asgjësuar, e patretshme, sepse ajo është vetë natyra dhe universaliteti  e totaliteti i saj.

 Shumë njerëz, krijues, shkencëtarë, politikanë, shkrimtarë janë dëshmitarë të kohëve të tyre dhe gjithsecili ka dëshmitë  e tij, por ato dëshmi  jetojnë, ndikojnë dhe mbesin vetëm kur shkruhen, kur botohen, kur u jepen lexuesve dhe kur i mbesin së ardhmes. Edhe sot lexohen e studiohen veprat e Platonit, Aristotelit,  Dantes, Shekspirit, Hegelit, Marksit, Ainshtajnit, Darvinit, Tolstoit, Leninit, e shumë të tjerëve, sepse janë vepra që kanë shënuar epoka, janë vepra me vlera universale, janë vepra që kanë ushtruar ndikim në zhvillimin e qytetërimit dhe inteligjencies njerëzore.

Veprimtaria e krijimtaria kolosale  e dr. Rexhep Qoses është Institucion  në vete dhe si të tillë duhet ta çmojnë e ta ruajmë, ta lexojmë e ta studiojmë për të mësuar ku kemi qenë, ku jemi dhe kah po rrugëtojmë.

Kaq kësaj radhe…

Jetë të gjatë sa malet profesor shumë i nderuar dhe shumë i respektuar, Rexhep Qosja!.

 

Ahmet Qeriqi

27. 9. 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …