Doli në dritë libri i Nexhmije Hoxhës, “Kosova e lirë”

Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e ish-kryetarit të Shqipërisë të kohës së komunizmit, Enver Hoxha, ka nxjerrë në dritë librin dokumentar, tematik: “Kosova e Lirë”. Edhe pse në moshë të shtyrë të pleqërisë, por me një memorie mbresëlënëse dhe një qëndrim shumë korrekt e të palëkundshëm në të vërtetat e historisë të së kaluarës dhe të tanishmes, në mesin e shumë veprave  ka botuar edhe këtë  libër me fakte e dëshmi  për çlirimin e Kosovës.

“Ndihem e lumtur që, përveç pjesëmarrjes sime në luftën për Çlirimin e Atdheut tim, Shqipërisë, gjatë jetës sime bëra diçka në mbështetje të Luftës Çlirimtare të vëllezërve kosovarë”, ka shkruar autorja në hyrje të librit, i cili përgjithësisht i kushtohet Kosovës, dëshmorëve e martirëve dhe të gjithë luftëtarëve të UÇK-së, të cilët luftuan për çlirimin e  kësaj pjese të Shqipërisë nga robëria serbe.

Autorja e librit, Nexhmije Hoxha është një personalitet shumë i njohur, jo vetëm si bashkëshorte besnike e Enver Hoxhës, por edhe intelektuale e politikane, e cila ka përballuar me sukses, qëndresë e stoicizëm Luftën për çlirimin nga fashizmi  e ndërtimin e vendit,  por edhe përmbysjen dhe katrahurat që i sollën Shqipërisë bijtë e saj shkapërdarë në dy deceniet e fundit në emër të demokracisë dhe sikur thuhet “çlirimit nga komunizmi”, pavarësisht se vetë këta  kishin  qenë komunistë, por  të shpërfytyruar dhe dogmatikë.

Edhe pse e anatemuar, e burgosur dhe e keqtrajtuar nga Qeveria e Sali Berishës, e më pastaj nga qeveritarët  e tjerë, edhe pse e shantazhuar  nga grupe dhe banda parapolitike, Nexhmije Hoxha arriti të qëndrojë kurdoherë vertikalisht, në mbrojtje të familjes, të vlerave të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, në mbrojtje të nderit e të dinjitetit njerëzor, kombëtar e politik.  Lufta e saj ka qenë dhe po mbetet e pabarabartë, por vetëm në luftëra të tilla provohet forca e argumentit, qëndrimi i palëkundur dhe mbrojtja e së vërtetës, e asaj të vërtete të arritur me bindje, fakte e argumente, asaj të vërtete që i kishte besuar përqindja dërrmuese e të gjithë shqiptarëve.

Librin e saj, titulluar, “Kosova e lirë”, autorja e ka ndarë në katër pjesë. Në pjesën e parë ka përfshirë kujtime nga prejardhja e familjes  së saj në Dibër të Madhe dhe në Manastir, ndërsa në pjesën e dytë  ka paraqitur disa shkrime në të cilat është prezantuar qëndrimi zyrtar i Enver Hoxhës për çështjen e Kosovës, disa shkrime të saj  për Kosovën, pastaj një letër përshëndetëse drejtuar Akademisë përkujtimore në rastin e 100-vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës, të mbajtur në Prishtinë, në tetor të vitit 2008 dhe disa letërkëmbime të tjera.

Në pjesën e tretë të librit janë prezantuar  takimet, përshtypjet  dhe letërkëmbimet e zonjës Hoxha me personalitete marksiste-leniniste ndërkombëtare, të cilat kishin mbështetur luftën e UÇK-së, letra mbështetëse e përkrahjeje  që kishte marrë,  me rastin e burgosjes dhe dënimit me burg nga regjimi i kohës, në vitin 1991.

Në pjesën e katërt të librit, “Kosova e lirë” autorja ka prezantuar letra dhe përshëndetje drejtuar luftëtarëve e komandantëve të UÇK-së me rastin e mbajtjes së tubimeve dhe akademive përkujtimore, telegrame urimi, mirënjohje dhe telegrame që ka marrë nga familjarë të dëshmorëve.

Ky libër i Nexhmije Hoxhës ka vlera të jashtëzakonshme dokumentare, ku pasqyrohet një realitet jo sa duhet i njohur për opinionin e gjerë, në trevat shqiptare, meqë mujsharët e shtrembërimit të së vërtetës, kapitalistët e rinj të xhunglës, faqezinjtë dhe bijtë e kolaboracionistëve, po përpiqen ta ngufasin të vërtetën, me qëllim për të na bindur se 50 vjet të Shqipërisë Socialiste paskan qenë vite të humbjes së madhe, edhe pse këta dhe soji i tyre janë ngritur e kanë prosperuar pikërisht në ato vite, janë arsimuar  vetë dhe kanë ngritur e kanë arsimuar bijtë dhe bijat e tyre, të gjithë të njohurit e të afërmit e tyre,  kanë  vjelë të gjitha favoret nga shteti për veten  e familjet e tyre, shumë syresh  kanë qenë zëdhënësit më të flakët dhe puthadorë servilë deri në pështirosje të ish-regjimit komunist të Shqipërisë.

Këta mujsharë e trutharë po bëjnë përpjekje për ta varrosur të vërtetën, të cilën nuk ka arritur ta varros askush në botë, pavarësisht nga këndi si e shikojmë dhe si logjikojmë, qoftë ajo e mirë apo e keqe, qoftë e shtrembër apo e drejtë, qoftë e gabuar apo e vërtetë. Këtë nuk e kanë arritur madje as perandorët e despotët, dhe lërë më larot e shërbëtorët e fashizmit, apo bijtë e bijat e tyre.  Përpjekjet për ta deformuar të vërtetën, për ta përbuzur e për ta sharë atë, për ta ngulfatur e për ta degjeneruar janë përpjekje të mizorëve e djallëzorëve,  të maskarenjve e trutharëve, por koha e tyre është kohë transiti, është kohë e maskarenjve, ndërsa  Atdheu dhe epokat e historisë kanë qenë dhe do të mbeten të shqiptarëve.

Me vepra të tilla realiste, digjen flakë maskaradat shkrimore të Blendi Fe-ziut dhe skribeve  të tjerë, që shkruajnë me porosi e për  para të majme.

Ahmet Qeriqi

Shkurt 2015

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …