leoni

Doli në dritë libri: “Manastiri i Deçanit dhe Pronat Shoqërore-Si u tjetërsuan tokat e komunës së Deçanit” i autorit, Adem Lushaj

Libri i studiuesit, Adem Lushaj, “Manastiri i Deçanit dhe Pronat Shoqërore” është vepër e arrirë, shumë dimensionale. Adem Lushaj, është emër i njohur i hulumtuesit, studiuesit të përkushtuar, analistit të zellshëm dhe autor i disa veprave publicistike, dokumentare e shkencore.

Është edhe autor i shumë publikimeve, veprimtar, bashkëpunëtor në shumë medie e portale. Mbi të gjitha, shkrimet e tij janë të sajuara nga pena e publicistit me përvojë, të thurura e të sistemuara me një imagjinatë kreative, që le mbresa, me një diskurs të pasur narrativ, me motivacion dhe qëndrim realist e të paanshëm të problemeve, që merr në shqyrtim.

“Manastiri i Deçanit dhe Pronat Shoqërore” në radhë të parë është një vepër me vlera dokumentare, shkencore, ku me gjuhën e fakteve, të dhënave, argumenteve historike të kohës së kaluar dhe të aktualitetit politik, është  trajtuar njëra ndër temat kyçe, që e ka rënduar dhe po e rëndon Shtetin e Kosovës, jo vetëm në raport me Serbinë, e cila nuk heq dot dorë nga politika ekspansioniste e hegjemoniste, duke përdorur çdo mjet e metodë e sidomos fenë, që është edhe diga e nacional-shovinizmit serb, jo vetëm në raport me Kosovën.

Se sa aktuale është dhe po mbetet kjo temë e trajtuar në këtë libër mjafton të sjellim në kujtesë konstatimin e raportueses së Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, e cila duke folur në Manastirin e Graçanicës, ka deklaruar se të gjitha objektet fetare si dhe trashëgimia kulturore janë pronë e Kishës Ortodokse Serbe, duke e përjashtuar Kosovën krejtësisht nga kjo e drejtë, në radhë të parë historike, pastaj edhe politike e shtetërore.

            Kisha Ortodokse Serbe është ADN-ja politike ku janë mbështetur dhe mbështetën nacionalistët serbë, sepse ajo ka edhe përkrahjen e shumë shteteve të Evropës e botës. Mjafton të sjellim në kujtesë. Në vitin 2008, bazuar në Planin e Ahtisarit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin mbi Zonat e veçanta, ku rreth 800 hektarë në afërsi të manastirit, mbesin në mëshirën e vendimeve të Kishës Ortodokse dhe politikës serbe të Beogradit.

Autori i këtij libri, përmes një metodologjie të përparuar shkencore, profesionale, iu ka qasur lëndës me përgjegjësi e profesionalizëm, duke e mbarë shtruar atë në sinkroni e diakroni, në vertikalen e saj të errët e gjithnjë të dhunshme, si dhe në horizontalen e shtrirjes në ndikimin strategjik e politik, duke e ilustruar me fakte e dëshmi relevante, të cilat i ka përfshirë në librin e tij, duke sistemuar pjesët e veçanta në një tërësi organike, të pajisur me shumë të dhëna nga të gjitha segmentet dhe pikëpamjet.

Libri i fillon me një historik të shkurtër të Manastirit të Deçanit, për të vazhduar pastaj me të gjitha ngjarjet, ndodhitë, zhvillimet e ndryshme, politike, të brendshme e të jashtme, ligjet që Kosova kishte nxjerrë për pronat dhe eksterritorialitetin e Kishës Ortodokse Serbe, në bazë të Pakos së Ahtisarit, dhe tërë problematikën që e ka mbartur dhe po e mbart ky Manastir, veçmas në komunën e Deçanit, të cilën po e dëmton ekonomikisht, por edhe po shkakton probleme në Kosovë, përgjithësisht.

Autori sjellë fakte e dëshmi të shumta për krejt atë që ka filluar të vihet në qendër të vëmendjes së këtij Manastiri, pothuajse pa asnjë besimtar, jo vetëm pas luftës por edhe në vitet e regjimit kriminal të Millosheviçit, e më herët, sepse në Deçan dhe fshatrat përreth popullata serbe, është krejt minore dhe nuk ka qenë asnjëherë e pranishme në numër sikur në Graçanicë, apo në ndonjë manastir tjetër ortodoks, serb.

Pavarësisht nga kjo, që në vendosjen e administratës së UNMIK-ut në Kosovë, në verë të vitit 1999, filluan dhe u riaktualizuan ankesat e njohura ndër shekujt të Kishën Ortodokse Serbe, e cila jo vetëm këtë Manastir por krejt Kosovën e konsideron “tokë të shenjtë serbe”, edhe pse dihet historikisht dhe botërisht fakti se këtë Manastir e disa të tjerë, i kanë ruajtur shqiptarët, (në rastin konkret mjeshtërit shqiptarë të ndërtimit e gdhendjes së gurit, si arkitekti i Mesjetës, Mikel Tivarasi, Mark Nikë Gega, Gjin Aleksi e të tjerë e kanë ndërtuar këtë Manastir). Shqiptarët e kanë ruajtur nga rrënimi e harresa, madje edhe shqiptarët islamë, duke e konsideruar me të drejtë si faltore të paraardhësve të tyre të krishterë, lindorë e perëndimorë. Këtë fakt nuk e mohon as vetë Manastiri.

“Manastiri i Deçanit dhe Pronat Shoqërore” është një pasqyrë e gjithanshme e ngjarjeve dhe ndodhive që kanë pasur dhe kanë për objekt këtë Manastir si nga politika e diplomacia vendore e ndërkombëtare, ashtu edhe nga komuna e Deçanit, mediet, gazetarët, analistët, udhëpërshkruesit, historianët e studiuesit e ndryshëm.

Në këtë libër me shumë vlerë, autori ka përzgjedhur e ka sistemuar një lëndë shumë të begatshme dokumentare, ndoshta më të begatshëm të kohës sonë për një problem të caktuar. Autori në këtë vepër, të cilën e ka sistemuar metodologjikisht me një kronologji unike, ka prezantuar informata, analiza, vështrime, artikuj gazetash, intervista me qytetarë dhe autoritete komunale, por edhe qeveritarë, historianë e gjeografë që e njohim problematikën dhe tërë një gamë analizash, të cilat sjellin fakte e dëshmi reale, për krejt çka ka ndodhur dhe po ndodh me këtë Manastir, ku në radhë të parë i ka shtrirë duart politika, veçanërisht ajo e Beogradit, por edhe mbështetës të saj jo të pakët, por jo besimtarët, të cilët kurrë dhe askush nuk i ka penguar, madje as gjatë luftës, kur ka mundur të hidhet në erë nga UÇK-ja, por kjo nuk është lejuar nga krerët e saj, pasi lufta nuk ishte fetare, edhe pse serbët kishin bombarduar e rrënuar qindra xhami në Kosovë. Madje edhe me qëllim që shqiptarët t’i rrënonin kishat ortodokse, për t’ i dhënë luftës një karakter tjetër.

Libri është i pasur edhe me shumë ilustrime, grafikone, dokumente, faqe gazetash, proces-verbale gjyqësore, foto personalitetesh me rëndësi, skica, vizatime, foto të protestave, të cilat e motivojnë vëmendjen e lexuesit dhe librit ia shtojnë vlerën dokumentare.

Pavarësisht se lënda në këtë vepër është heterogjene në shumësinë e shkrimeve të llojllojshme të saj, ajo është përmbledhur si duhet rreth temës bazë dhe është homogjenizuar si tërësi organike shkrimore, e cila shquhet në radhë të parë për këndet e shumta të vështrimit dhe qasjes së problemeve që ka trajtuar autori, Adem Lushaj.

Kjo vepër e begaton jo vetëm fondin krijues të autorit, por edhe publicistikën shqiptare përgjithësisht, pasi autori ka arritur të na japë një vepër të arrirë, dokumentare shkencore, e cila gjithësi se i përballon kohës. Ajo do t’ iu shërbejë edhe brezave në të ardhmen, për të parë se ku kemi qenë ne dikur,  e ku do të jenë ata,  që do të na pasojnë.

 

 

Ahmet Qeriqi

  1. 6, 2024

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …